Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po synon pjekurinë e plotë të Krishtit?

A po synon pjekurinë e plotë të Krishtit?

«Të arrijmë . . . masën e shtatit të plotë të Krishtit.»EFES. 4:13.

KËNGËT: 69, 70

1, 2. Çfarë synimi duhet të ketë çdo vëlla a motër? Ilustrojeni.

KUR një amvisë e zonja psonis fruta të freskëta, nuk zgjedh gjithnjë ato më të mëdhatë ose më të lirat. Përkundrazi kërkon fruta të bëra mirë. Do që të kenë shije dhe aromë të këndshme e të jenë plot vitamina. Prandaj zgjedh ato që janë bërë tamam, pra fruta të pjekura.

2 Pasi përparon drejt kushtimit dhe pagëzimit, një vëlla a motër vazhdon të rritet. Synon të bëhet një shërbëtor i pjekur i Perëndisë. Natyrisht, këtu nuk është fjala për pjekurinë fizike, por për atë frymore. Apostulli Pavël shkroi se të krishterët në Efes duhej të rriteshin frymësisht. I nxiti të vinin si synim ‘të arrinin njëjësinë në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, në një njeri tërësisht të rritur, në masën e shtatit të plotë të Krishtit’.Efes. 4:13.

3. Si ngjason situata e popullit të Jehovait sot me atë të kongregacionit të Efesit?

3 Kur Pavli shkroi letrën e tij, kongregacioni i Efesit ishte formuar prej vitesh. Shumë dishepuj atje kishin përparuar mjaft nga ana frymore. Mirëpo disa akoma duhej të përpiqeshin të arrinin pjekurinë. Edhe sot situata mes Dëshmitarëve të Jehovait është pak a shumë njësoj. Mjaft vëllezër e motra i kanë shërbyer prej vitesh Perëndisë dhe kanë përparuar drejt pjekurisë frymore. Por s’do mend, jo të gjithë janë në këtë pikë. Për shembull, çdo vit pagëzohen mijëra veta, prandaj disave u duhet akoma të ngulmojnë drejt pjekurisë. Po ti, si po ecën?Kolos. 2:6, 7.

RRITJA FRYMORE

4, 5. Në cilat mënyra ndryshojnë nga njëri-tjetri të krishterët e pjekur, por çfarë kanë të përbashkët? (Shih figurën hapëse.)

4 Kur psonis fruta në pazar, vëren se frutat e pjekura nuk janë të gjitha njësoj. Sidoqoftë kanë disa veçori të përbashkëta që tregojnë se janë të pjekura. Po ashtu, motrat e vëllezërit e pjekur mund të ndryshojnë nga kombësia, formimi, shëndeti, mosha dhe përvoja. Madje ndryshon edhe personaliteti i tyre e kultura nga vijnë. Prapëseprapë, të gjithë ata që rriten frymësisht zhvillojnë cilësi që tregojnë se janë të pjekur. Në ç’kuptim?

5 Një shërbëtor i pjekur i Jehovait ka si bosht të jetës shembullin e Jezuit, i cili na la një model ‘që të ndjekim me kujdes gjurmët e tij’. (1 Pjet. 2:21) Cilat janë gjërat parësore në jetë, sipas Jezuit? Të duash Jehovain me gjithë zemër, shpirt e mendje dhe t’i duash të tjerët si veten. (Mat. 22:37-39) Një i krishterë i pjekur bën çmos të jetojë në përputhje me këtë drejtim. Me mënyrën si jeton, ai tregon se e sheh marrëdhënien me Jehovain si gjënë më të rëndësishme dhe shfaq dashuri vetëmohuese për të tjerët.

Të krishterët e moshuar mund të pasqyrojnë përulësinë e Krishtit duke përkrahur më të rinjtë që marrin drejtimin tani (Shih paragrafin 6.)

6, 7. (a) Cilat janë disa cilësi tipike të një të krishteri të pjekur? (b) Ç’pyetje mund t’i bëjmë vetes?

6 Por nuk harrojmë se dashuria është vetëm një aspekt i frytit të frymës. (Gal. 5:22, 23) I krishteri i pjekur shfaq edhe aspekte të tjera të rëndësishme të saj, si butësia, vetëkontrolli dhe durimi. Ato mund ta ndihmojnë t’i kalojë situatat e vështira pa u acaruar e t’i përballojë zhgënjimet therëse pa humbur shpresën. Gjatë studimit të rregullt personal, kërkon vazhdimisht parimet biblike që mund ta ndihmojnë të dallojë të drejtën nga e gabuara. Pastaj, me vendimet që merr, jep prova të pjekurisë së tij frymore. Për shembull, ia vë veshin ndërgjegjes së stërvitur sipas Biblës. I krishteri i pjekur tregon përulësi duke pranuar se udhët dhe standardet e Jehovait janë përherë më të mira se të tijat. * E predikon gjithë zell lajmin e mirë dhe bën pjesën e vet që të ruajë unitetin e kongregacionit.

7 Pavarësisht nga sa kohë i shërbejmë Jehovait, secili prej nesh mund të pyesë veten: «A ka pika ku duhet ta imitoj më mirë Jezuin, që të vazhdoj të rritem frymësisht?»

«USHQIMI I FORTË U PËRKET NJERËZVE TË PJEKUR»

8. Ç’mund të themi për njohurinë dhe kuptueshmërinë e Jezuit rreth Shkrimeve?

8 Jezu Krishti e kuptonte gjer në hollësi Fjalën e Perëndisë. Madje që në moshën 12-vjeçare, ishte në gjendje të rrihte argumente biblike me mësuesit në tempull. «Të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij.» (Luka 2:46, 47) Më vonë, gjatë shërbimit në tokë, Jezui ua mbylli gojën kundërshtarëve me citime të goditura nga Fjala e Perëndisë.Mat. 22:41-46.

9. (a) Cilat zakone të studimit të Biblës janë të rëndësishme nëse duam të rritemi frymësisht? (b) Me çfarë qëllimi duhet ta studiojmë Biblën?

9 Në përputhje me modelin që la Jezui, një vëlla a motër që dëshiron të rritet frymësisht nuk kënaqet thjesht me njohuri sipërfaqësore nga Bibla. E ka zakon të gërmojë thellë në të, pasi e kupton se «ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur». (Hebr. 5:14) Pa dyshim, një i krishterë i pjekur do që të ketë «njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë». (Efes. 4:13) Po ti, a ke një kohë të caktuar për të lexuar Biblën çdo ditë? A ndjek një program studimi personal dhe a bën të pamundurën të lësh kohë çdo javë për adhurimin familjar? Ndërsa shqyrton Fjalën e Perëndisë, ji syçelë të kapësh parime që të ndihmojnë të kuptosh më mirë si mendon dhe si ndihet Jehovai. Pastaj përpiqu t’i zbatosh parimet biblike, të mbështetesh tek ato kur merr vendime, e kështu t’i afrohesh gjithnjë e më shumë Jehovait.

10. Si ndikon njohuria në jetën e përditshme të një motre a vëllai të pjekur?

10 I krishteri i pjekur e kupton se nuk mjafton vetëm njohuria. Puna është sa i ka për zemër ato që di për udhët dhe parimet e Perëndisë. Një mënyrë si e pasqyron këtë dashuri është kur i vë përparësitë sipas vullnetit të Jehovait, jo sipas prirjeve njerëzore. Veç kësaj, pa dyshim përpiqet ‘të flakë tej’ qëndrimet dhe sjelljen e mëparshme. Dora-dorës që bën këto ndryshime, vesh personalitetin e ri si ai i Krishtit, i cili ‘krijohet sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’. (Lexo Efesianëve 4:22-24.) Perëndia përdori frymën e shenjtë për të shkruar Biblën. Kështu, teksa thellon njohurinë dhe dashurinë për normat e Biblës, një vëlla a motër e vë mendjen dhe zemrën nën ndikimin e frymës së shenjtë. Kjo ndikon te rritja frymore.

TË BASHKUAR NË UNITET

11. Me çfarë u përball Jezui kur kishte të bënte me familjarët dhe me dishepujt e tij?

11 Kur ishte në tokë si njeri i përsosur, Jezui jetoi mes njerëzve të papërsosur. E rritën prindër të papërsosur dhe kaloi vite të tëra me familjarë të papërsosur. Madje edhe dishepujt e tij më të afërt u ndikuan nga fryma ambicioze dhe manipuluese e përhapur gjithandej. Për shembull, mbrëmjen para ekzekutimit të Jezuit, ‘mes tyre u hap një debat i zjarrtë, se kush nga ata dukej se ishte më i madhi’. (Luka 22:24) Por Jezui ishte i sigurt se dishepujt e tij të papërsosur me kohë do të rriteshin frymësisht e do të formonin një kongregacion të bashkuar. Po atë mbrëmje, iu lut Atit të tij qiellor për unitetin dhe dashurinë mes apostujve: ‘Qofshin të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne, . . . që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një.’Gjoni 17:21, 22.

12, 13. (a) Si e thekson Efesianëve 4:15, 16 se duhet të nxitim unitetin në kongregacion? (b) Si mësoi një vëlla të nxiste unitetin, duke mposhtur një dobësi të vetën?

12 Një shërbëtor i pjekur i Jehovait nxit unitetin në kongregacion. (Lexo Efesianëve 4:1-6, 15, 16.) Synimi ynë është që populli i Perëndisë të jetë «i lidhur së bashku në mënyrë të harmonishme» dhe gjithë pjesëtarët e tij të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Sipas Fjalës së Jehovait, duhet përulësi që të arrihet ky unitet. Një motër a vëlla i pjekur është aq i përulur sa, edhe përballë papërsosmërive të të tjerëve, bën çmos të ruajë unitetin. Si reagon ti kur ndeshesh me papërsosmëritë e një vëllai a motre në kongregacion? Apo ç’ndodh nëse ty vetë të bën një padrejtësi dikush në kongregacion? A e ke prirje, ose madje zakon, të ngresh si të thuash një mur që të ndan nga fajtori? Apo përpiqesh të ndërtosh një urë mbi hendekun e hapur mes jush? Një i krishterë i pjekur jo vetëm do, por edhe bën çmos të ndërtojë ura, jo mure.

13 Të marrim për shembull rastin e Úvesë. Në të kaluarën ai kishte prirjen të lejonte ta acaronin papërsosmëritë e bashkëbesimtarëve. Kështu, vendosi që me anë të Biblës dhe të botimit Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet të studionte jetën e Davidit. Po pse të Davidit? Úve shpjegon: «Davidit i shkaktuan probleme disa bashkëbesimtarë që silleshin në një mënyrë që binte ndesh me Shkrimet. Për shembull, mbreti Saul u orvat ta vriste, të tjerë donin ta vritnin me gurë e madje edhe e shoqja e talli. (1 Sam. 19:9-11; 30:1-6; 2 Sam. 6:14-22) Por Davidi nuk lejoi kurrë që sjellja e të tjerëve t’i ftohte dashurinë për Jehovain. Veç kësaj, kishte një zemër të dhembshur, që duhej ta zhvilloja edhe unë. Ajo që mësova nga studimi më bëri t’i shoh me sy tjetër papërsosmëritë e bashkëbesimtarëve. Tani nuk i mbaj më llogari gabimet e të tjerëve, por përpiqem të ruaj unitetin në kongregacion.» A ke edhe ti synim të nxitësh unitetin në kongregacion?

ZËR MIQ MES ATYRE QË BËJNË VULLNETIN E PERËNDISË

14. Ç’lloj personash zgjodhi Jezui si miq?

14 Jezu Krishti ishte tip miqësor. Në shoqërinë e tij ndiheshin rehat lloj-lloj njerëzish: burra, gra, të rinj, të moshuar, madje edhe të vegjlit. Ama kur ishte puna për të lidhur miqësi të ngushta, Jezui zgjidhte me kujdes. Ai u tha apostujve besnikë: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.» (Gjoni 15:14) Jezui i zgjodhi këta miq mes atyre që e ndiqnin besnikërisht dhe që i shërbenin Jehovait me gjithë zemër. A i zgjedh edhe ti miqtë e ngushtë mes atyre që i shërbejnë Jehovait pa rezerva? Pse ka rëndësi kjo?

15. Çfarë dobie mund të nxjerrin të rinjtë nëse shoqërohen me të krishterë të pjekur?

15 Shumë fruta piqen më mirë nën rrezet e ngrohta të diellit. Po njësoj, ngrohtësia e vëllazërisë mund të të ndihmojë të ecësh drejt pjekurisë. Mbase je një i ri që po vret mendjen se çfarë rruge do të ndjekësh në jetë. Sa gjë e mençur nëse shoqërohesh me bashkëbesimtarë që kanë goxha përvojë në shërbim të Jehovait dhe në forcimin e unitetit të kongregacionit! Në rrjedhën e viteve ata mund të kenë pasur të përpjeta e të tatëpjeta në jetë, madje edhe në shërbim të Perëndisë. Shokë të tillë mund të të ndihmojnë të zgjedhësh rrugën më të mirë në jetë. Shoqëria e ngrohtë dhe ndërtuese me këta vëllezër e motra mund të të ndihmojë të marrësh edhe ti vendime të mençura e të ecësh drejt pjekurisë.Lexo Hebrenjve 5:14.

16. Si e ndihmuan më të rriturit në kongregacion një motër të re?

16 Për shembull, Helga kujton se në vitin e fundit të shkollës së mesme, nxënësit e klasës diskutonin për synimet e tyre. Shumë synonin arsimin e lartë si një trampolinë drejt një karriere premtuese, siç shpresonin ata. Helga foli për këtë me miqtë në kongregacion. Ajo tregon: «Shumë prej tyre ishin më të mëdhenj në moshë dhe më ndihmuan goxha. Më inkurajuan të filloja shërbimin e plotkohor. Si rrjedhojë, shijova pesë vjet si pioniere. Tani që kanë kaluar vite, jam e lumtur që pjesën më të madhe të rinisë u zhyta kokë e këmbë në shërbim të Jehovait. Nuk bëhem pishman hiç për këtë.»

17, 18. Si mund të na ndihmojë pjekuria frymore t’i shërbejmë sa më mirë Jehovait?

17 Ndërsa përpiqemi të kemi si bosht të jetës shembullin e Jezuit, do të rritemi frymësisht. Do të afrohemi më tepër me Jehovain e do të na thellohet dëshira t’i shërbejmë sa më shumë të mundemi. Kur rritemi plotësisht nga ana frymore dhe bëhemi të krishterë të pjekur, mund t’i japim Jehovait më të mirën. Jezui i nxiti dishepujt: «Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.»Mat. 5:16.

18 Siç e kemi parë, një i krishterë i pjekur mund të ketë ndikim tejet pozitiv në kongregacion. Gjithashtu pjekuria frymore pasqyrohet te mënyra si e përdor ndërgjegjen që i ka dhuruar Perëndia. Si mund të na ndihmojë ndërgjegjja që të marrim vendime të mençura? Si mund t’i respektojmë vendimet që marrin bashkëbesimtarët në bazë të ndërgjegjes së tyre? Këto pika do t’i shqyrtojmë në artikullin tjetër.

^ par. 6 Për shembull, vëllezërve të moshuar dhe me përvojë mund t’u kërkohet të heqin dorë nga disa përgjegjësi dhe të përkrahin vëllezërit më të rinj teksa marrin përsipër këto përgjegjësi.