Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndërtoje familjen me «fjalë të këndshme»

Ndërtoje familjen me «fjalë të këndshme»

Ndërtoje familjen me «fjalë të këndshme»

ÇDO minutë që kalonte, Davidi acarohej gjithnjë e më shumë. Teksa priste të shoqen në makinë, nuk ia ndante sytë orës. Kur më në fund Diana doli nga shtëpia, Davidi nuk ndenji dot pa ia zbrazur inatin që i ishte mbledhur.

«Po pse tërë ditën do të pres unë?—i bërtiti.—Po ky avaz, gjithmonë vonë. Si s’u bëre një herë gati në kohë, xhanëm?»

Diana u trondit. S’i mbajti dot lotët dhe u kthye me vrap në shtëpi. Atëherë Davidi e kuptoi që e teproi. Shpërthimi i tij vetëm sa i keqësoi gjërat. Ç’të bënte? Fiku makinën, psherëtiu thellë dhe dalëngadalë shkoi pas saj.

Një skenë mjaft realiste, apo jo? A ke dashur ndonjëherë t’i marrësh mbrapsht fjalët që ke thënë? Kur flasim pa u menduar, shpesh pendohemi më pas. Bibla thotë me vend: «Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.»​—Proverbat 15:28.

Megjithatë mund të jetë e vështirë të mendojmë me kthjelltësi para se të flasim, veçanërisht kur jemi të zemëruar, të frikësuar ose të lënduar. Sidomos me njerëzit e shtëpisë, është kollaj që, kur përpiqemi të shprehim ndjenjat, të përfundojmë duke fajësuar ose kritikuar tjetrin. Kjo mund të sjellë ndjenja të lënduara ose të ndezë grindje.

Ç’mund të bëjmë për të pasur rezultate më të mira? Si të bëjmë që reagimi ynë të mos drejtohet nga ndjenjat? Mund të marrim disa këshilla të dobishme nga shkrimtari biblik, Solomoni.

Mendo çfarë të thuash dhe si ta thuash

Kur Solomoni, shkrimtari i librit biblik të Eklisiastiut, bëri një përshkrim që të fut në mendime për kotësinë e jetës, me siguri kishte ndjenja të fuqishme për këtë temë. Ai tha: «E urreva jetën.» Madje e quajti jetën «kotësia më e madhe». (Eklisiastiu 2:17; 12:8) Megjithatë, Eklisiastiu nuk është një listë me zhgënjimet e mërzitë e Solomonit. Atij nuk iu duk me vend të tregonte vetëm anët e këqija të jetës. Në mbyllje të librit, Solomoni bën të ditur se «kërkoi të gjente fjalë të këndshme dhe të shkruante fjalë të sakta të së vërtetës». (Eklisiastiu 12:10) Një përkthim tjetër thotë se ai «u përpoq t’i shpjegonte këto gjëra sa më mirë dhe sa më saktë të ishte e mundur».​—Contemporary English Version.

Me sa duket, Solomoni e kuptoi që duhej t’i mbante nën kontroll ndjenjat e tij. Ai duhet ta ketë pyetur vazhdimisht veten: ‘A jam i sigurt se ajo që kam ndër mend të them është e vërtetë ose e saktë? Po të shprehem në këtë mënyrë, a do t’u duken të këndshme, të pranueshme fjalët e mia të tjerëve?’ Duke kërkuar «fjalë të këndshme» të së vërtetës, ai nuk lejoi që ndjenjat t’i mjegullonin gjykimin.

Për rrjedhojë libri i Eklisiastiut nuk është vetëm një kryevepër letrare, por edhe një gurrë e pashtershme mençurie nga Perëndia për kuptimin e jetës. (2 Timoteut 3:16, 17) A mund të na ndihmojë të komunikojmë më mirë me njerëzit e afërt mënyra si e trajtoi Solomoni këtë temë që i ngjallte ndjenja të fuqishme? Le të marrim një shembull.

Mëso të kontrollosh ndjenjat

Ta zëmë se djali vjen nga shkolla me rezultatet e semestrit dhe është i prerë në fytyrë. I ati u hedh një sy notave dhe sheh se në një lëndë ka notë pakaluese. Babait i ngrihen nervat kur kujton sa e sa herë i biri i zvarriste detyrat e shtëpisë. I vjen t’i bërtasë: ‘Je një dembel që s’e ke shokun! Po vazhdove kështu, s’ke për të nxjerrë gjë në dritë!’

Në vend që të zbrazë zemërimin, është mirë që babai të pyesë veten: ‘A është e vërtetë ose e saktë ajo që po mendoj?’ Kjo pyetje mund ta ndihmojë të ndajë ndjenjat nga faktet. (Proverbat 17:27) A do të jetë vërtet i biri një dështak vetëm sepse ka vështirësi në një lëndë? A është gjithnjë dembel apo thjesht i zvarrit detyrat e shtëpisë ngaqë i duket e vështirë ajo lëndë? Shpesh Bibla thekson sa e rëndësishme është t’i shohësh gjërat në mënyrë të arsyeshme dhe realiste. (Titit 3:2; Jakovi 3:17) Për të inkurajuar fëmijën, prindi duhet të thotë «fjalë të sakta të së vërtetës».

Kërko fjalët e duhura

Pasi ka vendosur ç’të thotë, babai mund ta pyesë veten: ‘Si ta them këtë me fjalë që tim biri t’i duken të këndshme e të pranueshme?’ Është e vërtetë se të gjesh fjalët e duhura nuk është e lehtë. Por prindërit duhet të mbajnë parasysh se adoleshentët shpesh mendojnë se o janë të përsosur, o janë një hiç. Sikur edhe një herë të vetme të mos ia dalin ose të vërejnë qoftë edhe një të metë te vetja, mund ta zmadhojnë kaq shumë sa kjo të vulosë pikëpamjen që kanë për veten. Në rast se reagimi i prindit është i tepruar, ai mund t’ia përforcojë fëmijës mendimet negative. Te Kolosianëve 3:21 thuhet: «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»

Zakonisht, fjalë të tilla, si «gjithmonë» dhe «kurrë» i përgjithësojnë ose i zmadhojnë faktet. Kur prindi thotë: «Kurrë s’ke për të nxjerrë gjë në dritë», çfarë dinjiteti i mbetet fëmijës?! Po të përdoret shpesh një gjuhë kaq kritike, fëmija mund ta shohë veten si njeri pa pikë vlere. Sigurisht, kjo është jo vetëm shkurajuese, por nuk është as e vërtetë.

Në përgjithësi është shumë më mirë të nxjerrësh në pah anët e mira të një situate. Babai në shembullin e mësipërm mund të thotë diçka të tillë: ‘E shoh që të paska mërzitur kjo notë e keqe. E di se zakonisht mundohesh t’i bësh mirë detyrat. Hajde të flasim pak për këtë lëndë dhe të shohim si t’i kalosh problemet.’ Për të vendosur si ta ndihmojë sa më mirë të birin, babai mund të bëjë edhe disa pyetje specifike që të kuptojë nëse ka probleme të tjera më të thella.

Ka shumë të ngjarë që duke u sjellë me dashamirësi dhe maturi të kesh rezultate më të mira sesa po të shfrysh me të bërtitura. Bibla na siguron se «fjalët e këndshme janë hoje mjalti, të ëmbla për shpirtin dhe shërim për kockat». (Proverbat 16:24) Fëmijët, e madje të gjithë pjesëtarët e familjes, ecin mbarë në një ambient me paqe dhe dashuri.

«Nga mbushullia e zemrës»

Le të mendojmë përsëri për atë burrë që u përmend në fillim. A nuk do të kishte qenë më mirë nëse ai do të ishte ndalur që të gjente «fjalë të këndshme» të së vërtetës në vend që t’i bërtiste tërë nerva së shoqes? Do të ishte mirë që një burrë në një situatë të tillë ta pyeste veten: ‘Edhe pse ime shoqe duhet të përpiqet të jetë më e përpiktë, a është e vërtetë se është gjithmonë vonë? A është ky momenti i duhur për të folur për këtë problem? A do të bëjnë fjalët kritike e me nerva që të ketë dëshirë të përmirësohet?’ Kur ndalemi dhe i bëjmë vetes pyetje të tilla, kjo na ndihmon të mos i lëndojmë pa dashje ata që duam.​—Proverbat 29:11.

Ç’të themi nëse diskutimet në familje përfundojnë vazhdimisht me grindje? Ndoshta duhet të shkojmë më thellë dhe të mendojmë mirë për ndjenjat që fshihen pas fjalëve që zgjedhim. Fjalët tona, sidomos kur jemi të tensionuar ose në rrethana stresuese, mund të zbulojnë shumë se çfarë njerëzish jemi vërtet përbrenda. Jezui tha: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mateu 12:34) Me fjalë të tjera, ajo që themi, shpesh pasqyron pikëpamjet dhe mendimet e dëshirat tona më të thella.

A e shohim jetën me sy realist, optimist dhe me shpresë? Ka shumë të ngjarë që toni dhe përmbajtja e bisedave tona ta pasqyrojnë këtë. A kemi prirjen të jemi të ngurtë, pesimistë ose kritikues? Nëse po, mund t’i shkurajojmë të tjerët me ato që themi ose me mënyrën si e themi. Mbase as që e kuptojmë sa negative është bërë mënyra jonë e të menduarit ose i foluri ynë. Madje, mund të jemi të bindur se i shohim gjërat siç duhet. Por duhet të kemi kujdes që të mos mashtrojmë veten.​—Proverbat 14:12.

Sa dobi mund të nxjerrim nga Fjala e Perëndisë! Bibla na ndihmon të analizojmë mendimet tona dhe të kuptojmë se cilat janë të drejta dhe cilat kanë nevojë të ndreqen. (Hebrenjve 4:12; Jakovi 1:25) Po të duam vërtet, të gjithë mund të ndryshojmë mënyrën si mendojmë dhe si veprojmë, pavarësisht nga prirjet tona të trashëguara ose mënyra si jemi rritur.​—Efesianëve 4:23, 24.

Përveçse t’i drejtohemi Biblës, mund të bëjmë edhe diçka tjetër për të kuptuar si komunikojmë. Mjafton të pyesim të tjerët. Për shembull, kërkoji bashkëshortit ose fëmijëve të të thonë sinqerisht si u duket mënyra si komunikon. Fol me një mik të pjekur që të njeh mirë. Duhet përulësi për të pranuar atë që do të thonë dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme.

Mendohu para se të flasësh!

Si përfundim, nëse nuk duam të lëndojmë të tjerët me fjalët tona duhet të bëjmë siç thuhet te Proverbat 16:23: «Njerëzit e zgjuar [ose të mençur] mendojnë para se të flasin; ndaj fjalët e tyre janë më bindëse.» (Today’s English Version) Mund të mos jetë gjithnjë e lehtë t’i mbajmë ndjenjat nën kontroll. Gjithsesi, po të përpiqemi t’i kuptojmë të tjerët dhe jo t’i akuzojmë ose t’i ulim, do ta kemi më të lehtë të gjejmë fjalët e duhura.

Natyrisht asnjëri nga ne nuk është i përsosur. (Jakovi 3:2) Të gjithë flasim nganjëherë pa u menduar. (Proverbat 12:18) Por me ndihmën e Fjalës së Perëndisë mund të mësojmë të mendojmë para se të flasim dhe t’i vëmë ndjenjat dhe interesat e të tjerëve para tonave. (Filipianëve 2:4) Le të jemi të vendosur të kërkojmë «fjalë të këndshme» të së vërtetës, sidomos kur flasim me familjarët! Kështu, fjalët tona nuk do t’i lëndojnë dhe rrëzojnë njerëzit që duam, por do t’i shërojnë dhe do t’i ndërtojnë.​—Romakëve 14:19.

[Figura në faqen 12]

Si t’ia bësh që të mos pendohesh për ato që thua?