Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ndikon te ne mbretëria e lashtë e Lidisë?

Si ndikon te ne mbretëria e lashtë e Lidisë?

Si ndikon te ne mbretëria e lashtë e Lidisë?

MBASE nuk ke dëgjuar kurrë për mbretërinë e lashtë të Lidisë, ndaj mund të çuditesh po të mësosh se një zbulim i bërë atje, ndryshoi mënyrën se si bën tregti bota. Veç kësaj, lexuesit e Biblës çuditen edhe kur mësojnë se si një shpikje e bërë në Lidi hedh dritë mbi një profeci biblike të koklavitur. Çfarë zbuluan lidianët? Para se të përgjigjemi, do të ishte me interes të dinim diçka për këtë perandori thuajse të harruar.

Mbretërit e Lidisë sundonin nga kryeqyteti i tyre, Sarda, që gjendej në pjesën perëndimore të asaj që atëherë quhej Azia e Vogël, ndërsa sot Turqia. Kresi, mbreti i fundit i Lidisë, bëri pasuri përrallore, por më vonë, rreth vitit 546 p.e.s., e humbi perandorinë në luftë me Kirin e Madh të Persisë, me po atë që pak vjet më vonë pushtoi Perandorinë Babilonase.

Thuhet se tregtarët përparimtarë të Lidisë ishin të parët që përdorën monedhat. Ari dhe argjendi ishin përdorur për një kohë të gjatë si para, por forma e çrregullt e shufrave dhe unazave të arit, bënte që njerëzit t’i peshonin sa herë që shitnin e blinin. Në Izrael, për shembull, kur Jeremia, profeti i Perëndisë, bleu një copë tokë, shkroi: «Ia peshova paratë; shtatëmbëdhjetë sikla argjendi.»—Jeremia 32:9, Dio.

Bashkëkohësit e Jeremisë në Lidi zbuluan diçka që e thjeshtoi tregtinë: përdorimin e monedhave, pesha standarde e të cilave garantohej nga një stampë zyrtare në secilën prej tyre. Monedhat e para të Lidisë përbëheshin nga një përzierje natyrore ari dhe argjendi, që quhet elektrum. Kur Kresi u bë mbret, i zëvendësoi ato me monedha argjendi dhe ari pothuajse të pastër. Me këto dy monedha, njëra prej ari e tjetra prej argjendi, lidianët shpikën një sistem këmbimi, sipas të cilit 12 monedha argjendi ishin baraz me një monedhë ari. Mirëpo, ky sistem kërcënohej nga monedha false ari të përziera me metale më pak të vlefshme. Tregtarëve u duhej një mënyrë e lehtë për të provuar pastërtinë e arit.

Lidianët zbuluan se këtë problem do ta zgjidhte një lloj guri i zi që gjendej atje dhe quhej guri i Lidisë. Nëse monedhën e fërkonin te ky gur petashuq, por me veti paksa gërryese, mbetej shenjë. Ngjyra e kësaj shenje krahasohej me ngjyrën e shenjave të tjera të bëra nga gjilpëra që dihej se kishin një përmbajtje të mirë ari, dhe kështu zbulohej sasia e arit të pastër në monedhë. Ky zbulim, guri i provës, i bëri monedhat më të besueshme. Por, si na ndihmon guri i provës të kuptojmë Biblën?

«Gurë prove» në Bibël

Prova e arit u bë një praktikë e zakonshme midis tregtarëve, e ndërkohë shprehja «gur prove» filloi të merrte kuptimin «metodë prove». Në greqisht, në gjuhën në të cilën u shkrua një pjesë e Biblës, kjo fjalë i referohej edhe mundimit të njerëzve që kalonin provën e torturës.

Fjala që vinte nga «gur prove» u referohej edhe rojave të burgut, meqë torturonin të burgosurit. Për shembull, në Bibël gjejmë ilustrimin e Jezuit ku tregohet se një skllav mosmirënjohës u dorëzohet «rojave të burgut» ose siç thuhet në disa përkthime «torturuesve». (Mateu 18:34; Dio, DSF) Për këtë varg, The International Standard Bible Encyclopaedia, komenton: «Ka të ngjarë që burgimi në vetvete të konsiderohej si ‘torturë’, (që pa dyshim ishte), dhe ‘torturuesit’ nuk ishin veçse rojat e burgut.» Kjo na ndihmon të kuptojmë një varg të Biblës që ka ngjallur shumë kureshtje.

Zgjidhet një enigmë

Lexuesit e sinqertë të Biblës kanë pyetur prej kohësh ç’do të bëhet me Satanain. Bibla thotë: «Djalli . . . u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku gjendeshin tashmë edhe bisha me profetin e rremë. Ata do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.» (Zbulesa 20:10) Kuptohet, as që bëhet fjalë që Jehovai të lejojë që dikush të torturohet përgjithmonë, pasi kjo bie ndesh me dashurinë dhe drejtësinë e tij. (Jeremia 7:31) Veç kësaj, Bibla e paraqet jetën e përhershme si dhuratë, jo si ndëshkim. (Romakëve 6:23) Pra, është e qartë se Zbulesa 20:10 është shkruar me gjuhë simbolike. Bisha dhe liqeni i zjarrit janë simbolikë. (Zbulesa 13:2; 20:14) Po mundimi, a është simbolik? Çfarë mund të nënkuptojë ai?

Siç kemi parë, fjala greke për ‘mundim’ vjen nga fjala që do të thotë «gur prove», dhe mund t’u referohet torturës së burgimit. Pra, mundimi i përhershëm i Satanait, mund të nënkuptojë se ai kyçet përgjithmonë në burgun më të sigurt, vetë vdekjen.

Provat që bëheshin në Lidi me gurin e provës na ndihmojnë të kuptojmë edhe diçka tjetër për ‘mundimin’ e përhershëm të Satanait, që është në harmoni me dashurinë e Perëndisë. Në disa gjuhë, «guri i provës» i referohet kriterit që vë në provë gjërat. Për shembull, në shqip, «gur prove» nënkupton parimin a kriterin themelor që shërben për të përcaktuar vlerën ose vërtetësinë e diçkaje. Pra, ‘mundimi’ i përhershëm i Satanait nënkupton se gjykimi i tij do të shërbejë gjithnjë si një gur prove, që mund të vlejë nëse në të ardhmen ndodh një rebelim kundër Jehovait. S’do të jetë më kurrë e nevojshme që sundimi i Jehovait të vihet në provë për një kohë të gjatë, vetëm për të treguar se kundërshtari e ka gabim.

Duke ditur pse tregtarët kudo përvetësuan provën që bëhej në Lidi me gurin e provës dhe duke kuptuar shprehjet e figurshme që lindën nga kjo praktikë, e kemi më të qartë çfarë do të ndodhë me Satanain. Fundi i tij do të shërbejë përgjithmonë si gur prove për gjykimin që i jep të drejtë Perëndisë të mos e tolerojë rishtas rebelimin.—Romakëve 8:20.

[Diçitura në faqen 23]

Mundimi simbolik i Satanait nënkupton se gjykimi i tij do të shërbejë përgjithmonë si gur prove

[Harta në faqen 21]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Deti i Zi

LIDI

SARDË

Deti Mesdhe

[Figura në faqen 21]

Rrënojat e sardës së lashtë

[Figura në faqen 22]

Në lashtësi, peshoret përdoreshin për të peshuar paratë

[Burimi]

E. Strouhal/​Werner Forman/​Art Resource, NY

[Figurat në faqet 22, 23]

Prova me anë të gurit të provës ka mbijetuar deri më sot

[Burimet]

Monedha: Me mirësjellje nga Classical Numismatic Group, Inc.; gur prove: Science Museum/​Science & Society Picture Library

[Burimi i figurës në faqen 21]

Monedhë elektrumi: Me mirësjellje nga Classical Numismatic Group, Inc.