JETËSHKRIM
«Le të ngazëllojnë ishujt e shumtë!»
S’kam për ta harruar atë ditë. Isha me një grup vëllezërish nga vende të ndryshme të botës dhe gjithë ankth po pritnim në dhomën ku mblidhet Trupi Udhëheqës. Pas pak do të hynte Komiteti i Shkrimit, dhe ishim caktuar të prezantonim një raport. Për disa javë kishim analizuar problemet që hasnin përkthyesit dhe tani duhej të sugjeronim zgjidhje. Ishte 22 maj 2000. Por pse ishte kaq e rëndësishme ajo mbledhje? Para se t’jua them, më lejoni t’ju tregoj diçka për veten.
LINDA më 1955, në Kuinsland të Australisë. Pak kohë pas lindjes sime, nëna, Estela, nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo u pagëzua pas një viti, kurse babai, Roni, e përqafoi të vërtetën 13 vjet më vonë. Unë u pagëzova në vitin 1968, në zonat e thella të Kuinslandit.
Që kur isha i vogël, vdisja të lexoja e isha i apasionuar pas gjuhëve. Kushedi sa mërziteshin prindërit me mua kur udhëtonim me makinë se nuk shijoja peizazhin, por strukesha në sediljen e pasme duke lexuar. Mirëpo pasioni për leximin më ndihmoi goxha në mësime. Kur isha në shkollë të mesme në Glenorki, në ishullin-shtet të Tasmanisë, fitova disa çmime si nxënës i shkëlqyer.
Megjithatë erdhi momenti për të marrë një vendim të rëndësishëm. A do të pranoja bursë për të ndjekur universitetin? Sado që i doja librat dhe shkollën, i jam mirënjohës nënës që ushqeu tek unë një dashuri më të madhe, dashurinë për Jehovain. (1 Kor. 3:18, 19) Kështu, me lejen e prindërve, mbarova arsimimin bazë dhe fillova shërbimin si pionier në janar 1971, në moshën 15-vjeçare.
Gjatë tetë viteve vijuese, pata privilegjin të shërbeja si pionier në Tasmani. Në atë kohë u martova me Xheni Alkokun, një bukuroshe nga Tasmania, dhe për katër vjet shërbyem si pionierë specialë në vende të izoluara në Smithton dhe në Kuinstaun.
DREJT ISHUJVE TË PAQËSORIT
Më 1978 shkuam jashtë shtetit për herë të parë që të ndiqnim një kongres ndërkombëtar në Port-Moresbi, në Papua Guinenë e Re. E kujtoj ende fjalimin në gjuhën hiri motu që bëri një misionar. Ndonëse nuk kuptova asnjë fjalë, ai fjalim më nxiti të bëhesha misionar, të mësoja gjuhë të tjera dhe të mbaja fjalime të tilla. Më në fund gjeta një mënyrë për të gërshetuar dashurinë për Jehovain me dashurinë për gjuhët.
Për habinë tonë, kur u kthyem në Australi, na ftuan të shërbenim si misionarë në Funafuti, një nga ishujt e Tuvalusë, që më parë quheshin ishujt e Elisesë. Mbërritëm në caktimin e ri në janar të vitit 1979. Në të gjithë Tuvalunë kishte vetëm tre lajmëtarë të pagëzuar.
Ishte e vështirë të mësoje gjuhën tuvaluane. I vetmi libër në atë gjuhë ishte «Dhiata e Re». Nuk kishte fjalorë a kurse për gjuhën, ndaj vendosëm të mësonim nga 10 deri 20 fjalë të reja në ditë. Por shumë shpejt morëm vesh se i kishim kuptuar gabim shumicën e fjalëve që po mësonim. Për shembull, në vend që t’u thoshim njerëzve se falli ishte i gabuar, u thoshim të mos përdornin peshore dhe bastunë. Ama kishim filluar shumë studime biblike, prandaj duhej ta mësonim se s’bën gjuhën. Kështu nuk hoqëm dorë. Vite më vonë, një nga studentet e atyre kohëve na tha: «Jemi shumë të lumtur që tani flitni gjuhën tonë. Në fillim nuk e kishim idenë se çfarë thoshit.»
Pavarësisht nga sfidat, ndodheshim në rrethana pothuajse ideale për të mësuar një gjuhë të re. Meqë nuk kishte shtëpi me qira, jetuam me një familje Dëshmitarësh në fshatin kryesor. Pra u zhytëm kokë e këmbë në gjuhën dhe në jetën e fshatit. Pas disa vjetësh pa folur anglisht, gjuha tuvaluane u bë gjuha jonë kryesore.
S’kaloi shumë dhe mjaft veta filluan të tregonin interes për të vërtetën. Por çfarë do të përdornim që të studionim me ta? S’kishim kurrfarë botimi në atë gjuhë. Si do ta bënin studimin personal? Kur të fillonin të ndiqnin mbledhjet, cilat këngë do të këndonin, ç’material do të përdornin, e fundja si mund të përgatiteshin për to? Po deri në pagëzim, si do të përparonin? Ata njerëz 1 Kor. 14:9) Pyesnim veten: «A do të ketë ndonjëherë botime në gjuhën tuvaluane, një gjuhë që e flasin më pak se 15.000 veta?» Jehovai iu përgjigj pyetjeve tona duke na vërtetuar se dëshiron që: (1) Fjala e tij të shpallet «ndër ishujt e largët» dhe (2) tek emri i tij të gjejnë strehë ata që bota i sheh si «të përulur e të thjeshtë».
PËRKTHEHET USHQIM FRYMOR
Më 1980 zyra e degës na caktoi të punonim si përkthyes, një punë për të cilën ndiheshim fare të paaftë. (1 Kor. 1:28, 29) Si fillim arritëm të blinim një shaptilograf të vjetër nga një zyrë qeveritare dhe me të shtypnim materiale për mbledhje. Madje përkthyem në gjuhën tuvaluane edhe librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme, të cilin e shtypëm me këtë makinë. E kujtoj edhe sot e kësaj dite erën mbytëse të bojës dhe përpjekjet për të shtypur manualisht gjithë literaturën në pikë të vapës tropikale. Në atë kohë nuk kishim as drita.
Ishte shumë e vështirë të përktheje në gjuhën tuvaluane sepse kishte fare pak vepra referimi. Por ndonjëherë ndihma na vinte nga s’e pritnim. Një paradite në shërbim u ngatërrova dhe trokita në shtëpinë e një kundërshtari. Pronari, një i moshuar që kishte qenë mësues, më kujtoi pa e zgjatur se s’duhej të shkelnim në shtëpinë e tij. Pastaj tha: «Vetëm një gjë doja t’ju thosha. Në përkthimet tuaja e përdorni tepër formën pësore. Nuk përdoret aq shumë në gjuhën tuvaluane.» Pyeta edhe të tjerë për këtë, dhe ai kishte të drejtë. Prandaj bëmë ndryshimet e nevojshme. Mbeta gojëhapur se si Jehovai na ndihmoi me anë të një kundërshtari, që siç duket lexonte literaturën tonë.
Botimi i parë që shtypëm në gjuhën tuvaluane për t’ua shpërndarë njerëzve ishte ftesa e Përkujtimit. Pastaj shtypëm fletushkën Lajmërim i Mbretërisë nr. 30, që doli njëkohësisht me anglishten. *
Ç’gëzim t’u jepje njerëzve diçka në gjuhën e tyre! Gradualisht u përkthyen edhe disa broshura e madje disa libra. Në vitin 1983 dega e Australisë filloi të shtypte Kullën e Rojës me 24 faqe katër herë në vit. Kështu mund të studionim mesatarisht shtatë paragrafë çdo javë. Si reaguan vendësit? Meqë populli i Tuvalusë ka shumë qejf të lexojë, botimet tona u bënë goxha të kërkuara. Dalja e çdo botimi të ri njoftohej në një edicion lajmesh në stacionin radiofonik të shtetit, e madje ndonjëherë ishte lajmi kryesor.Puna e përkthimit nisi me laps e letër. Më vonë, dorëshkrimet i shtypnim e i rishtypnim sa e sa herë me makinë shkrimi derisa të ishin gati që t’i dërgonim në shtypshkronjën e Australisë. Dikur në atë degë çdo dorëshkrim e futnin në kompjuter dy motra, ndonëse nuk e dinin gjuhën tuvaluane. Çuditërisht, falë këtij sistemi për të futur tekstin dy herë e më pas për të krahasuar ndryshimet në kompjuter, botimet dilnin me shumë pak gabime. Faqet e kompozuara na i dërgonin prapë për kontroll me postë ajrore, dhe më pas ne ia dërgonim sërish degës së Australisë për t’i shtypur.
Sa ndryshe është sot! Skuadrat e përkthimit e hedhin tekstin drejtpërdrejt në kompjuter. Në shumicën e rasteve teksti i korrigjuar faqoset në vendin ku përkthehet, dhe më pas botimet u dërgohen me anë të Internetit degëve që merren me shtypjen. Askush nuk duhet të turret më gjithë ankth drejt postës për të dërguar dorëshkrimet.
CAKTIME TË TJERA
Me kalimin e viteve, unë dhe Xheni morëm caktime të ndryshme anekënd Paqësorit. Në vitin 1985, pas Tuvalusë u caktuam në degën e Samoas. Përveç punës që bënim ende për gjuhën tuvaluane, ndihmuam me përkthimin në gjuhët samoane, tongane dhe tokelauane. * Më vonë, në vitin 1996 morëm një caktim të ngjashëm në degën e Fixhit, ku dhamë një dorë në përkthimin në gjuhët fixhiane, kiribati, nauruane, rotumane dhe tuvaluane.
Më mrekullon gjithmonë zelli i përkthyesve të literaturës sonë. Puna e tyre mund të jetë monotone dhe rraskapitëse. Sidoqoftë, këta besnikë mundohen të pasqyrojnë dëshirën e Jehovait që lajmi i mirë t’i predikohet «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbul. 14:6) Për shembull, kur po organizohej përkthimi i revistës së parë Kulla e Rojës në gjuhën tongane, u takova me të gjithë pleqtë në Tongë dhe i pyeta se kush mund të stërvitej si përkthyes. Njëri prej tyre që kishte një punë të mirë si mekanik, tha se ishte gati ta linte punën të nesërmen e të niste menjëherë si përkthyes. Kjo më preku thellë, sepse ai ishte kryefamiljar dhe s’e kishte haberin nga do t’i gjente paratë për të mbajtur familjen. Por Jehovai u kujdes për të e për familjen e tij, dhe ai vazhdoi në përkthim për shumë vjet.
Këta përkthyes të përkushtuar pasqyrojnë pikëpamjen
e anëtarëve të Trupit Udhëheqës, të cilët merakosen tej mase për të siguruar ushqim frymor edhe në gjuhët e folura nga një grusht njerëzish. Për shembull, një herë lindi pyetja nëse ia vlenin gjithë ato përpjekje për të siguruar literaturë në gjuhën tuvaluane. Mora shumë zemër kur lexova përgjigjen e Trupit Udhëheqës: «Nuk shohim absolutisht asnjë arsye pse ta ndërpritni punën me përkthimin në gjuhën tuvaluane. Ndonëse janë pak në krahasim me ata që flasin gjuhë të tjera, banorët e Tuvalusë kanë nevojë ta dëgjojnë lajmin e mirë në gjuhën e nënës.»Më 2003 unë dhe Xheni u transferuam nga Reparti i Përkthimit në degën e Fixhit në Repartin për Mbështetjen e Përkthimit në Paterson, Nju-Jork. Ishte një ëndërr që u bë realitet. U bëmë pjesë e një skuadre që mbështet përkthimin e literaturës sonë dhe ndihmon të zgjerohet kjo punë. Për gati dy vjet patëm privilegjin të vizitonim vende të ndryshme që të stërvitnim skuadrat e përkthimit.
DISA VENDIME HISTORIKE
Tani më lejoni të rikthehem te raporti që përmenda në fillim. Përgjatë viteve Trupi Udhëheqës kishte kuptuar se skuadrat e përkthimit në mbarë botën duheshin aftësuar më shumë. Deri në vitin 2000 shumica e përkthyesve kishin marrë fare pak stërvitje. Pasi i paraqitëm atë raport Komitetit të Shkrimit, Trupi Udhëheqës miratoi një program stërvitjeje për të gjithë përkthyesit në mbarë botën. Programi përfshinte kurse për të kuptuar më mirë anglishten, për të zotëruar teknikat e përkthimit dhe për të bashkëpunuar si skuadër gjatë përkthimit.
Ç’të mira ka sjellë gjithë kjo vëmendje që i është kushtuar përkthimit? Pikësëpari është përmirësuar cilësia. Gjithashtu është rritur jashtëzakonisht numri i gjuhëve në të cilat botohet literatura jonë. Kur mbërritëm në caktimin e parë misionar në vitin 1979, Kulla e Rojës botohej vetëm në 82 gjuhë. Pjesa më e madhe e botimeve në gjuhët e tjera dilnin disa muaj pas botimit në anglisht. Kurse tani Kulla e Rojës shpërndahet në më se 240 gjuhë dhe në shumicën e rasteve del njëkohësisht me anglishten. Sot ushqimi frymor, në një formë a në një tjetër, është në dispozicion në mbi 700 gjuhë. Vite më parë kjo ishte veç një ëndërr.
Më 2004 Trupi Udhëheqës mori edhe një vendim tjetër të rëndësishëm: të përshpejtonte përkthimin e Biblës. Pak muaj pas këtij vendimi, iu dha përparësi më e madhe përkthimit të Biblës, e kështu Përkthimi Bota e Re mund të dilte në shumë më tepër gjuhë. Deri në vitin 2014 kjo Bibël është botuar e plotë ose pjesërisht në 128 gjuhë, ku futen edhe disa gjuhë që fliten në Paqësorin e Jugut.
Mjerisht, Xheni, shoqja ime besnike prej 35 vjetësh, nuk e përjetoi atë ngjarje të paharrueshme. Në vitin 2009 humbi betejën dhjetëvjeçare me kancerin e gjirit. Kur të ringjallet, pa dyshim që do t’i brofë zemra nga gëzimi sapo të marrë vesh se doli Bibla në gjuhën tuvaluane.
Tani Jehovai më ka bekuar me një shoqe tjetër të bukur, me Loreni Sikivon. Ajo punonte me Xhenin në Repartin e Përkthimit në Bethelin e Fixhit. Tani kam përsëri një grua besnike. I shërbejmë së bashku Jehovait dhe kemi të njëjtin pasion për gjuhët.
Ndërsa kthej kokën pas, marr shumë zemër kur shoh si Ati ynë i dashur qiellor, Jehovai, vazhdon të kujdeset për nevojat e njerëzve të gjuhëve të ndryshme, pavarësisht sa veta e flasin një gjuhë. (Psal. 49:1-3) E kam parë si pasqyrohet dashuria e tij në fytyrat e gëzuara të njerëzve kur shohin për herë të parë literaturën tonë në gjuhën amtare ose kur i këndojnë lavde Jehovait në gjuhën e zemrës. (Vep. 2:8, 11) I kujtoj akoma fjalët e Saulo Tisit, një vëlla i moshuar nga Tuvaluja. Pasi këndoi për herë të parë një këngë Mbretërie në gjuhën e vet, tha: «Për mendimin tim duhet t’i thuash Trupit Udhëheqës që këto këngë tingëllojnë më bukur në gjuhën tonë sesa në anglisht.»
Duke filluar që nga shtatori 2005, kam pasur privilegjin e paimagjinueshëm të shërbej si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndonëse nuk jam më përkthyes, e falënderoj Jehovain që më lejon të mbështes punën mbarëbotërore të përkthimit. Ç’gëzim ndiej kur mendoj sa merakoset Jehovai për nevojat frymore të të gjithë shërbëtorëve të tij, edhe të atyre në ishujt e izoluar në mes të Oqeanit Paqësor! Sa të vërteta janë fjalët e psalmistit: «Jehovai është bërë mbret! Le të gëzojë toka! Le të ngazëllojnë ishujt e shumtë!»
^ par. 18 Për shembull lexo si janë shprehur disa për literaturën tonë në Kullën e Rojës të 15 dhjetorit 2000, f. 32; të 1 gushtit 1988, f. 22, anglisht, dhe në revistën Zgjohuni! të 22 dhjetorit 2000, f. 9, anglisht.
^ par. 22 Për hollësi të tjera lidhur me përkthimin në Samoa, shih Librin vjetor 2009, f. 120, 121, 123, 124.