E njëjta kërkesë në mbarë botën
E njëjta kërkesë në mbarë botën
PËRFYTYRONI qindra milionë, madje miliarda njerëz që kërkojnë të gjithë të njëjtën gjë. I kërkojnë autoritetit më të lartë në univers që t’u plotësojë një kërkesë të veçantë. Mirëpo shumë pak prej tyre e dinë tamam se çfarë kërkojnë. A mund të ndodhë vërtet një gjë e tillë? Faktikisht kjo ndodh çdo ditë. Çfarë po kërkojnë tërë këta njerëz? Që të vijë Mbretëria e Perëndisë!
Sipas një llogaritjeje ka rreth 37.000 fe që e quajnë veten të krishtere duke pohuar se kanë si Udhëheqës Jezu Krishtin. Në këto fe bëjnë pjesë më tepër se dy miliardë besimtarë. Shumë prej tyre recitojnë atë që quhet lutja «Ati ynë» ose Lutja e Zotërisë. A e dini këtë lutje? Siç ua mësoi Jezui dishepujve, ajo fillon kështu: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»—Mateu 6:9, 10.
Prej shekujsh besimtarët i kanë recituar me nderim këto fjalë nëpër kisha. Gjithashtu i kanë përsëritur në familje dhe individualisht, në kohë të mira e në kohë të këqija. I kanë thënë këto fjalë me sinqeritet, madje me dëshirë të zjarrtë. Shumë të tjerë i kanë mësuar përmendësh dhe i përsëritin duke menduar pak ose aspak për kuptimin e tyre. Këta besimtarë të kishave të krishtere nuk janë të vetmit që shpresojnë dhe luten që të vijë Mbretëria e Perëndisë.
Një kërkesë që i kalon kufijtë fetarë
Një lutje e njohur e fesë judaike është Kadishi që e reciton ai që mban zi. Megjithëse nuk ka lidhje me vdekjen ose hidhërimin, zakonisht ajo përmendet kur vdes një njeri. Në lutje thuhet: «Vendostë ai [Perëndia] Mbretërinë e tij gjatë jetës sate . . . , madje shpejt.» * Një lutje tjetër e lashtë e fesë judaike flet për shpresën e Mbretërisë së Mesisë nga shtëpia e Davidit.
Edhe besimtarëve të tjerë jo të krishterë u është dukur tërheqëse ideja e Mbretërisë së Perëndisë. Sipas gazetës The Times of India, një udhëheqës i shquar fetar indian i shekullit të 19-të, i cili donte të gjente një urë pajtimi midis fesë hinduiste, myslimane dhe të krishtere, tha: «Mbretëria e vërtetë e Perëndisë nuk do të realizohet nëse nuk bashkohet lindja me perëndimin.» Po ashtu, drejtoresha e një kolegji islamik në Strathfild, Australi, shkroi kohët e fundit në një gazetë: «Ashtu si të gjithë myslimanët, edhe unë besoj [se] Jezui do të kthehet e do të vendosë Mbretërinë e vërtetë të Perëndisë.»
Pa dyshim, janë me miliarda njerëzit që shpresojnë te Mbretëria e Perëndisë dhe luten për të. Por vini re një dukuri interesante.
Ndoshta e dini se ne Dëshmitarët e Jehovait që botojmë këtë revistë, shkojmë shtëpi më shtëpi në zonën tuaj për të biseduar me njerëzit për Biblën. Në këtë kohë po e bëjmë këtë vepër në mbarë botën, në 236 vende dhe në më tepër se 400 gjuhë. Tema kryesore e predikimit tonë është Mbretëria e Perëndisë. Në fakt vini re se edhe titulli i plotë i kësaj reviste është Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait. Shpesh i pyesim njerëzit nëse luten për këtë Mbretëri. Shumica thonë po. Por, kur i pyesim se çfarë është kjo Mbretëri, faktikisht shumë përgjigjen «nuk e di» ose nuk japin një përgjigje të qartë e të sigurt.
Pse kaq shumë njerëz kërkojnë diçka që nuk e dinë se ç’është? A është kështu ngaqë Mbretëria e Perëndisë është një koncept i ndërlikuar e i paqartë? Jo. Mbretëria shpjegohet në mënyrë të plotë e të qartë në Bibël. Për më tepër, mesazhi i Biblës për Mbretërinë mund t’ju japë shpresë të vërtetë në këto kohë të errëta. Në artikullin vijues do të shohim se si e shpjegon Bibla këtë shpresë. Më pas do të shohim se kur do të plotësohet lutja e Jezuit që të vijë Mbretëria e Perëndisë.
[Shënimi]
^ par. 6 Ashtu si te lutja model e Jezuit, edhe te Kadishi kërkohet që të shenjtërohet emri i Perëndisë. Megjithëse debatohet nëse Kadishi daton nga koha e Krishtit ose edhe më parë, nuk duhet të habitemi për ndonjë ngjashmëri mes tyre. Jezui nuk kishte ndër mend të shpikte një lutje të re. Çdo kërkesë bazohej tërësisht në Shkrimet që kishin atëherë të gjithë judenjtë. Jezui po i nxiste bashkëkombësit e tij judenj të luteshin për gjëra të cilat ata duhej t’i kishin kërkuar në lutje prej kohësh.