«Ai më prin nëpër shtigjet e drejtësisë»
«Ai më prin nëpër shtigjet e drejtësisë»
Treguar nga Olga Kembëll
«Një shembull i mirë është si një zile që i fton të tjerët ta ndjekin,—tha motra ime Emilia.—Ti i re ziles dhe unë u përgjigja.» Këto më shkruante teksa më uronte për 60 vitet në shërbimin e plotkohor. Po ju tregoj për fëmijërinë dhe si e nisa karrierën e jetës sime.
LINDA më 19 janar të vitit 1927, në një familje ukrainase bujqish pranë Vakës, Saskaçevan, në qendër të Kanadasë Perëndimore. Unë dhe vëllai binjak, Billi, ishim më të vegjlit nga të tetë fëmijët. Ne të vegjlit ndihmonim në arë babanë e palodhur. Në shtëpizën tonë, nëna kujdesej me dashuri për ne, pavarësisht nga dhembjet ligështuese të artritit reumatoid, që i mori jetën. Ajo ishte vetëm 37 vjeçe kur vdiq, kurse unë vetëm 4.
Gjashtë muaj pas vdekjes së nënës, babai u martua përsëri. Shpejt filluan grindjet në shtëpinë tonë, ku tani jetonim edhe me pesë motrat më të vogla nga babai. Mundohesha ta respektoja njerkën, por vëllai im i madh Xhoni, e kishte edhe më të vështirë.
Në fund të viteve 30 unë dhe Billi filluam tetëvjeçaren, dhe kjo na ndihmoi t’u shpëtonim acarimeve në shtëpi. Në horizont dukej Lufta II Botërore dhe kudo ndihej një atmosferë patriotike. Mësuesja jonë e re vuri si rregull të nderonim flamurin, por një vajzë nuk pranoi ta bënte këtë. Nxënësit e tjerë e mbytën me sharje, kurse unë e admirova guximin e saj dhe e pyeta përse nuk pranonte. Ajo më shpjegoi se ishte një Studente e Biblës, siç quheshin ndonjëherë Dëshmitarët e Jehovait dhe se i qëndronte besnike vetëm Perëndisë.—Dalja 20:2, 3; Veprat 5:29.
Largohem nga shtëpia
Më 1943, gjeta punë në qytetin Princ-Albert, ku ngarkoja kamionë dhe shpërndaja kuti me pije joalkoolike. Ngaqë dëshiroja me zjarr drejtimin e Perëndisë, bleva një Bibël, por e kisha kaq të vështirë ta kuptoja, saqë ia plasa të qarit nga mërzia. Gjithçka që dija nga Bibla ishte lutja «Ati Ynë».—Mateu 6:9-13.
Një të diel, pronarja e shtëpisë, e cila shkonte në kishë, më tregoi gjithë krenari si e kishte shtyrë jashtë pragut të shtëpisë një «zonjë të Biblës». ‘Si është treguar kaq e pasjellshme?’,—thashë me vete. Pas disa të dielave, nuk ndihesha mirë dhe nuk shkova në kishë, por ndenja në shtëpi. Atë ditë erdhi prapë «zonja e Biblës».
«A lutesh?»,—më pyeti.
«Lutjen ‘Ati Ynë’»,—iu përgjigja.
Isha tërë sy e veshë tek më shpjegonte kuptimin e fjalëve të Jezuit. Më dha fjalën se do të kthehej të mërkurën.
Kur erdhi pronarja e shtëpisë, i tregova gjithë qejf për «zonjën e Biblës» që ishte një Dëshmitare e Jehovait. Sa u trondita kur më kërcënoi: «Nëse ajo do të vijë prapë të mërkurën, do t’ju nxjerr që të dyjave me shqelma nga shtëpia!»
Nga s’kërkova nëpër lagje për Dëshmitaren për të cilën kisha marrë vesh se quhej zonja Rampel. Kur e gjeta, i shpjegova si e kisha hallin dhe i thashë të më tregonte gjithçka që dinte nga Bibla. M’u duk sikur e trajtuam të gjithë Biblën, nga Zanafilla te Zbulesa. Ajo krahasoi kohët tona me ditët e Noesë kur Perëndia i dha fund një bote të padrejtë, dhe e vuri Noenë me familjen e tij në një tokë të pastruar.—Mateu 24:37-39; 2 Pjetrit 2:5; 3:5-7, 12.
«E shoh se e pranon që këto mësime të Biblës janë të vërteta,—tha zonja Rampel pasi folëm gjerë e gjatë. Për dy javë do të bëhet një asamble e Dëshmitarëve të Jehovait dhe ti duhet të pagëzohesh.» Atë natë s’vura gjumë në sy duke menduar për gjithë ç’kisha mësuar. Pagëzimi më dukej hap tepër i rëndësishëm. Sidoqoftë, doja t’i shërbeja Perëndisë. Ndonëse nuk kisha dhe aq shumë njohuri nga Bibla, u pagëzova në moshën 16-vjeçare më 15 tetor, 1943.
Shkoj në skajin tjetër të vendit
Në nëntor, im vëlla, Fredi, më pyeti nëse mund të punoja pastruese në godinën trekatëshe ku banonte, në qytetin e Torontos në Kanadanë Lindore. Pranova me shpresën se do të isha më e lirë të adhuroja Jehovain atje. Para se të largohesha, shkova të takoja time motër, Anën, që ende jeton afër Saskaçevanit. Ishte një surprizë për mua kur mora vesh se ajo dhe motra tjetër, Dorisi, po studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, dhe më nxiti të filloja edhe unë. Atëherë nuk e mbajta dot më sekret—i thashë se unë tashmë isha pagëzuar si Dëshmitare.
Unë dhe motra më e vogël, Emilia, morëm me tren rrugën e gjatë për në Toronto. Billi na priti në stacion dhe na çoi në shtëpinë ku jetonte me Fredin dhe Xhonin. E pyeta Fredin se kush tjetër jetonte me ta. Ai më tha: «S’ke për ta besuar. E mban mend Aleks Ridin që kishim në lagjen e vjetër? Jeton sipër nesh dhe është budalla fare, se merret me Studentët e Biblës.» Zemra më gufoi nga gëzimi.
Në majë të gishtave u ngjita të takoja Aleksin dhe e lamë të shkonim bashkë në mbledhje po atë natë. Doja t’i ndiqja menjëherë mbledhjet, kështu që vëllezërit të mos kishin kohë të ma prishnin mendjen. S’kaloi gjatë dhe megjithëse nuk kisha bërë kurrë një studim biblik të rregullt, dola të predikoja për herë të parë. Kënaqesha kur flitja me shumë ukrainas në gjuhën që kisha mësuar qysh në vogëli.
Billit i pëlqente të lexonte Kullën e Rojës që shpesh ia lija në dhomën e tij. Kur u transferua në Kolumbinë Britanike në perëndim të Kanadasë, i bëra si dhuratë abonimin te Kulla e
Rojës. Edhe pse nuk fliste shumë, më shkroi një letër me dhjetë faqe ku më falënderonte. Me kohë, ai ia kushtoi jetën Jehovait dhe u bë një mbikëqyrës i zellshëm i krishterë. Ç’gëzim i madh ishte për mua që pesë nga motrat dhe vëllezërit e mi—Billi, Ana, Fredi, Dorisi dhe Emilia—u bënë adhurues të kushtuar të Jehovait!Më 22 maj 1945, qeveria kanadeze njohu ligjërisht aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait. * Ç’është e vërteta, as që e kisha kuptuar se vepra jonë ishte e ndaluar derisa dëgjova njoftimin. Bashkë me shoqen time Xhudi Lukusin, vendosëm të bëheshim pioniere, pra të predikonim shumë dhe të shkonim larg më në lindje, në Kuebekun frëngjishtfolës. Kur motrat e mia Dorisi dhe Emilia morën vesh për planet tona, vendosën të shkonin si pioniere në Vankuver, Kolumbinë Britanike, në skajin tjetër të kontinentit.
Intoleranca fetare në Kuebek
Transferimi në Kuebek nuk ishte thjesht një ndryshim vendi. Atje Dëshmitarët hasnin kundërshtim të ashpër në veprën e predikimit. * U kënaqëm kur morëm pjesë në shpërndarjen e fletushkës Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut për Perëndinë, për Krishtin dhe për lirinë është turpi i gjithë Kanadasë (anglisht). Ai mesazh therës demaskoi intolerancën fetare kundër Dëshmitarëve.
Për 16 ditë, ngriheshim nga ora dy e natës dhe pa zhurmë futnim fletushka poshtë dyerve. Kur ishim në një apartament, morëm vesh se po na ndiqnin policët. Shpëtuam duke u fshehur në një rrugicë. Të nesërmen dolëm prapë në rrugë për të ofruar revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ndërsa muajt kalonin, policia na arrestoi kaq herë sa s’numëroheshin. Që të isha gati për në burg, mbaja gjithnjë me vete furçën e dhëmbëve dhe lapsin e vetullave.
Në nëntor të vitit 1946, Nejthën Nori, që merrte drejtimin në veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve, erdhi të na takonte nga Bruklini, Nju-Jork. Ai ftoi 64 nga ne pionierët e Kuebekut të ndiqnin klasën e nëntë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në Lansingun Jugor, Nju-Jork. Në këtë shkollë bëmë një kurs intensiv pesëmujor për Biblën. Pasi u diplomuam në gusht të vitit 1947, na dërguan në qytetet e Kuebekut të formonim kongregacione të reja.
Shërbim frytdhënës
Katër nga ne vajzat na dërguan në qytetin e Sherbrukut. E praktikonim me zell frëngjishten, duke i zgjedhuar foljet shumë herë tek shkonim dhe ktheheshim nga territori ku predikonim. Ndonjëherë nuk kishim para për ushqime në drekë, kështu që shkonim në shtëpi dhe studionim. Shoqja ime, Kej Lindhorsti ishte e zonja në gramatikë. Së pari ajo më mësoi gramatikën angleze, që më pas ta kuptoja atë franceze.
Momenti më interesant i shërbimit si pioniere ishte në Viktoriavil, atëherë një qytet me afro 15.000 banorë. Pak njerëz flitnin anglisht, pra ishte vendi më i mirë që të përmirësonim në frëngjisht. Javën e parë ia kaluam për mrekulli. Kudo që shkonim, njerëzit e pranonin literaturën tonë. Por, kur u kthyem, të gjitha dyert dhe grilat ishin mbyllur. Ç’kishte ndodhur?
Prifti i zonës i paralajmëronte njerëzit të mos na dëgjonin. Kështu, kur shkonim nga shtëpia në shtëpi, fëmijët na ndiqnin dhe na gjuanin me gurë e topa bore nga larg. Prapëseprapë, shumë e dëgjonin plot etje mesazhin e Biblës. Fillimisht na lejonin t’u shkonim vetëm pasi kishte rënë muzgu. Megjithatë, dora-dorës që përparonin në njohurinë e Biblës, nuk studionin
më fshehurazi, u pëlqente apo jo fqinjëve.Në vitet 50, unë dhe motrat e mia u kthyem për një vizitë në Vakë. I treguam përvojat tona të predikimit në një mbledhje kongregacioni. Pastaj mbikëqyrësi drejtues na tha: «Nëna juaj do të jetë shumë e lumtur kur të ringjallet dhe të shohë se fëmijët e saj u bënë Dëshmitarë të Jehovait!» Ai shpjegoi se ajo e kishte studiuar Biblën me një Dëshmitare para se të vdiste. Na u mbushën sytë me lot kur mësuam se nëna po fitonte kuptueshmëri për të vërtetat biblike që me siguri do të na i kishte thënë edhe ne sikur jeta e saj të mos ishte prerë në mes.
Martesa dhe shërbimi si çift
Më 1956 njoha Merton Kembëllin, një Dëshmitar që kishte bërë 27 muaj burg gjatë Luftës së II Botërore ngaqë qëndroi besnik. Ai kishte gati dhjetë vjet që shërbente në selinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin. Mertoni kishte shumë cilësi të shkëlqyera falë studimit të Biblës dhe e kuptova se do të ishte një bashkëshort i mirë. Mbajtëm korrespondencë për disa muaj. Respekti dhe simpatia që kishim për njëri-tjetrin u thelluan, e kështu lindi dashuria.
Unë dhe Mertoni u martuam më 24 shtator 1960. Ç’bekim ka qenë t’i kaloja këta 47 vjet me një njeri të mrekullueshëm që ndjek vërtet parimet e Biblës! Mertoni ka punuar për 58 vjet në Repartin e Shërbimit, që u siguron ndihmë e drejtim kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait anembanë Shteteve të Bashkuara. Për më shumë se 30 vjet, puna ime në Bruklin ishte të zbukuroja dhomat e mysafirëve dhe më vonë Sallat e mëdha të asambleve në Nju-Jork. Në vitin 1995, unë dhe Mertoni u transferuam në Qendrën e Arsimimit në Paterson, rreth 110 kilometra në veri të Nju-Jorkut.
Kur u largova nga shtëpia në moshën 12-vjeçare, nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do të rrethohesha nga një familje e madhe besimtarësh, ndër ta edhe vëllezërit e motrat e mia. Mezi pres kohën në botën e re të Perëndisë kur të mblidhemi rreth nënës dhe t’i tregojmë ç’ndodhi teksa ajo prehej, sidomos se si Perëndia Jehova i ndihmoi me dashuri fëmijët e saj ta njihnin Atë. Sa të lumtur jemi që Jehovai na ka prirë në «shtigjet e drejtësisë»!—Psalmi 23:3.
[Shënimet]
^ par. 21 Për shkak të qëndrimit asnjanës të Dëshmitarëve të Jehovait, qeveria e kishte ndaluar aktivitetin e organizatës së tyre më 4 korrik 1940.
^ par. 23 Për më shumë hollësi rreth përndjekjes fetare në Kuebek, shih Zgjohuni!, maj 2000, faqet 20-23.
[Figurat në faqen 27]
Prindërit dhe shtëpia ku jetova me ta dhe me shtatë motra e vëllezër
[Figura në faqen 29]
Me shoqet e mia të shërbimit në Otavë, 1953
[Figura në faqen 29]
Me vëllezërit dhe motrat e mia (nga e majta në të djathtë) Ana, Maria, Fredi, Dorisi, Xhoni, unë, Billi dhe Emilia
[Figura në faqen 29]
Me Mertonin sot