Lexuesve tanë
Lexuesve tanë
JEMI të lumtur t’ju njoftojmë se duke filluar nga ky numër, do të ketë disa ndryshime në Kullën e Rojës. Para se të shpjegojmë se ç’gjë do të jetë ndryshe, le të përmendim se çfarë do të mbetet e njëjtë.
Emri i kësaj reviste, Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait, nuk do të ndryshojë. Pra, Kulla e Rojës do të vazhdojë ta nderojë Jehovain si Perëndia i vërtetë dhe t’i ngushëllojë lexuesit me lajmin e mirë për Mbretërinë e tij. Në fakt, në artikujt në faqet 5 deri 9 të këtij numri tregohet se çfarë është kjo Mbretëri dhe kur do të vijë. Përveç kësaj, Kulla e Rojës do të vazhdojë të nxitë besimin te Jezu Krishti, të mbrojë të vërtetën biblike dhe të shpjegojë domethënien e ngjarjeve botërore nën dritën e profecive të Biblës, siç ka bërë prej shumë dekadash.
Por, ç’gjë do të ndryshojë? Le të shpjegojmë disa veçori të reja interesante që do të dalin në botimin që mban datën 1 të muajit. *
Çdo muaj do të dalin disa artikuj të veçantë që të nxitin të mendosh. Rubrika «A e dini?» do të përmbajë informacione historike interesante që hedhin dritë mbi domethënien e tregimeve të caktuara biblike. Rubrika me titull «Afrojuni Perëndisë» do të theksojë se çfarë mund të mësojmë për Jehovain nga disa fragmente të Biblës. Rubrika «Lexuesit pyesin» do të trajtojë përgjigjet e disa pyetjeve biblike më të zakonshme. Për shembull, shumë njerëz pyesin «A është Mbretëria e Perëndisë në zemrën e njeriut?» Përgjigjen do ta gjeni në faqen 13.
Disa artikuj që do të dalin rregullisht janë përgatitur për dobinë e familjes. Rubrika me titull «Si të kemi një familje të lumtur?», e cila do të dalë katër herë në vit, do të paraqitë disa probleme familjare reale dhe do të tregojë se si parimet e Biblës mund të jenë një ndihmë për t’i zgjidhur ato. Në muaj të tjerë do të dalin me radhë dy rubrika. Njëra rubrikë do të ketë temën «Mësojini fëmijët». Ajo është përgatitur me qëllim që prindërit ta lexojnë me fëmijët. Rubrika tjetër me temë «Për të rinjtë tanë», do të paraqitë në çdo artikull një projekt studimi biblik për moshat e reja.
Katër herë në vit do të dalin disa artikuj të tjerë. Çdo artikull në rubrikën «Imitoni besimin e tyre» do të na nxitë të ndjekim shembullin e një personazhi biblik. Për shembull, në faqet 18 deri 21 të këtij numri do të lexoni një tregim nxitës për profetin Elija dhe do të mësojmë si mund ta imitojmë besimin e tij. Rubrika me titull «Një letër nga . . . » do të përmbajë përvoja nga misionarë dhe Dëshmitarë të tjerë në vende të ndryshme të botës. Rubrika «Çfarë mësojmë nga Jezui» do të paraqitë në mënyrë të thjeshtë mësime biblike themelore.
Jemi të sigurt se lexuesve, që e respektojnë Biblën dhe duan të dinë çfarë mëson vërtet ky libër, do të vazhdojë t’u pëlqejë Kulla e Rojës. Shpresojmë që kjo revistë t’ju ndihmojë të shuani etjen tuaj për të vërtetën biblike.
BOTUESIT
[Shënimi]
^ par. 4 Kulla e Rojës do të dalë në dy botime. Botimi që mban datën 1 të muajit do të jetë për publikun në përgjithësi. Botimi që mban datën 15 të muajit do të jetë një botim për studim. Dëshmitarët e Jehovait do ta përdorin në mbledhjet e tyre të kongregacionit dhe kushdo është i mirëpritur në këto mbledhje.