A janë katastrofat natyrore ndëshkim nga Perëndia?
Lexuesit pyesin
A janë katastrofat natyrore ndëshkim nga Perëndia?
Perëndia nuk i ndëshkon njerëzit me katastrofa natyrore. S’e ka bërë dhe as do ta bëjë kurrë. Pse? Sepse «Perëndia është dashuri»,—thotë Bibla te 1 Gjonit 4:8.
Çdo gjë që bën Perëndia buron nga dashuria. Dashuria nuk i sjell dëm të pafajshmit, pasi Bibla thotë se «dashuria nuk i bën keq të afërmit». (Romakëve 13:10) Te Jobi 34:12, Bibla thotë: «Po, kështu është, Perëndia nuk vepron me ligësi.»
Është e vërtetë që Bibla ka parathënë se në ditët tona do të ketë katastrofa, si «tërmete të mëdha». (Luka 21:11) Por Jehovai s’është aspak përgjegjës për shkatërrimin që sjellin ato, njësoj si nuk është përgjegjës meteorologu për dëmin që sjell një tajfun i paralajmëruar prej tij. Meqë Perëndia nuk ka gisht në katastrofat natyrore që sjellin vuajtje, atëherë kush i shkakton?
Bibla thotë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», Satana Djallit. (1 Gjonit 5:19) Ai ka qenë vrasës që kur u rebelua në fillimet e njerëzimit e deri në ditët tona. (Gjoni 8:44) Për Satanain jeta e njeriut s’ka as vlerë, as rëndësi. Atë e drejton ambicia egoiste, ndaj s’është çudi që ka krijuar një sistem mbarëbotëror ku ka epërsi egoizmi. Sot jetojmë në një sistem botëror ku egoistët detyrojnë shumë të pafajshëm të jetojnë në vende të rrezikuara, qoftë nga katastrofat natyrore, qoftë nga katastrofa të shkaktuara nga njeriu. (Efesianëve 2:2; 1 Gjonit 2:16) Prandaj, për vuajtjen e këtyre viktimave duhen fajësuar njerëzit lakmitarë. (Eklisiastiu 8:9) Përse?
Njeriu është deri diku shkaktar i një numri befasues katastrofash. Për shembull, të ndalemi te vuajtjet e banorëve të Nju-Orleansit, SHBA, qyteti i të cilëve u përmbyt nga një uragan. Të mendojmë për shtëpitë e rrafshuara nga rrëshqitjet e dheut të maleve buzë brigjeve të Venezuelës. Në këto raste dhe të tjera, dukuritë e natyrës si shiu dhe era sollën pasoja katastrofike kryesisht për shkak të padijes lidhur me mjedisin, aftësive të dobëta inxhinierike, të metave në projektim, mosdëgjimit të paralajmërimeve dhe burokracisë në administratë, ku strumbullari ka qenë njeriu.
Le të ndalemi te një katastrofë në kohët biblike. Rënia e beftë e një kulle në ditët e Jezuit u mori jetën 18 vetave. (Luka 13:4) Kjo katastrofë mund të ketë qenë pasojë e një gabimi njerëzor dhe e ‘kohës së vështirë e ngjarjes së paparashikuar’ ose e të dyjave, por assesi pasojë e gjykimit të Perëndisë.—Eklisiastiu 9:11.
Po Perëndia, a ka shkaktuar ndonjë katastrofë? Po, por ndryshe nga katastrofat natyrore ose të shkaktuara nga njeriu, ato ishin përzgjedhëse, kishin një qëllim dhe ishin jashtëzakonisht të rralla. Dy shembuj janë Përmbytja globale në kohën e patriarkut Noe dhe shkatërrimi i qyteteve të Sodomës e Gomorrës në kohën e Lotit. (Zanafilla 6:7-9, 13; 18:20-32; 19:24) Këto gjykime hyjnore shfarosën popullsi, ligësia e të cilëve ishte e pandreqshme, por lanë gjallë ata që ishin të drejtë në sytë e Perëndisë.
Ç’është e vërteta, Perëndia Jehova ka aftësinë, dëshirën dhe fuqinë për t’u dhënë fund të gjitha vuajtjeve e për të na çliruar nga pasojat e katastrofave natyrore. Në Psalmin 72:12 është parathënë se Jezu Krishti, Mbreti i emëruar nga Perëndia, «do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon».