Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i shërbesh Jehovait në «ditët e kobshme»

Si t’i shërbesh Jehovait në «ditët e kobshme»

ERNSTI * në të 70-at psherëtin: «Problemet me shëndetin që shtohen dita-ditës s’më lënë të bëj atë që dua.» A ke thënë edhe ti ndonjëherë kështu? Nëse po plakesh dhe e sheh se shëndeti të përkeqësohet e fuqitë të shteren, fare mirë mund ta gjesh veten te përshkrimi që bën kapitulli 12 i Eklisiastiut. Në vargun 1 ditët e moshës së thyer quhen «ditët e kobshme». Sidoqoftë nuk ka pse jeta jote të marrë tatëpjetën. Ende mund të bësh një jetë të kënaqshme teksa i shërben Jehovait plot gëzim.

MBAJE TË FORTË BESIMIN

Ju motra e vëllezër të moshuar shumë të shtrenjtë nuk jeni të vetmit që keni kaluar vështirësi. Në kohët biblike edhe shërbëtorë të tjerë të moshuar të Jehovait kanë qenë në situata të ngjashme. Për shembull, Isaku, Jakobi dhe Akijahu humbën shikimin. (Zan. 27:1; 48:10; 1 Mbret. 14:4) Sara ndihej e rënduar nga mosha. (Zan. 18:11, 12) Mbreti David «nuk ngrohej» dot. (1 Mbret. 1:1) Barzilai i pasur nuk i shijonte më ushqimet dhe muzikën. (2 Sam. 19:32-35) Abrahamit dhe Naomit iu desh të përballonin humbjen e bashkëshortit.Zan. 23:1, 2; Rutha 1:3, 12.

Çfarë i ndihmoi ata t’i qëndronin besnikë Jehovait e të ruanin gëzimin? Abrahami i moshuar «u bë i fuqishëm me anë të besimit», ngaqë besonte te premtimi i Perëndisë. (Rom. 4:19, 20) Edhe ne duhet të kemi besim të fortë. Ky besim nuk varet nga mosha, aftësitë apo rrethanat. Për shembull, patriarku Jakob tregoi besim të fortë te premtimet e Perëndisë edhe kur e kishin lënë fuqitë, ishte i verbër dhe kishte zënë shtratin. (Zan. 48:1-4, 10; Hebr. 11:21) Inesa 93-vjeçare vuan nga dobësia muskulore, por thotë: «Përditë ndihem tejet e shpërblyer nga Jehovai. S’ka ditë të mos mendoj për Parajsën. Kjo më mbush me shpresë.» Çfarë fryme e shkëlqyer dhe pozitive!

Besimi ynë forcohet kur lutemi, kur shqyrtojmë Fjalën e Perëndisë dhe kur ndjekim mbledhjet. Profeti i moshuar Daniel lutej rregullisht tri herë në ditë dhe i studionte pareshtur Shkrimet. (Dan. 6:10; 9:2) Vejusha e moshuar Anë «nuk mungonte kurrë në tempull». (Luka 2:36, 37) Kur shkon në mbledhje dhe merr pjesë në to aq sa mundesh, përtërihesh jo vetëm ti, por edhe gjithë të pranishmit. Përveç kësaj, Jehovai kënaqet gjithmonë me lutjet e tua, edhe nëse nuk arrin të bësh plotësisht atë që do.Prov. 15:8.

Inkurajoni njëri-tjetrin

Mjaft nga ju besnikë do të donit të lexonit e të shkonit në mbledhje, por këto ju duken gjithnjë e më të vështira, mbase të pamundura. Si i bëhet në këto raste? Shfrytëzo mirë çdo gjë që ke në dispozicion. Shumë nga ata që nuk shkojnë dot në mbledhje kënaqen duke i dëgjuar me anë të telefonit. Edhe pse shikimi po i dobësohet dita-ditës, Inga 79 vjeçe përgatitet për mbledhjet duke përdorur fletë të shtypura me shkronja shumë të mëdha që ia bën gati një vëlla në kongregacion.

Ndoshta ti ke diçka që të tjerët do ta ëndërronin: kohën. Pse të mos e shfrytëzosh për të dëgjuar Biblën, literaturën biblike, fjalimet dhe dramat e incizuara? Përveç kësaj, pse të mos marrësh iniciativën që t’i telefonosh një bashkëbesimtari për të ndarë ndonjë dhuratë frymore e kështu ‘të inkurajoni njëri-tjetrin’?Rom. 1:11, 12.

VAZHDO AKTIV NË SHËRBIM TË PERËNDISË

Prediko fjalën

Krista, në mes të të 80-ave, shprehet: «Është e tmerrshme të mos jesh më aq aktive sa dikur.» Si mund të ruajnë gëzimin të moshuarit? Piteri 75-vjeçar përgjigjet: «Duke pasur një qëndrim pozitiv. Të mos e mbajmë mendjen tek ajo që nuk arrijmë të bëjmë, por të kënaqemi me aq sa mund të bëjmë.»

A të vijnë në mendje mënyra se si mund ta predikosh ende lajmin e mirë? Haidi nuk predikon dot shtëpi më shtëpi si dikur. Ndonëse po arrin moshën 90-vjeçare, ajo mësoi të përdorë kompjuterin për të shkruar letra. Disa lajmëtarë të moshuar fillojnë biseda biblike ndërsa rrinë ulur në një stol në park ose në një stacion autobusi. Ose, nëse jeton në një shtëpi për të moshuarit, pse të mos i shohësh si territorin tënd personelin mjekësor dhe të tjerët që jetojnë atje?

Ji mikpritës

Vitet e fundit të jetës, mbreti David e mbështeti gjithë zell adhurimin e pastër. Ai dhuroi fonde dhe organizoi projektin e ndërtimit të një tempulli. (1 Kron. 28:11–29:5) Edhe ti mund të jesh gjithë sy e vesh ndaj asaj që po ndodh në veprën e Mbretërisë në mbarë botën e mund ta mbështetësh sipas mundësisë. Pse të mos përkrahësh pionierët ose lajmëtarë të tjerë të zellshëm në kongregacionin tënd me ndonjë fjalë zemërdhënëse, një dhuratë të vogël ose duke i qerasur me diçka të thjeshtë? Mbase mund të lutesh për të rinjtë, për familjet, për shërbëtorët në kohë të plotë, për të sëmurët dhe për ata që kanë shumë përgjegjësi.

Ju jeni tejet të çmuar dhe shërbimi që bëni ka shumë vlerë. Ati ynë qiellor nuk do t’ju flakë kurrë tej ju të moshuar të dashur. (Psal. 71:9) Jehovai ju do fort e ju vlerëson. Po vjen koha kur të gjithëve do të na kalojnë vitet pa u plakur e pa asnjë ditë të kobshme. Do të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë tonë të dashur Jehova në përjetësi, plot energji dhe me shëndet të përsosur.

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.