Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka rëndësi në ç’mënyrë e adhurojmë Perëndinë?

A ka rëndësi në ç’mënyrë e adhurojmë Perëndinë?

A ka rëndësi në ç’mënyrë e adhurojmë Perëndinë?

«FEJA është e rrënjosur thellë në natyrën njerëzore.» Kështu thoshte në një libër të tij profesori Alister Hardi. (The Spiritual Nature of Man) Rezultatet e një sondazhi të kohëve të fundit duket se e mbështetin këtë përfundim. Sipas tij rreth 86 për qind e popullsisë së botës thonë se praktikojnë ndonjë formë adhurimi.

Gjithashtu, sondazhi zbuloi se besimtarët u përkasin 19 feve kryesore dhe ata që pohojnë se janë të krishterë janë pjesë e një numri të jashtëzakonshëm prej 37.000 grupesh fetare të ndryshme. A nuk të shtyn kjo të pyesësh veten nëse Perëndia i pranon njësoj të gjitha këto mënyra të ndryshme adhurimi? Në fakt, a ka rëndësi në ç’mënyrë e adhurojmë Perëndinë?

Për këtë çështje kaq të rëndësishme nuk mund të vendosim thjesht në bazë të ndjenjave apo të mendimeve personale. Është e logjikshme të mendojmë se na duhet të zbulojmë pikëpamjen e Perëndisë për këtë çështje. Për ta bërë këtë, duhet t’i drejtohemi Fjalës së Perëndisë, Biblës. Përse? Sepse vetë Jezu Krishti i tha Perëndisë në lutje: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Apostulli besnik Pavël dëshmoi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr.»—2 Timoteut 3:16.

Bibla tregon se Perëndia nuk pranon çdo formë adhurimi. Aty gjejmë shembuj historikë të formave të adhurimit që ishin të pranueshme për Perëndinë dhe të atyre që u hodhën poshtë prej tij. Duke shqyrtuar me kujdes këta shembuj, mund të mësojmë se ç’duhet të bëjmë dhe ç’duhet të mos bëjmë që mënyra jonë e adhurimit t’i pëlqejë Perëndisë.

Një shembull nga lashtësia

Me anë të profetit Moisi, Perëndia Jehova u dha izraelitëve ligje që i mësonin se si ta adhuronin Perëndinë në mënyrë të pranueshme. Kur ata vepronin sipas kërkesave të atyre ligjeve, që zakonisht njihen si Ligji i Moisiut, Perëndia i pranonte si popullin e vet dhe i bekonte. (Dalja 19:5, 6) Ndonëse gëzonte këto bekime nga Perëndia, prapëseprapë kombi i Izraelit nuk iu përmbajt kësaj forme adhurimi të pranueshme nga Ai. Herë pas here, ata i kthyen kurrizin Jehovait dhe ndoqën zakonet fetare të banorëve të vendeve përreth.

Në kohën e profetëve Ezekiel dhe Jeremia, në shekullin e shtatë p.e.s., shumë izraelitë e shpërfillën Ligjin e Perëndisë dhe lidhën miqësi të ngushta me njerëzit e kombeve fqinje. Duke ndjekur zakonet e këtyre kombeve dhe duke marrë pjesë në festat e tyre, izraelitët po praktikonin një fe të përzier. Shumë prej tyre thoshin: «Le të bëhemi si kombet, si fiset e vendeve të tjera që i shërbejnë drurit dhe gurit.» (Ezekieli 20:32; Jeremia 2:28) Me gojë thoshin se adhuronin Perëndinë Jehova, por, njëkohësisht, përnderonin «idhujt e tyre të pështirë», madje flijonin edhe bijtë e tyre për ta.—Ezekieli 23:37-39; Jeremia 19:3-5.

Arkeologët e quajnë sinkretizëm ose përzierje fetare këtë formë adhurimi, që do të thotë të adhurosh njëkohësisht perëndi të ndryshme. Sot, shumë veta mendojnë se në shoqërinë tonë pluraliste duhet të jemi mendjehapur për çdo gjë, përfshirë edhe fenë. Prandaj, sipas tyre s’ka asgjë të keqe ta adhurojnë Perëndinë në çfarëdolloj mënyre që u pëlqen. A është vërtet kështu? A është thjesht një çështje tolerance dhe liberalizmi? Të shqyrtojmë disa aspekte të zakoneve fetare që praktikonin izraelitët jobesnikë e të shohim se ku i çuan ato zakone.

Adhurimi i përzier në Izrael

Qendrat e adhurimit të përzier të izraelitëve ishin «vendet e larta», ose faltoret e pajisura me altarë, mbajtëse temjani, kolona të shenjta prej guri dhe shtylla të shenjta, që me sa duket ishin simbole prej druri të Asherahut, perëndeshës kananite të pjellorisë. Në Judë kishte shumë qendra të tilla. Libri i dytë i Mbretërve 23:5, 8 përmend «vendet e larta të qyteteve të Judës dhe të rrethinave të Jerusalemit . . . nga Geba [kufiri verior] deri në Beer-Shebë [kufiri jugor]».

Në këto vendet të larta, izraelitët ua paraqitnin «tymin e blatimit Baalit, diellit, hënës, yjësive të zodiakut dhe gjithë ushtrisë së qiejve». Ata kishin shtëpi për ‘prostitutat-meshkuj të tempullit . . . në shtëpinë e Jehovait’ dhe ‘kalonin në zjarr . . . për Molekun’ fëmijët e tyre.—2 Mbretërve 23:4-10.

Arkeologët kanë gjetur statujëza qeramike në Jerusalem dhe në Judë, kryesisht në rrënojat e shtëpive private. Shumë prej tyre paraqitnin një grua lakuriq me gjoks të stërmadh. Studiuesit i kanë identifikuar këto statuja si perëndeshat e pjellorisë Ashtoreth dhe Asherah. Besohet se statujëzat kanë qenë «hajmali për të ndihmuar ngjizjen dhe lindjen e fëmijëve».

Si i konsideronin izraelitët ato qendra të adhurimit të përzier? Profesori Efraim Stern i Universitetit Hebraik vërejti se shumë nga ato vende të larta ka mundësi «t’i jenë kushtuar Jahveut [Jehovait]». Mbishkrimet e gjetura në vendet arkeologjike duket se e mbështetin këtë pikëpamje. Për shembull, në një prej tyre shkruhet: «Të bekoj [në emër të] Jahveut të Samarisë e të asherahut të tij.» Kurse në një tjetër thuhet: «Të bekoj [në emër të] Jahveut të Temanit dhe të asherahut të tij.»

Këta shembuj ilustrojnë se si izraelitët e kishin përzier adhurimin e pastër të Perëndisë Jehova me zakonet e turpshme pagane. Pasoja ishte shthurja morale dhe ndotja e mënyrës së adhurimit. Si e konsideronte Perëndia këtë formë të përzier adhurimi?

Reagimi i Perëndisë ndaj adhurimit të përzier

Perëndia e shprehu indinjatën e tij dhe e dënoi këtë formë të degjeneruar të adhurimit të izraelitëve me anë të profetit Ezekiel, që tha: «Në të gjitha vendet ku banojnë, qytetet do të kthehen në gërmadha, po kështu edhe vendet e larta, që të mbeten të shkreta. Altarët do të shkretohen e do të thërrmohen, idhujt e pështirë do të shfarosen, mbajtëset e temjanit do të rrëzohen dhe çdo gjë që kanë bërë duart e tyre, do të zhduket.» (Ezekieli 6:6) S’ka asnjë dyshim që Jehovai e konsideronte këtë mënyrë adhurimi krejtësisht të papranueshme dhe e hodhi poshtë.

Perëndia Jehova paratha se si do të ndodhte ky shkatërrim: «Ja, unë po dërgoj . . . Nabukodrezarin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, dhe do t’i sjell kundër këtij vendi, kundër banorëve të tij dhe kundër tërë këtyre kombeve rreth e qark. Do t’i shkatërroj . . . I gjithë ky vend do të bëhet një shkreti.» (Jeremia 25:9-11) Në përputhje me këto fjalë, në vitin 607 p.e.s. babilonasit dolën kundër Jerusalemit dhe e shkatërruan krejtësisht qytetin dhe tempullin e tij.

Në lidhje me shkatërrimin e Jerusalemit, profesori Stern, i cituar më lart, vëren se mbetjet arkeologjike «janë një pasqyrim i qartë i burimeve biblike (2 Mbretërve 25:8; 2 Kronikave 36:18, 19) që përshkruajnë shkatërrimin, djegien dhe rrënimin e shtëpive dhe mureve». Ai thotë më tej: «Dëshmitë arkeologjike për këtë periudhë të historisë së Jerusalemit . . . mund të quhen si ndër më mbresëlënëset në krahasim me çdo vend tjetër biblik.»

Mësim për ne

Mësimi më i rëndësishëm që nxjerrim është se Perëndia nuk pranon një adhurim ku mësimet e bazuara në Bibël përzihen me dogmat, traditat ose ritet e feve të tjera. Apostulli Pavël e kuptoi qartë këtë mësim dhe e pranoi me gatishmëri. Ai ishte rritur si një farise jude, i arsimuar dhe i stërvitur në përputhje me ligjin e këtij sekti. Mirëpo, çfarë bëri, kur së fundi mësoi dhe pranoi se Jezui ishte Mesia i premtuar? Ai tha: «Ato që për mua ishin fitim, i kam braktisur me dëshirë për Krishtin.» E braktisi udhën e mëparshme të adhurimit dhe u bë një dishepull i kushtuar i Krishtit.—Filipianëve 3:5-7.

Si një misionar udhëtues, Pavli i njihte mirë zakonet fetare dhe pikëpamjet filozofike të popujve të ndryshëm. Kështu, të krishterëve në Korint u shkroi: «Ç’pjesë ka drita me errësirën? Ç’harmoni ka mes Krishtit dhe Belialit? Apo ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar? Ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? . . . ‘Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’, ‘dhe unë do t’ju pranoj’.»—2 Korintasve 6:14-17.

Tani që e kuptuam se për Perëndinë ka rëndësi në ç’mënyrë e adhurojmë, mund të pyesim veten: ‘Ç’lloj adhurimi miraton Perëndia? Si mund t’i afrohem Perëndisë? Ç’duhet të bëj unë për ta adhuruar Perëndinë në mënyrë të pranueshme?’

Dëshmitarët e Jehovait janë të lumtur të të ndihmojnë që të gjesh përgjigjet e këtyre dhe të pyetjeve të tjera biblike. Të ftojmë të kontaktosh me Dëshmitarët në Sallën e Mbretërisë ose t’u shkruash botuesve të kësaj reviste, që të kërkosh një studim biblik pa pagesë, në një vend dhe kohë të përshtatshme për ty.

[Figura në faqen 10]

Një faltore e lashtë për adhurimin e idhujve, Tel-arad, Izrael

[Burimi]

Garo Nalbandian

[Figura në faqen 10]

Statujëza të Ashtorethit nga shtëpitë e lashta Judaike

[Burimi]

Photograph © Israel Museum, Jerusalem; me mirësjellje nga Israel Antiquities Authority