Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njëqind vjet nën Mbretërinë!

Njëqind vjet nën Mbretërinë!

«Perëndia i paqes . . . ju pajistë me çdo gjë të mirë për të bërë vullnetin e tij!»HEBR. 13:20, 21.

KËNGËT: 136, 14

1. Sa rëndësi kishte për Jezuin vepra e predikimit? Shpjegoni.

SA SHUMË ia kishte ënda Jezuit të fliste për Mbretërinë e Perëndisë! Sipas Biblës, ai foli për të më shumë se për çdo temë tjetër; në fakt e përmendi mbi 100 herë gjatë shërbimit të tij. Jezui e kishte vërtet zemrën te Mbretëria.Lexo Mateun 12:34.

2. Sa mund të kenë qenë të pranishëm kur u dha urdhri i Mateut 28:19, 20, dhe pse mund të nxjerrim këtë përfundim? (Shih shënimin.)

2 Pak pasi u ringjall, Jezui u takua me më shumë se 500 lajmëtarë të ardhshëm të Mbretërisë. (1 Kor. 15:6) Ndoshta tamam në atë rast e dha urdhrin që mesazhi për Mbretërinë t’u çohej ‘njerëzve nga të gjitha kombet’. Çfarë detyre kolosale! * Jezui paratha se kjo vepër madhështore do të vazhdonte deri në «përfundimin e sistemit», dhe kështu ka ndodhur. Patjetër që edhe ti po bën pjesën tënde për të plotësuar këtë detyrë dhe profeci.Mat. 28:19, 20.

3. Cilat janë tri drejtime ku jemi pajisur plotësisht për të kryer detyrën që të predikojmë lajmin e mirë?

3 Pasi u ngarkoi dishepujve detyrën që të predikonin, Jezui i siguroi me këtë premtim: «Unë jam me ju.» (Mat. 28:20) Kështu, kjo vepër predikimi kolosale do të kryhej nën drejtimin e tij. Veç kësaj, Perëndia ynë na ka pajisur me «çdo gjë të mirë» për ta përmbushur këtë detyrë. (Hebr. 13:20, 21) Te ky artikull, do të ndalemi te tri nga këto gjëra të mira: (1) mjetet që na janë dhënë, (2) metodat që kemi përdorur dhe (3) stërvitja që kemi marrë. Së pari, të shohim disa nga mjetet që kemi përdorur gjatë 100 viteve të fundit.

MBRETI I PAJIS SHËRBËTORËT E TIJ PËR TË PREDIKUAR

4. Pse kemi përdorur një larmi mjetesh në veprën e predikimit?

4 Jezui e krahasoi «fjalën e mbretërisë» me farën që mbillet në lloje të ndryshme toke. (Mat. 13:18, 19) Një kopshtar mund të përdorë gjithfarë mjetesh që ta përgatitë kopshtin për të mirëpritur farën. Po njësoj, në rrjedhën e viteve Mbreti ynë na ka dhënë mjete që na ndihmojnë t’u përgatitim zemrat miliona vetave për të mirëpritur mesazhin e Mbretërisë. Disa mjete ndoshta ishin të dobishme vetëm për ca vjet, kurse të tjera vazhdojnë të kenë vlerë edhe sot. Por që të gjitha na kanë ndihmuar në ndonjë mënyrë të bëhemi ungjillëzues më të zotë.

5. Çfarë ishte karta e dëshmisë, dhe si përdorej?

5 Një mjet që ndihmoi shumë veta të fillonin shërbimin ishte karta e dëshmisë, që lajmëtarët e Mbretërisë nisën ta përdornin në vitin 1933. Ajo ishte afro 8 me 13 centimetra dhe përmbante një mesazh të shkurtër nga Bibla. Herë pas here, dilte një kartë e re me një mesazh të ri. Prezantimi ishte fare i thjeshtë. Vëlla Ç. U. Erlenmajeri ishte nja dhjetë vjeç kur mori pjesë për herë të parë në këtë formë dëshmie. Ai shpjegonte: «Hyrja standarde ishte: ‘A mund ta lexoni këtë kartë, ju lutem?’ Pasi i zoti i shtëpisë e lexonte, i prezantonim literaturën dhe largoheshim.»

6. Për çfarë qëllimi praktik shërbeu karta e dëshmisë?

6 Karta e dëshmisë qe e dobishme për një sërë arsyesh. Disa lajmëtarë kishin dëshirë të zjarrtë të merrnin pjesë në veprën e predikimit, por ishin të ndrojtur dhe nuk dinin ç’të thoshin. Kurse të tjerë kishin goxha për të thënë. I tregonin të zotit të shtëpisë çdo gjë që dinin brenda pak minutash, por jo gjithnjë me takt. Ndërsa karta e dëshmisë ‘fliste’ për lajmëtarin duke përdorur pak fjalë, ama të zgjedhura mirë.

7. Çfarë sfidash hasën disa ndërsa përdornin kartën?

7 Por kuptohet, kishte edhe sfida. Grejsi A. Istepi, një Dëshmitare prej kohësh, kujtonte: «Hera-herës, na pyetnin: ‘E ç’thotë kjo? S’ma tregon dot ti vetë?’» Për më tepër, disa njerëz në territor nuk e lexonin dot kartën. Ndërsa të tjerë, duke kujtuar se lajmëtari po ua dhuronte, e merrnin dhe mbyllnin derën. Nëse i zoti i shtëpisë ishte kundërshtar i madh, kishte rrezik ta griste. Gjithsesi, vëllezërit tanë po mësonin të komunikonin me këdo dhe të prezantoheshin pa ngurrim si përfaqësues të Mbretërisë.

8. Shpjegoni si përdorej gramafoni portativ. (Shih figurën hapëse.)

8 Një mjet tjetër, që u përdor në vitet 30 dhe në fillim të viteve 40, ishte gramafoni portativ, të cilit disa vëllezër i vunë nofkën Aaroni ngaqë fliste thuajse gjithë kohën në vend të tyre. (Lexo Daljen 4:14-16.) Pasi i merrte leje të zotit të shtëpisë, lajmëtari vinte një fjalim biblik prej katër minutash e gjysmë, e pastaj i ofronte literaturë. Nganjëherë mblidheshin familje të tëra për të dëgjuar një mesazh biblik të incizuar. Më 1934, Shoqata Watch Tower filloi të prodhonte gramafona portativë të bërë enkas për shërbimin. Me kohë u vunë në dispozicion incizime me 92 tema të ndryshme.

9. Sa i efektshëm ishte përdorimi i gramafonit?

9 Pasi dëgjoi një nga fjalimet e incizuara biblike, një burrë, Hilari Goslin, i kërkoi lajmëtarit t’ia jepte hua gramafonin për një javë, që t’u tregonte komshinjve mesazhin për Mbretërinë. Kur lajmëtari u kthye, pa se e pritnin disa të interesuar. Me kalimin e kohës, mjaft prej tyre iu kushtuan Jehovait, dhe dy vajzat e Hilarit ndoqën më vonë Shkollën e Galaadit e u caktuan në vende të huaja. Ashtu si karta e dëshmisë, edhe gramafoni ndihmoi shumë veta të nisnin veprën e predikimit. Më pas, Mbreti do t’ua vinte fjalët në gojë me anë të Shkollës së Shërbimit Teokratik.

PËRDORET ÇDO METODË PËR T’U ÇUAR NJERËZVE LAJMIN E MIRË

10, 11. Si u përdorën gazetat dhe radioja për të përhapur të vërtetën biblike, dhe pse ishin të efektshme këto metoda?

10 Nën drejtimin e Mbretit, populli i Perëndisë ka përdorur një larmi metodash për t’u dhënë lajmin e mirë sa më shumë njerëzve. Kjo qe e rëndësishme sidomos kur ‘punëtorët ishin pak’. (Lexo Mateun 9:37.) Në fillim të shekullit të 20-të, u përdorën gazetat për t’i dëshmuar publikut të gjerë në zonat ku kishte pak shërbëtorë të Jehovait. Çdo javë, vëlla Çarls Tejz Rasëlli i dërgonte me lidhje telegrafike një fjalim biblik një agjencie gazetash. Pastaj, agjencia ua dërgonte me telegraf fjalimin gazetave në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Evropë. Deri në vitin 1913, fjalimet biblike të vëlla Rasëllit kishin shkuar në duart e afro 15.000.000 lexuesve nëpërmjet 2.000 gazetave.

11 Pas vdekjes së tij, nisi të përdorej një metodë tjetër e efektshme për të përhapur lajmin e mirë. Më 16 prill 1922, Xhozef F. Radhërfordi mbajti një nga fjalimet e tij të para të transmetuara në radio që e dëgjuan rreth 50.000 veta. Më vonë, më 24 shkurt 1924, filloi transmetimet stacioni i parë radiofonik i organizatës, WBBR. Kulla e Rojës e 1 dhjetorit 1924 thoshte për këtë metodë të re predikimi: «Mendojmë se radioja është mënyra më ekonomike dhe më e efektshme që është përdorur deri tani për të përhapur mesazhin e së vërtetës.» Sikurse gazeta, edhe radioja hyri në punë për t’i dëshmuar publikut të gjerë në zona ku kishte pak lajmëtarë të Mbretërisë.

Shumë lajmëtarë të Mbretërisë kënaqen kur marrin pjesë në dëshminë në vende publike dhe kur i drejtojnë njerëzit te siti ynë, jw.org (Shih paragrafët 12, 13.)

12. (a) Cilat aspekte të dëshmisë publike të pëlqejnë më shumë? (b) Ç’mund të na ndihmojë të mposhtim frikën për të marrë pjesë në dëshminë publike?

12 Sot po vihet gjithnjë e më shumë theksi te dëshmia publike: në stacione autobusi, stacione treni, vende parkimi, sheshe dhe tregje. Nëse përfshirja në disa nga këto aspekte shërbimi të vë në siklet, pse të mos meditosh në lutje për këtë koment që bëri një mbikëqyrës udhëtues prej dekadash, Anxhelo Manera i Riu: «Çdo aspekt të ri shërbimi e shihnim si një mënyrë tjetër për t’i shërbyer Jehovait, si një mënyrë tjetër për të treguar besnikërinë ndaj tij, si një sprovë tjetër integriteti, dhe mezi pritnim të tregonim se ishim gati t’i shërbenim në çfarëdo mënyre që na kërkonte ai.» Pjesëmarrja në një aspekt të ri të veprës dhe me të cilin mbase nuk ndihemi rehat, na ndërton sigurinë dhe besimin te Jehovai, e si rrjedhojë na afron më tepër me Të.Lexo 2 Korintasve 12:9, 10.

13. Pse është i efektshëm në predikim përdorimi i sitit tonë, jw.org, dhe çfarë përvojash ke pasur kur i ke drejtuar njerëzit tek ai?

13 Shumë lajmëtarëve u pëlqen t’i drejtojnë njerëzit te siti ynë, jw.org, ku mund të lexojnë e të shkarkojnë literaturë biblike në mbi 700 gjuhë. Çdo ditë, sitin tonë e vizitojnë mbi 1,6 milionë veta. Ashtu si radioja në të kaluarën, sot siti ynë po ua çon lajmin e mirë njerëzve edhe në zona të thella.

STËRVITEN SHËRBËTORËT E LAJMIT TË MIRË

14. Ç’stërvitje u duhej lajmëtarëve të Mbretërisë, dhe cila shkollë i ka ndihmuar të bëhen mësues të zotë?

14 Folëm për disa mjete dhe metoda që kemi përdorur për të përhapur lajmin e mirë. Po ç’të themi për stërvitjen që kemi marrë? Ta zëmë se i zoti i shtëpisë nuk ishte dakord me atë që dëgjonte në gramafon. Ose ndoshta tregonte interes për atë që lexonte në kartën e dëshmisë. Lajmëtarët duhet të dinin si t’i kapërcenin me takt kundërshtimet ose si t’i mësonin me mjeshtëri njerëzit me zemër të sinqertë. I nxitur pa dyshim nga fryma e Perëndisë, Nejthën H. Nori e kuptoi sa e nevojshme ishte të stërviteshin lajmëtarët që ta përdornin në shërbim dhuratën e të folurit. Zgjidhja? Shkolla e Shërbimit Teokratik, që u organizua për herë të parë në kongregacione në vitin 1943. Kjo shkollë na ka ndihmuar të bëhemi mësues të zotë.

15. (a) Si janë ndier disa kur kanë bërë një pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik? (b) Si është plotësuar në rastin tënd premtimi i Jehovait te Psalmi 32:8?

15 Shumë vetave iu desh kohë që të mësoheshin të flitnin para një auditori. Hulio S. Ramu kujtonte fjalimin e tij të parë në shkollë, më 1944. Tema e fjalimit? Doegu, një burrë që përmendet vetëm në pesë vargje të Biblës. Hulio tha: «Gjunjët e duart më dridheshin dhe dhëmbët më kërcitnin.» Pastaj shpjegoi se i duhej ta ndërtonte gjithë fjalimin mbi ato pesë shkrime. Ai shtoi: «E mbajta fjalimin brenda tri minutash. Kjo ishte përvoja ime e parë në podium, ama nuk hoqa dorë.» Edhe fëmijët u futën në këtë shkollë, ndonëse disa nuk e kishin medoemos të lehtë të mbanin një fjalim para kongregacionit. Anxhelo Manera, që u përmend më sipër, sjell ndër mend fjalimin e parë të një djali që sapo kish hyrë në shkollën fillore: «Ishte aq i emocionuar sa, kur nisi fjalimin, zuri të qante me ngashërim. Por qe i vendosur ta bënte fjalimin, kështu që e çoi gjer në fund duke ngashëryer.» A të ka frenuar hera-herës ndrojtja ose ndonjë kufizim që të mos komentosh a të mos marrësh pjesë në mbledhje në ndonjë mënyrë tjetër? Kërkoji ndihmë Jehovait që ta mposhtësh frikën. Mund të provosh edhe ti ndihmën e tij, siç e provuan ata studentë të parë të Shkollës së Shërbimit Teokratik.Lexo Psalmin 32:8.

16. Cili qëllim është arritur nëpërmjet Shkollës së Galaadit (a) në të kaluarën dhe (b) që nga viti 2011?

16 Stërvitja që mund të marrë populli i Jehovait nuk kufizohet te Shkolla e Shërbimit Teokratik. Misionarët dhe të tjerë që kanë ndjekur Shkollën e Galaadit kanë nxjerrë dobi të madhe. Sipas një instruktori, një synim i shkollës është «t’u ngulitë studentëve një dëshirë edhe më të zjarrtë për të marrë pjesë në veprën e ungjillëzimit». Shkolla e Galaadit u hap në vitin 1943, dhe qysh atëherë ka stërvitur mbi 8.500 veta. Misionarët e stërvitur në Galaad kanë shërbyer në më se 170 vende. Që nga viti 2011, në këtë shkollë regjistrohen vetëm ata që janë tashmë në ndonjë formë të shërbimit special të plotkohor—pionierë specialë, mbikëqyrës udhëtues, bethelitë ose misionarë që nuk e kanë ndjekur ende Galaadin.

17. Sa e efektshme ka qenë stërvitja në Galaad?

17 Sa e efektshme ka qenë kjo stërvitje shtesë? Të marrim një shembull. Në gusht 1949, në Japoni ishin më pak se dhjetë lajmëtarë vendës. Por në fund të atij viti, atje po predikonin me zell 13 misionarë të stërvitur në Galaad. Sot në Japoni ka mbi 216.000 lajmëtarë, dhe gati 42 për qind e tyre shërbejnë si pionierë.

18. Përmendni disa shkolla të tjera që kanë ndihmuar Dëshmitarë të kualifikuar të rriten frymësisht.

18 Shkolla të tjera, si Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë, Shkolla e Shërbimit për Pionierë, Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, Shkolla për Mbikëqyrësit Qarkorë dhe Gratë e tyre dhe Shkolla për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e tyre e kanë ndihmuar tej mase popullin e Jehovait që t’i afrohet më shumë atij dhe ta kryejë më me efektshmëri veprën. S’ka dyshim se Mbreti po vazhdon t’i stërvitë nënshtetasit e tij.

19. Çfarë komenti largpamës bëri Çarls Tejz Rasëlli për veprën e predikimit, dhe si ka dalë i vërtetë ai?

19 Kanë kaluar mbi 100 vjet nga lindja e Mbretërisë së Perëndisë. Mbreti ynë, Jezu Krishti, vazhdon të na stërvitë. Më 1916, pak para se të vdiste, Çarls Tejz Rasëlli tregoi largpamësi mbresëlënëse kur foli për shtrirjen që do të merrte vepra e predikimit. Ai i tha një bashkëpunëtori të ngushtë: «Vepra po rritet me vrull, dhe do të vazhdojë të rritet, sepse duhet bërë një vepër mbarëbotërore për të predikuar ‘ungjillin e mbretërisë.’» (Faith on the March, nga A. H. .Mekmillëni, f. 69) Sa të drejtë kishte! E sa mirënjohës i jemi Perëndisë së paqes, i cili vazhdon të na pajisë për këtë vepër që na fal kënaqësi! Vërtet, ai na jep «çdo gjë të mirë» që na duhet për të bërë vullnetin e tij.

^ par. 2 Ka arsye për të besuar se shumica e atyre që ishin të pranishëm në atë rast u bënë të krishterë. Në Letrën drejtuar Korintasve, Pavli i quan ata ‘500 vëllezër’. Janë interesante fjalët që shton pastaj: «Pjesa më e madhe [e tyre] rrojnë deri më tani, por disa kanë rënë në gjumin e vdekjes.» Pra, me sa duket, Pavli dhe të krishterë të tjerë të shekullit të parë njihnin shumë nga ata që e kishin dëgjuar me veshët e tyre atë urdhër.