Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vazhdo të meditosh për gjërat frymore

Vazhdo të meditosh për gjërat frymore

«Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.»—1 TIM. 4:15.

KËNGËT: 57, 52

1, 2. Në ç’mënyra të rëndësishme është unik truri i njeriut?

GJUHËT na japin mundësi të lexojmë, të shkruajmë, të flasim, ta kuptojmë atë që dëgjojmë, të lutemi dhe t’i këndojmë lavde Jehovait. Secila nga këto gjëra është mbresëlënëse dhe përfshin zona të trurit e të rrjetit nervor që shkencëtarët ende nuk i kuptojnë tamam. Ne arrijmë ta mësojmë një gjuhë falë trurit tonë unik. Një profesor gjuhësie thotë: «Aftësia e fëmijëve për të përvetësuar një gjuhë është veçori dalluese e [njerëzve].»

2 Aftësitë gjuhësore të njeriut janë dhuratë e mrekullueshme nga Krijuesi. (Psal. 139:14; Zbul. 4:11) Ai e ka bërë trurin tonë unik edhe në një aspekt tjetër të rëndësishëm. Ndryshe nga kafshët, ne njerëzit u krijuam «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». Kemi vullnet të lirë dhe mund të zgjedhim t’i përdorim aftësitë gjuhësore për t’i dhënë lavdi Perëndisë.Zan. 1:27.

3. Çfarë dhurate të mrekullueshme na ka dhënë Jehovai për të na bërë të mençur?

3 Krijuesi i gjuhës u ka dhënë të gjithë atyre që duan ta nderojnë një dhuratë të mrekullueshme, Biblën. Ajo është në dispozicion e plotë ose pjesërisht në mbi 2.800 gjuhë. Po t’i studiosh me etje këto shkrime të shenjta, mendja do të të mbushet me mendimet e Perëndisë. (Psal. 40:5; 92:5; 139:17) Kështu mund të kënaqesh duke medituar për gjëra që «janë në gjendje të të bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin».Lexo 2 Timoteut 3:14-17.

4. Ç’do të thotë të meditosh, dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?

4 Të meditosh do të thotë të përqendrohesh, të reflektosh ose të bluash në mendje diçka, e mirë a e keqe qoftë. (Psal. 77:12; Prov. 24:1, 2) S’ka gjë më të bukur sesa të meditojmë për Perëndinë Jehova dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin. (Gjoni 17:3) Por mund të pyesim veten: ç’lidhje ka leximi me meditimin? Në cilat raste mund të meditojmë dhe si mund ta bëjmë meditimin një shprehi që na fal kënaqësi?

SIGUROHU QË TË NXJERRËSH DOBI NGA STUDIMI

5, 6. Ç’mund të të ndihmojë ta kuptosh e ta kujtosh më mirë atë që lexon?

5 Truri ynë mund të bëjë gjëra të mahnitshme, nganjëherë madje pa e pasur mendjen ne. Për shembull, të marrësh frymë, të ecësh më këmbë a me biçikletë ose të shtypësh në tastierë pa e parë janë veprime automatike që mund t’i bësh edhe pa menduar fare. Deri diku, kështu është edhe me leximin. Prandaj është jetësore të përqendrohesh te domethënia e asaj që lexon. Kur arrin në fund të një paragrafi në një botim ose para se të nisësh një nëntitull tjetër, pse të mos ndalesh pak e të bluash në mendje atë që lexove? Kështu do të sigurohesh se e kuptove drejt. Natyrisht mund të ndodhë që mendja të hallakatet nga shpërqendrimet dhe mungesa e vëmendjes, e atëherë ke lexuar më kot. Si ta shmangësh këtë?

6 Kërkimet shkencore tregojnë se kur i thua fjalët me zë gjatë studimit, e ke më të lehtë t’i kujtosh. Krijuesi i trurit tonë e di mirë këtë. Ja pse e udhëzoi Josiun ta lexonte «nën zë» librin e Ligjit. (Lexo Josiun 1:8.) Ka shumë të ngjarë që leximi i Biblës me zë të ulët, ose nën zë, të të lërë gjurmë më të thella në mendje. Gjithashtu mund të të ndihmojë të përqendrohesh më mirë.

7. Kur është koha më e mirë për të medituar rreth Fjalës së Perëndisë? (Shih figurën hapëse.)

7 Leximi mbase nuk kërkon shumë përpjekje, ama meditimi kërkon përqendrim. Truri ynë i papërsosur ka prirjen të anojë nga punët më të lehta, më pak kërkuese. Prandaj, koha më e mirë për meditim është kur nuk je i lodhur dhe ndodhesh në një ambient të qetë me pak shpërqendrime. Psalmisti vërejti se një kohë e mirë për meditim ishte kur zgjohej natën. (Psal. 63:6) Jezui, që kishte aftësi mendore të përsosura, e dinte sa e dobishme është të shkosh në vende të qeta për të medituar e për t’u lutur.Luka 6:12.

GJËRA TË MIRA PËR TË MEDITUAR

8. (a) Veç Fjalës së Perëndisë, për çfarë mund të meditojmë tjetër? (b) Si ndihet Jehovai kur kalojmë kohë duke folur për të?

8 Të reflektosh për atë që lexon në Bibël është një mënyrë e rëndësishme për të medituar, por ka edhe të tjera. Për shembull, kur sheh mrekullitë e krijimit, ndalu pak dhe mendo. S’ka dyshim që kjo do të të nxitë ta lëvdosh Jehovain për mirësinë e tij. E nëse ke në krah dikë, do të nxitesh ta shprehësh me fjalë mirënjohjen që ndien. (Psal. 104:24; Vep. 14:17) A i vlerëson Jehovai këto mendime, lutje dhe fjalë që themi për të? Le të na përgjigjet Fjala e tij e vyer. Aty gjejmë këtë premtim për këto ditë të fundit kritike: «Në atë kohë, ata që kishin frikë nga Jehovai folën me njëri-tjetrin, secili me shokun e tij. Jehovai u kushtoi vëmendje dhe i dëgjoi. Një libër kujtimi nisi të shkruhej para tij për ata që kishin frikë nga Jehovai dhe për ata që mendojnë thellë për emrin e tij.»Mal. 3:16.

A mediton për nevojat dhe rrethanat e studentëve të Biblës? (Shih paragrafin 9.)

9. (a) Për çfarë i tha Pavli Timoteut të meditonte? (b) Si mund ta zbatojmë këshillën e Pavlit teksa përgatitemi për shërbim?

9 Apostulli Pavël i tha Timoteut ‘të bluante në mendje’ se ç’ndikim kishin të folurit, sjellja dhe mësimdhënia e tij. (Lexo 1 Timoteut 4:12-16.) Ashtu si Timoteu, edhe ne kemi plot aktivitete frymore për të cilat duhet të mendojmë. Për shembull, na duhet kohë të meditojmë kur përgatitemi për të drejtuar një studim biblik. Ndërsa mendojmë për studentin, mund të gjejmë një pyetje që do ta nxitë të shprehet ose një ilustrim që do ta ndihmojë të përparojë. Është shumë përtëritëse të lëmë kohë për këtë, sepse tek bluajmë në mendje këto gjëra, na forcohet edhe neve vetë besimi e mund të jemi më të efektshëm e më entuziastë kur drejtojmë studimet tona biblike. Njësoj ndodh kur përgatitim zemrën para se të dalim në shërbim. (Lexo Ezdrën 7:10.) Për shembull, leximi i një kapitulli nga libri biblik i Veprave ‘do të na e gjallërojë si zjarr’ entuziazmin për shërbimin. Meditimi për vargjet biblike që duam të përdorim atë ditë dhe për botimet që kemi ndër mend të japim, do të na ndihmojë të kryejmë shërbimin tonë të çmuar. (2 Tim. 1:6) Gjithashtu, të mendojmë për njerëzit në territor dhe për gjërat që mund t’u ngjallin interes. Gjithë kjo përgatitje do të na nxitë të japim dëshmi të efektshme me «një demonstrim fryme dhe fuqie» që buron nga Fjala e Perëndisë.1 Kor. 2:4.

10. Çfarë rastesh të tjera kemi për të medituar për gjërat frymore?

10 A mban shënime ndonjëherë gjatë fjalimeve në Sallën e Mbretërisë, në asamble dhe në kongrese? Kur rishikon shënimet, ke mundësi të shkëlqyera të meditosh për gjërat që ke mësuar nga Fjala e Perëndisë dhe nga organizata e tij. Gjithashtu, revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! që dalin çdo muaj dhe botimet e reja të kongreseve na sigurojnë informacione të përditësuara që mund t’i lexojmë e t’i përvetësojmë. Kur lexon Librin vjetor, bën mirë të ndalesh pak para se të kalosh nga një përvojë te tjetra. Kështu do të kesh kohë të reflektosh për atë që lexove dhe ta lësh të të prekë zemrën. Ndërsa lexon botimet, mund t’i nënvizosh idetë kryesore ose të mbash shënime anash faqes, e kjo mund të të hyjë në punë kur përgatitesh për një rivizitë, për një vizitë baritore ose për një fjalim. Ç’është më e rëndësishmja, po të ndalesh dhe të meditosh herë pas here kur lexon literaturë biblike, mund ta përvetësosh materialin dhe ta falënderosh në lutje Jehovain për gjërat e mira që po mëson.

MEDITO ÇDO DITË PËR FJALËN E PERËNDISË

11. Ku duhet të përqendrohet meditimi ynë, dhe pse? (Shih edhe shënimin.)

11 S’diskutohet, meditimi ynë duhet të përqendrohet mbi të gjitha te Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Ta zëmë se gjendesh në një situatë ku të është ndaluar të mbash një Bibël. * Ama kurrë nuk mund të të ndalojnë të meditosh për ato që ke ruajtur në kujtesë, si shkrimet e tua të preferuara dhe vargje nga këngët e Mbretërisë. (Vep. 16:25) Veç kësaj, fryma e Perëndisë mund të të ndihmojë t’i kujtosh gjërat e mira që ke mësuar.Gjoni 14:26.

12. Cili program për leximin e Biblës mund të jetë i dobishëm?

12 Disa ditë të javës mund të lihen mënjanë që të lexojmë e të meditojmë për kapitujt e Biblës të programuar atë javë për Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ditët e tjera mund t’i lëmë për të medituar rreth asaj që tha e bëri Jezui. Patjetër që je dakord se ndër librat më të njohur të Biblës janë ungjijtë që flasin për jetën dhe shërbimin e Jezuit. (Rom. 10:17; Hebr. 12:2; 1 Pjet. 2:21) Populli i Perëndisë madje ka në duar një botim që i shtjellon sipas radhës kronologjike përvojat e jetës së Jezuit në tokë. Ky botim është një ndihmë fantastike, sidomos nëse i lexojmë me kujdes fragmentet paralele të ungjijve që përmenden në çdo kapitull dhe meditojmë për to.Gjoni 14:6.

PSE ËSHTË KAQ I RËNDËSISHËM MEDITIMI?

13, 14. Pse është kaq e rëndësishme të vazhdojmë të meditojmë për gjërat frymore, dhe çfarë do të na nxitë të bëjmë kjo?

13 Meditimi për gjërat frymore do të të ndihmojë të bëhesh i krishterë gjithnjë e më i pjekur. (Hebr. 5:14; 6:1) Kush nuk lë kohë që të mendojë për Jehovain dhe Jezuin s’do ta mbajë besimin të fortë. Ai rrezikon ta marrë rryma ose të largohet nga e vërteta. (Hebr. 2:1; 3:12) Jezui paralajmëroi se nuk ‘do ta mbajmë’ Fjalën e Perëndisë po të mos e dëgjojmë, ose pranojmë, «me një zemër të shkëlqyer e të mirë». E atëherë fare kollaj mund ‘të rrëmbehemi nga ankthet, pasuria dhe kënaqësitë e kësaj jete dhe të mos arrijmë të përsosim asgjë’, pra të mos piqemi frymësisht.Luka 8:14, 15.

14 Prandaj, le të vazhdojmë ta bluajmë në mendje Fjalën e Perëndisë. Kjo do të na nxitë të pasqyrojmë lavdinë e Jehovait, cilësitë dhe personalitetin e tij të zbuluar në Bibël. (2 Kor. 3:18) E ku ka më mirë! Të marrësh gjithnjë e më shumë njohuri për Perëndinë dhe të kesh mundësi të pasqyrosh lavdinë e tij janë privilegje të mrekullueshme. Ky proces nuk do të marrë fund kurrë ndërsa mësojmë vazhdimisht si ta imitojmë Atin tonë të dashur qiellor.Ekl. 3:11.

15, 16. (a) Si nxjerrim dobi personalisht kur bluajmë në mend gjërat frymore? (b) Pse nganjëherë mund të jetë e vështirë të meditojmë, por pse nuk duhet të heqim dorë?

15 Nëse e kemi shprehi të bluajmë në mendje gjërat frymore, do të ruajmë entuziazmin për të vërtetën. Kështu do të jemi freskim për vëllezërit dhe për të interesuarit që takojmë në shërbim. Po të mendojmë thellë për dhuratën më të madhe të Perëndisë, flijimin shpërblyes të Jezuit, do ta çmojmë si thesar privilegjin që gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë me Atin tonë të Shenjtë, Jehovain. (Rom. 3:24; Jak. 4:8) Marku nga Afrika e Jugut kaloi tre vjet në burg për shkak të asnjanësisë së krishterë. Ai tha: «Meditimi mund të krahasohet me një aventurë emocionuese. Sa më shumë meditojmë për gjërat frymore, aq më shumë zbulojmë gjëra të reja për Perëndinë tonë, Jehovain. Nganjëherë, kur ndihem pak i shkurajuar ose në ankth për të ardhmen, marr Biblën dhe meditoj për një pjesë nga Shkrimet. Ndiej se kjo më qetëson vërtet.»

16 Dihet, jeta sot është kaq e mbushur me shpërqendrime, sa nganjëherë është goxha e vështirë të meditosh për gjërat frymore. Patriku, një vëlla tjetër besnik nga Afrika, pranon: «Mendja ime i ngjan një kutie postare ku hidhen lloj-lloj gjërash, ca që duhen e të tjera jo, dhe këto duhen seleksionuar çdo ditë. Teksa zhbiroj gjithë sa kam në mendje, shpesh gjej ‘mendime turbulluese’ dhe më duhet t’i lutem Jehovait për to, që të arrij të meditoj pastaj me mendje të kthjellët. Vërtet, kjo mund të më harxhojë pak kohë para se të filloj meditimin për gjërat frymore, por falë kësaj ndihem më afër Jehovait. Kështu mendja ime është e hapur për ta kuptuar më mirë të vërtetën.» (Psal. 94:19) Po, ata që ‘i shqyrtojnë Shkrimet çdo ditë’ dhe meditojnë për atë që mësojnë, korrin bekime fantastike.Vep. 17:11.

KUR GJEN KOHË PËR TË MEDITUAR?

17. Kur gjen kohë për të medituar?

17 Disa ngrihen herët në mëngjes që të lexojnë, të meditojnë e të luten. Të tjerë e bëjnë këtë gjatë pushimit të drekës. Ti ndoshta zgjedh mbrëmjen ose momentet para se të flesh. Disa kanë qejf ta lexojnë Biblën edhe në mëngjes, edhe para se të flenë. Pavarësisht se kur e lexojmë, duhet ta bëjmë këtë «ditë e natë», pra rregullisht. (Jos. 1:8) Kryesorja është të blejmë kohë nga gjërat më pak të rëndësishme që të meditojmë çdo ditë për Fjalën e Perëndisë.Efes. 5:15, 16.

18. Ç’thotë Bibla për të gjithë ata që meditojnë çdo ditë për të dhe bëjnë çmos t’i zbatojnë mësimet e saj?

18 Në Fjalën e Perëndisë përsëritet shpesh premtimi se të gjithë ata që meditojnë për të dhe bëjnë çmos t’i zbatojnë mësimet e saj, do të bekohen. (Lexo Psalmin 1:1-3.) Jezui tha: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!» (Luka 11:28) Mbi të gjitha, po të meditojmë çdo ditë për gjërat frymore, do të nderojmë Krijuesin e Madh që ka projektuar trurin tonë të mrekullueshëm. Atëherë, ai do të na shpërblejë me lumturi sot dhe me jetën e përhershme në botën e re të drejtë.—Jak. 1:25; Zbul. 1:3.

^ par. 11 Shih artikullin «Beteja jonë për të qëndruar të fortë frymësisht» në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 2006.