A e dini?
A e dini?
Ç’vlerë kishin dy qindarkat e vejushës?
Në shekullin e parë të e.s., taksa e përvitshme e tempullit për izraelitët ishte ‘dy drahma’, gati sa paga e dy ditëve. (Mateu 17:24) Nga ana tjetër, Jezui tha se dy harabela shiteshin «për një qindarkë». Këtu ai e kishte fjalën për pagesën e rreth 45 minutave punë. Pesë harabela mund të bliheshin me dyfishin e çmimit, pra sa pagesa e rreth 90 minutave punë.—Mateu 10:29; Luka 12:6.
Kontributi që hodhi në tempull vejusha nevojtare, e cila i ra në sy Jezuit, vlente shumë më pak. Në fakt, në këtë rast dy qindarkat ishin dy lepta, asokohe monedhat më të vogla prej bakri në Izrael. Ato vlenin vetëm sa 1⁄64 e pagës ditore ose më pak se pagesa për 12 minuta punë, po të bazohemi te një ditë pune që zgjaste mesatarisht 12 orë.
Jezu Krishti e vlerësoi dhuratën e vejushës si kontribut më të madh se i tërë njerëzve që hodhën «nga ato që u tepruan». Pse? Tregimi thotë se ajo kishte «dy qindarka», kështu njërën mund ta jepte si kontribut, kurse tjetrën ta mbante për vete. Megjithatë, ajo dha «gjithë sa kishte, tërë atë që kishte për të jetuar».—Marku 12:41-44; Luka 21:2-4.
Kur u bë i njohur Sauli me emrin Pavël?
Apostulli Pavël lindi si hebre me qytetari romake. (Veprat 22:27, 28; Filipianëve 3:5) Pra, ka shumë të ngjarë se që nga fëmijëria kishte edhe emrin hebraik Saul, edhe atë romak Pavël. Po kështu, disa nga të afërmit e Pavlit kishin emra romakë e grekë. (Romakëve 16:7, 21) Veç kësaj, nuk ishte e pazakontë që izraelitët e asaj kohe të kishin dy emra, sidomos ata që jetonin jashtë Izraelit.—Veprat 12:12; 13:1.
Me sa duket, pasi kishte kaluar më se një dekadë si i krishterë, ky apostull njihej më shumë me emrin hebraik Saul. (Veprat 13:1, 2) Gjithsesi, gjatë udhëtimit të parë misionar rreth viteve 47 a 48 të e.s, ai mund të ketë preferuar të përdorë emrin romak Pavël. Kishte marrë caktimin t’u shpallte lajmin e mirë johebrenjve, e prandaj ndoshta i është dukur më mirë të përdorte emrin romak. (Veprat 9:15; 13:9; Galatasve 2:7, 8) Mbase e ka përdorur emrin Pavël edhe ngaqë shqiptimi në gjuhën greke i emrit hebraik Saul ngjan shumë me një fjalë greke që ka ngjyrim negativ. Cilado qoftë arsyeja, Pavli tregoi se ishte gati ‘të bëhej çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që medoemos të shpëtonte disa’.—1 Korintasve 9:22.
[Figura në faqen 12]
Leptoni, madhësia reale