Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbeji Jehovait pa shpërqendrime

Shërbeji Jehovait pa shpërqendrime

Maria dëgjonte fjalët e Jezuit. Marta ishte e shpërqendruar ngaqë merrej me shumë punë.’LUKA 10:39, 40.

KËNGËT: 94, 134

1, 2. Pse e donte Martën Jezui, por cila ngjarje tregon se ajo nuk ishte e përsosur?

Ç’TË vjen në mend kur mendon për personazhin biblik të Martës? Kur Bibla flet për dashurinë e pastër që kishte Jezui për gratë e përkushtuara—si Maria, mamaja e tij e shtrenjtë, dhe Maria, motra e Martës—e vetmja që përmendet me emër është Marta. (Gjoni 11:5; 19:25-27) Po pse tregimi i ungjijve tregon se Jezui e donte Martën?

2 Ai e donte Martën se ishte mikpritëse dhe e papërtuar, por, mbi të gjitha, për lidhjen e saj të ngushtë me Jehovain. Ajo i besonte vërtet mësimet e Jezuit dhe kishte besim të jashtëzakonshëm se ai ishte Mesia i premtuar. (Gjoni 11:21-27) Por ndërkaq, si të gjithë ne, Marta nuk ishte e përsosur. Një herë, kur Jezui qe mysafir në shtëpinë e saj, Marta pati guximin t’i thoshte si ta ndreqte një situatë që sipas saj ishte e padrejtë. Ajo tha: «Zotëri, s’do t’ia dish që motra ime më ka lënë të merrem vetëm unë me punët? Thuaji të më ndihmojë edhe ajo.» (Lexo Lukën 10:38-42.) Ç’mësim mund të nxjerrim nga ky tregim?

MARTA ISHTE E SHPËRQENDRUAR

3, 4. Në ç’kuptim zgjodhi «pjesën e mirë» Maria, dhe cilit mësim duhet t’ia ketë vënë veshin Marta? (Shih figurën hapëse.)

3 Mirënjohës për mikpritjen që po i tregojnë, Jezui do që t’u japë Martës dhe Marisë një dhuratë frymore. Maria nuk lë t’i ikë rasti për të marrë njohuri drejtpërdrejt nga Mësuesi i Madh. Kështu ulet ‘te këmbët e Zotërisë dhe dëgjon fjalët e tij’. Edhe Marta mund të vepronte njësoj. Pa dyshim, Jezui do ta lavdëronte sikur ajo ta dëgjonte gjithë sy e veshë.

4 Por, Marta i përvishet përgatitjes së një vakti special dhe merret me punë të tjera, që Jezui të ndihet sa më rehat. Ama gjithë kjo i sjell ankth të panevojshëm, dhe acarohet me Marinë. Jezui e vë re se Marta po merret me tepër punë, prandaj me dashamirësi i thotë: «Martë, Martë, ti je në ankth dhe merakosesh për shumë gjëra.» Pastaj i sugjeron se një pjatë e vetme do të mjaftonte. Më tej, Jezui e kthen vëmendjen nga Maria dhe thekson se ajo nuk po tregohet aspak moskokëçarëse, duke thënë: «Maria zgjodhi pjesën e mirë dhe nuk do t’i hiqet.» Ka të ngjarë që Maria ta ketë harruar shpejt çfarë hëngri në atë rast të veçantë, por nuk do ta harronte kurrë këtë lavdërim, si edhe ushqimin e shkëlqyer frymor që mori ngaqë i kushtoi vëmendje të plotë Jezuit. Më shumë se 60 vjet më vonë, apostulli Gjon shkroi: ‘Jezui e donte Martën dhe motrën e saj.’ (Gjoni 11:5) Pa dyshim që këto fjalë të frymëzuara tregojnë se Marta ia vuri veshin qortimit të dashur të Jezuit dhe se bëri çmos t’i shërbente besnikërisht Jehovait gjithë jetën.

5. Si është jeta në botën e sotme karshi jetës në kohët biblike, dhe ç’pyetje lind nga kjo?

5 Kur bëhet fjalë për shpërqendrimet, si është bota e sotme karshi botës së kohëve biblike? Ja çfarë iu tha mbi 60 vjet më parë një grupi studentësh në Shtetet e Bashkuara: «Kurrë më parë në histori, njerëzimi nuk ka pasur mjete komunikimi kaq të përparuara, shtypshkronja me shpejtësi të lartë, revista plot ilustrime, si edhe radio, filma, televizor. . . . Këto na bombardojnë përditë me gjëra të reja që na shpërqendrojnë. . . . Jo shumë kohë më parë na pëlqente të mendonim se koha jonë ishte ‘Epoka e Iluminizmit’. Por tani po bëhet gjithnjë e më shumë ‘Epoka e Shpërqendrimit’.» Kulla e Rojës e 15 shtatorit 1958 thoshte: «Teksa kjo botë shkon drejt humnerës, ka shumë gjasa që shpërqendrimet të shtohen.» Sa të vërteta kanë dalë këto fjalë! E kjo ngre një pyetje të rëndësishme: ç’mund të bëjmë që të shmangim shpërqendrimet e panevojshme e t’i ngjajmë më shumë Marisë, pra të mbetemi të përqendruar te gjërat frymore?

PËRDORE BOTËN, POR JO PLOTËSISHT

6. Si e ka shfrytëzuar më së miri populli i Jehovait teknologjinë e botës?

Pjesa tokësore e organizatës së Perëndisë e ka shfrytëzuar gjithmonë mirë teknologjinë e botës, që t’i japë shtysë adhurimit të vërtetë. Për shembull, të marrim «Fotodramën e Krijimit», një realizim me diapozitiva dhe filmime, me ngjyra e zë. Para dhe gjatë Luftës I Botërore, kjo shfaqje që mbyllej me përshkrimin e Mbretërimit Mijëvjeçar paqësor të Jezu Krishtit në të ardhmen, u dha zemër miliona vetave anekënd botës. Më vonë, mesazhi i Mbretërisë nisi të transmetohej në radio dhe e dëgjuan miliona të tjerë në mbarë botën. Sot po përdoret teknologjia kompjuterike dhe Interneti si një mënyrë e fuqishme që të përhapet lajmi i mirë, madje deri në ishujt e largët e në çdo cep të tokës.

Mos lejo që gjërat jo të domosdoshme të të pengojnë në aktivitetet frymore (Shih paragrafin 7.)

7. (a) Pse është e rrezikshme ta përdorim tepër botën? (b) Për çfarë duhet të bëjmë shumë kujdes? (Shih shënimin.)

7 Mirëpo, siç paralajmëron Bibla, është e rrezikshme t’i përdorim së tepërmi gjërat që ofron bota. (Lexo 1 Korintasve 7:29-31.) Fare lehtë një shërbëtor i Perëndisë mund të harxhojë jashtëzakonisht kohë për gjëra që në vetvete nuk janë të gabuara. Për shembull, mund të merret me një hobi, të lexojë për qejf, të shohë televizor, të bëjë udhëtime, të shëtitë nëpër dyqane dhe të kërkojë pajisjet e fundit elektronike ose gjëra luksi. Edhe rrjetet shoqërore, komunikimi me mesazhe, qarkullimi i email-eve dhe përditësimi i pareshtur me lajmet e fundit dhe me ngjarjet sportive mund të na vjedhin kohë e madje të na bëhen fiksim. * (Ekl. 3:1, 6) Po të mos e kufizojmë kohën që kalojmë me gjëra jo të domosdoshme, mund të lëmë pas dore gjënë më të rëndësishme nga të gjitha—adhurimin e Jehovait.Lexo Efesianëve 5:15-17.

8. Pse është kaq e rëndësishme këshilla që të mos i duam gjërat e botës?

8 Satanai e ka ndërtuar botën e tij në një mënyrë që të na tërheqë e të na shpërqendrojë. Kjo ishte e vërtetë në shekullin e parë dhe aq më shumë është sot. (2 Tim. 4:10) Prandaj duhet t’ia vëmë veshin këshillës: ‘Mos i doni gjërat që janë në botë.’ Nëse shqyrtojmë dhe ndreqim veten vazhdimisht që të zbatojmë këtë këshillë, nuk do të shpërqendrohemi dhe do të na rritet ‘dashuria për Atin’. Kështu do ta kemi më të lehtë të bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe të shijojmë përgjithmonë miratimin e tij.1 Gjon. 2:15-17.

MBAJI SYTË TË PËRQENDRUAR

9. Çfarë tha Jezui për syrin e figurshëm, dhe si na la një shembull?

9 Këshilla dashamirëse që i dha Jezui Martës përputhej tamam me mësimet dhe shembullin e tij. Ai i nxiti dishepujt të mbanin një sy ‘të thjeshtë’ ose të përqendruar, që të ndiqnin interesat e Mbretërisë pa shpërqendrime. (Lexo Mateun 6:22, 33.) Jezui nuk e rëndoi veten me gjëra materiale; ai nuk zotëronte as shtëpi, as tokë.Luka 9:58; 19:33-35.

10. Çfarë shembulli la Jezui në fillim të shërbimit të tij?

10 Gjatë shërbimit të Jezuit ndodhën goxha gjëra që mund ta kishin shpërqendruar, por ai kurrë nuk ra pre e tyre. Në fillim të shërbimit të tij, pasi mësoi turmën dhe kreu mrekulli në Kapernaum, njerëzit iu përgjëruan të mos ikte nga qyteti. Por si iu përgjigj Jezui asaj kërkese që përkëdhelte sedrën? Ai tha: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:42-44) Jezui e mbajti fjalën dhe i ra kryq e tërthor Palestinës, duke predikuar e duke mësuar. Edhe pse ishte i përsosur, kishte nevoja normale si gjithë njerëzit dhe nganjëherë sfilitej, sepse nuk kursehej në shërbim të Perëndisë.Luka 8:23; Gjoni 4:6.

11. Si iu përgjigj Jezui një burri që kishte një debat në familje, dhe ç’paralajmërim dha?

11 Kohë më vonë, teksa Jezui po i mësonte dishepujt si t’i bënin ballë kundërshtimit, një burrë e ndërpreu dhe i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua.» Mirëpo Jezui nuk pranoi të përfshihej në këtë debat dhe iu përgjigj: «O njeri, kush më caktoi mua gjykatës ose që të ndaj pasurinë tuaj?» Pastaj vazhdoi t’i mësonte dëgjuesit e tij dhe i paralajmëroi se kishte rrezik që dëshira për gjëra materiale t’i shpërqendronte nga shërbimi i Perëndisë.Luka 12:13-15.

12, 13. (a) Pak para vdekjes së Jezuit, çfarë u ngjalli interes disa prozelitëve grekë? (b) Si e përballoi Jezui këtë situatë që mund ta kishte shpërqendruar?

12 Java e fundit e jetës së Jezuit si njeri ishte plot stres. (Mat. 26:38; Gjoni 12:27) Kishte goxha punë për të bërë dhe e priste një gjyq poshtërues e një vdekje mizore. Për shembull, të mendojmë pak ç’ndodhi të dielën, më 9 nisan të vitit 33 të e.s. Siç qe parathënë, Jezui hyri në Jerusalem hipur në një kërriç dhe turma brohoriste: «Ai që vjen si Mbreti në emër të Jehovait!» (Luka 19:38) Të nesërmen, Jezui hyri në tempull dhe plot guxim i flaku jashtë tregtarët lakmitarë që e përdornin shtëpinë e Perëndisë për t’u zhvatur pará bashkëkombësve judenj.Luka 19:45, 46.

13 Mes turmës në Jerusalem ishin disa prozelitë grekë. Me sa duket atyre u la mbresë Jezui dhe i kërkuan apostullit Filip t’u organizonte një takim me të. Por, Jezui nuk lejoi që kjo ta shpërqendronte nga çështjet më të rëndësishme që e prisnin. Dhe s’diskutohet që nuk donte të fitonte popullaritet për t’i shpëtuar një vdekjeje flijuese nga armiqtë e Perëndisë. Prandaj, pasi shpjegoi se së shpejti do të vdiste, i tha Andreas dhe Filipit: «Ai që e ka për zemër shpirtin e tij, e shkatërron, por ai që e urren shpirtin e tij në këtë botë, do ta ruajë atë për jetën e përhershme.» Në vend që t’u shuante kureshtjen atyre grekëve, Jezui tha të imitonin jetën e tij vetëmohuese dhe premtoi: «Nëse dikush dëshiron të më shërbejë, Ati do ta nderojë.» Pa dyshim, Filipi ua çoi atë mesazh inkurajues prozelitëve grekë.Gjoni 12:20-26.

14. Edhe pse për Jezuin predikimi ishte gjëja kryesore në jetë, çfarë tregon se ishte i ekuilibruar?

14 Edhe pse Jezui nuk lejoi asgjë ta shpërqendronte nga qëllimi i tij kryesor që të predikonte lajmin e mirë, nuk e kishte mendjen orë e çast te puna. Ai pranoi të paktën një ftesë dasme dhe ia shtoi gëzimin atij rasti, duke e kthyer ujin në verë me anë të një mrekullie. (Gjoni 2:2, 6-10) Pranoi edhe ftesa për darkë te miqtë e ngushtë dhe te dishepujt e mundshëm. (Luka 5:29; Gjoni 12:2) Ç’është më e rëndësishmja, Jezui linte kohë vazhdimisht që të lutej, të ishte vetëm për të medituar dhe të pushonte.Mat. 14:23; Mar. 1:35; 6:31, 32.

‘FLAK ÇDO PESHË’

15. Çfarë këshille dha apostulli Pavël, dhe si na la një shembull të shkëlqyer?

15 Apostulli Pavël e krahasoi jetën e atyre që i janë kushtuar Perëndisë me një garë të gjatë që do qëndrueshmëri dhe shkroi: «Le të flakim edhe ne çdo peshë.» (Lexo Hebrenjve 12:1.) Pa dyshim që Pavli e zbatoi atë që predikonte, duke hequr dorë nga një karrierë premtuese në judaizëm që mund ta kishte bërë të pasur e të famshëm. Ai u përqendrua te «gjërat më të rëndësishme» dhe i shërbeu Perëndisë me mish e me shpirt, duke udhëtuar poshtë e përpjetë në Siri, Azinë e Vogël, Maqedoni dhe Jude. Kur shkroi për shpresën e tij që të jetonte përgjithmonë në qiell, tha: «Po i harroj gjërat që lashë pas, po synoj drejt atyre që kam para, dhe po sulem drejt qëllimit për të marrë çmimin.» (Filip. 1:10; 3:8, 13, 14) Ngaqë e shfrytëzoi plotësisht beqarinë, Pavli arriti t’i përkushtohej pareshtur shërbimit të Zotërisë «pa shpërqendrim».1 Kor. 7:32-35.

16, 17. Qofshim beqarë a të martuar, si mund ta ndjekim shembullin e Pavlit si dishepull i Krishtit? Tregoni një përvojë.

16 Njësoj si Pavli, edhe disa shërbëtorë të Perëndisë zgjedhin të rrinë beqarë, që të kenë më pak përgjegjësi familjare dhe t’i përkushtohen shërbimit të Mbretërisë. (Mat. 19:11, 12) Shpesh shërbëtorët e Perëndisë që janë të martuar kanë më tepër përgjegjësi familjare. Por qofshim beqarë a të martuar, të gjithë mund ‘të flakim çdo peshë’ dhe t’i shërbejmë Perëndisë me sa më pak shpërqendrime. Kjo mund të kërkojë t’u vëmë fre zakoneve që na grabitin kohën dhe të vëmë synime për të kaluar më shumë kohë në shërbim të Perëndisë.

17 Të marrim rastin e një çifti nga Uellsi, Marku dhe Klara. Që të dy filluan të shërbenin si pionierë pasi mbaruan shkollën dhe vazhduan edhe pas martesës. Marku shpjegon: «Arritëm ta thjeshtonim akoma më shumë jetën duke shitur shtëpinë me tri dhoma gjumi dhe duke lënë punën me orar të reduktuar, që të nisnim veprën ndërkombëtare të ndërtimit.» Gjatë 20 viteve të fundit, kanë udhëtuar gjithandej në Afrikë për të ndihmuar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Një herë, u kishin ngelur vetëm 15 dollarë në xhep, por Jehovai u kujdes për ta. Klara thotë: «Ndiejmë kënaqësi të thellë që e kalojmë çdo ditë në shërbim të Jehovait. Ndër vite kemi zënë gjithë ata miq dhe s’na mungon kurrgjë. Ato pak sakrifica që kemi bërë nuk krahasohen fare me lumturinë që vjen kur i shërben Jehovait në kohë të plotë.» Shumë shërbëtorë në kohë të plotë kanë pasur përvoja të ngjashme. *

18. Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?

18 Po ti, ç’mund të bësh nëse dikton se e ke humbur disi entuziazmin për shërbimin e Mbretërisë si pasojë e shpërqendrimeve të panevojshme? Ndoshta zgjidhja është ta bësh më dobiprurës leximin dhe studimin personal të Biblës. Po si ta arrish këtë? Kjo do të shpjegohet në artikullin tjetër.

^ par. 17 Shih edhe jetëshkrimin e Hejdin dhe Melodi Sandersonit në artikullin «Të dish se çfarë është e drejtë dhe të veprosh». (Kulla e Rojës 1 mars 2006) Ata lanë një biznes fitimprurës në Australi, që të fillonin shërbimin e plotkohor. Lexoni ç’ndodhi pasi mbetën pa para ndërsa shërbenin si misionarë në Indi.