Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të jetojmë në përputhje me lutjen model—Pjesa II

Të jetojmë në përputhje me lutjen model—Pjesa II

‘Ati juaj e di se për ç’gjëra keni nevojë.’MAT. 6:8.

1-3. Pse një motër ishte e sigurt se Jehovai e di për çfarë kemi nevojë?

LANËS nuk do t’i hiqet kurrë nga mendja ajo që ndodhi në Gjermani një ditë vere të vitit 2012. Ajo mendon se morën përgjigje dy lutje të saj specifike. Të parën e shprehu teksa bënte një udhëtim të gjatë me tren për në aeroport. I kërkoi Jehovait t’i krijonte mundësinë të jepte dëshmi. Lutjen e dytë e bëri pasi arriti në aeroport dhe mori vesh se fluturimi i saj ishte shtyrë për ditën tjetër. Lana u lut ngaqë i mbaruan thuajse të gjitha eurot dhe nuk kishte ku të rrinte.

2 Me të mbaruar lutjen e dytë, ajo dëgjoi dikë që i tha: «Ç’kemi, Lana! Çne këtu?» I riu që i foli, dikur kishte qenë shoku i saj i shkollës. Ai ishte me të ëmën e gjyshen, që po e përcillnin për në Afrikën e Jugut. Kur mori vesh hallin e Lanës, mamaja e tij, Elka, e ftoi përzemërsisht në shtëpi. Ajo dhe e ëma e mirëpritën Lanën dhe i bënin pareshtur pyetje për besimin dhe për shërbimin si pioniere.

3 Ditën tjetër, pas një mëngjesi të bollshëm, Lana iu përgjigj edhe pyetjeve të tjera që kishin për Biblën. Para se të ikte, mori masa që dikush tjetër të vazhdonte t’u fliste për të vërtetën. Ajo u kthye në shtëpi shëndoshë e mirë dhe vazhdon shërbimin si pioniere e rregullt. Beson se gjërat shkuan kështu falë ‘Dëgjuesit të lutjes’.Psal. 65:2.

4. Cilat nevoja do të shqyrtojmë?

4 Mbase s’e kemi problem t’i lutemi Jehovait për ndihmë kur befas ndodhemi përballë një vështirësie, dhe ai kënaqet kur besnikët i drejtohen për mbështetje. (Psal. 34:15; Prov. 15:8) Mirëpo, nëse meditojmë për lutjen model, do të kuptojmë se ka nevoja më të rëndësishme që ndoshta i anashkalojmë. Për shembull, le të shohim si dalin në pah nevojat tona frymore në tri kërkesat e fundit të lutjes model. Dhe, a mund të bëjmë diçka më tepër për të jetuar në përputhje me kërkesën e katërt, pra për bukën e përditshme?Lexo Mateun 6:11-13.

«NA E JEP BUKËN PËR KËTË DITË»

5, 6. Pse ka rëndësi kërkesa për bukën tonë të përditshme, edhe nëse ne vetë i kemi gjërat e nevojshme materiale?

5 Vër re se kjo kërkesë nuk thotë «më» jep bukën për këtë ditë, por «na» jep bukën për këtë ditë. Viktori, një mbikëqyrës udhëtues në Afrikë, shpjegon: «E falënderoj shpesh Jehovain me gjithë shpirt që bashkë me gruan nuk kemi pse të merakosemi për vaktin tjetër ose për qiranë. Vëllezërit tanë kujdesen me dashuri për ne çdo ditë. Ama lutem për ta, që t’i përballojnë hallet e tyre ekonomike.»

6 Mbase vetë kemi mjaft rezerva ushqimore për shumë ditë, por të mos harrojmë vëllezërit që jetojnë në skamje ose që janë prekur nga katastrofat. Jo vetëm që duhet të lutemi për ta, por edhe të veprojmë në përputhje me lutjet tona. Për shembull, mund ta ndajmë atë që kemi me bashkëbesimtarët në nevojë. Gjithashtu mund të kontribuojmë rregullisht për veprën mbarëbotërore, të sigurt se këto fonde përdoren me mençuri.1 Gjon. 3:17.

7. Si e ilustroi Jezui këshillën që ‘kurrë të mos jemi në ankth për të nesërmen’?

7 Kur foli për bukën e përditshme, pa dyshim që Jezui e kishte fjalën për nevojat tona më të ngutshme. Prandaj, ai vazhdoi të tregonte se si Perëndia i vesh lulet e fushës, dhe më pas tha: «A nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, o besëpakë?! Prandaj, mos jini kurrë në ankth e mos thoni: . . . ‘Çfarë do të veshim?’» Ai përfundoi duke e përsëritur këtë këshillë të rëndësishme: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen.» (Mat. 6:30-34) Kjo tregon se, në vend që të jemi materialistë, duhet të kënaqemi me gjërat bazë të çdo dite. Këto mund të përfshijnë strehimin e përshtatshëm, punën për të nxjerrë bukën e gojës dhe mençurinë për të përballuar problemet shëndetësore. Megjithatë, po të lutemi vetëm për këto gjëra fizike, nuk do të tregoheshim të ekuilibruar. Kemi nevoja frymore ku e ku më të rëndësishme.

8. Cilën nevojë të rëndësishme duhet të na kujtojë ajo që tha Jezui për bukën e përditshme? (Shih figurën hapëse.)

8 Ajo që tha Jezui për bukën e përditshme duhet të na kujtojë nevojën për ushqim frymor. Zotëria ynë tha: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Mat. 4:4) Ndaj duhet të lutemi pa pushim që Jehovai të vazhdojë të na japë ushqim frymor në kohën e duhur.

‘NA I FAL BORXHET’

9. Në cilin kuptim mëkatet tona janë ‘borxhe’?

9 Pse në një rast Jezui përdori fjalën ‘borxhe’, ndërsa një herë tjetër fjalën ‘mëkate’? (Mat. 6:12, shën.; Luka 11:4) Mbi 60 vjet më parë kjo revistë e shpjegonte mjaft mirë: «Një mëkat kundër ligjit të Perëndisë na bën borxhlinj ndaj tij. . . . Me të drejtë Perëndia mund të na e kërkojë dhe të na e marrë jetën ngaqë mëkatojmë. . . . Mund të na e heqë paqen, duke i prishur të gjitha lidhjet paqësore me ne. . . . Ne e kemi për detyrë t’i shprehim dashurinë me anë të bindjes; dhe kur mëkatojmë, borxhi i dashurisë mbetet i pashlyer, sepse mëkati tregon se nuk e duam Perëndinë.»1 Gjon. 5:3.

10. Mbi ç’bazë na i fal Jehovai mëkatet, dhe si duhet të ndihemi për këtë?

10 Nevoja jonë e përditshme për falje thekson të vetmen bazë ligjore falë së cilës Perëndia na i heq mëkatet—flijimi shpërblyes i Jezuit. Ndonëse kjo shpërblesë u pagua thuajse 2.000 vjet më parë, duhet ta çmojmë sikur të ishte një dhuratë që na e kanë dhënë sot. «Çmimi i shpengimit» për jetën tonë «është aq i lartë» sa, çfarëdo që mund të bëjë një njeri i papërsosur, s’e paguan dot. (Lexo Psalmin 49:7-9; 1 Pjetrit 1:18, 19.) Vërtet, duhet ta falënderojmë vazhdimisht Jehovain për këtë dhuratë të jashtëzakonshme. Gjithashtu, shprehja «na i fal mëkatet» dhe jo «m’i fal mëkatet», duhet të na kujtojë se të gjithë në familjen tonë frymore kemi nevojë për këtë masë të mëshirshme. Është e qartë se Jehovai do që të merakosemi jo vetëm për mirëqenien tonë frymore, por edhe për atë të të tjerëve, ku futen edhe ata që mund të kenë mëkatuar ndaj nesh. Zakonisht këto mëkate janë të vogla dhe na japin mundësi të tregojmë se i duam vërtet vëllezërit dhe se jemi gati t’i falim, ashtu si Perëndia na ka falur me mëshirë.Kolos. 3:13.

Nëse dëshiron që Perëndia të të falë, fali edhe ti të tjerët (Shih paragrafin 11.)

11. Pse është e rëndësishme t’i falim të tjerët?

11 Mjerisht, si të papërsosur, ndonjëherë mund të mbajmë mëri ndaj dikujt. (Lev. 19:18) Nëse flasim me të tjerë për atë që ka ndodhur, ata mund të mbajnë anën tonë e kështu shkaktohet përçarje në kongregacion. Po të lejojmë që situata të zgjatë, do të tregonim mosmirënjohje për mëshirën e Perëndisë dhe për shpërblesën. Ati ynë nuk do ta zbatojë më për ne vlerën e flijimit të të Birit nëse kemi prirjen të mos i falim të tjerët. (Mat. 18:35) Jezui e shtjelloi këtë menjëherë pasi dha lutjen model. (Lexo Mateun 6:14, 15.) Së fundi, që të nxjerrim dobi nga falja e Perëndisë, duhet të përpiqemi fort të mos praktikojmë mëkate të rënda. Dëshira për të mos e bërë këtë na çon te kërkesa tjetër e lutjes.1 Gjon. 3:4, 6.

«MOS NA ÇO NË TUNDIM»

12, 13. (a) Çfarë i ndodhi Jezuit jo shumë kohë pas pagëzimit? (b) Pse s’mund të fajësojmë të tjerët nëse biem në tundim? (c) Çfarë arriti Jezui ngaqë mbeti besnik deri në vdekje?

12 Po të shqyrtojmë atë që ndodhi pak pasi Jezui u pagëzua, mund të kuptojmë sa nevojë kemi për të kërkuar: «Mos na ço në tundim.» Fryma e Perëndisë e çoi Jezuin në shkretëtirë. Pse? «Që të tundohej nga Djalli.» (Mat. 4:1; 6:13) A duhet të na habitë kjo? Jo, nëse kuptojmë arsyen kryesore pse Perëndia e dërgoi Birin e tij në tokë: për të zgjidhur çështjen që u ngrit kur Adami dhe Eva hodhën poshtë sovranitetin e Perëndisë. Kërkohej kohë që të merrnin përgjigje disa pyetje që u ngritën. Për shembull, a kishte ndonjë mangësi në mënyrën si e krijoi Perëndia njeriun? A mundej të mbështeste sovranitetin e Perëndisë një njeri i përsosur me gjithë presionet nga «i ligu»? Dhe, a do të ishte më mirë që njerëzit të jetonin të pavarur nga qeverisja e Perëndisë, siç pretendonte Satanai? (Zan. 3:4, 5) Duhej kohë që këto pyetje të merrnin përgjigje, ama do t’u tregonin të gjithë njerëzve dhe engjëjve se Jehovai e ushtron sovranitetin për të mirën tonë.

13 Jehovai është i shenjtë, prandaj nuk tundon askënd të bëjë diçka të keqe. Përkundrazi, «Tunduesi» është Djalli. (Mat. 4:3) Ai mund të krijojë situata tunduese. Megjithatë, secili e ka vetë në dorë nëse do të lejojë të tundohet apo jo. (Lexo Jakovin 1:13-15.) Sa për Jezuin, ai e hodhi poshtë në çast çdo tundim duke përdorur një shkrim të përshtatshëm nga Fjala e Perëndisë. Në këtë mënyrë Jezui mbrojti sovranitetin që me të drejtë i takon Perëndisë. Por Satanai nuk hoqi dorë. Ai priti «një kohë tjetër të volitshme». (Luka 4:13) Jezui vazhdoi t’u rezistonte të gjitha përpjekjeve të Satanait për t’i thyer integritetin. Krishti mbrojti drejtësinë e sovranitetit të Jehovait dhe vërtetoi se një njeri i përsosur mund të qëndrojë besnik edhe në sprovën më të tmerrshme. Gjithsesi, Satanai orvatet t’u ngrejë lak dishepujve të Jezuit, pra edhe ty.

14. Ç’duhet të bëjmë që të mos biem pre e tundimeve?

14 Jehovai e lejon Tunduesin ta përdorë botën që të na joshë sepse çështja e sovranitetit të Perëndisë është ende e hapur. Perëndia nuk na çon në tundim. Krejt ndryshe nga kjo, ai ka besim te ne dhe do që të na ndihmojë. Mirëpo, ngaqë e respekton vullnetin tonë të lirë, Jehovai nuk u pret rrugën medoemos tundimeve. Nga ne kërkohen dy gjëra: të qëndrojmë zgjuar frymësisht e të ngulmojmë në lutje. Si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona?

Ruaj fort gjendjen frymore dhe zellin për shërbimin (Shih paragrafin 15.)

15, 16. (a) Cilat janë disa nga tundimet që duhet t’u bëjmë ballë? (b) Kush ka faj nëse dikush bie në tundim?

15 Jehovai na jep frymën e tij të shenjtë e të fuqishme, falë së cilës marrim forcë t’u bëjmë ballë tundimeve. Gjithashtu Perëndia na paralajmëron me anë të kongregacionit e të Fjalës së tij për gjërat që duhet t’i shmangim, si harxhimin e tepruar të kohës, të parave e të energjive për të rendur pas gjërave të panevojshme materiale. Espeni dhe Jana jetojnë në një vend të kamur evropian. Për vite me radhë shërbyen si pionierë të rregullt në një pjesë të vendit ku kishte më tepër nevojë. Kur u lindi fëmija i parë, iu desh ta ndërpritnin shërbimin si pionierë. Tani kanë edhe një fëmijë tjetër. Espeni thotë: «I lutemi shpesh Jehovait të mos biem në tundim tani që nuk kalojmë aq shumë kohë sa dikur në aktivitetet teokratike. I kërkojmë Jehovait të na ndihmojë të ruajmë fort gjendjen frymore dhe zellin për shërbimin.»

16 Një tundim tjetër që ka nxjerrë kokë në ditët tona është shikimi i pornografisë. Nëse biem në këtë tundim, nuk mund t’ia hedhim fajin Satanait. Pse? Sepse Satanai dhe bota e tij s’mund të na detyrojnë të bëjmë diçka kundër dëshirës sonë. Disa i janë dorëzuar këtij tundimi ngaqë nuk u kanë vënë fre mendimeve të këqija. Por mund t’u bëjmë ballë tundimeve, ashtu siç kanë bërë mijëra vëllezër.1 Kor. 10:12, 13.

«NA ÇLIRO NGA I LIGU»

17. (a) Si mund të jetojmë në përputhje me kërkesën që të çlirohemi nga i ligu? (b) Ç’lehtësim na pret së afërmi?

17 Që të jetojmë në përputhje me kërkesën «na çliro nga i ligu», duhet të bëjmë çmos të mos jemi «pjesë e botës [së Satanait]». ‘Nuk duhet të duam as botën e Satanait, as gjërat që janë në botë.’ (Gjoni 15:19; 1 Gjon. 2:15-17) Kjo është një luftë e vazhdueshme. Sa të lehtësuar do të ndihemi kur Jehovai t’i përgjigjet kësaj kërkese duke zhdukur Satanain dhe duke asgjësuar botën e tij të ligë! Megjithatë të mos harrojmë se kur Satanai u flak nga qielli, e dinte se kishte pak kohë. I tërbuar krejt, ai bën të pamundurën të na thyejë integritetin. Ndaj duhet të lutemi pareshtur që të çlirohemi nga ai.Zbul. 12:12, 17.

18. Çfarë duhet të bëjmë nëse duam të mbijetojmë gjatë shkatërrimit të botës së Satanait?

18 A dëshiron një lehtësim të tillë? Atëherë lutu pa pushim që Mbretëria e Perëndisë të shenjtërojë emrin e tij e që me anë të saj të bëhet vullneti i tij në tokë. Mbaji sytë te Jehovai për plotësimin e nevojave të tua frymore e fizike. Ji i vendosur të jetosh në përputhje me lutjen model.