Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përgatitu tani për jetën në botën e re

Përgatitu tani për jetën në botën e re

‘Urdhëroji të punojnë për të mirën që të rrokin jetën e vërtetë.’1 TIM. 6:17-19.

KËNGËT: 125, 40

1, 2. (a) Çfarë gjëje të mirë pret me padurim në Parajsë? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë të mirash frymore do të gëzojmë në botën e re?

‘JETA E VËRTETË.’ Shumicës prej nesh kjo shprehje i sjell ndër mend shpresën që të jetojmë përgjithmonë në Parajsën në tokë. Ç’është e vërteta apostulli Pavël e lidhi «jetën e përhershme» me «jetën e vërtetë». (Lexo 1 Timoteut 6:12, 19.) Presim atë jetë që nuk do të marrë fund kurrë dhe që do të na sjellë kënaqësi e gëzim të pashtershëm. Nuk e përfytyrojmë dot si do të ndihemi kur të zgjohemi çdo ditë në formë të shkëlqyer fizike, mendore dhe emocionale. (Isa. 35:5, 6) Mendo sa bukur do të jetë të rrimë bashkë me njerëzit tanë të dashur e me miqtë, përfshirë edhe ata që do të ringjallen. (Gjoni 5:28, 29; Vep. 24:15) Gjithashtu do të kemi mundësi të aftësohemi më shumë në shkencë, muzikë, arkitekturë ose në ndonjë fushë tjetër.

2 Edhe pse mezi i presim këto gjëra të mira, bekimet kryesore në botën e re do të jenë frymore. Sa do të na kënaqet shpirti kur emri i Jehovait të jetë shenjtëruar dhe sovraniteti i tij të jetë shfajësuar! (Mat. 6:9, 10) Do të na ngrihet zemra peshë kur të shohim se po përmbushet qëllimi fillestar i Perëndisë për njerëzit dhe tokën. Dhe, sa më e lehtë do të jetë të lidhemi më ngushtë me Jehovain ndërsa i afrohemi përsosmërisë, e së fundi ta arrijmë!Psal. 73:28; Jak. 4:8.

3. Për çfarë duhet të përgatitemi që tani?

3 Këto bekime mund t’i shijojmë sepse Jezui na siguron se «për Perëndinë gjithçka është e mundur». (Mat. 19:25, 26) Por, nëse duam të jetojmë në botën e re dhe përtej Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, duhet të veprojmë që tani ‘për të rrokur’ jetën e përhershme. Duhet të rrimë gati për fundin e kësaj bote të ligë dhe të bëjmë hapa praktikë që të përgatitemi për jetën në botën e re. Si mund ta bëjmë këtë ndërsa jemi ende në këtë sistem të lig?

SI TË PËRGATITEMI

4. Ilustroni si mund të përgatitemi që tani për jetën në botën e re.

4 Si mund të përgatitemi që tani për jetën në botën e re të Perëndisë? Ta zëmë se po planifikojmë të transferohemi në një vend tjetër. Si të përgatitemi për këtë ndryshim? S’do të ishte keq të mësonim pak gjuhën dhe zakonet e atij vendi. Ndoshta mund të provojmë disa nga ushqimet tradicionale. Mund të jetojmë deri diku sikur të banonim atje. Në fund të fundit kjo do të jetë jeta jonë kur të transferohemi. Po ashtu, mund të përgatitemi për jetën në botën e re duke jetuar që tani, me aq sa kemi në dorë, sikur të ishim në atë kohë. Le të shohim disa shembuj për këtë.

5, 6. Si stërvitemi për jetën në botën e re teksa mësojmë t’i nënshtrohemi drejtimit teokratik tani?

5 Në botën e re do të përkrahet plotësisht sovraniteti i Perëndisë. Çfarë kontrasti në krahasim me vetëqeverisjen që nxit kjo botë e sunduar nga Satanai! Edhe pse disa e shohin si gjë të lavdërueshme të jesh i pavarur e të mos heqësh dorë kurrsesi nga preferencat personale, kjo sjell pasoja të hidhura. Mospranimi i drejtimit të Perëndisë ka shkaktuar vuajtje, mjerim e madje tragjedi. (Jer. 10:23) Sa me padurim e presim kohën kur i gjithë njerëzimi t’i nënshtrohet sovranitetit të dashur të Jehovait!

6 Çfarë kënaqësie do të provojmë kur të ndjekim drejtimin e Jehovait në botën e re teksa zbukurojmë tokën, mësojmë të ringjallurit dhe bëjmë gjithçka tjetër sipas vullnetit të tij! Po nëse na kërkohet të kryejmë një punë që s’e kemi qejf? A do t’i nënshtrohemi drejtimit duke bërë më të mirën e madje duke u kënaqur me caktimin? Shumica prej nesh do të thoshin: «Po, patjetër.» Por a i nënshtrohemi që tani drejtimit teokratik? Nëse bëjmë kështu, po përgatitemi për jetën e përhershme nën qeverisjen e Jehovait.

7, 8. (a) Pse duhet të zhvillojmë një frymë bashkëpunimi? (b) Ç’ndryshime kanë përjetuar disa vëllezër e motra? (c) Për çfarë mund të jemi të sigurt për jetën në botën e re?

7 Përgatitemi për jetën në botën e re jo vetëm kur i nënshtrohemi drejtimit të Jehovait tani, por edhe kur mësojmë të kënaqemi me çdo caktim dhe zhvillojmë një frymë bashkëpunimi. Nëse bashkëpunojmë me ata që marrin drejtimin sot, ndoshta duke u përshtatur e duke u kënaqur me caktime të reja shërbimi, patjetër që do të kemi të njëjtin qëndrim edhe në botën e re. (Lexo Hebrenjve 13:17.) Në Tokën e Premtuar trashëgimia e çdo izraeliti caktohej me short. (Num. 26:52-56; Jos. 14:1, 2) Sot nuk e dimë se ku do të caktohemi të jetojmë në sistemin e ri. Gjithsesi, bashkëpunimi do të na sjellë kënaqësi e lumturi të madhe ndërsa bëjmë vullnetin e Jehovait kudo që të jetojmë atëherë në tokë.

8 Privilegji që të jetojmë nën qeverisjen e Mbretërisë është kaq i madh sa ia vlen çdo përpjekje për të bashkëpunuar me organizatën e Jehovait e për të kryer caktimet teokratike sot. Natyrisht, me kalimin e kohës rrethanat mund të na ndryshojnë. Për shembull, disa nga familja Bethel në Shtetet e Bashkuara janë ricaktuar të vazhdojnë shërbimin e plotkohor jashtë Bethelit dhe tani gëzojnë plot bekime në forma të tjera shërbimi. Për shkak të moshës ose të faktorëve të tjerë, disa që kanë qenë në veprën udhëtuese, tani kanë marrë caktime si pionierë specialë. Po të përpiqemi të kënaqemi në çdo rrethanë, po t’i lutemi Perëndisë për ndihmë dhe po të bëjmë gjithë sa mundemi në shërbim, do të kemi gëzim dhe plot bekime edhe në këto ditë të fundit kritike. (Lexo Proverbat 10:22.) Ç’të themi për jetën që na pret? Mbase e përfytyrojmë se ku duam të jetojmë në botën e re, por mund të na kërkohet të jetojmë diku tjetër. Pavarësisht se ku do të shërbejmë ose çfarë do të bëjmë, pa dyshim që do të jemi mirënjohës e të kënaqur, me zemrën që na gufon nga gëzimi.Neh. 8:10.

9, 10. (a) Në cilat aspekte mund të na duhet durim në botën e re? (b) Si mund të tregojmë se jemi të duruar?

9 Në botën e re nganjëherë ndoshta do të na duhet durim. Për shembull, mund të marrim vesh se disa janë ringjallur, dhe familjarët e miqtë e tyre fluturojnë nga gëzimi. Kurse ne mbase duhet të presim që të ringjallen njerëzit tanë të dashur. Po të ndodhë kështu, a do të gëzojmë me të tjerët e të tregojmë durim? (Rom. 12:15) Nëse mësojmë të presim me durim tani plotësimin e premtimeve të Jehovait, do ta kemi më të lehtë të tregojmë durim atëherë.Ekl. 7:8.

10 Përgatitemi për jetën në botën e re edhe kur tregojmë durim tek na zbulohen të vërtetat biblike. A jemi studentë të zellshëm e të duruar ndërsa të vërtetat biblike qartësohen dita-ditës? Nëse po, nuk do ta kemi të vështirë të tregojmë durim në botën e re teksa Jehovai nxjerr udhëzime të reja për njerëzit.Prov. 4:18; Gjoni 16:12.

11. Çfarë po na mëson Jehovai për marrëdhëniet njerëzore, dhe pse do të na duhet kjo në botën e re?

11 Një cilësi tjetër që do të na hyjë në punë në botën e re është prirja që të falim. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit mund të duhet kohë që të drejtët e të padrejtët të zhdukin tiparet e papërsosura. (Vep. 24:15) A do ta trajtojmë me dashuri njëri-tjetrin gjatë asaj periudhe? Po të mësojmë të falim bujarisht dhe të fashitim mosmarrëveshjet që tani, do ta kemi më të lehtë në atë kohë.Lexo Kolosianëve 3:12-14.

12. Shpjegoni ç’lidhje ka mes jetës që bëjmë tani dhe jetës që përfytyrojmë në të ardhmen.

12 Në botën e re nuk është e thënë të marrim gjithçka që kërkojmë në momentin kur e duam. Përkundrazi, pritet të jemi mirënjohës e të kënaqur në çdo rrethanë teksa nxjerrim dobi nën sovranitetin e dashur të Jehovait. Kjo nënkupton se do të shfaqim pikërisht ato cilësi që Jehovai po na mëson t’i kemi qysh tani. Kur mësojmë të jetojmë sot sikur të jetonim në botën e re, zhvillojmë cilësi që do të na duhen për gjithë përjetësinë. Gjithashtu forcojmë besimin te realiteti i ‘tokës së banuar që do të vijë’. (Hebr. 2:5; 11:1) Për më tepër tregojmë sa të etur jemi për drejtësinë që do të ekzistojë atëherë në tokë. Vërtet, po bëhemi gati për jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë.

PËRQENDROHU QË TANI TE SYNIMET FRYMORE

Bëj një shërbim domethënës

13. Cilat aktivitete do të jenë më të rëndësishme në botën e re?

13 Të shqyrtojmë edhe një mënyrë si të përgatitemi për jetën e vërtetë që na pret. Ndonëse na është premtuar një bollëk ushqimi e gjëra të tjera të domosdoshme në botën e re, kënaqësinë më të madhe do ta provojmë teksa plotësojmë nevojën për ta njohur më nga afër Perëndinë. (Mat. 5:3) Gjëja më e rëndësishme për ne do të jenë aktivitetet frymore, dhe do ta tregojmë me vepra se gjejmë kënaqësi të thellë te Jehovai. (Psal. 37:4) Nëse u japim përparësi gjërave frymore sot, po përgatitemi për jetën e vërtetë në të ardhmen.Lexo Mateun 6:19-21.

14. Cilat synime frymore mund t’i ndihmojnë të rinjtë t’i mbajnë sytë nga jeta e përhershme?

14 Si të provojmë më shumë gëzim në aktivitetet teokratike? Një mënyrë është të vëmë synime frymore. Nëse je i ri dhe po mendon seriozisht ta bësh shërbimin ndaj Jehovait karrierën tënde, pse të mos shqyrtosh disa botime që flasin për lloje të ndryshme shërbimi në kohë të plotë dhe të vësh si synim njërin prej tyre? * Mund të flasësh me disa që kanë mjaft vite në shërbimin e plotkohor. Kur e bën shërbimin karrierën tënde, po përgatitesh t’i shërbesh më tej Perëndisë në botën e re ku stërvitja teokratike dhe përvoja do të të hyjnë shumë në punë.

Merr pjesë në aktivitete teokratike

15. Cilat synime frymore mund të arrijnë lajmëtarët e Mbretërisë?

15 Çfarë synimesh frymore mund të vëmë si lajmëtarë të Mbretërisë? Një synim është të aftësohemi në një aspekt të veçantë të shërbimit. Ose mund të përpiqemi t’i kuptojmë më mirë parimet biblike dhe si zbatohen. Po sikur të aftësohemi më tepër si lexues dhe oratorë ose që të bëjmë komente domethënëse në mbledhje? Patjetër që mund të të vijnë në mend edhe synime të tjera. Thelbi është ky: synimet frymore do të të bëjnë më entuziast për aktivitetet frymore, dhe kështu do të bëhesh gati për jetën në botën e re.

TASHMË PO I SHIJOJMË BEKIMET E JEHOVAIT

Vlerësoje ushqimin frymor

16. Pse mënyra më e mirë për të jetuar është t’i shërbejmë Jehovait?

16 A nënkuptojnë përgatitjet për botën e re të Perëndisë se duhet të heqim dorë nga një jetë më e mirë ose më domethënëse sot? Aspak! S’ka jetë më të bukur se t’i shërbesh Jehovait. Nuk i shërbejmë angari, sa për të mbijetuar në shtrëngimin e madh. Për këtë lloj jete jemi krijuar, dhe ajo na sjell lumturinë më të madhe. Të jetojmë nën drejtimin e Jehovait e të provojmë dashurinë e tij besnike, është shumë më mirë se një jetë pa Mikun tonë të ngushtë. (Lexo Psalmin 63:1-3.) Natyrisht, s’duhet të presim deri në botën e re për të gëzuar bekimet frymore që vijnë kur i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër. Mund t’i shijojmë që tani. Vërtet, disa prej nesh kemi dekada që po i shijojmë këto bekime, dhe e dimë nga përvoja se nuk ka jetë më kuptimplotë.Psal. 1:1-3; Isa. 58:13, 14.

Kërko drejtim të bazuar te Bibla

17. Ç’vend do të kenë në Parajsë gjërat që kemi qejf e pasion?

17 Edhe gjërat që kemi qejf e pasion do të kenë vendin e tyre në botën e re. Në fund të fundit s’do të kishte kuptim që Jehovai të na krijonte me dëshirën për arritje personale dhe për t’u kënaqur, nëse s’do të na e plotësonte këtë dëshirë. (Ekl. 2:24) Në këtë mënyrë dhe në shumë të tjera, Jehovai gjithmonë ‘do të plotësojë dëshirën e çdo krijese’. (Psal. 145:16) Zbavitja dhe çlodhja kanë vendin e vet, por kënaqësia që vjen prej tyre rritet kur vëmë në vend të parë miqësinë me Jehovain. Kështu do të jetë edhe në Parajsën në tokë. Sa e mençur është të mësojmë t’i mbajmë në vendin e duhur gjërat personale teksa kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë dhe përqendrohemi te bekimet frymore që gëzon tani populli i Jehovait!Mat. 6:33.

18. Si ta tregojmë se po përgatitemi për jetën e përhershme në Parajsë?

18 Në Parajsën që po vjen do të provojmë atë lumturi që nuk e kemi përjetuar kurrë më parë. Le të tregojmë sa të etur jemi për jetën e vërtetë duke u përgatitur për të që tani. Le të zhvillojmë cilësi hyjnore e të gëzohemi tej mase teksa kryejmë me zell caktimin tonë, pra tek predikojmë për Mbretërinë. Provofshim kënaqësi të thellë ndërsa ndjekim synime frymore! E me besim të plotë te premtimet e Jehovait, le të jetojmë që tani me sytë nga jeta në botën e re!