Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përdore për mirë fuqinë e gjuhës

Përdore për mirë fuqinë e gjuhës

«Fjalët e gojës sime . . . qofshin të këndshme para teje, o Jehova!»PSAL. 19:14.

KËNGËT: 82, 77

1, 2. Pse zjarri e ilustron mirë fuqinë e gjuhës?

NË FILLIM të tetorit 1871 një zjarr përpiu pyjet e thata në verilindje të Uiskonsinit. Ky është përshkruar si zjarri më vdekjeprurës në pyje në historinë e SHBA-së. Teksa përhapej furishëm, flakët dhe nxehtësia përvëluese u morën jetën më tepër se 1.200 njerëzve dhe shkrumbuan rreth dy miliardë pemë. Ky zjarr i stërmadh mund të jetë ndezur nga disa shkëndija të shkaktuara nga trenat që kalonin andej. Sa të vërteta janë fjalët e Jakovit 3:5: «Ja, një zjarr i vogël mjafton për t’i vënë flakën një pylli të madh!» Pse u shpreh kështu ky shkrimtar i Biblës?

2 Ajo që donte të thoshte Jakovi me këtë ilustrim, bëhet e qartë në vargun 6: «Edhe gjuha është një zjarr.» Gjuha përfaqëson aftësinë tonë për të folur. Ashtu si zjarri, të folurit mund të shkaktojë dëme të mëdha. Madje, Bibla thotë se «vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës». (Prov. 18:21) S’do mend, ne nuk rrimë pa folur thjesht nga meraku se mos themi diçka të dëmshme, ashtu siç nuk ngurrojmë të ndezim zjarr nga frika se mos shkaktojmë ndonjë dëm. Çelësi është t’i mbajmë këto nën kontroll. Nëse e mbajmë zjarrin nën kontroll, mund ta përdorim për gatim, për ngrohje ose për të ndriçuar një natë të errët. Nëse e mbajmë nën fre gjuhën, mund ta përdorim fuqinë e saj që të nderojmë Perëndinë dhe që t’u sjellim dobi të tjerëve.—Psal. 19:14.

3. Cilat janë tri aspekte të të folurit që do të shqyrtojmë?

3 Aftësia për t’u shprehur të tjerëve çfarë mendojmë dhe ndiejmë, është një dhuratë e mrekullueshme nga Perëndia, pavarësisht nëse flasim apo komunikojmë me shenja. Si mund ta përdorim këtë dhuratë për të ndërtuar e jo për të rrënuar? (Lexo Jakovin 3:9, 10.) Do të shqyrtojmë tri aspekte të rëndësishme të të folurit: kur të flasim, çfarë të themi dhe si të flasim.

KUR TË FLASIM

4. Jepni shembuj se kur është ‘koha për të heshtur’.

4 Të folurit është pjesë e jetës, por s’ka pse të flasim orë e minutë. Në fakt, Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur». (Ekl. 3:7) Kur heshtim ndërsa të tjerët flasin, tregojmë respekt. (Jobi 6:24) Kur e mbajmë nën kontroll gjuhën që të mos flasim për një çështje konfidenciale, tregojmë maturi dhe aftësi dalluese. (Prov. 20:19) Kur e mbajmë nën fre gjuhën teksa na provokojnë, shfaqim mençuri.Psal. 4:4.

5. Si mund të tregojmë çmueshmëri për të folurit, që është dhuratë nga Perëndia?

5 Nga ana tjetër, Bibla thotë se ka edhe «një kohë për të folur». (Ekl. 3:7) Nëse një mik të bën një dhuratë të bukur, ka shumë mundësi të mos e mbash në vend të fshehtë. Përkundrazi, tregon vlerësim duke e përdorur mirë. Po njësoj, tregojmë se e çmojmë të folurit, këtë dhuratë nga Jehovai, kur e përdorim me mençuri. E bëjmë këtë, për shembull, kur shprehim ndjenjat, kur tregojmë për çfarë kemi nevojë, kur themi fjalë inkurajuese dhe kur lëvdojmë Perëndinë. (Psal. 51:15) Si ta përcaktojmë se kur është koha më e mirë «për të folur»?

6. Si e ilustron Bibla se sa rëndësi ka të zgjedhim kohën e duhur për të folur?

6 Këto fjalë te Proverbat 25:11 ilustrojnë sa rëndësi ka të zgjedhim kohën e duhur për të folur: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollët e arta në gdhendje argjendi.» Mollët e arta të kënaqin syrin. Ama kur vihen në një sfond me gdhendje argjendi, duken akoma më të bukura. Po ashtu, nëse e zgjedhim me kujdes kohën e duhur për të folur, fjalët tona mund të jenë më tërheqëse dhe më të efektshme. Si?

7, 8. Si e imituan Jezuin vëllezërit në Japoni duke zgjedhur kohën e duhur që të flitnin për ringjalljen?

7 Fjalët tona mund të jenë tamam çka i nevojitet atij që na dëgjon. Por, nëse nuk dallojmë se kur është koha më e mirë për të folur, ka të ngjarë që ato t’i marrë era. (Lexo Proverbat 15:23.) Për shembull, në mars të vitit 2011, një tërmet dhe një tsunam shkatërruan pjesë të Japonisë Lindore, duke fshirë tej qytete të tëra. Më tepër se 15.000 veta humbën jetën. Edhe Dëshmitarët e Jehovait vuajtën si të tjerët në atë zonë, por prapë shfrytëzuan çdo mundësi për t’i ngushëlluar me anë të Biblës ata që po vajtonin. Gjithsesi, shumë nga banorët vendës kanë bindje budiste të rrënjosura dhe pak ose aspak njohuri për mësimet e Biblës. Vëllezërit tanë dalluan se periudha fill pas tsunamit nuk ishte medoemos koha më e mirë që t’u flitnin të pikëlluarve për shpresën e ringjalljes. Në vend të kësaj, e përdorën dhuratën e të folurit kryesisht për t’i mbështetur emocionalisht dhe për t’u shpjeguar nëpërmjet Biblës pse u ndodhin gjëra të tilla të tmerrshme njerëzve të pafajshëm.

8 Jezui e dinte kur duhej të heshtte, por dinte edhe se kur ishte koha e duhur për të folur. (Gjoni 18:33-37; 19:8-11) Në një rast u tha dishepujve: «Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por tani për tani nuk jeni në gjendje t’i kuptoni.» (Gjoni 16:12) Dëshmitarët në Japoninë Lindore imituan shembullin e Jezuit. Dy vjet e gjysmë pas tsunamit, ata morën pjesë në një fushatë mbarëbotërore për të shpërndarë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë nr. 38, me titull «A mund të ringjallen të vdekurit?» Në atë kohë kishte më shumë njerëz të gatshëm që ta dëgjonin e të ngushëlloheshin nga mesazhi i ngrohtë i ringjalljes, e goxha veta në territor e pranuan menjëherë fletushkën. Sigurisht, kulturat dhe bindjet fetare mund të ndryshojnë goxha nga vendi në vend, prandaj duhet të përdorim aftësi dalluese që të zgjedhim kohën e duhur për të folur.

9. Në cilat situata fjalët tona do të jenë më të efektshme nëse zgjedhim kohën e duhur?

9 Pa diskutim që ka raste kur na duhet të dallojmë se cila është koha e duhur për të folur. Për shembull, dikush mund të na fyejë, qoftë edhe me fjalë të nisura nga e mira. Është e mençur të ndalemi e të mendojmë nëse çështja është vërtet kaq serioze sa të themi diçka. Nëse duhet vërtet të flasim, nuk është e mençur të shkojmë tek ai kur jemi të mërzitur se mbase mund të flasim pak rrëmbyer. (Lexo Proverbat 15:28.) Në mënyrë të ngjashme, duhet të dallojmë kur është momenti që t’u flasim për të vërtetën të afërmve jobesimtarë. Natyrisht duam që ata ta njohin Jehovain, ama duhet të tregojmë durim e aftësi dalluese. Zemra e tyre mund të preket po të themi fjalët e duhura në kohën e duhur.

ÇFARË TË THEMI

10. (a) Pse duhet t’i zgjedhim me kujdes fjalët e duhura? (b) Jepni një shembull të të folurit të dëmshëm.

10 Fjalët kanë fuqi edhe të lëndojnë, edhe të shërojnë. (Lexo Proverbat 12:18.) Në botën e Satanait është e zakonshme që fjalët të përdoren për të lënduar. Filmat dhe bota e spektaklit i nxitin shumë njerëz ‘ta mprehin gjuhën si shpatë’ dhe ‘të marrin nishan me shigjetë me të folurit e tyre të hidhur’. (Psal. 64:3) Të krishterët nuk duhet të përdorin një të folur të tillë të dëmshëm. Një shembull i ‘të folurit të hidhur’ është sarkazma, pra fjalët thumbuese që kanë si qëllim t’i ulin ose t’i godasin të tjerët. Shpesh sarkazma bëhet për humor, por mund të katandiset shpejt në të folur sharës dhe pa respekt. Sarkazma mizore është një formë e të folurit abuziv që të krishterët duhet ‘ta heqin’. Humori mund t’i shtojë lezet të folurit, ama duhet të shmangim grackën për të thënë kunja therëse dhe sarkastike që lëndojnë ose poshtërojnë vetëm e vetëm që t’i bëjmë të tjerët të qeshin. Bibla na këshillon: «Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur, por vetëm fjalë të mira, që të ndërtojnë sipas nevojës, që t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë.»Efes. 4:29, 31.

11. Si lidhet zemra me zgjedhjen e fjalëve të duhura?

11 Jezui na mëson se «goja flet nga mbushullia e zemrës». (Mat. 12:34) Prandaj, zgjedhja e fjalëve të duhura nis nga zemra. Zakonisht të folurit pasqyron atë që ndiejmë vërtet për të tjerët. Nëse e kemi zemrën plot dashuri dhe dhembshuri, ka shumë të ngjarë të flasim në mënyrë pozitive dhe ndërtuese.

12. Si mund të bëhemi më të aftë për të zgjedhur fjalët e duhura?

12 Veç kësaj, zgjedhja e fjalëve të duhura përfshin përpjekje mendore e gjykim të mirë. Edhe mbreti i mençur Solomon «bloi në mendje dhe bëri një kërkim të hollësishëm» që «të gjente fjalë të këndshme dhe të shkruante fjalë të sakta të së vërtetës». (Ekl. 12:9, 10) A të ndodh shpesh që ta kesh të vështirë të gjesh «fjalë të këndshme»? Nëse po, mbase duhet të zgjerosh fjalorin. Për shembull, mund t’i kushtosh vëmendje mënyrës si përdoren fjalët në Bibël dhe në botimet tona. Mëso kuptimin e shprehjeve jo shumë të njohura. Mbi të gjitha, mëso si t’i përdorësh fjalët në një mënyrë që i ndihmon të tjerët. Ja ç’thotë Bibla për marrëdhënien mes Jehovait dhe Birit të tij të parëlindur: ‘Jehovai i ka dhënë Jezuit gjuhën e të mësuarve, që të dijë si t’i përgjigjet të lodhurit me fjalën [e duhur].’ (Isa. 50:4) Nëse lëmë kohë për të medituar rreth asaj që do të themi, mund t’i gjejmë fjalët e duhura. (Jak. 1:19) Le të pyesim veten: «A do të përcjellin vërtet këto fjalë atë që dua të them? Si do të ndikojnë fjalët që kam zgjedhur tek ai që më dëgjon?»

13. Pse është e rëndësishme të flasim në një mënyrë që kuptohet lehtë?

13 Në Izrael, trumbetat përdoreshin që të mblidhnin e të shpërndanin kampin, si edhe ta nxitnin ushtrinë për betejë. Bibla e përdor me vend buçitjen e trumbetës për të ilustruar sa e nevojshme është të flasim në një mënyrë që kuptohet lehtë. Një tingull trumbete i paqartë mund të jetë shkatërrimtar për një ushtri që marshon. Po njësoj, nëse flasim në mënyrë tepër të mjegullt a të tërthortë, kjo mund të krijojë pështjellim ose të çojë në drejtim të gabuar. Sigurisht, ndërsa përpiqemi të flasim qartë, nuk duam të shprehemi troç ose pa takt.Lexo 1 Korintasve 14:8, 9.

14. Jepni një shembull që tregon se Jezui zgjidhte fjalë që kuptoheshin lehtë.

14 Kur është puna për të zgjedhur fjalët e duhura, Jezui na la shembullin më të shkëlqyer. Mendoni për fjalimin e tij të shkurtër, por të fuqishëm, të dokumentuar te Mateu, kapitujt 5-7. Ai nuk foli me lajlelule ose në tym, e as përdori një gjuhë të ashpër a lënduese. Përkundrazi, zgjodhi shprehje të qarta dhe të thjeshta që t’u prekte zemrën dëgjuesve. Për shembull, që t’u lehtësonte ankthin për ushqimin që u nevojitej përditë, tregoi se si Jehovai u siguron ushqim zogjve të qiellit. Pastaj, duke i krahasuar dëgjuesit e tij me zogjtë, pyeti: «A nuk vleni ju më shumë se ata?» (Mat. 6:26) Ç’nxitje e dashur me fjalë të thjeshta e të kuptueshme që të prekin zemrën! Le të shqyrtojmë tani aspektin e tretë të rëndësishëm të të folurit.

SI TË FLASIM

15. Pse duhet të flasim me hir?

15 Mënyra si e themi diçka mund të jetë po aq e rëndësishme sa ajo që themi. Kur Jezui foli në sinagogën e qytetit të tij, në Nazaret, njerëzit ‘u mrekulluan me fjalët plot hir që i dilnin nga goja’. (Luka 4:22) Të folurit e hijshëm i bën thirrje zemrës dhe nuk ia dobëson aspak fuqinë fjalës. Në fakt, fjalët e ëmbla mund ta bëjnë më bindës të folurit. (Prov. 25:15) Mund ta imitojmë të folurit e hirshëm të Jezuit duke qenë mirëdashës, të sjellshëm e të vëmendshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve. Kur pa sa u përpoq një turmë që të dëgjonte fjalët e tij, Jezui u shty nga keqardhja dhe «nisi t’u mësonte shumë gjëra». (Mar. 6:34) Edhe kur e shanin, Jezui nuk fliste me ashpërsi.1 Pjet. 2:23.

16, 17. (a) Si mund ta imitojmë Jezuin kur flasim me familjarët dhe miqtë e ngushtë në kongregacion?(Shih figurën hapëse.) (b) Jepni një shembull të dobive që vijnë kur flasim me hir.

16 Nëse e njohim shumë mirë dikë, mund të jetë e vështirë t’i flasim me butësi dhe takt. Ndoshta ndihemi të lirshëm të flasim troç fare. Mbase i flasim kështu një familjari ose një miku të ngushtë në kongregacion. Po a mendonte Jezui se, meqë kishte një marrëdhënie të ngushtë me dishepujt, mund t’u fliste ashpër? Aspak! Kur dishepujt e tij më të afërt vazhduan të debatonin se kush ishte më i madhi, Jezui i ndreqi me fjalë dashamirëse dhe me ilustrimin e një fëmije. (Mar. 9:33-37) Pleqtë mund ta imitojnë shembullin e Jezuit duke dhënë këshilla «me një frymë butësie».Gal. 6:1.

17 Madje, edhe kur dikush thotë diçka fyese, do të dalë për mirë nëse i përgjigjemi me hir. (Prov. 15:1) Për shembull, djali adoleshent i një nëne të vetme bënte jetë të dyfishtë. Një motër në kongregacion i tha pa të keq së ëmës: «Gjynah që nuk e rrite dot mbarë atë fëmijë!» Nëna mendoi për një çast dhe iu përgjigj: «Vërtet gjërat s’po shkojnë mirë tani për tani, por stërvitja e tij s’ka mbaruar. Flasim bashkë pas Harmagedonit; atëherë do ta dimë tamam.» Kjo përgjigje e butë ndihmoi të ruhej paqja mes motrave dhe e inkurajoi djalin, të cilit ia kapi veshi bisedën. E kuptoi se e ëma nuk i kishte humbur shpresat. Kjo e nxiti t’i linte shoqëritë e këqija. Me kalimin e kohës u pagëzua dhe më vonë shërbeu në Bethel. Qofshim në shoqërinë e vëllezërve, qofshim mes familjarëve a të panjohurve, fjalët tona duhet të jenë gjithnjë ‘me hir dhe të ndrequra me kripë’.Kolos. 4:6.

18. Si ta imitojmë mënyrën si fliste Jezui që ta përdorim për mirë fuqinë e gjuhës?

18 Aftësia për të shprehur çfarë mendojmë dhe ndiejmë është vërtet një mrekulli. Le të imitojmë shembullin e Jezuit duke zgjedhur kohën e duhur, duke bërë çmos të zgjedhim fjalët e duhura dhe duke u përpjekur të flasim me hir. Atëherë gjuha jonë do të jetë shërim për ata që na dëgjojnë dhe do t’ia kënaqë zemrën Jehovait, Dhënësit të dhuratës së çmuar të të folurit.