Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Botimi i rishikuar i 2013-s i Përkthimit Bota e Re

Botimi i rishikuar i 2013-s i Përkthimit Bota e Re

NDËR vite, Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re janë rishikuar disa herë, por botimi i rishikuar në anglisht i 2013-s është pa diskutim më i gjeri. Për shembull, tani në gjuhën angleze ky përkthim ka rreth 10 për qind më pak fjalë. Disa terma biblikë kyç u rishikuan. Një sërë kapitujsh u faqosën si poezi, dhe në botimin me madhësi normale u shtuan shënime sqaruese. Do të ishte e pamundur t’i shtjellonim të gjitha ndryshimet në këtë artikull, por le të shohim disa nga përmirësimet kryesore.

Cilat shprehje biblike kyçe u ndryshuan? Siç u përmend në artikullin e kaluar, u rishikua përkthimi i fjalëve «Sheol», «Hades» dhe «shpirt». Por, veç tyre, u ndryshuan edhe mjaft terma të tjerë.

Për shembull, shprehja «sjellje e shthurur» u bë «sjellje e pacipë», çka përcjell qëndrimin përbuzës që mbart termi grek. Fjala «shpirtgjerësi» mund të keqkuptohej, prandaj u zëvendësua me fjalën «durim» që e përcjell më mirë kuptimin e duhur. «Ahengje të shfrenuara» u ndryshua në «festa të shfrenuara», pasi kuptohet më kollaj në ditët tona. (Gal. 5:19-22) Domethënia e fjalës që përkthehej «dashamirësi» tani përcillet saktë me «dashuri besnike». Kjo e jep mirë kuptimin e termit biblik që shpesh përdoret paralelisht me fjalën «besnikëri».Psal. 36:5; 89:1.

Disa terma që ishin përkthyer në të gjitha ose në shumicën e rasteve me një shprehje të vetme, tani përkthehen sipas kontekstit. Për shembull, fjala hebraike ʽohlám, që në shumicën e rasteve në anglisht kishte dalë me kuptimin «kohë e pacaktuar», mund të ketë edhe kuptimin «përgjithmonë». Kjo ka ndikuar te përkthimi në anglisht i vargjeve të tilla, si Psalmi 90:2 dhe Mikea 5:2.

Në Shkrime shfaqen shpesh termat hebraikë dhe grekë të përkthyer «farë», qoftë në kuptimin bujqësor, qoftë në atë të figurshëm për «pasardhje». Në botimet e kaluara të Përkthimit Bota e Re përdorej në çdo rast fjala «farë», duke përfshirë edhe Zanafillën 3:15. Mirëpo tani në anglisht termi «farë» rrallëherë përdoret në kuptimin «pasardhje», prandaj në botimin e rishikuar thuhet «pasardhje» te Zanafilla 3:15 dhe te vargjet që lidhen me të. (Zan. 22:17, 18; Zbul. 12:17) Rastet e tjera përkthehen sipas kontekstit.Zan. 1:11; Psal. 22:30; Isa. 57:3.

Pse janë ndryshuar shumë përkthime fjalë për fjalë? Në botimin e rishikuar anglisht të 2013-s, te shtojca A1 thuhet se një përkthim i mirë i Biblës synon «të përçojë kuptimin e saktë të një fjale a shprehjeje në ato raste ku përkthimi fjalë për fjalë do ta shtrembëronte a do ta mjegullonte domethënien». Nëse idiomat e gjuhëve origjinale kanë kuptim edhe në gjuhë të tjera, atëherë përkthehen fjalë për fjalë. Duke ndjekur këtë metodë, shprehja «shqyrton . . . zemrat» që gjendet te Zbulesa 2:23 ka kuptim në shumë gjuhë. Mirëpo te po ky varg, shprehja «shqyrton veshkat» nuk kapet kollaj, prandaj fjala «veshkat» u zëvendësua me «skutat e mendjes», duke pasqyruar kuptimin origjinal. Në mënyrë të ngjashme, te Ligji i përtërirë 32:14, idioma që fjalë për fjalë në anglisht ishte bërë «dhjami i veshkave të grurit» tani është përkthyer «maja e grurit». Po njësoj, në shumicën e gjuhëve shprehja «jam i parrethprerë në buzë» nuk është aq e qartë sa përkthimi i tanishëm në anglisht «me zor flas».Dal. 6:12.

Pse shprehjet «bijtë e Izraelit» dhe «djem pa baba» përkthehen tani «izraelitë» dhe «fëmijë pa baba» ose «jetimë»? Në hebraisht, gjinia mashkullore ose ajo femërore zakonisht tregojnë nëse bëhet fjalë për një mashkull a për një femër. Megjithatë, disa terma të gjinisë mashkullore mund të nënkuptojnë si meshkujt, edhe femrat. Për shembull, konteksti i disa vargjeve tregon se kur thuhej «bijtë e Izraelit» përfshiheshin si burrat, edhe gratë. Ja pse tani kjo shprehje në përgjithësi është përkthyer «izraelitët».Dal. 1:7; 35:29; 2 Mbret. 8:12.

Për të njëjtën arsye, te Zanafilla 3:16 emri hebraik mashkullor që do të thotë «bij» u përkthye «fëmijë» në botimet e mëparshme të Përkthimit Bota e Re. Kurse te Dalja 22:24, kjo fjalë që më parë në anglisht ishte përkthyer «bij», tani është rishikuar dhe vargu thotë: ‘Fëmijët [hebraisht «bijtë»] tuaj do të bëhen jetimë.’ Duke e zbatuar këtë parim edhe në raste të tjera, shprehja «djalë pa baba» është ndryshuar në «fëmijë pa baba» ose «jetim». (Ligj. 10:18; Jobi 6:27) Kjo ngjason me përkthimin e Septuagintës greke. Gjithashtu, për të njëjtën arsye, shprehja «në ditët e djalërisë sate» tek Eklisiastiu 12:1 u zëvendësua në anglisht me shprehjen «në ditët e rinisë sate».

Pse u thjeshtua përkthimi i shumë foljeve hebraike? Dy kohët kryesore të foljeve në hebraisht janë koha e pakryer, që tregon një veprim të vazhdueshëm, dhe koha e kryer, që tregon një veprim të përfunduar. Në botimet e kaluara të Përkthimit Bota e Re, foljet e pakryera të hebraishtes përktheheshin gjithmonë me një folje të shoqëruar me folje gjysmëndihmëse, si «nisi të» ose «vazhdoi të», për të treguar një veprim që vazhdonte ose që përsëritej. * Kurse për të treguar veprimin e përfunduar të foljeve në kohën e kryer përdoreshin shprehje për theksim, si «patjetër», «duhet» dhe «vërtet».

Në botimin e rishikuar të 2013-s, këto shprehje ndihmëse nuk përdoren më, përveç rasteve kur i shtojnë diçka kuptimit. Për shembull, s’ka nevojë të theksohet se Perëndia i përsëriti fjalët «le të bëhet dritë». Prandaj, në botimin e rishikuar folja «them» në kohën e pakryer nuk përkthehet si veprim i vazhdueshëm. (Zan. 1:3) Megjithatë, duket se Jehovai i thirri Adamit mjaft herë, ndaj kjo theksohet ende te Zanafilla 3:9 me formën «thërriste». Në përgjithësi, foljet janë përkthyer më thjesht, duke e përqendruar vëmendjen te veprimi dhe jo te fakti nëse nga ana gramatikore foljet në hebraisht janë të kryera a të pakryera. Falë kësaj, mund të kapim edhe stilin lakonik të hebraishtes, e cila nuk përdor shumë fjalë.

Që të jenë në harmoni me stilin poetik të tekstit origjinal, tani më shumë kapituj janë në format poezie

Pse tani ka më shumë kapituj që paraqiten në formë poezie? Mjaft pjesë të Biblës u shkruan si poezi. Në gjuhët e sotme, poezia shpesh dallohet nga rima, kurse në poezinë hebraike elementet më të rëndësishme janë paralelizmi dhe kontrasti. Poezia hebraike nuk e krijon ritmin me anë të rimës, por me anë të rendit logjik të mendimeve.

Në botimet e kaluara të Përkthimit Bota e Re, Jobi dhe Psalmet paraqiteshin në formë vargjesh për të treguar se fillimisht u bënë enkas që të këndoheshin a të recitoheshin. Ky format nxjerr në pah elementet poetike që përdoren për të theksuar dhe ndihmon të mbahen mend më mirë vargjet. Në botimin e rishikuar të 2013-s, Proverbat, Kënga e Solomonit dhe shumë kapituj të librave profetikë tani janë edhe në formën e vargjeve. Kështu vihet në dukje se këto fragmente u shkruan si poezi dhe dalin në pah paralelizmat dhe kontrastet. Një shembull është Isaia 24:2, ku çdo varg përmban një paralelizëm, dhe njëri varg ndërton mbi tjetrin për të theksuar se askush nuk do të kursehej nga gjykimi i Perëndisë. Duke i paraqitur këto fragmente si poezi, lexuesi dallon se shkrimtari i Biblës nuk po përsëriste fjalët e veta; përkundrazi, po përdorte një teknikë poetike që të theksonte mesazhin e Perëndisë.

Ndryshimi mes prozës dhe poezisë në hebraisht nuk duket gjithmonë qartë, prandaj mes përkthimeve të Biblës ka dallime se cilat fragmente janë poetike. Kur vendoset se cilat vargje faqosen si poezi, luan rol edhe gjykimi i përkthyesve. Disa fragmente përmbajnë prozë të shprehur me gjuhë poetike, plot me shprehje të figurshme, lojëra fjalësh dhe paralelizma për t’i mëshuar një pike.

Një veçori e re është një «Përmbledhje» në fillim të çdo libri biblik. Ajo na hyn në punë, për shembull, për të kuptuar ndryshimin e shpeshtë të personazheve që flasin në poemën e lashtë, Kënga e Solomonit.

Si ndikoi te botimi i rishikuar studimi i dorëshkrimeve të gjuhëve origjinale? Botimi origjinal i Përkthimit Bota e Re u bazua te teksti masoretik hebraik dhe te teksti i respektuar grek nga Uestkoti dhe Horti. Studimi i dorëshkrimeve të lashta të Biblës ka avancuar, duke hedhur dritë mbi disa vargje biblike. Janë vënë në dispozicion kopje të Rrotullave të Detit të Vdekur. Janë studiuar më shumë dorëshkrime greke. Gjithashtu, në format elektronik ka mjaft prova të përditësuara nga dorëshkrimet. Kjo e bën më të lehtë të analizohen ndryshimet mes dorëshkrimeve, për të përcaktuar cili version i tekstit hebraik ose grek gjen më shumë mbështetje. Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re përfitoi nga këto zhvillime për të studiuar vargje të caktuara, çka solli disa ndryshime.

Për shembull, te 2 Samuelit 13:21, Septuaginta greke përmban edhe këto fjalë: «Por nuk ia lëndonte ndjenjat të birit, Amnonit, sepse e donte, ngaqë ai ishte i parëlinduri.» Botimet e mëparshme të Përkthimit Bota e Re nuk i përfshinin këto fjalë, sepse nuk gjenden në tekstin masoretik. Sidoqoftë, këto fjalë gjenden te Rrotullat e Detit të Vdekur, dhe tani janë futur në botimin e rishikuar të 2013-s. Për arsye të ngjashme, emri i Perëndisë u rivendos pesë herë në Librin e Parë të Samuelit. Studimi i teksteve greke solli edhe një ndryshim në renditjen e ideve te Mateu 21:29-31. Pra, baza për disa ndryshime ishin tërë provat e dorëshkrimeve, jo ndjekja pikë për pikë e një teksti të vetëm bazë grek.

Këto janë vetëm pak nga ndryshimet në Përkthimin Bota e Re. Falë tyre, të gjithë ata që e shohin këtë Bibël si dhuratë nga Perëndia i komunikimit, mund ta lexojnë dhe ta kuptojnë më kollaj.

^ par. 10 Shih Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, shtojca 2B «Folje hebraike që tregojnë vazhdimin ose rritjen progresive të veprimit».

^ par. 23 Shih broshurën Fillojmë të njohim Fjalën e Perëndisë.

^ par. 27 Shumica e shtojcave A dhe B gjenden te broshura Ndihmë për të studiuar Fjalën e Perëndisë.