Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Aspak pishman për vendimin që mori në rini

Aspak pishman për vendimin që mori në rini

VITET e fundit të jetës xhaxhai i babait, Nikolai Dubovinski, hodhi me shkrim përvojat e tij—qoftë ato të gëzueshme, qoftë ato plot ankth. Ai i shërbeu me përkushtim Jehovait gjithë jetën, kryesisht gjatë ndalimit të veprës në ish-Bashkimin Sovjetik. Me gjithë sfidat dhe peripecitë, qëndroi përherë besnik dhe e shijonte jetën në maksimum. Xhaxha Nikolai thoshte shpesh se donte që brezi i ri të dëgjonte historinë e tij. Ja pse dua t’ju tregoj diçka prej saj. Ai lindi në vitin 1926 në një familje të thjeshtë në fshatin Podvirivka, në Chernivtsi Oblast, Ukrainë.

NIKOLAI TREGON SI NJOHU TË VËRTETËN

Xhaxha Nikolai fillon me këto fjalë: «Një ditë në vitin 1941, vëllai i madh, Ivani, solli në shtëpi librat Harpa e Perëndisë dhe Plani hyjnor i epokave, si edhe disa broshura e revista Kulla e Rojës. I lexova të gjitha. U habita kur mësova se burimi i tërë të zezave të botës nuk është Perëndia, por Djalli. Bashkë me këto botime, lexova ungjijtë dhe e kuptova se kisha gjetur të vërtetën. U flisja gjithë entuziazëm të tjerëve për shpresën e Mbretërisë. Ndërsa studioja botimet, e kuptoja gjithnjë e më qartë të vërtetën dhe më lindi dëshira e zjarrtë të bëhesha shërbëtor i Jehovait.

E dija mirë se do të vuaja për shkak të bindjeve të mia. Ishte kohë lufte, por unë s’kisha aspak ndër mend të vrisja njeri. Që të përgatitesha për sprovat që më pritnin, nisa të mësoja përmendsh vargje nga Bibla, si Mateu 10:28 dhe 26:52. Isha plotësisht i vendosur t’i qëndroja gjithnjë besnik Jehovait, edhe sikur të më duhej të vdisja.

Më 1944, kur mbusha 18 vjeç, më thirrën në ushtri. Kjo ishte hera e parë që ndodhesha mes bashkëbesimtarëve, mes vëllezërve të tjerë në moshë për ushtri që ishin mbledhur si puna ime te qendra e rekrutimit. U thamë me vendosmëri autoriteteve se nuk do të merrnim pjesë në luftë. Të xhindosur, oficerët na kërcënuan se do të na linin të vdisnim urie, do të na detyronin të hapnim llogore ose do të na pushkatonin. Iu përgjigjëm pa frikë: ‘Jemi në dorën tuaj. Na bëni ç’të doni, por nuk do ta shkelim urdhrin e Perëndisë “mos vrit”.’Dal. 20:13.

Si përfundim, mua dhe dy vëllezër na dërguan në Bjellorusi që të punonim në ara e të meremetonim shtëpitë e dëmtuara. Më kujtohen akoma pasojat e llahtarshme të luftës në periferi të Minskut. Buzë rrugës shihje pemë të shkrumbuara. Në kanale dhe pyje kishte kufoma të pavarrosura dhe trupa të fryrë kuajsh të ngordhur. Pashë artileri dhe vagonë të braktisur, madje edhe hekurishtet e një avioni të rrëzuar. I kisha mu para syve pasojat që vijnë kur shkelen urdhrat e Perëndisë.

Edhe pse më 1945 lufta mbaroi, u dënuam me dhjetë vjet burg ngaqë nuk pranonim të luftonim. Tre vitet e para nuk mblidheshim dot dhe s’kishim literaturë. Arrinim të komunikonim nëpërmjet letrave me disa motra, por edhe ato i arrestuan dhe i dënuan me 25 vjet në një kamp pune.

Pastaj më 1950 na liruan para kohe dhe u kthyem në shtëpi. Për habinë time, mamaja dhe motra e vogël, Maria, ishin bërë Dëshmitare të Jehovait ndërsa isha në burg. Vëllezërit e mëdhenj ende nuk ishin Dëshmitarë, por po studionin Biblën. Ngaqë nuk e ndala predikimin, organet e sigurimit sovjetik donin të më futnin prapë në burg. Ndërkaq, vëllezërit përgjegjës më kërkuan të ndihmoja në prodhimin e literaturës, një punë që kryhej në fshehtësi nën tokë. Isha 24 vjeç.»

PËRGATITJA E LITERATURËS

«Dëshmitarëve u pëlqente të thoshin: ‘Nëse vepra e Mbretërisë është ndaluar mbi dhé, do të vazhdojë nën dhé.’ (Prov. 28:28) Asokohe, shtypja e literaturës bëhej kryesisht në vende të fshehta nën dhé. ‘Zyra’ ime e parë ishte brenda një bunkeri në pronën e vëllait tim të madh, Dmitrit. Ndonjëherë nuk dilja nga bunkeri për dy javë resht. Nëse llamba e vajgurit shuhej ngaqë s’kishte oksigjen, shtrihesha dhe pritja derisa dhoma të mbushej përsëri me ajër të pastër.

Skica të një bunkeri të fshehtë nën shtëpinë ku Nikolai shumëfishonte literaturë

Një ditë, një vëlla që punonte me mua më pyeti: ‘Nikolai, a je pagëzuar ti?’ Ndonëse kisha 11 vjet që i shërbeja Jehovait, nuk isha pagëzuar. Pasi diskutuam për këtë, atë mbrëmje u pagëzova në një liqen. Isha 26 vjeç. Tre vjet më vonë, më dhanë më shumë përgjegjësi dhe u bëra anëtar i Komitetit të Vendit. Në atë kohë, vëllezërit që nuk ishin burgosur ende caktoheshin të zëvendësonin ata që ishin arrestuar, dhe kështu vepra e Mbretërisë nuk ndalej.»

VËSHTIRËSITË E PUNËS NËN DHE

«Puna për të shtypur literaturë nën dhe ishte shumë më e vështirë se burgu. Që të shmangia përgjimin nga KGB-ja, për shtatë vjet nuk ndiqja dot mbledhjet e kongregacionit dhe duhej të kujdesesha vetë që të mbetesha i fortë frymësisht. Familjen e shihja vetëm kur shkoja t’i takoja, rrallë e për mall. Gjithsesi, i kuptonin rrethanat e mia, e kjo më jepte zemër. Stresi i vazhdueshëm dhe nevoja që të rrija syçelë m’i shternin fuqitë. Duhej të ishim gati për çdo gjë. Për shembull, një mbrëmje, në shtëpinë ku rrija erdhën dy policë. U hodha nga dritarja në anën tjetër të shtëpisë dhe ia mbatha drejt pyllit. Kur dola në një arë, më zuri veshi ca fërshëllima të çuditshme. Pasi dëgjova të shtëna, e kuptova se ishin fërshëllima plumbash. Njëri nga ata që më ndiqte, hipi në kalë dhe vazhdoi të më qëllonte derisa i mbaruan municionet. Një plumb më zuri në krah. Më në fund, pasi më ndoqën për 5 kilometra, shpëtova duke u fshehur në pyll. Më vonë, kur isha para gjyqit, më thanë se kishin shtënë 32 herë kundër meje.

Ngaqë kaloja tepër kohë nën tokë, isha shumë i zbehtë, prandaj dukej sheshit me çfarë merresha. Kështu rrija sa të mundja në diell. Jeta nën tokë ndikoi për keq edhe te shëndeti. Një herë madje nuk vajta dot në një takim të rëndësishëm me vëllezër të tjerë, sepse më dilte gjak nga hunda dhe nga goja.»

ARRESTIMI I NIKOLAIT

Në kampin e punës në Mordvin, 1963

«Më 26 janar 1957 më arrestuan. Gjashtë muaj më vonë Gjykata e Lartë e Ukrainës shpalli vendimin. Më dënuan me pushkatim, por meqë dënimi me vdekje ishte ndaluar në vend, ma ndryshuan dënimin në 25 vjet burg. Unë dhe shtatë vëllezër u dënuam gjithsej me 130 vjet në kampe pune. Na dërguan në kampet e Mordvinit, ku ishin rreth 500 Dëshmitarë. Mblidheshim fshehtas në grupe të vogla që të studionim Kullën e Rojës. Pasi shqyrtoi ca nga revistat që na kishin konfiskuar, një roje tha: ‘Po vazhduat të lexoni këto, do të jeni të pathyeshëm!’ Çdo ditë punonim ndershmërisht dhe shpesh bënim më shumë nga sa na caktohej. Prapëseprapë, komandanti i kampit ankohej: ‘Puna që bëni këtu s’na hyn në xhep. Ajo që duam është besnikëria dhe devocioni juaj.’»

«Çdo ditë punonim ndershmërisht dhe shpesh bënim më shumë nga sa na caktohej»

NUK IU LËKUND INTEGRITETI

Sallë Mbretërie në Velikiye Luki

Pasi e liruan nga kampi i punës më 1967, xhaxha Nikolai dha një dorë në organizimin e kongregacioneve në Estoni dhe në Shën-Pjetërburg, Rusi. Në fillim të vitit 1991, vendimi që kishte marrë gjykata më 1957 u përmbys për mungesë dëshmish se ishte kryer ndonjë krim. Në atë periudhë, shumë Dëshmitarë që kishin hequr një trajtim të ashpër nga autoritetet u shfajësuan nga akuzat. Më 1996 Nikolai u transferua në qytetin Velikiye Luki në Pskov Oblast, rreth 500 kilometra nga Shën-Pjetërburgu. Bleu një shtëpi të vogël, dhe në vitin 2003 në pronën e tij u ndërtua një Sallë Mbretërie. Sot, atje mblidhen dy kongregacione që po ecin mbarë.

Unë dhe im shoq shërbejmë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Në mars 2011, pak muaj para se të vdiste, xhaxha Nikolai erdhi të na takonte për herë të fundit. U prekëm thellë kur na tha me sytë që i ndrinin: «Me ç’po shoh, duket se ka filluar dita e shtatë e marshimit përqark Jerikosë.» (Jos. 6:15) Ishte 85 vjeç. Edhe pse jeta nuk i kishte shkuar vaj, ai u shpreh: «Sa i lumtur jam që vendosa t’i shërbeja Jehovait kur isha i ri! S’jam bërë kurrë pishman për këtë.»