Si erdhëm në ekzistencë?
Si erdhëm në ekzistencë?
PSE KA RËNDËSI PËRGJIGJJA? Shumë njerëzve u mësohet se jeta lindi rastësisht. Atyre u thuhet se përmes një sërë ngjarjesh gati të pamundura e të rastësishme, evolucioni solli njeriun me të gjitha veçoritë e tij emocionale, intelektuale dhe shpirtërore.
Por mendo pak: nëse do të ishim vërtet fryt i evolucionit dhe nuk do të ekzistonte Krijuesi, atëherë njerëzimi do të ishte si jetim. Nuk do të kishim asnjë burim më të lartë mençurie për t’u këshilluar, nuk do të kishim askënd për të na ndihmuar të zgjidhnim problemet tona. Do të na duhej të mbështeteshim te mençuria njerëzore për të shmangur rrënimin e mjedisit, për të zgjidhur konfliktet politike e për të pasur një drejtim për problemet tona.
A të jep paqe të brendshme kjo ide? Nëse jo, mendo për mundësinë tjetër. Jo vetëm që është më tërheqëse, por edhe më logjike.
Çfarë thotë Bibla?
Bibla thotë se njeriun e krijoi Perëndia. Nuk jemi fryt i evolucionit që nuk ka as ndjenja dhe as inteligjencë. Përkundrazi, jemi fëmijë të një Ati të dashur e të mençur. Mendo për këto pohime të qarta që bën Bibla.
Zanafilla 1:27. «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.»
Psalmi 139:14. «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.»
Mateu 19:4-6. «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»
Veprat 17:24, 25. «Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të, duke qenë Zotëri i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë me dorë, as kërkon t’i shërbejnë duart e njeriut, sikur të ketë nevojë për ndonjë gjë, pasi ai vetë u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka.»
Zbulesa 4:11. «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.»
Si na sjell paqe të brendshme përgjigjja e Biblës?
Kur dimë se ‘çdo familje në tokë merr emër’ nga Perëndia, pikëpamja jonë për të tjerët ndryshon. (Efesianëve 3:15) Kjo njohuri pasqyrohet edhe te mënyra si shohim veten dhe problemet tona. Ja si ndikon ajo te mendimet tona:
Kur jemi para vendimeve të vështira, nuk do të merakosemi tepër për pikëpamjet kontradiktore të njerëzve. Përkundrazi, do të mbështetemi të sigurt në këshillat e Biblës. Pse? Sepse «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë».—2 Timoteut 3:16, 17.
Është e vërtetë se duhen përpjekje dhe vetëdisiplinë për të vepruar sipas këshillave të Biblës. Madje nganjëherë na duhet të shkojmë kundër prirjeve tona për të ndjekur drejtimin e saj. (Zanafilla 8:21) Megjithatë, po të pranojmë se na krijoi një Atë i dashur qiellor, është krejt logjike të nxjerrim përfundimin se ai e di cila është rruga më e mirë për ne. (Isaia 55:9) Prandaj Fjala e tij na siguron: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Proverbat 3:5, 6) Po ta zbatojmë këtë këshillë, do t’i kursejmë vetes shumë ankthe kur të jemi para vendimeve dhe vështirësive.
Kur hasim paragjykime, nuk do të mbytemi nga ndjenjat e inferioritetit, duke menduar se kemi më pak vlerë se njerëzit e një race a kulture tjetër. Përkundrazi, do të zhvillojmë një respekt të arsyeshëm për veten. Pse? Sepse Ati ynë, Perëndia Jehova, «nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai».—Veprat 10:34, 35.
Duke ditur këtë nuk do t’i lejojmë paragjykimet të na shtrembërojnë pikëpamjen për të tjerët. Do të kuptojmë se nuk kemi asnjë arsye të vlefshme për t’u ndier më lart se njerëzit e një race tjetër, pasi «nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut».—Veprat 17:26.
Patjetër kur e dimë që kemi një Krijues dhe se ai interesohet për ne, kjo hedh themelin për të gjetur paqe të brendshme. Por, për ta ruajtur këtë paqe, duhet më shumë.
[Diçitura në faqen 4]
A erdhi me evolucion raca njerëzore?
[Figura në faqen 5]
Kur e dimë se Krijuesi interesohet për ne, gjejmë paqe të brendshme