Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çlirohem nga trishtimet e rinisë

Çlirohem nga trishtimet e rinisë

Çlirohem nga trishtimet e rinisë

Treguar nga Eusebio Morsijo

Në shtator të vitit 1993 shkova në një burg të sigurisë së lartë, meqë do të pagëzohej një e burgosur: motra ime më e vogël, Marivija. Disa të burgosura dhe disa nga personeli i burgut ndiqnin me respekt teksa drejtoja ceremoninë. Para se t’ju shpjegoj pse unë dhe ime motër ndodheshim në atë situatë, po ju tregoj për të kaluarën tonë.

LINDA në Spanjë, më 5 maj 1954, dhe isha më i madhi i tetë fëmijëve. Marivija ishte e treta. Gjyshja na rriti si katolikë të devotshëm dhe nga vogëlia ruaj kujtime të bukura të kohës kur rrija me të e ndihesha i përkushtuar ndaj Perëndisë. Por në shtëpinë e prindërve ambienti ndryshonte si dita me natën. Babai e rrihte shpesh mamanë dhe ne fëmijët. Frika s’na ndahej dhe më copëtohej zemra kur shihja mamanë që vuante.

Në shkollë kisha telashe të tjera. Një nga mësuesit, një prift, na e përplaste kokën pas murit kur përgjigjeshim gabim. Një prift tjetër abuzonte seksualisht me nxënësit kur shikonte bashkë me ta detyrat e shtëpisë. Veç kësaj, disa doktrina katolike, si ferri i zjarrtë, më pështjellonin dhe më trembnin. S’kaloi shumë dhe përkushtimi im ndaj Perëndisë u shua.

Rob i një jete të pakuptimtë

Ngaqë s’kisha asnjë drejtim si t’i pëlqeja Perëndisë, kohën e kaloja diskotekave me njerëz imoralë e të dhunshëm. Shpesh kriste sherri dhe si armë përdoreshin thika, zinxhirë, gota dhe stola. Edhe pse vetë nuk përfshihesha, një herë mora një goditje që më la pa ndjenja.

Si përfundim u lodha me atë ambient dhe kërkova diskoteka më të qeta. Por edhe atje droga ishte sheshit. Në vend të kënaqësisë dhe paqes mendore, droga më jepte halucinacione dhe ankth.

Ndonëse vetë isha i pakënaqur, tërhoqa në këtë rrugë edhe një nga vëllezërit e mi, Hoze-Luisin, dhe një shok të ngushtë, Migelin. Ashtu si shumë të rinj të asaj kohe në Spanjë, ishim robër të një bote të korruptuar. Isha gati të bëja thuajse çdo gjë që të gjeja para për drogë. S’më kishte mbetur më pikë dinjiteti.

Jehovai më shpëton

Asokohe, flisja herë pas here me shokët e mi për ekzistencën e Perëndisë dhe për kuptimin e jetës. Fillova ta kërkoja Perëndinë dhe hapja sytë mos gjeja njerëz me të cilët të flisja për këtë. Më kishte rënë në sy se Fransiskoja, një nga shokët e punës, dallonte nga të tjerët. Ishte i lumtur, i ndershëm dhe i sjellshëm, kështu që vendosa t’i hapesha atij. Ishte Dëshmitar i Jehovait dhe më dha një revistë Kulla e Rojës që kishte një artikull për drogën.

Kur lexova artikullin, iu luta Perëndisë për ndihmë: «O Zot, unë e di që ti ekziston dhe dua të të njoh e të bëj vullnetin tënd. Të lutem, më ndihmo!» Fransiskoja dhe Dëshmitarë të tjerë përdornin Biblën për të më inkurajuar e më jepnin botime të bazuara në Bibël. Shpejt nisa t’u flas shokëve dhe Hoze-Luisit për çka po mësoja.

Një ditë, kur po kthehesha me disa shokë nga një koncert roku, u shkëputa nga grupi dhe nisa t’i shikoj me sytë e një kalimtari. U befasova kur pashë sa e ulët ishte sjellja jonë për shkak të drogës. Atë çast vendosa të hiqja dorë nga ajo lloj jete dhe të bëhesha Dëshmitar i Jehovait.

I kërkova Fransiskos një Bibël dhe ai ma dha bashkë me librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. * Kur lexova premtimin se Perëndia do të fshijë çdo lot dhe do të zhdukë vdekjen, s’kisha pikë dyshimi se kisha gjetur të vërtetën që mund ta bëjë njerëzimin të lirë. (Gjoni 8:32; Zbulesa 21:4) Më pas shkova në mbledhje në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Më lanë shumë mbresa përzemërsia dhe ngrohtësia që gjeta atje.

Nga dëshira e madhe për t’u thënë të tjerëve si ia kisha kaluar në Sallën e Mbretërisë, mblodha menjëherë shokët dhe Hoze-Luisin e u tregova gjerë e gjatë. Pas disa ditësh, të gjithë shkuam në mbledhje. Një vajzë në rreshtin përpara hodhi një vështrim dhe shtangu kur pa një grup hipish flokëgjatë. Pastaj bëri kujdes të mos e kthente më kokën. Duhet të jetë habitur kur ne shkuam sërish në Sallën e Mbretërisë javën tjetër, se kësaj here ishim me kostum dhe kollare.

S’kaloi shumë e Migeli dhe unë ndoqëm edhe një asamble qarkore të Dëshmitarëve të Jehovait. Kurrë më parë nuk kishim provuar diçka të tillë: ngrohtësinë e një vëllazërie të vërtetë me njerëz nga të gjitha moshat. E për çudi, asambleja mbahej po në atë teatër ku para pak kohësh kishim parë një koncert roku. Por kësaj radhe, atmosfera dhe muzika na e ngritën zemrën peshë.

Tërë grupi filloi të studionte Biblën. Kaluan rreth tetë muaj dhe më 26 korrik 1974 bashkë me Migelin u pagëzuam. Që të dy ishim 20 vjeç. Pas disa muajsh u pagëzuan edhe katër të tjerë nga grupi. Studimi i Biblës më nxiti të ndihmoja për punët e shtëpisë mamanë time aq të vuajtur e të duruar dhe t’i flitja për rrugën e re të besimit. Kjo na lidhi ngushtë. Gjithashtu u kushtoja shumë kohë vëllezërve dhe motrave.

Me kalimin e kohës, mamaja e të gjithë motrat e vëllezërit, përveç njërit, mësuan të vërtetën biblike dhe u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait. Në vitin 1977 u martova me Soledadën. Ishte ajo vajza që u befasua kur na pa herën e parë që shkuam në Sallën e Mbretërisë. Brenda pak muajsh, të dy u bëmë pionierë, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që i kushtojnë shumë kohë predikimit të lajmit të mirë.

E vërteta liron një njeri të dashur

Me motrën time Marivinë kishin abuzuar seksualisht kur ishte fëmijë dhe ajo e kaluar e tmerrshme i la vraga të thella. Në adoleshencë nisi një jetë imorale dhe u mor me drogë, vjedhje dhe prostitucion. Në moshën 23-vjeçare e futën në burg ku vazhdoi atë rrugë të keqe.

Në atë kohë, unë shërbeja si mbikëqyrës qarkor, një Dëshmitar i Jehovait që udhëton për t’u shërbyer grupeve të bashkëbesimtarëve. Më 1989, unë dhe Soledada u caktuam në zonën ku Marivija gjendej e burgosur. S’kishte shumë që autoritetet i kishin marrë të birin dhe ajo ndihej e dërrmuar e s’e donte më jetën. Një ditë shkova ta takoj, e ftova të studionim Biblën bashkë, dhe ajo pranoi. Pasi studiuam për një muaj, e la drogën dhe duhanin. Mahnitesha tek shihja se Jehovai i jepte forcë që të bënte këto ndryshime në jetë.—Hebrenjve 4:12.

Pak pasi nisi studimin, Marivija filloi të fliste për të vërtetat biblike me të burgosurat e tjera dhe personelin e burgut. Ndonëse e transferonin nga njëri burg në tjetrin, ajo nuk reshtte së predikuari. Madje në një burg dëshmoi qeli më qeli. Me kalimin e viteve Marivija filloi studime biblike me shumë të burgosura në burgje të ndryshme.

Një ditë më tha se donte t’ia kushtonte jetën Jehovait e të pagëzohej. Por nuk i jepnin leje të largohej nga burgu dhe as nuk lejohej që dikush të hynte për ta pagëzuar. Ajo qëndroi e fortë katër vjet të tjerë në ambientin e korruptuar të atij burgu. Çfarë e ndihmoi ta ruante besimin? Pikërisht në oraret kur kongregacioni vendës mbante mbledhjet, ajo shqyrtonte të njëjtin material në qelinë e burgut. Kishte edhe një program për të studiuar Biblën dhe lutej rregullisht.

Pas ca kohësh Marivinë e transferuan në një burg të sigurisë së lartë ku kishte një pishinë. Mendoi se rrethanat e reja do të krijonin mundësi që të pagëzohej. Dhe ashtu ndodhi, më në fund Marivisë i dhanë leje. Ja kështu rrodhën ngjarjet që mbajta atë fjalim pagëzimi. Isha me Marivinë në çastin më të rëndësishëm të jetës së saj.

Si pasojë e jetës që kishte bërë, Marivija u sëmur me SIDA. Megjithatë, falë sjelljes së mirë, e liruan para kohe në mars të vitit 1994. Jetoi në shtëpi me mamanë dhe bëri një jetë aktive si e krishterë, derisa vdiq pas dy vjetësh.

Mposht ndjenja dërrmuese

Edhe tek unë e kaluara nuk mbeti pa lënë vraga. Keqtrajtimi nga babai dhe jeta në adoleshencë lanë gjurmë në personalitetin tim. Në moshë të rritur më kanë munduar shpesh ndjenjat e fajit e të mosvlerësimit për veten. Hera-herës jam ndier përtokë shpirtërisht, por Fjala e Perëndisë ka qenë një ndihmë e vyer për t’i luftuar këto ndjenja që më trazonin. Meditimi i vazhdueshëm për shkrime të tilla, si Isaia 1:18 dhe Psalmi 103:8-13 më ka lehtësuar ndjenjat e shpeshta të fajit gjatë viteve.

Lutja është një armë tjetër që më ka dhënë Jehovai për të luftuar ndjenjat e pavlefshmërisë. Shpesh i jam lutur Jehovait me lot në sy. Por fjalët te 1 Gjonit 3:19, 20 më japin forcë: «Nga kjo do ta dimë se vijmë nga e vërteta dhe do të sigurojmë zemrën tonë para tij, për gjithçka që zemra mund të na dënojë, sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.»

Meqë i lutem sinqerisht Perëndisë me zemër ‘të vrarë dhe të dërrmuar’, e kuptoj se nuk jam aq i keq sa mendoja dikur. Bibla i siguron të gjithë ata që kërkojnë Jehovain, se ai nuk e përbuz njeriun që pendohet sinqerisht për të kaluarën dhe kthen rrugë duke bërë vullnetin e Tij.​—Psalmi 51:17.

Sa herë që ngrenë kokë ndjenjat e mosbesimit te vetja, përpiqem ta mbush mendjen me mendime pozitive, si ato që përmenden te Filipianëve 4:8. Kam mësuar përmendësh Psalmin 23 dhe Predikimin në Mal. Kur më vijnë mendime negative, them me vete këto pjesë nga Shkrimet. Ky spastrim i mendimeve më ndihmon sidomos në netët pa gjumë.

Një burim tjetër ndihme kanë qenë lavdërimet e gruas dhe të të krishterëve të tjerë të pjekur. Ndonëse në fillim e kisha të vështirë t’i pranoja fjalët e tyre inkurajuese, Bibla më ka ndihmuar të kuptoj se dashuria «beson çdo gjë». (1 Korintasve 13:7) Dhe sigurisht pak nga pak kam mësuar t’i pranoj me përulësi dobësitë dhe kufizimet e mia.

E mira e kësaj lufte kundër mendimeve shkurajuese është se më ka ndihmuar t’i kuptoj më mirë të tjerët tek shërbej si mbikëqyrës udhëtues. Unë dhe ime shoqe kemi kaluar secili thuajse 30 vjet në shërbimin e plotkohor duke predikuar lajmin e mirë. Gëzimi që provoj kur u shërbej të tjerëve, më lehtëson nga ndjenjat e mundimshme dhe më ndihmon që kujtimet e së kaluarës së hidhur të më duken gjithnjë e më të largëta.

Kur kthej kokën pas dhe mendoj për të gjitha bekimet që ka derdhur Jehovai mbi mua, bashkohem me ndjenjat e psalmistit: «Beko Jehovain, . . . Atë që fal të gjitha fajet e tua, që shëron tërë sëmundjet e tua. Atë që e nxjerr jetën tënde nga gropa e varrit, Atë që të vë si kurorë dashamirësinë dhe mëshirën e tij.»​—Psalmi 103:1-4.

[Shënimi]

^ par. 14 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Diçitura në faqen 30]

Më kanë munduar shpesh ndjenjat e fajit e të mosvlerësimit për veten, por Fjala e Perëndisë ka qenë një ndihmë e vyer për t’i luftuar këto ndjenja që më trazonin

[Figurat në faqen 27]

Im vëlla, Hoze-Luisi, dhe shoku im, Migeli, ndoqën edhe shembullin tim të keq, edhe atë të mirë

[Figura në faqet 28, 29]

Familja Morsijo, 1973

[Figura në faqen 29]

Marivija në burg

[Figura në faqen 30]

Me gruan, Soledadën