«Kurrë nuk kam ndier një dashuri si kjo!»
Letër nga Republika Domenikane
«Kurrë nuk kam ndier një dashuri si kjo!»
KËTË javë në kongregacionin tonë, Njurka bëri për herë të parë një fjalim të shkurtër të bazuar në Bibël. Ajo e kishte përgatitur, duke e shkruar në gjuhën braile, pastaj e kishte mësuar përmendësh. Isha me të në podium, në rolin e dikujt që donte të mësonte të vërtetën nga Bibla. Unë flisja me mikrofon dhe ajo më dëgjonte nëpërmjet kufjeve. Kur mbaruam, të pranishmit duartrokitën kaq fort tërë admirim, saqë ajo i dëgjoi. Buzëqeshja e saj pasqyronte gëzimin dhe kënaqësinë e madhe që ndiente. Edhe unë isha e lumtur. Sa kënaqësi e fryt sjell shërbimi si misionare!
Më kujtohet hera e parë kur e takova Njurkën para dy vjetësh. Kisha bërë gjysmë ore me makinë nëpër rrugët tërë pluhur të fshatit kur e pashë. Ishte ulur në verandën e një shtëpie të thjeshtë, të bërë me blloqe e drurë dhe me një çati llamarine të ndryshkur. Dëgjohej zhurma e dhive, lepujve e qenve dhe ndihej era e tyre. Njurka rrinte kërrusur dhe kokëvarur, pamje që pasqyronte vetmi dhe trishtim. Dukej shumë më e madhe se 34 vjeçe.
E preka lehtas në sup dhe ajo ngriti kokën e na nguli sytë që e kishin humbur shikimin para 11 vjetësh. Duke i folur me zë të lartë në vesh, i thashë kush isha e prezantova edhe shoqen e shërbimit. Më vonë morëm vesh se Njurka vuante nga sindroma Marfan, një sëmundje e trashëgueshme që i kishte sjellë shumë vuajtje. Gjithashtu, Njurka vuan nga diabeti i rëndë, prandaj duhet ta kontrollojë vazhdimisht nivelin e sheqerit në gjak, që mund të ndryshojë papritur.
Kur ia vura Biblën në duar, e njohu dhe tha se para se të humbte shikimin, i pëlqente jashtë mase ta lexonte. Por, si do t’ia mësoja të vërtetat gjallëruese të Fjalës së Perëndisë këtij njeriu të vetmuar, të thjeshtë e të brishtë? Meqë e dinte alfabetin, fillova t’i vija në duar germa plastike. Shpejt ajo nisi t’i dallonte. Pastaj, duke ndier shenjat e shkronjave që i bëja në duar, ajo mësoi të shoqëronte çdo germë me germën përkatëse në gjuhën amerikane të shenjave. Pak nga pak mësoi edhe shenja të tjera. Meqë sapo kisha filluar të mësoja gjuhën e shenjave, sa herë që kishim studimin, duhej të përgatitesha për orë të tëra. Megjithatë, si unë dhe Njurka ishim të vendosura të mësonim, kështu që s’kaloi shumë dhe u bëmë më të afta në gjuhën e shenjave.
Përparimi i saj mori hov të madh kur një organizatë bamirëse i dhuroi aparate dëgjimi. Ndonëse të thjeshta, ato e ndihmuan jashtë mase. Pasi kishte jetuar për më se dhjetë vjet pa dritën e syve dhe në heshtje të plotë, Njurka ishte mbyllur në botën e saj. Por fryma e shenjtë e Jehovait i zgjoi mendjen e zemrën dhe ia mbushi me njohuri, shpresë e dashuri. Shpejt, me ndihmën e bastunit, Njurka dilte në lagjen e saj për të folur me të tjerët për të vërtetat biblike.
Njurka studion Biblën me tezen dhe dy kushërira. Ajo përgatitet mirë, duke mësuar përmendësh çdo mësim. Ato që studiojnë, lexojnë paragrafët, ndërsa Njurka lexon pyetjet nga libri në braile. Kush e shoqëron, ia thotë përgjigjet në vesh ose në gjuhën e shenjave me të prekur.
I gjithë kongregacioni e ndihmon dhe i jep zemër Njurkës. Disa nga vëllezërit në besim e ndihmojnë të shkojë në mbledhje dhe në asamble. Të tjerë e shoqërojnë në shërbim. Kohët e fundit më tha: «Kurrë nuk kam ndier një dashuri si kjo!» Ajo shpreson të pagëzohet në kongresin e ardhshëm krahinor.
Kur kthehemi në rrugicën ku banon Njurka, e shohim të ulur në verandë nën rrezet e diellit, me kokën lart dhe me një buzëqeshje në fytyrë. E pyes përse buzëqesh. Ajo përgjigjet: «Po mendoja për të ardhmen kur toka të jetë parajsë. Po e përfytyroja veten atje.»
[Figura në faqen 25]
Njurka me disa pjesëtarë të kongregacionit tonë përpara Sallës së Mbretërisë
[Figura në faqen 25]
Njurka flet me të tjerët për ato që ka mësuar