Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të zgjedhësh një version të mirë të përkthimit të Biblës?

Si të zgjedhësh një version të mirë të përkthimit të Biblës?

Si të zgjedhësh një version të mirë të përkthimit të Biblës?

BIBLA u shkrua fillimisht në gjuhët e lashta hebraike, aramaike dhe greke. Prandaj, shumica e njerëzve që duan ta lexojnë, duhet të përdorin një përkthim të saj.

Bibla është libri më i përkthyer sot në botë​—disa pjesë të saj janë të përkthyera në 2.400 gjuhë. Disa gjuhë nuk kanë vetëm një përkthim të Biblës, por shumë të tilla. Meqë edhe në shqip ka disa përkthime të Biblës, me siguri dëshiron të lexosh përkthimin më të mirë që mund të gjesh.

Për të bërë një zgjedhje të mençur, ke nevojë të dish përgjigjet e këtyre pyetjeve: Sa lloje përkthimesh ekzistojnë? Cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të çdo lloji? Përse duhet të kesh kujdes kur lexon disa përkthime të Biblës?

Nga një ekstrem në tjetrin

Përkthimet e Biblës përfshijnë një shumëllojshmëri stilesh, të cilat ndahen në tri kategori kryesore. Në njërin ekstrem janë përkthimet interlineare. Këto përkthime përmbajnë tekstin në gjuhën origjinale bashkë me një përkthim fjalë për fjalë në një gjuhë tjetër.

Në ekstremin tjetër janë parafrazimet. Përkthyesit e këtyre versioneve i japin liri vetes ta shprehin mesazhin e Biblës ashtu siç e kuptojnë dhe në një mënyrë që ata mendojnë se do të ishte tërheqëse për lexuesit.

Kategoria e tretë përfshin ato përkthime që përpiqen të gjejnë një ekuilibër mes këtyre dy ekstremeve. Këto versione të Biblës mundohen të përcjellin domethënien dhe ngjyrimin e shprehjeve të gjuhës origjinale, ndërkohë që e përkthejnë tekstin në një mënyrë që të jetë i lehtë për t’u lexuar.

A janë përkthimet fjalë për fjalë më të mirat?

Shpesh një përkthim i ngurtë fjalë për fjalë nuk është mënyra më e mirë e mundshme për të shprehur domethënien e vargjeve biblike. Pse jo? Ka disa arsye. Ja dy prej tyre:

1. Nuk ekzistojnë dy gjuhë që të jenë saktësisht të ngjashme për sa i përket gramatikës, fjalorit dhe ndërtimit të fjalisë. Profesori i hebraishtes Samuel R. Drajvër thotë se gjuhët «ndryshojnë jo vetëm në gramatikë dhe në prejardhjen e fjalëve, por edhe . . . në mënyrën se si idetë lidhen në një fjali». Njerëzit që flasin gjuhë të ndryshme, mendojnë në mënyra të ndryshme. «Si pasojë,—vazhdon profesori Drajvër,—edhe mënyrat e ndërtimit të fjalive në gjuhë të ndryshme nuk janë të njëjta.»

Përderisa asnjë gjuhë nuk pasqyron saktësisht fjalorin dhe gramatikën e hebraishtes dhe të greqishtes biblike, një përkthim fjalë për fjalë i Biblës do të ishte i paqartë, madje mund të përcillte idenë e gabuar. Shqyrto shembujt e mëposhtëm.

Në letrën drejtuar Efesianëve, apostulli Pavël përdori një shprehje që fjalë për fjalë përkthehet «në kubin (zarin) e njeriut». (Efesianëve 4:14, Përkthimi Interlinear i Mbretërisë i Shkrimeve Greke) * Kjo shprehje lidhet me zakonin e mashtrimit të të tjerëve kur hidhnin zaret. Megjithatë, në shumicën e gjuhëve, një përkthim fjalë për fjalë i kësaj shprehjeje nuk ka kuptim. Përkthimi «nga dredhia e njerëzve» është një mënyrë më e qartë për të dhënë idenë.

Kur shkroi letrën drejtuar Romakëve, Pavli përdori një shprehje greke që fjalë për fjalë do të thotë «në frymë të zieni». (Romakëve 12:11, Përkthimi Interlinear) A kanë kuptim këto fjalë në gjuhën tënde? Faktikisht shprehja do të thotë «të zjarrtë në frymë».

Në një nga fjalimet e tij më të famshme, Jezui përdori një shprehje që shpesh është përkthyer: «Lum skamësit në frymë.» (Mateu 5:3) Mirëpo në shumë gjuhë ky përkthim fjalë për fjalë është i paqartë. Madje në disa raste, një përkthim i ngurtë fjalë për fjalë lë të kuptosh sikur «skamësit në frymë» janë të çekuilibruar mendërisht ose sikur janë të plogësht e të pavendosur. Por Jezui këtu po i mësonte njerëzit se nuk do të ishin të lumtur vetëm po të plotësonin nevojat fizike, por edhe po të pranonin se kishin nevojë të drejtoheshin nga Perëndia. (Luka 6:20) Prandaj, përkthimi «ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë», përcjell më saktësisht domethënien e shprehjes.—Mateu 5:3.

2. Domethënia e një fjale apo e një shprehjeje mund të ndryshojë në varësi të kontekstit. Për shembull, fjala hebraike që përdoret normalisht për dorën mund të ketë domethënie të ndryshme. Në varësi të kontekstit, kjo fjalë mund të përkthehet, për shembull, «kontroll», «bujari» ose «fuqi». (2 Samuelit 8:3; 1 Mbretërve 10:13; Danieli 12:7) Në fakt, në Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta kjo fjalë është përkthyer në anglisht në 40 mënyra të ndryshme.

Meqë konteksti mund të ndikojë në mënyrën se si përkthehet një fjalë, Përkthimi Bota e Re në anglisht përdor pothuajse 16.000 shprehje për të përkthyer rreth 5.500 terma të greqishtes biblike, dhe mbi 27.000 shprehje për të përkthyer rreth 8.500 terma të hebraishtes. * Përse ishte e nevojshme kjo shumëllojshmëri në përkthimin e fjalëve? Komiteti i përkthimit vendosi se ishte më e rëndësishme të përcillnin idenë më të mirë të këtyre fjalëve sipas kontekstit, sesa të bënin një përkthim të ngurtë fjalë për fjalë. Gjithsesi, për aq sa ka qenë e mundur, Përkthimi Bota e Re i ka përkthyer në mënyrë koherente fjalët hebraike dhe greke.

Qartë, të përkthesh Biblën do të thotë më shumë se vetëm të përkthesh njësoj fjalët e gjuhës origjinale sa herë që dalin në tekst. Përkthyesit duhet të përdorin mençuri për të zgjedhur fjalë që i paraqesin saktë dhe kuptueshëm idetë e tekstit në gjuhën origjinale. Për më tepër, ata duhet t’i lidhin fjalët dhe fjalitë në përkthimin e tyre në atë mënyrë që përputhet me rregullat gramatikore të gjuhës së tyre.

Ç’të themi për përkthimet e lira?

Përkthyesit e atyre që quhen rëndom parafrazime të Biblës apo përkthime të lira, i japin vetes liri të përkthejnë në një mënyrë që ndryshon nga teksti i gjuhës origjinale. Si e bëjnë këtë? Ose duke shtuar atë që ata mendojnë se është domethënia e tekstit origjinal, ose duke hequr informacione nga origjinali. Parafrazimet mund të jenë tërheqëse, sepse lexohen me lehtësi. Megjithatë, kjo përpjekje për ta bërë tekstin të lehtë për t’u lexuar, disa herë errëson ose ndryshon domethënien e tekstit origjinal.

Vër re se si e parafrazon një Bibël lutjen e famshme model të Jezuit: «Ati ynë në qiell, zbuloje se kush je.» (Mateu 6:9, The Message: The Bible in Contemporary Language) Një përkthim më i saktë i fjalëve të Jezuit thotë: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» Shqyrto, gjithashtu, se si është përkthyer Gjoni 17:26 në disa Bibla. Sipas një përkthimi të lirë, natën kur u arrestua Jezui iu lut Atit të tij: «Të bëra të njohur para tyre.» (Today’s English Version) Megjithatë, një përkthim më besnik i fjalëve të Jezuit është: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.» A e vure re se, në të vërtetë, disa përkthyes e fshehin faktin që Perëndia ka një emër, i cili duhet përdorur dhe nderuar?

Pse duhet të kemi kujdes?

Disa përkthime të lira i errësojnë normat morale që përcjell teksti origjinal. Për shembull, një Bibël i parafrazon kështu fjalët e 1 Korintasve 6:9, 10: «A s’e kuptoni që nuk jetohet në këtë mënyrë? Njerëzit e padrejtë, që nuk duan t’ia dinë për Perëndinë, nuk do të futen në mbretërinë e tij. Ata që përdorin dhe keqpërdorin njëri-tjetrin, që përdorin dhe keqpërdorin seksin, përdorin dhe keqpërdorin tokën dhe gjithçka në të, nuk kualifikohen si qytetarë të mbretërisë së Perëndisë.»—The Message: The Bible in Contemporary Language.

Krahasoje këtë version me përkthimin më të saktë që bën Përkthimi Bota e Re: «Çfarë?! A nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra, as hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» Shiko që hollësitë e përmendura nga apostulli Pavël në lidhje me sjelljet specifike që duhet të shmangim, nuk janë përmendur fare në përkthimin e lirë.

Edhe pikëpamjet doktrinale mund të ndikojnë në punën e përkthyesve. Për shembull, sipas Today’s English Bible, e njohur gjerësisht si Bibla e lajmit të mirë, Jezui u tha dishepujve të vet: «Hyni nëpër portën e ngushtë, sepse porta për në ferr është e gjerë dhe udha që të çon atje është e lehtë, dhe shumë e bëjnë atë udhë.» (Mateu 7:13) Përkthyesit kanë futur termin «ferr», ndonëse tregimi i Mateut thotë qartësisht «shkatërrim». Përse e kanë bërë këtë? Me sa duket, ngaqë duan të mbështetin idenë se të ligjtë nuk do të shkatërrohen, por do të torturohen përjetësisht. *

Si të gjesh përkthimin më të mirë?

Bibla u shkrua në gjuhën e zakonshme e që flitej përditë nga njerëzit e thjeshtë, si bujqit, barinjtë dhe peshkatarët. (Nehemia 8:8, 12; Veprat 4:13) Prandaj, një përkthim i mirë i Biblës e përcjell mesazhin e saj në mënyrë të kuptueshme për njerëzit me zemër të sinqertë, pavarësisht nga formimi i tyre. Një përkthim i mirë duhet të ketë edhe karakteristikat e mëposhtme:

Të përcjellë me saktësi mesazhin origjinal të frymëzuar nga Perëndia.—2 Timoteut 3:16.

Të përkthejë fjalë për fjalë domethënien e fjalëve, atëherë kur formulimi dhe struktura e tekstit origjinal e lejon një gjë të tillë edhe në gjuhën që po përkthehet.

Të transmetojë kuptimin e saktë të fjalëve ose të shprehjeve, kur një përkthim fjalë për fjalë i shprehjeve të gjuhës origjinale do të shtrembëronte ose errësonte domethënien.

Të përdorë një gjuhë të natyrshme e të lehtë për t’u lexuar, që u ngjall njerëzve dëshirën për të lexuar.

A ka një përkthim të tillë? Miliona lexues të kësaj reviste parapëlqejnë të lexojnë Përkthimin Bota e Re. Përse? Sepse janë dakord me metodën që ka ndjekur komiteti i përkthimit të kësaj Bible, sikurse thuhet në parathënien e botimit të parë në anglisht: «Nuk po paraqesim një parafrazim të Shkrimeve. Nga fillimi në fund jemi përpjekur të bëjmë një përkthim sa më fjalë për fjalë të ishte e mundur, për aq sa idiomat e anglishtes moderne e lejonin dhe përkthimi fjalë për fjalë nuk e errësonte në asnjë mënyrë domethënien.»

Përkthimi Bota e Re është shtypur plotësisht ose pjesërisht në më shumë se 60 gjuhë, me një total prej më shumë se 145.000.000 kopjesh! Përderisa Përkthimi Bota e Re është përkthyer edhe në shqip, pse të mos kërkosh një kopje nga Dëshmitarët e Jehovait e të shohësh me sytë e tu përparësitë e këtij përkthimi të saktë?

Ata që e studiojnë sinqerisht Biblën, duan ta kuptojnë mesazhin e frymëzuar nga Perëndia dhe të veprojnë në përputhje me të. Nëse je një prej tyre, të duhet një përkthim i saktë. Vërtet, ti e meriton një përkthim të tillë.

[Shënimet]

^ par. 13 Përkthimi interlinear u jep mundësi lexuesve të kenë një përkthim fjalë për fjalë të çdo fjale bashkë me tekstin në gjuhën origjinale.

^ par. 17 Ia vlen të përmendet se disa përkthime të Biblës në anglisht kanë një larmi më të madhe fjalësh me kuptim të ngjashëm sesa Përkthimi Bota e Re, e në këtë mënyrë janë më pak koherente.

^ par. 25 Bibla na mëson se kur vdesim, kthehemi në pluhur, se shpirti vdes dhe se nuk kemi më as mendime, as ndjenja. (Zanafilla 3:19; Eklisiastiu 9:5, 6; Ezekieli 18:4) Askund Bibla nuk mëson se shpirtrat e të ligjve torturohen përjetësisht në ndonjë ferr të zjarrtë.

[Diçitura në faqen 21]

Parafrazimet mund të jenë tërheqëse, sepse lexohen me lehtësi. Megjithatë, kjo përpjekje për ta bërë tekstin të lehtë për t’u lexuar, disa herë errëson ose ndryshon domethënien e tekstit origjinal

[Diçitura në faqen 22]

Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta është shtypur plotësisht ose pjesërisht në më shumë se 60 gjuhë, me një total prej më shumë se 145.000.000 kopjesh!

[Kutia dhe figura në faqen 20]

NJË PARAFRAZIM I LASHTË

Parafrazimet ose përkthimet e lira të Biblës, nuk janë diçka e re. Në kohët e lashta, judenjtë përpiluan ato që tani quhen Targumet Aramaike ose parafrazime të lira të Shkrimeve. Ndonëse nuk janë përkthime të sakta, ato tregojnë se si i kuptonin judenjtë disa tekste, si dhe i ndihmojnë përkthyesit të përcaktojnë domethënien e disa pjesëve të vështira. Për shembull, te Jobi 38:7, shpjegohet se shprehja «bijtë e Perëndisë» do të thotë «grupe engjëjsh». Te Zanafilla 10:9 Targumet tregojnë se parafjala hebraike që përshkruan Nimrodin shpreh armiqësi dhe ka kuptimin «kundër» ose «në kundërshtim me» dhe nuk ka thjesht kuptimin asnjanës «para». Këto parafrazime përdoreshin bashkë me tekstin e Biblës, por asnjëherë nuk kishin si qëllim të zëvendësonin vetë Biblën.

[Figura]

PJESË NGA «BIBLA SHUMËGJUHËSHE» E UOLLTONIT, 1657, JOBI 38:1-15

Teksti i Biblës në hebraisht (me përkthimin interlinear në latinisht)

Teksti korrespondues nga Targumi aramaik

[Figura në faqen 19]

PJESË NGA «PËRKTHIMI INTERLINEAR I MBRETËRISË I SHKRIMEVE GREKE», EFESIANËVE 4:14

Kolona majtas tregon një përkthim fjalë për fjalë. Kolona djathtas tregon përkthimin e domethënies

[Burimi i figurës në faqen 18]

Sfondi: Faltorja e Librit, Muzeu i Izraelit, Jerusalem