Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Lufta që do t’u japë fund gjithë luftërave»

«Lufta që do t’u japë fund gjithë luftërave»

«Lufta që do t’u japë fund gjithë luftërave»

‘Ju premtoj se kjo do të jetë lufta përfundimtare—lufta që do t’u japë fund gjithë luftërave.’—UDROU UILSON, PRESIDENT I SHBA-së (1913-1921).

KËTO ishin shpresat e mëdha që ushqente një burrë shteti në mbarim të Luftës I Botërore, rreth 90 vjet më parë. Ai konflikt botëror ishte aq i tmerrshëm, sa ata që dolën fitimtarë donin—madje kishin nevojë—të besonin se sakrificat e tyre të shumta do të sillnin dobi të përhershme. Mirëpo, rrallë luftërat i zgjidhin problemet, e jo më pastaj të zhdukin vetë luftën, që ka rrënjë të thella.

Gati 20 vjet pasi presidenti Uilson bëri atë premtim të nxituar, shpërtheu Lufta II Botërore. Ajo shkaktoi më shumë vdekje e shkatërrim se e mëparshmja. Zhvillimet teknologjike gjatë dy dhjetëvjeçarëve që ndanë dy luftërat, e kishin bërë njerëzimin mjeshtër të vrasjeve në masë. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit botërorë e kuptuan se lufta kishte marrë përmasa më të mëdha se kurrë më parë.

Në vitin 1945, gjenerali amerikan Dagllas Mak-Arturi deklaronte: «Kjo ishte mundësia jonë e fundit për t’u dhënë fund luftërave. Nëse nuk shpikim ndonjë sistem më të madh e më të mirë, Harmagedoni po na troket në derë.»

Gjenerali Mak-Arturi e dinte se ç’kishin bërë dy bombat atomike në Nagasaki dhe Hiroshima gjatë ditëve të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Shkatërrimi i llahtarshëm i atyre dy qyteteve japoneze, bëri që gjenerali t’i jepte një domethënie të re fjalës «Harmagedon»—një shkrumbim i plotë bërthamor që mund të sjellë fundin e qytetërimit në planetin tonë.

Frika e një shfarosjeje të mundshme bërthamore vazhdon të mundojë njerëzimin. Në vitet 60 të shekullit XX, superfuqitë botërore kishin ndërtuar një strategji të «shkatërrimit të sigurt reciprok». Qëllimi i tyre ishte të kishin një sasi të mjaftueshme raketash dhe sisteme për lëshimin e tyre që do të garantonin shkatërrimin e 25 për qind të popullsisë civile të armikut dhe 50 për qind të kapacitetit industrial—pavarësisht se cila palë e niste konfliktin. Të paktë ishin njerëzit që i ngushëlloi kjo strategji për ruajtjen e paqes botërore.

Sot, numri i armëve bërthamore vazhdon të rritet dhe luftërat rajonale vazhdojnë të shkaktojnë vdekje të panumërta. Mundësia e një shkrumbimi bërthamor ende kërcënon njerëzimin. Ndonëse njerëzit digjen nga dëshira për të parë fundin e luftërave, vetëm pak besojnë se kjo mund të arrihet falë ndonjë lufte apo strategjie tjetër ushtarake ose politike.

Gjithsesi, Bibla përshkruan me të vërtetë një luftë të veçantë që do t’u japë fund gjithë luftërave. Ajo e quan këtë luftë «Harmagedon»—po ajo fjalë që njerëzit shpesh e lidhin me një katastrofë bërthamore. Si mund të sjellë vërtet fundin e luftërave Harmagedoni? Artikulli tjetër do t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje.

[Burimi i figurës në faqen 3]

Fotografi nga DTRA

[Burimi i figurës në faqen 4]

Nagasaki, Japoni, 1945: fotografi nga USAF