Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund të jemi të lumtur pavarësisht nga zhgënjimet

Mund të jemi të lumtur pavarësisht nga zhgënjimet

Mund të jemi të lumtur pavarësisht nga zhgënjimet

KUSH nuk është zhgënjyer ndonjëherë? Edhe Ati ynë qiellor, Perëndia Jehova, ka ndier dhembjen që sjell zhgënjimi. Për shembull, ai i çliroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt dhe i bekoi me bollëk. Megjithatë, Bibla thotë: «Sa e sa herë e vunë Perëndinë në provë, i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit.» (Psalmi 78:41) Prapëseprapë, Jehovai ka qenë gjithnjë ‘Perëndia i lumtur’.—1 Timoteut 1:11.

Të shumta janë shkaqet që sjellin zhgënjim. Ç’mund të bëjmë që të mos na grabitin lumturinë? Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si i zgjidhi situatat zhgënjyese Perëndia Jehova?

Gjëra që na zhgënjejnë

Fjala e Perëndisë thotë se të gjithëve na rastis të kalojmë e të përjetojmë «kohë të vështira dhe . . . ngjarje të paparashikuara». (Eklisiastiu 9:11) Krejt papritur, një krim, një aksident apo ndonjë sëmundje mund të sjellë vuajtje të mëdha, dhe si pasojë zhgënjim. Bibla thotë: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën.» (Proverbat 13:12) Kur presim me padurim diçka të mirë, jemi gjithë gëzim, por, nëse kjo nuk arrihet shpejt, mund të ndihemi të dëshpëruar e të zhgënjyer. Për shembull, Dankanit, * që dëshironte me gjithë zemër të ishte misionar, pasi kaloi shumë vite në këtë lloj shërbimi, bashkë me gruan iu desh të kthehej në vendin e tij. Ai tha: «Për herë të parë në jetë ndihesha i çorientuar. S’kisha asnjë synim. Asgjë nuk më dukej e rëndësishme.» Ndjenja e dhembjes mund të zgjasë, siç ndodhi me Klarën. Ajo shpjegon: «Isha në muajin e shtatë të shtatzënisë, kur dështova fëmijën. Kjo ndodhi vite më parë, por edhe sot e kësaj dite, kur shoh ndonjë djalë të bëjë fjalime nga podiumi, them me vete: ‘Ja, kaq do ta kisha djalin tani.’»

Mund të jetë e dhembshme edhe kur të tjerët na zhgënjejnë, si për shembull, kur ndërpritet një periudhë njohjeje, një martesë dështon, një fëmijë rebelohet, një shok nuk tregohet besnik apo kur një mik është mosmirënjohës. Meqë jetojmë me njerëz të papërsosur dhe në kohë të vështira, mundësitë për t’u zhgënjyer janë pa fund.

Edhe mosarritjet tona mund të na zhgënjejnë. Për shembull, mund të ndihemi të pavlerë kur s’kalojmë ndonjë provim, kur s’arrijmë të fitojmë një vend pune apo kur s’ia fitojmë dot zemrën dikujt. Mund të ndihemi të zhgënjyer me veten edhe kur dikush që e duam nuk bën përparim si i krishterë. Meri thotë: «Vajza dukej sikur po ecte mirë. Mendoja se kisha lënë një shembull të mirë. Por, kur ajo e braktisi Perëndinë Jehova dhe parimet e familjes sonë, m’u duk sikur kisha dështuar plotësisht. Asnjë nga arritjet që kisha në fusha të tjera të jetës nuk më bënte të ndihesha më mirë. Isha shumë e shkurajuar.»

Si t’i përballojmë zhgënjime të tilla? Për të marrë përgjigjen, të shqyrtojmë se si Jehovai ka vepruar në rrethana zhgënjyese.

Të përqendrohemi te zgjidhja

Ndonëse Perëndia Jehova i dha çiftit të parë njerëzor gjithçka që i duhej, ata u treguan mosmirënjohës dhe u rebeluan. (Zanafilla, kapitujt 2 dhe 3) Më pas, djali i tyre, Kaini, nisi të shfaqte një qëndrim të keq. Ai shpërfilli paralajmërimin e Jehovait dhe vrau të vëllanë. (Zanafilla 4:1-8) A mund ta imagjinojmë zhgënjimin që ndjeu Jehovai?

Por, pse zhgënjimi nuk ia grabiti lumturinë Perëndisë? Sepse qëllimi i tij ishte ta mbushte tokën me njerëz të përsosur, dhe ai vazhdoi të punonte për ta përmbushur këtë qëllim. (Gjoni 5:17) Për këtë arsye, ai siguroi flijimin shpërblyes dhe Mbretërinë e tij. (Mateu 6:9, 10; Romakëve 5:18, 19) Perëndia Jehova nuk u përqendrua te problemi, por te zgjidhja.

Fjala e Perëndisë na nxit të përqendrohemi në gjëra pozitive, në vend që ta mbajmë mendjen tek ato që mund të kishim bërë ose duhej të kishim bërë. Bibla thotë: «Vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë që vlerësohet si serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar.»—Filipianëve 4:8.

Pikëpamja e duhur për zhgënjimet

Mund të ndodhin gjëra që na e ndryshojnë jetën krejtësisht. Për shembull, papritur mund të humbim punën, bashkëshortin a bashkëshorten, ose privilegjet që mund të kemi pasur në kongregacion. Mund të sëmuremi, të humbim shtëpinë ose miqtë. Si t’u bëjmë ballë këtyre ndryshimeve?

Disave u është dukur e dobishme të përcaktojnë se cilat gjëra janë më të rëndësishme. Dankani që përmendëm më parë thotë: «Kur gruaja dhe unë e kuptuam se s’mund të bënim më atë jetë që kishim më parë, u ndiem përtokë. Por, së fundi, vendosëm se cilat do të ishin dy përparësitë tona: të kujdeseshim për mamanë dhe, po të ishte e mundur, të vazhdonim shërbimin në kohë të plotë. Kur duhet të marrim vendime, diskutojmë se si do të ndikojnë ato te përparësitë që kemi vendosur. Kjo na e bën gjithçka më të lehtë.»

Shumë nga ne, kur zhgënjehemi, kemi prirjen t’i zmadhojmë gjërat negative. Për shembull, përpjekjet tona për të rritur një fëmijë, për t’u kualifikuar për një punë apo për të predikuar lajmin e mirë në një gjuhë ose vend të huaj, mund të mos japin rezultatet që presim. Mund të mendojmë: ‘Nuk jam i zoti për asgjë.’ Mirëpo, ashtu si fillimi zhgënjyes i njerëzimit nuk tregoi se Perëndia ishte i pazoti, edhe zhgënjimet që provojmë kur përpjekjet tona nuk sjellin rezultat të menjëhershëm, nuk tregojnë se jemi të pazotë.—Ligji i përtërirë 32:4, 5.

Është e lehtë të reagojmë me mllef kur të tjerët na zhgënjejnë. Por, Jehovai nuk vepron kështu. Mbreti David e zhgënjeu kur kreu kurorëshkelje me një grua të martuar dhe bëri që të vritej burri i saj. Gjithsesi, Jehovai pa pendimin e sinqertë të Davidit dhe vazhdoi ta përdorte si shërbëtorin e tij. Po kështu, mbreti besnik Jehozafat gaboi kur lidhi aleancë me armiqtë e Perëndisë. Profeti i Jehovait i tha: «Jehovai është indinjuar me ty. Megjithatë, te ti janë gjetur gjëra të mira.» (2 Kronikave 19:2, 3) Jehovai e dinte se Jehozafati nuk ishte tradhtar vetëm sepse bëri një gabim. Në mënyrë të ngjashme, nuk do të prishim miqësinë me të tjerët, nëse nuk e bëjmë të madhe kur ata gabojnë. Miqtë që na zhgënjejnë, ende kanë cilësi të shkëlqyera.—Kolosianëve 3:13.

Zhgënjimet mund t’i shohim si përvoja të nevojshme, përgjatë udhës së suksesit. Mund të zhgënjehemi edhe me veten kur mëkatojmë. Megjithatë, mund ta marrim veten, nëse me vendosmëri ndërmarrim veprimin e duhur dhe vazhdojmë përpara. Kur mbreti David ishte thellësisht i zhgënjyer me veten, shkroi: «Kockat më treteshin nga rënkimi gjithë ditën e ditës. . . . Më në fund [o Jehova] ta rrëfeva mëkatin tim. . . . Dhe ti e fale ligësinë e mëkateve të mia.» (Psalmi 32:3-5) Nëse kuptojmë që nuk kemi bërë atë që Perëndia pret nga ne, duhet t’i kërkojmë falje Perëndisë, të ndryshojmë rrugë e të jemi të vendosur që, në të ardhmen, t’i zbatojmë më mirë këshillat e tij.—1 Gjonit 2:1, 2.

Të përgatitemi që tani për zhgënjimet

S’ka dyshim se të gjithë do të pësojmë ndonjë zhgënjim në të ardhmen. Ç’mund të bëjmë që të jemi të përgatitur? Janë interesante fjalët e Brunos, një i krishterë i moshuar, i cili përjetoi një zhgënjim që i ndryshoi jetën. Ai tha: «Vazhdova të bëja po ato gjëra që kisha bërë më parë për të mbajtur një marrëdhënie të fortë me Perëndinë, dhe kjo më ndihmoi shumë të përballoja zhgënjimin. Kisha mësuar pse Perëndia e lejon të vazhdojë këtë botë mizore. Për vite të tëra isha përpjekur të lidhja një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Jam shumë i kënaqur që e kam bërë këtë. Më ngushëllonte mendimi se ai ishte me mua, dhe kjo më ndihmoi të përballoja depresionin që kalova.»

Kur mendojmë për të ardhmen, mund të jemi të sigurt për një gjë: mund të zhgënjehemi me veten ose mund të na zhgënjejnë të tjerët, ama Perëndia nuk do të na zhgënjejë kurrë. Në fakt, Perëndia ka thënë se emri i tij, Jehova, do të thotë «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem». (Dalja 3:14) Kjo na jep sigurinë se ai do të bëhet ç’të jetë e nevojshme për të përmbushur qëllimet e veta. Ai ka premtuar se me anë të Mbretërisë së tij, vullneti i tij do të bëhet «si në qiell, edhe në tokë». Ja përse apostulli Pavël shkroi: «Jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, . . . as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»—Mateu 6:10; Romakëve 8:38, 39.

Mund të presim të sigurt përmbushjen e premtimit që Perëndia bëri nëpërmjet profetit Isaia: «Unë po krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re. Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër.» (Isaia 65:17) Sa gjë e mrekullueshme është që së shpejti të gjitha kujtimet e hidhura që na kanë lënë zhgënjimet, do t’i përkasin së shkuarës!

[Shënimi]

^ par. 5 Disa emra janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 13]

Zhgënjimet që provojmë kur përpjekjet tona nuk sjellin rezultat të menjëhershëm, nuk tregojnë se jemi të pazotë

[Diçitura në faqen 14]

Fjala e Perëndisë na nxit të përqendrohemi në gjëra pozitive, në vend që ta mbajmë mendjen tek ato që mund të kishim bërë

[Figurat në faqen 15]

Pavarësisht nga dështimet e njerëzve, Perëndia është i lumtur, sepse është i sigurt se qëllimi i tij do të përmbushet

[Figura në faqen 16]

Mund të përballojmë zhgënjimet nëse vëmë në vend të parë gjërat që na forcojnë marrëdhënien me Perëndinë