Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A pajtohet evolucioni me Biblën?

A pajtohet evolucioni me Biblën?

A pajtohet evolucioni me Biblën?

A ËSHTË e mundur që Perëndia të ketë përdorur evolucionin për t’i bërë njerëzit nga kafshët? A i drejtoi Perëndia gjërat në atë mënyrë që bakteret të bëheshin peshq, që këta të jepnin zvarranikët e gjitarët dhe në fund të vinte një racë majmunësh që u kthyen në njerëz? Disa shkencëtarë dhe klerikë thonë se besojnë edhe te teoria e evolucionit, edhe te Bibla. Sipas tyre libri biblik i Zanafillës është tregim simbolik. Mbase keni pyetur veten: ‘A pajtohet me Biblën teoria se njeriu erdhi nga kafshët?’

Të dimë origjinën tonë është thelbësore për të kuptuar kush jemi, për ku jemi drejtuar dhe si duhet të jetojmë. Vetëm duke ditur origjinën e njeriut mund të kuptojmë përse i lejoi Perëndia vuajtjet dhe qëllimin e tij për të ardhmen e njeriut. S’mund të kemi marrëdhënie të mirë me Perëndinë nëse nuk jemi të sigurt se ai është Krijuesi ynë. Pra, le të shqyrtojmë atë që thotë Bibla për origjinën e njeriut, për gjendjen e tij sot dhe të ardhmen e tij. Më pas do të shohim nëse teoria e evolucionit pajtohet me Biblën.

Kur ekzistonte një njeri i vetëm

Në përgjithësi evolucionistët thonë se një grup kafshësh, gradualisht u zhvilluan dhe dhanë një grup njerëzish. Me këtë pohim, ata hedhin poshtë idenë se dikur ekzistonte një njeri i vetëm. Por Bibla i paraqet gjërat krejt ndryshe. Ajo thotë se ne erdhëm nga një njeri i vetëm, Adami. Sipas tregimit biblik, Adami ka ekzistuar vërtet. Aty jepet emri i gruas dhe i disa prej fëmijëve të tij. Tregohet me hollësi çfarë bëri, çfarë tha, kur jetoi dhe kur vdiq. Për Jezuin, ky tregim nuk ishte vetëm një rrëfenjë për njerëzit e pashkolluar. Kur iu drejtua krerëve fetarë mjaft të arsimuar, ai tha: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër?» (Mateu 19:3-5) Më tej Jezui citoi fjalët që thuhen te Zanafilla 2:24 për Adamin dhe Evën.

Luka, një shkrimtar i Biblës dhe historian i kujdesshëm, e paraqiti Adamin si një njeri po aq real sa Jezuin. Luka e dokumentoi gjenealogjinë e Jezuit deri te njeriu i parë. (Luka 3:23-38) Gjithashtu, kur apostulli Pavël foli para një auditori ku kishte edhe filozofë të arsimuar në shkollat e famshme greke, tha: ‘Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të, nga një njeri i vetëm bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut.’ (Veprat 17:24-26) Është e qartë se Bibla mëson që ne erdhëm nga «një njeri i vetëm». A pajtohet me evolucionin ajo që thotë Bibla për gjendjen e njeriut në fillim fare?

Rënia e njeriut në papërsosmëri

Sipas Biblës, Jehovai e bëri të përsosur njeriun e parë. Perëndia s’ka se si t’i bëjë gjërat ndryshe. Në tregimin e krijimit thuhet: «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet. . . . Pas kësaj, Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.» (Zanafilla 1:27, 31) Si është një njeri i përsosur?

Një njeri i përsosur ka vullnet të lirë dhe është në gjendje të imitojë plotësisht cilësitë e Perëndisë. Bibla thotë: «Perëndia i vërtetë i bëri njerëzit të drejtë, por ata kanë kërkuar marifete të shumta.» (Eklisiastiu 7:29) Adami zgjodhi të rebelohej kundër Perëndisë, e kështu humbi përsosmërinë e vet dhe të pasardhësve. Rënia e njeriut në papërsosmëri shpjegon përse shpesh zhgënjehemi me veten, edhe pse duam të bëjmë të mirën. Apostulli Pavël shkroi: «Atë që dua, nuk e praktikoj, por atë që urrej, e bëj.»​—Romakëve 7:15.

Sipas Biblës, një njeri i përsosur do të jetonte përgjithmonë e do të kishte një shëndet të përsosur. Nga ajo që Perëndia i tha Adamit, njeriut të parë, është e qartë se po t’i ishte bindur Perëndisë, ai s’do të kishte vdekur kurrë. (Zanafilla 2:16, 17; 3:22, 23) Jehovai nuk do të kishte thënë për krijimin e njeriut se ishte «shumë mirë», sikur njeriu të ishte i prekshëm ndaj sëmundjeve e të kishte prirjen të rebelohej. Humbja e përsosmërisë shpjegon përse trupi i njeriut, ndonëse i projektuar për mrekulli, preket nga sëmundjet e deformimet. Prandaj, evolucioni nuk pajtohet me Biblën. Evolucioni e paraqet njeriun e sotëm si një kafshë që erdhi duke u përmirësuar. Bibla e paraqet si pasardhës të njeriut të përsosur që ka ardhur duke u keqësuar.

Ideja se Perëndia e drejtoi evolucionin që të vinte në ekzistencë njeriu, nuk pajtohet as me atë që thotë Bibla për personalitetin e Perëndisë. Sikur Perëndia të ketë drejtuar evolucionin, kjo do të thotë se e çoi ai njeriun në gjendjen e sotme të mjerueshme e plot sëmundje. Por Bibla thotë për Perëndinë: «Ai është Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai. Ata kanë vepruar keq; nuk janë fëmijë të tij; fajin e kanë vetë.» (Ligji i përtërirë 32:4, 5) Prandaj, vuajtjet e njeriut nuk erdhën si pasojë e evolucionit të drejtuar nga Perëndia. Ato erdhën ngaqë një njeri i vetëm u rebelua kundër Perëndisë dhe e humbi përsosmërinë e vet dhe të pasardhësve. Tani që kemi folur për Adamin, le të ndalemi te Jezui. A pajtohet evolucioni me atë që thotë Bibla për Jezuin?

A mund të besoni edhe tek evolucioni, edhe te krishterimi?

«Krishti vdiq për mëkatet tona.» Siç mund ta dini, ky është një nga mësimet bazë të besimit të krishterë. (1 Korintasve 15:3; 1 Pjetrit 3:18) Për ta kuptuar përse evolucioni nuk pajtohet me këtë pohim, së pari duhet të kuptojmë përse Bibla na quan mëkatarë dhe çfarë shkakton mëkati te ne.

Të gjithë jemi mëkatarë në kuptimin se nuk mund të imitojmë në mënyrë të përsosur cilësitë e lavdishme të Perëndisë, si dashurinë dhe drejtësinë. Ja pse Bibla thotë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Bibla tregon se mëkati është shkaku i vdekjes. Te 1 Korintasve 15:56 thuhet: «Thumbi që sjell vdekjen, është mëkati.» Mëkati që kemi trashëguar është edhe shkaku thelbësor i sëmundjeve. Jezui tregoi se ka një lidhje midis sëmundjeve dhe gjendjes sonë mëkatare. Ai i tha një të paralizuari: «Mëkatet e tua të janë falur.» Dhe ai burrë u shërua.​—Mateu 9:2-7.

Çfarë dobie na sjell vdekja e Jezuit? Bibla bën këtë kontrast midis Adamit dhe Jezu Krishtit: «Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.» (1 Korintasve 15:22) Duke dhënë jetën, Jezui pagoi çmimin për mëkatin që trashëguam nga Adami. Ndaj, të gjithë ata që tregojnë besim te Jezui dhe i binden, do të marrin atë që humbi Adami: mundësinë për të jetuar përgjithmonë.​—Gjoni 3:16; Romakëve 6:23.

Pra, a e kuptoni se evolucioni nuk pajtohet me besimin e krishterë? Nëse e vëmë në dyshim se «në Adamin të gjithë po vdesin», atëherë si mund të shpresojmë se «në Krishtin të gjithë do të ngjallen»?!

Pse teoria e evolucionit i tërheq njerëzit?

Bibla zbulon se si u përhapën mësime të tilla, si evolucioni. Ajo thotë: «Do të vijë një periudhë kohe kur ata njerëz nuk do ta durojnë dot mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët, do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’u kthehen tregimeve të rreme.» (2 Timoteut 4:3, 4) Ndonëse evolucioni zakonisht serviret me terma shkencorë, në thelb është doktrinë fetare. Ai i mëson njerëzit ç’pikëpamje të kenë për jetën dhe ç’qëndrim të mbajnë ndaj Perëndisë. Bindjet evolucioniste e miklojnë tinëzisht egoizmin dhe prirjen e njeriut për të qenë i pavarur. Shumë nga ata që besojnë te evolucioni thonë se besojnë edhe te Perëndia. Megjithatë kjo nuk i pengon të mendojnë se Perëndia nuk ka krijuar gjë, nuk ndërhyn në çështjet e njerëzimit dhe nuk do t’i gjykojë njerëzit. Është një doktrinë që ua gudulis veshët njerëzve.

Shpesh përkrahësit e evolucionit nuk nxiten nga fakte, por nga «dëshirat e veta» ndoshta nga dëshira për t’u pranuar në qarqet shkencore ku evolucioni është një doktrinë e përhapur. Majkëll Bihi, profesor në biokimi, ka kaluar pjesën më të madhe të jetës duke studiuar funksionet komplekse brenda qelizave të gjalla. Ai shpjegon se, ata që u mësojnë të tjerëve se qeliza ka evoluar nuk kanë asnjë bazë për pohimet e tyre. A mund të ndodhte evolucioni në një shkallë kaq të ulët siç është niveli molekular? Ai shkroi: «Evolucioni molekular nuk bazohet te ndonjë burim shkencor me autoritet. Në literaturën shkencore nuk është botuar asgjë—as në revistat me emër, as në revistat shkencore dhe as në libra—që të përshkruajë si ndodhi, e madje as si mund të ketë ndodhur, evolucioni molekular i ndonjë sistemi biokimik kompleks e të vërtetë. . . . Të mbështetësh teorinë darviniane të evolucionit molekular do të thotë që me arrogancë të thuash fjalë në erë.»

Përderisa evolucionistët nuk kanë prova, pse i predikojnë me kaq zjarr idetë e tyre. Bihi shpjegon: «Mjaft njerëz përfshirë edhe shumë shkencëtarë të njohur dhe të respektuar, thjesht nuk dëshirojnë të ekzistojë diçka e mbinatyrshme.»

Doktrina e evolucionit tërheq shumë klerikë që duan të duken të mençur. Ata u ngjajnë njerëzve që përshkroi apostulli Pavël në letrën drejtuar të krishterëve në Romë. Ai tha: «Ajo që mund të dihet për Perëndinë, duket qartë ndër ta. . . . Cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, prandaj ata nuk kanë asnjë justifikim. Edhe pse e njohën Perëndinë, ata nuk i dhanë atij lavdi si Perëndi dhe as që e falënderuan, por arsyetuan me mendjelehtësi dhe zemrat e tyre pa gjykim u errësuan. Ndonëse pohonin se ishin të mençur, u bënë të marrë.» (Romakëve 1:19-22) Çfarë të bëni që të mos mashtroheni nga mësuesit e rremë?

Besimi te Krijuesi bazohet në prova

Bibla thekson rëndësinë e provave kur përkufizon se çfarë është besimi. Ajo thotë: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara.» (Hebrenjve 11:1) Besimi i vërtetë te Perëndia duhet të bazohet në prova që dëshmojnë qartë për një realitet: që ekziston një Krijues. Bibla tregon se ku mund t’i gjeni këto prova.

Davidi, një shkrimtar i frymëzuar i Biblës, shkroi: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë.» (Psalmi 139:14) Kur ndalemi dhe mendojmë për projektimin e mrekullueshëm të trupit tonë dhe të gjallesave të tjera, mbushemi me nderim të thellë për mençurinë e Bërësit tonë. Çdo fragment i mijëra sistemeve të trupit që bashkëveprojnë për të na mbajtur gjallë, është projektuar në mënyrë të përkryer. Edhe universi dëshmon për rregull dhe një saktësi matematike. Davidi shkroi: «Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, hapësira qiellore flet për veprën e duarve të tij.»​—Psalmi 19:1.

Vetë Bibla është një burim i pasur me dëshmi për Krijuesin. Po të ndaleni e të shqyrtoni sa harmoni ka mes 66 librave të Biblës, sa të larta janë normat e saj morale dhe se si janë plotësuar një më një profecitë e saj, do të shihni prova të bollshme se autori i saj është Krijuesi. Edhe kur të kuptoni mësimet e Biblës, do të krijoni besim të fortë se ajo është Fjala e Krijuesit. Për shembull, kur të kuptoni mësime të tilla të Biblës, si: shkaku i vuajtjeve, Mbretëria e Perëndisë, e ardhmja e njerëzimit dhe mënyra si të gjesh lumturi, do të shihni dëshmi të dukshme të mençurisë së Perëndisë. Ndoshta do të ndiheni si Pavli, kur shkroi: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!»​—Romakëve 11:33.

Teksa shqyrtoni dëshmitë dhe ju rritet besimi, do të bindeni se kur lexoni Biblën po dëgjoni Krijuesin vetë. Ai thotë: «Unë e bëra tokën dhe krijova njeriun mbi të. Me duart e mia i shpalosa qiejt dhe unë e komandoj tërë ushtrinë e tyre.» (Isaia 45:12) Sigurisht, kurrë nuk do të pendoheni që u përpoqët të shqyrtoni provat për t’u bindur se Jehovai është Krijuesi i gjithçkaje.

[Diçitura në faqen 14]

Apostulli Pavël u tha grekëve të arsimuar: «Nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri të gjitha kombet»

[Diçitura në faqen 15]

Evolucioni e paraqet njeriun e sotëm si një kafshë që erdhi duke u përmirësuar. Bibla e paraqet si pasardhës të njeriut të përsosur që ka ardhur duke u keqësuar

[Diçitura në faqen 16]

«Evolucioni molekular nuk bazohet te ndonjë burim shkencor me autoritet»

[Diçitura në faqen 17]

Projektimi i mrekullueshëm i gjallesave na mbush me nderim të thellë për mençurinë e Bërësit tonë