Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbrohen të drejtat e viktimave të dhunës

Mbrohen të drejtat e viktimave të dhunës

Mbrohen të drejtat e viktimave të dhunës

MË 3 maj 2007, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Francë, njëzëri mori një vendim në mbrojtje të Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën e Gjeorgjisë. Gjykata zbuloi se Dëshmitarët ishin trajtuar çnjerëzisht dhe u ishte shkelur e drejta e lirisë së fesë. Gjithashtu, Gjykata i hoqi vërejtje qeverisë së mëparshme të Gjeorgjisë, pasi s’kishte ndërmarrë veprime ligjore kundër autorëve të aktit kriminal. Cilat ngjarje çuan në këtë vendim?

Më 17 tetor 1999, të 120 pjesëtarët e kongregacionit Gldani të Dëshmitarëve të Jehovait në Tbilis, kryeqyteti i Gjeorgjisë, ishin mbledhur paqësisht për të adhuruar Perëndinë. Befas, një turmë e madhe e drejtuar nga Vasil Mkalavishvili, një prift ortodoks i zhveshur nga rroba priftërore, hyri me forcë në sallën e mbledhjes. E armatosur me kërbaçë dhe kryqe hekuri, turma sulmoi me egërsi të pranishmit. Shumë u plagosën dhe disa ishin në gjendje mjaft të rëndë. Një gruaje iu dëmtua përgjithmonë njëri sy nga goditjet që mori. Të paktën 16 veta kishin nevojë për kujdes mjekësor. Kur disa Dëshmitarë shkuan për ndihmë në rajon, shefi i policisë u tha se ai do t’i kishte trajtuar edhe më keq. Sulmin e filmoi dikush nga turma dhe më pas u transmetua në stacionet televizive kombëtare, duke treguar qartë cilët ishin autorët. *

Dëshmitarët që ishin viktima të sulmit, ngritën padi penale, por nuk u ndërmor asnjë veprim kundër keqbërësve. Një hetues i policisë që u ngarkua me këtë çështje, tha se ishte besimtar ortodoks dhe nuk mund të tregohej i paanshëm. Pasiviteti i autoriteteve u dha krahë ekstremistëve fetarë që të kryenin mbi njëqind sulme të tjera.

Kështu, më 29 qershor 2001, Dëshmitarët e Jehovait paraqitën një kërkesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. * Në vendimin përfundimtar që u dha më 3 maj 2007, Gjykata bënte një përshkrim të hollësishëm të sulmit dhe dënonte mosndërhyrjen e autoriteteve shtetërore. Gjykata thoshte se «autoritetet . . . kishin për detyrë të vepronin menjëherë për të verifikuar informatat» rreth sulmit. Në vendim thuhej: «Tolerimi i akteve të tilla nga autoritetet, s’bën gjë tjetër veçse minon besimin e njerëzve te drejtësia e ligjit dhe te mbrojtja e ligjit nga shteti.»

Gjykata nxori këtë përfundim: «Meqë sulmi kundër palës paditëse që u bë më 17 tetor 1999 ishte akti i parë i një agresioni në shkallë të gjerë kundër Dëshmitarëve të Jehovait, neglizhenca e autoriteteve i hapi rrugë shtrirjes së dhunës fetare në mbarë Gjeorgjinë nga i njëjti grup sulmuesish.»

Si rrjedhojë, u mbrojtën të drejtat e viktimave të këtij sulmi të dhunshëm, dhe qeveria e Gjeorgjisë u urdhërua t’u paguante dëmet e shpenzimet ligjore pjesëtarëve të kongregacionit Gldani. Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji janë të lumtur që dhuna dhe mizoria thuajse kanë marrë fund, por edhe gëzojnë se vendimi i Gjykatës mbron të drejtën e tyre për t’u mbledhur paqësisht që të adhurojnë Perëndinë. Për këtë i janë shumë mirënjohës Atit të tyre qiellor, Perëndisë Jehova, drejtimin dhe mbrojtjen e të cilit e kanë ndier gjithë kohës.—Psalmi 23:4.

[Shënimet]

^ par. 3 Për më shumë hollësi, shih Zgjohuni! të shkurtit 2002, faqet 18-24, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 5 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një organ i Këshillit të Evropës dhe shqyrton akuzat rreth shkeljeve të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Gjeorgjia e nënshkroi konventën më 20 maj 1999, e kështu mori përsipër të respektonte nenet e saj.