Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ju keni nevojë për qëndrueshmëri»

«Ju keni nevojë për qëndrueshmëri»

PASI Anita * u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait, i shoqi filloi ta kundërshtonte egërsisht. Anita thotë: «Ai bënte çmos të mos shkoja në mbledhje e më ndaloi prerazi ta përmendja emrin e Perëndisë. Vetëm po ta zija në gojë emrin e Jehovait, bëhej si i tërbuar.»

Një vështirësi tjetër për Anitën ishte t’i mësonte fëmijët për Jehovain. Ajo shprehet: «Isha e ndaluar ta adhuroja Jehovain në shtëpinë time. S’arrija as të studioja lirisht me fëmijët, as t’i merrja në mbledhje.»

Siç e tregon përvoja e Anitës, kundërshtimi nga familjarët mund të jetë një sprovë e madhe për të mbajtur integritetin ndaj Jehovait. Sprova të rënda mund të jenë edhe problemet kronike shëndetësore, vdekja e një fëmije apo e bashkëshortit ose kur një pjesëtar i familjes i kthen shpinën Jehovait. Çfarë mund ta ndihmojë një vëlla apo motër t’i qëndrojë besnik Jehovait?

Çfarë do të bëje përballë sprovave të tilla? Apostulli Pavël tha: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri.» (Hebr. 10:36) Por çfarë mund të të ndihmojë të zhvillosh këtë cilësi?

MBËSHTETU TE JEHOVAI ME ANË TË LUTJEVE

Një nga mënyrat kryesore si marrim forcën e duhur për të treguar qëndrueshmëri nën sprova është të mbështetemi te Jehovai me anë të lutjeve. Ja një rast. Një të hënë pasdite familja e Anës pësoi një tragjedi. I shoqi, me të cilin kishte 30 vjet e martuar, vdiq papritur. Ana thotë: «S’u kthye më nga puna, dhe ishte vetëm 52 vjeç.»

Si e përballoi këtë dhembje Ana? Ajo gjeti një punë që e ndihmoi sepse kërkonte shumë përqendrim, ama dhembjen s’ia hoqi plotësisht. Ajo shprehet: «Ia zbraza zemrën Jehovait dhe iu përgjërova të më ndihmonte ta përballoja humbjen e tmerrshme.» A iu përgjigj Jehovai lutjeve të saj? Ana është e bindur se po. Ajo vazhdon: «Paqja që vetëm Perëndia e jep ishte balsam për shpirtin tim dhe më ndihmoi të mos e humbja arsyen. S’kam pikë dyshimi që Jehovai do ta kthejë prapë në jetë burrin gjatë ringjalljes.»Filip. 4:6, 7.

‘Dëgjuesi i lutjes’ ka premtuar se do t’u japë shërbëtorëve çfarëdo gjëje të nevojshme për t’i qëndruar besnikë atij. (Psal. 65:2) A nuk je dakord se ky premtim të forcon besimin? A nuk të ndihmon të kuptosh pse edhe ti mund t’u bësh ballë vështirësive?

MBLEDHJET—BURIM MBËSHTETJEJE

Jehovai e ka mbështetur popullin e tij me anë të kongregacionit. Për shembull, njëherë kur kongregacioni i Selanikut po haste përndjekje të egër, Pavli i nxiti ata adhurues të vërtetë ‘të vazhdonin të ngushëllonin njëri-tjetrin dhe të ndërtonin njëri-tjetrin, siç edhe po bënin’. (1 Sel. 2:14; 5:11) Vëllezërit në Selanik arritën ta përballonin atë sprovë besimi ngaqë e donin dhe e ndihmonin njëri-tjetrin. Qëndrueshmëria e tyre është shembull i shkëlqyer për ne dhe thekson diçka të veçantë që na ndihmon të durojmë.

Po të krijojmë miqësi të ngushtë me pjesëtarët e kongregacionit, ‘do të ndërtojmë njëri-tjetrin’. (Rom. 14:19) Kjo është tejet e rëndësishme kur jemi në telashe. Vetë Pavli kaloi shumë peripeci, dhe Jehovai i dha forcë të duronte. Hera-herës Perëndia e inkurajonte nëpërmjet bashkëbesimtarëve. Në një rast kur Pavli u dërgoi përshëndetje disa pjesëtarëve të kongregacionit të Kolosesë, ai tha: «Këta kanë qenë për mua një ndihmë fuqizuese.» (Kolos. 4:10, 11) Vërtet, dashuria për Pavlin i nxiti t’i jepnin zemër e ta forconin kur kishte nevojë. Mbase edhe ty të kanë dhënë zemër e të kanë mbështetur pjesëtarët e kongregacionit.

MBËSHTETJE NGA PLEQTË

Perëndia ka siguruar edhe një burim tjetër ndihme brenda kongregacionit: pleqtë. Këta burra të pjekur frymësisht janë «si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkrepi të madh në një tokë të shkretë». (Isa. 32:2) Sa na përtërijnë këto fjalë! A ke përfituar nga kjo masë e dashur? Mund t’i durosh problemet falë inkurajimit dhe mbështetjes nga pleqtë.

Natyrisht, pleqtë s’bëjnë mrekulli. Janë të papërsosur, «me po ato të meta» si ne. (Vep. 14:15) E megjithatë përgjërimet e tyre për ne bëjnë shumë punë. (Jak. 5:14, 15) Një vëlla në Itali, i cili për shumë vjet ka duruar pasojat ligështuese të distrofisë muskulore, tha: «Dashuria e ngrohtësia e pleqve, si edhe vizitat e tyre të shpeshta, më kanë ndihmuar të duroj.» A mund të nxjerrësh edhe më shumë dobi nga pleqtë, kjo masë e dashur nga Jehovai?

MBAJ NJË PROGRAM TË RREGULLT FRYMOR

Mund të bëjmë edhe gjëra të tjera për të qëndruar të fortë. Njëra prej tyre është të mbajmë një program të rregullt frymor. Të shohim shembullin e Xhonit 39-vjeçar, i cili u diagnostikua me një kancer të rrallë. Ai pranon: «Më dukej e padrejtë ngaqë isha aq i ri.» Në atë kohë djali i tij ishte vetëm 3 vjeç. Xhoni thotë: «Gruas i duhej që të kujdesej jo vetëm për vogëlushin tonë, por edhe për mua, si edhe të më ndihmonte të bëja gjithë vizitat te mjeku.» Për shkak të kimioterapisë, Xhoni ishte i rraskapitur dhe i vinte për të vjellë. Dhe jo vetëm kaq. I ati u sëmur për vdekje dhe familjarët duhej t’i bënin hyzmet.

Si e përballuan këtë situatë të vështirë Xhoni dhe familja e tij? Ai tregon: «Pavarësisht sa i këputur isha, sigurohesha që familja të mbante një program të rregullt frymor. S’mungonim kurrë në mbledhje, dilnim çdo javë në shërbim dhe bënim rregullisht adhurimin familjar, edhe kur s’ishte kollaj.» Pra, Xhoni kuptoi se çelësi për të duruar çfarëdo vështirësie është mbajtja e një gjendjeje të mirë frymore. A ka ai ndonjë këshillë për ata që kalojnë periudha të vështira? Xhoni thotë: «Pasi kalon tronditja e parë, mendimet negative që s’të lënë rehat zëvendësohen me forcën dhe dashurinë e Jehovait. Ai do të të bëjë të fortë, siç më bëri edhe mua.»

Pa dyshim, me përkrahjen e Perëndisë mund të durojmë sprova a rrethana të vështira, tani ose në të ardhmen. Le të mbështetemi te Jehovai me anë të lutjeve, të krijojmë miqësi të ngushta në kongregacion, të kërkojmë mbështetjen e pleqve dhe të mbajmë një program të rregullt frymor. Duke bërë kështu, do të veprojmë në përputhje me fjalët e Pavlit: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri.»

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.