Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Medito për dashurinë e patundur të Jehovait

Medito për dashurinë e patundur të Jehovait

«Do të meditoj për tërë bëmat e tua.»PSAL. 77:12.

KËNGËT: 18, 61

1, 2. (a) Pse je i sigurt se Jehovai e do popullin e tij? (b) Me cilën nevojë u krijuan të gjithë njerëzit?

PSE je i sigurt se Jehovai e do popullin e tij? Para se të përgjigjesh, mendo për këta shembuj: për disa vjet bashkëbesimtarët e nxitën me butësi një motër, e cila quhet Telina, të ishte e ekuilibruar e të mos priste tepër nga vetja. Ajo thotë: «Po të mos më donte, Jehovai s’do të kishte këmbëngulur kaq shumë me këshillat e tij.» Brixhita, që rriti e vetme dy fëmijë pasi i vdiq burri, shprehet: «Të rritësh fëmijë në sistemin e Satanait është një nga gjërat më të vështira, sidomos për një prind të vetëm. Por jam e sigurt se Jehovai më do ngaqë më mori për dore mes lotëve e dhembjes. Ai nuk lejoi kurrë të më ndodhte diçka përtej asaj që mund të mbaja.» (1 Kor. 10:13) Sandra vuan nga një sëmundje e pashërueshme. Në një kongres, gruaja e një vëllai shumë të njohur tregoi interesim për të. Burri i Sandrës thotë: «Ndonëse nuk e kishim takuar ndonjëherë, meraku i saj i madh na i bëri zemrat mal. Edhe shprehjet më të vogla të dashurisë nga vëllezërit e motrat tregojnë sa shumë na do Jehovai.»

2 Njerëzit u krijuan me nevojën që të duan dhe t’i duan. Kur hasim të papritura, zhgënjime, probleme shëndetësore a financiare ose kur nuk kemi rezultate në shërbim, fare kollaj mund të nxjerrim përfundimin se Jehovai nuk na do më. Nëse ndihemi kështu, bëjmë mirë t’i kujtojmë vetes se jemi të çmuar për të dhe se ai është pranë, ‘duke na kapur nga dora e djathtë’ e duke na ndihmuar. Kurrë s’do të na harrojë po t’i qëndrojmë besnikë.Isa. 41:13; 49:15.

3. Ç’do të na e forcojë sigurinë se Jehovai ka dashuri të patundur për ne?

3 Ata që cituam më lart ishin të sigurt se Perëndia u ndenji pranë kur ishin në hall. Edhe ne mund të jemi të sigurt se ai është krah nesh. (Psal. 118:6, 7) Ky artikull tregon si shihet qartë dashuria e Perëndisë nëpërmjet (1) veprave të krijimit, (2) Fjalës së tij të frymëzuar, (3) lutjes dhe (4) shpërblesës. S’do mend që mirënjohja për dashurinë e patundur të Jehovait do të na rritet nëse meditojmë për gjërat e mira që ka bërë.Lexo Psalmin 77:11, 12.

MEDITO PËR VEPRAT E KRIJIMIT TË JEHOVAIT

4. Çfarë del në pah kur meditojmë për veprat krijuese të Jehovait?

4 A e shohim dashurinë e patundur të Jehovait te gjërat që ka krijuar? Po, sepse vetë fakti që krijoi gjithçka flet për dashurinë e tij. (Rom. 1:20) Ai e projektoi tokën me një ekosistem ku mund të ekzistojmë të sigurt dhe të jemi shëndoshë e mirë. Megjithatë, ai nuk do që thjesht të ekzistojmë. S’diskutohet, duhet të hamë që të mos vdesim. Ama, Jehovai u sigurua që toka të prodhonte një larmi të pafundme bimësh me të cilat mund të bëjmë lloj-lloj gatimesh të shëndetshme. Madje ai bëri të mundur që ushqimet të na kënaqin e të na lezetojnë jetën. (Ekl. 9:7) Një motër që quhet Katerina gëzohet tej mase duke soditur krijimin, sidomos gjatë stinës së bukur të pranverës në Kanada. Ajo thotë: «Mbetesh gojëhapur teksa sheh gjithçka të gjallërohet: lulet që janë programuar të mbijnë papritur nga toka dhe zogjtë që kthehen nga shtegtimi. Mahnitem edhe kur shoh nga dritarja e kuzhinës kolibrin e vockël tek i afrohet ushqimit që lë jashtë për të. Jehovai duhet të na dojë fort përderisa na e mbush zemrën me kaq hare.» Ati ynë i dashur qiellor gjen ëndje në veprat që ka krijuar dhe do që edhe ne të kënaqemi me to.Vep. 14:16, 17.

5. Nga duket dashuria e Jehovait në mënyrën si e krijoi njeriun?

5 Jehovai na krijoi me aftësinë që të bëjmë punë domethënëse e me bereqet, çka na e zbukuron jetën. (Ekl. 2:24) Qëllimi i tij ishte që njerëzit të mbushnin e të sundonin tokën, si edhe të mbanin të nënshtruar peshqit, zogjtë dhe krijesat e tjera. (Zan. 1:26-28) Dhe, sa i dashur është Jehovai që na krijoi me cilësi falë së cilave mund ta imitojmë!—Efes. 5:1.

VLERËSOJE FJALËN E FRYMËZUAR TË PERËNDISË

6. Pse duhet ta çmojmë thellësisht Fjalën e Perëndisë?

6 Perëndia tregoi dashuri të madhe për ne kur na dha Fjalën e tij të frymëzuar. Ajo tregon çfarë kemi nevojë të dimë për të dhe si i trajton njerëzit. Për shembull, Shkrimet na tregojnë si u soll me izraelitët, që shpesh nuk i bindeshin. Psalmi 78:38 thotë: «Ai ishte i mëshirshëm; e mbulonte fajin e nuk i shfaroste. Shumë herë e ndali zemërimin e tij, dhe nuk e shfreu tërë tërbimin e tij.» Po të bluash në mendje këtë shkrim, mund të ndiesh dashurinë dhe merakun që ka Jehovai për ty personalisht. Ji i sigurt se për Të je i rëndësishëm.Lexo 1 Pjetrit 5:6, 7.

7. Pse duhet ta vlerësojmë jashtë mase Biblën?

7 Perëndia na flet kryesisht me anë të Biblës, prandaj duhet ta vlerësojmë jashtë mase. Që mes prindërve e fëmijëve të ketë ndjenja sigurie të ndërsjella dhe të forcohet bindja se e duan njëri-tjetrin, është jetësor komunikimi domethënës dhe i dhembshur. Po nga Jehovai ç’mund të presim? Edhe pse kurrë nuk e kemi parë a dëgjuar, ai si të thuash na flet me anë të Fjalës së tij të frymëzuar, dhe duhet t’ia vëmë veshin. (Isa. 30:20, 21) Jehovai dëshiron të na prijë ne, popullin e tij të kushtuar, dhe të na mbrojë nga çdo e keqe. Dëshiron edhe ta njohim e të mbështetemi tek ai.Lexo Psalmin 19:7-11; Proverbat 1:33.

Ndonëse Jehut iu desh ta këshillonte Jehozafatin, Jehovai gjeti tek ai mbret «gjëra të mira» (Shih paragrafët 8, 9.)

8, 9. Çfarë do Jehovai të dimë për të? Ilustrojeni me një shembull nga Bibla.

8 Jehovai dëshiron ta njohim si një person që na ka për zemër dhe që sheh përtej papërsosmërive tona. Ai bën çmos të gjejë të mirën te ne. (2 Kron. 16:9) Kështu bëri me mbretin e Judës, Jehozafatin. Një herë, ai veproi pa mend kur pranoi të shoqëronte mbretin e Izraelit, Akabin, në një fushatë ushtarake për t’u rimarrë sirianëve Ramot-Galaadin. Profeti i vërtetë i Jehovait, Mikajahu, paratha disfatë absolute, edhe pse 400 profetë të rremë e siguruan mbretin e lig Akab se do të korrte fitore. Akabi vdiq në betejë, dhe Jehozafati mezi shpëtoi kokën. Me t’u kthyer në Jerusalem, Jehu, biri i vegimtarit Hanan, e qortoi Jehozafatin ngaqë u bë aleat me Akabin. E prapëseprapë, Jehu i tha Jehozafatit: «Te ti janë gjetur gjëra të mira.»2 Kron. 18:4, 5, 18-22, 33, 34; 19:1-3.

9 Në fillim të mbretërimit të tij, Jehozafati i kishte udhëzuar princat, levitët dhe priftërinjtë të shkonin në të gjitha qytetet e Judës, që t’i mësonin popullit Ligjin e Jehovait. Ajo fushatë pati aq shumë rezultat, sa njerëzit e vendeve përreth nisën t’i frikësoheshin Jehovait. (2 Kron. 17:3-10) Po, Jehozafati kreu një marrëzi, ama Jehovai nuk i shpërfilli gjërat e mira që kishte bërë. Kjo histori biblike na kujton se, pavarësisht se sa të papërsosur jemi, dashuria e Jehovait për ne nuk do të luhatet nëse përpiqemi me gjithë shpirt t’ia gëzojmë zemrën.

ÇMOJE PRIVILEGJIN E LUTJES

10, 11. (a) Pse lutja është dhuratë e veçantë nga Jehovai? (b) Si mund t’u përgjigjet Perëndia lutjeve tona? (Shih figurën hapëse.)

10 Një baba i dashur gjen kohë t’i dëgjojë fëmijët kur duan të flasin me të. Dëshiron t’ua dijë hallet dhe shqetësimet ngaqë i interesojnë ndjenjat e tyre. Ati ynë qiellor, Jehovai, na dëgjon kur i hapim zemrën nëpërmjet lutjes, këtij privilegji të paçmuar.

11 Mund t’i hapemi Jehovait në lutje në çdo moment dhe pa asnjë kufizim. Ai është Miku ynë, gjithnjë gati të na dëgjojë. Telina, e përmendur më lart, thotë: «Mund t’i tregojmë Jehovait çdo gjë.» Kur i shprehim në lutje mendimet më të fshehta, ai mund të na përgjigjet me anë të një fragmenti nga Bibla, një artikulli nga revistat tona ose një fjale zemërdhënëse nga një bashkëbesimtar. Jehovai ua vë veshin përgjërimeve tona dhe na kupton edhe kur askush tjetër nuk na kupton dot. Përgjigjet e lutjeve tona janë shprehje e mrekullueshme e dashurisë së patundur që ka për ne.

12. Pse duhet t’u kushtojmë vëmendje lutjeve që gjejmë në Bibël? Jepni një shembull.

12 Mësojmë shumë nga lutjet që gjejmë në Bibël. Prandaj, herë pas here, mund të nxjerrim mjaft dobi nëse i shqyrtojmë këto lutje gjatë adhurimit familjar. Kur bluajmë në mendje se si shërbëtorët e Jehovait në të kaluarën i shprehën atij mendimet më të thella, lutjet tona pasurohen. Për shembull, mendo për lutjen që bëri Jonai i penduar nga barku i një peshku të madh. (Jon. 1:17–2:10) Shqyrto lutjen e ndier që i drejtoi Solomoni Jehovait gjatë përurimit të tempullit. (1 Mbret. 8:22-53) Medito për lutjen e Jezuit e cila shërben si model për ne. (Mat. 6:9-13) Mbi të gjitha, vazhdimisht «bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja». Si pasojë, «paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore». Kështu mirënjohja jonë për dashurinë e patundur të Jehovait do të shtohet.Filip. 4:6, 7.

TREGO MIRËNJOHJE PËR SHPËRBLESËN

13. Çfarë mundësie u dha njerëzve masa e dashur e shpërblesës?

13 Dhurata e pamerituar e flijimit shpërblyes të Jezuit u dha që ‘ne të fitojmë jetën’. (1 Gjon. 4:9) Kur po fliste për këtë shprehje të pashoqe të dashurisë së Perëndisë, apostulli Pavël shkroi: «Krishti vdiq në kohën e caktuar për njerëz të paperëndishëm. Vështirë të vdesë dikush për një njeri të drejtë, kurse për një njeri të mirë, mbase dikush edhe guxon të vdesë. Por Perëndia na e shfaq dashurinë e vet në atë që, kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Rom. 5:6-8) Kjo është shprehja më e madhe e dashurisë së Jehovait e falë saj njerëzve iu hap rruga që të kenë miratimin e tij.

14, 15. Ç’do të thotë shpërblesa për (a) të mirosurit? (b) ata me shpresë tokësore?

14 Disa e ndiejnë dashurinë e patundur të Jehovait në një mënyrë tepër të veçantë. (Gjoni 1:12, 13; 3:5-7) Ata janë «fëmijë të Perëndisë» ngaqë janë mirosur nga fryma e shenjtë. (Rom. 8:15, 16) Pavli tha se të mirosurit ‘do të ngriheshin së bashku dhe do të uleshin në vendet qiellore në unitet me Krishtin Jezu’. (Efes. 2:6) Ata e marrin këtë pozitë frymore sepse janë ‘vulosur me frymën e shenjtë të premtuar, që është kapari i trashëgimisë së tyre’, domethënë ‘i shpresës që ruhet për ta në qiej’.Efes. 1:13, 14; Kolos. 1:5.

15 Për pjesën dërrmuese të atyre që tregojnë besim te shpërblesa, është hapur udha të jenë miq me Jehovain, me shpresën që të birësohen si fëmijë të tij e të jetojnë përgjithmonë në tokën parajsore të premtuar. Kështu, me anë të shpërblesës Jehovai tregon se i do të gjithë njerëzit. (Gjoni 3:16) Nëse kemi shpresën të jetojmë përgjithmonë në tokë dhe vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait besnikërisht, s’ka pikë dyshimi se ai do të na e bëjë të bukur jetën në botën e re. Sa e përshtatshme është ta shohim shpërblesën si provën më të madhe të dashurisë së patundur të Perëndisë për ne!

T’I PËRGJIGJEMI DASHURISË SË JEHOVAIT

16. Çfarë dobie kemi kur meditojmë për mënyrat e shumta si na tregon dashuri Jehovai?

16 Nuk i numërojmë dot mënyrat në të cilat Jehovai na tregon dashuri. Psalmisti David këndoi: «Sa të çmuara janë mendimet e tua për mua! O Perëndi, sa i madh është gjithë numri i tyre! Sikur të provoja t’i numëroja, do të ishin më të shumta se kokrrizat e rërës.» (Psal. 139:17, 18) Duhet t’i lejojmë këto mendime të na ngjallin dëshirën ta duam me gjithë shpirt Jehovain për merakun e tij të dashur. E le të bëjmë çmos t’i japim atij më të mirën.

17, 18. Cilat janë disa mënyra si e tregojmë dashurinë për Perëndinë?

17 Mund ta shprehim dashurinë për Jehovain në sa e sa mënyra. Për shembull, tregojmë se e duam Perëndinë dhe njerëzit kur predikojmë me zell për Mbretërinë. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Japim prova se e duam fort Jehovain kur u bëjmë ballë sprovave të besimit dhe mbajmë integritetin. (Lexo Psalmin 84:11; Jakovin 1:2-5.) Nëse këto sprova janë të rënda, të jemi të sigurt se Perëndia e sheh vuajtjen tonë dhe do të na ndihmojë, sepse jemi të vyer për të.Psal. 56:8.

18 Dashuria për Jehovain na shtyn të meditojmë për krijimin dhe për veprat e tij mbresëlënëse. Kur studiojmë me zell Biblën, tregojmë se e duam Perëndinë dhe se e vlerësojmë pa masë Fjalën e tij. Dashuria për Jehovain na shtyn t’i lutemi, dhe kështu lidhemi më ngushtë me të. Dhe kjo dashuri thellohet teksa meditojmë për flijimin shpërblyes që siguroi për mëkatet tona. (1 Gjon. 2:1, 2) Këto janë veç disa nga arsyet e shumta që na nxitin ta duam Jehovain, duke iu përgjigjur kështu dashurisë së tij të patundur.