Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku do të bëhet lufta e Harmagedonit?

Ku do të bëhet lufta e Harmagedonit?

Lexuesit pyesin

Ku do të bëhet lufta e Harmagedonit?

Lufta e Harmagedonit nuk do të bëhet në një sheshbetejë të caktuar. Përkundrazi, sheshbeteja do të jetë e gjithë toka. Pse? Sepse dy palët kundërshtare janë kaq të shumta në numër, sa s’ka një vend aq të madh që t’i mbajë.

Harmagedoni ose Armagedoni, siç gjendet në disa përkthime, njihet edhe si ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’. Perëndia Jehova do të mbledhë nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit, një ushtri engjëjsh për të luftuar kundër forcave të bashkuara të gjithë udhëheqësve të ligj të tokës.—Zbulesa 16:14; 19:11-16.

Në njëfarë mënyre, kombet bien në karremin e forcave satanike që i joshin të hyjnë në betejë. Bibla thotë se ‘shprehjet e frymëzuara nga demonët’ shkojnë «te mbretërit [udhëheqësit] e mbarë tokës së banuar, që t’i mbledhin . . . në vendin që në hebraisht quhet Harmagedon».—Zbulesa 16:14-16.

Zbulesa, si asnjë libër tjetër, ka ndezur imagjinatën e shumë e shumë lexuesve të Biblës. Mjaft lexues që e marrin fjalë për fjalë këtë libër, kanë piketuar vendin e saktë ku sipas tyre do të fillojë beteja, dhe ndjekin me ankth ngjarjet në atë zonë. Koncepti i lidhjes së Harmagedonit me një vend të caktuar mund të ketë ardhur nga libri më i hershëm në greqisht që komenton Zbulesën, shkruar në shekullin e gjashtë të e.s. nga Oekumeni.

Xhon F. Ualvurdi, ish-president i Seminarit Teologjik të Dallasit, pasqyron një pikëpamje të përhapur mes klerit fondamentalist, kur thotë se Harmagedoni është «beteja e fundit vetëshfarosëse e një lufte botërore të pashpresë, me qendër në Lindjen e Mesme». Ualvurdi përcakton si epiqendrën e kësaj beteje të madhe të ardhshme rrënojat e qytetit të lashtë të Megidos, që ngrihen në një kodrinë rreth 20 metra të lartë mbi luginën aty pranë.

Megjithatë, libri i Zbulesës nuk është një hartë rrugësh që të çon në një vend të mirëfilltë të quajtur Harmagedon. Që në fjalët hapëse ai thotë se tregimi paraqitet ‘me anë të shenjave’. (Zbulesa 1:1) Dëshmitarët e Jehovait shumë kohë më parë kanë thënë në botimin e tyre në anglisht Studime mbi Shkrimet, vëllimi IV: «Nuk duhet të presim që njerëzit të grumbullohen me të vërtetë në kodrën e Megidos.»

Ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën në Megido, lënë të kuptohet se armiqtë e Perëndisë do të gjenden në një situatë pa rrugë shpëtimi. Pra, në Harmagedon Perëndia do të sigurohet që tërë ligësia dhe shthurja të marrë fund një herë e mirë në çdo cep të globit.—Zbulesa 21:8.

Ata që duan Jehovain dhe Birin e tij, Jezu Krishtin, s’kanë pse të kenë frikë nga Harmagedoni. Perëndia do ta bëjë këtë betejë vetëm kundër njerëzve që i shikon si të ligj të pandreqshëm. Lufta e tij nuk do të shkatërrojë ç’të gjejë përpara. «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor.» (2 Pjetrit 2:9) Në Psalmin 37:34 gjendet një premtim që na e ngroh zemrën: «Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën. Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.»