Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ndodhi vërtet në të gjithë tokën përmbytja e kohës së Noesë?

A ndodhi vërtet në të gjithë tokën përmbytja e kohës së Noesë?

Lexuesit pyesin

A ndodhi vërtet në të gjithë tokën përmbytja e kohës së Noesë?

Përmbytja e kohës së Noesë ndodhi më shumë se 4.000 vjet më parë. Prandaj, në tokë nuk ka dëshmitarë të mbijetuar të asaj ngjarjeje që mund të na e tregojnë. Megjithatë, ka një dokument të shkruar për atë katastrofë që thotë se ujërat e Përmbytjes mbuluan edhe malet më të larta të asaj kohe.

Në atë dokument historik lexojmë: «Përmbytja vazhdoi dyzet ditë mbi tokë. . . . Ujërat e përmbytën tokën, aq sa u mbuluan të gjitha malet e larta që ishin nën tërë qiejt. Ujërat u ngritën deri në pesëmbëdhjetë kute [rreth 6.5 metra] mbi to, aq sa malet u mbuluan.»—Zanafilla 7:17-20.

Disa mund të pyesin nëse është mit ose të paktën ekzagjerim, tregimi se toka u mbulua e gjitha me ujë. Jo, aspak! Në të vërtetë, pjesa më e madhe e tokës ende është e mbuluar me ujë. Ujërat e deteve e të oqeaneve mbulojnë rreth 71 për qind të sipërfaqes së tokës. Pra, në të vërtetë, ujërat e Përmbytjes janë ende këtu. Sikur të shkriheshin akullnajat dhe zonat polare të mbuluara me akull, niveli i detit do të ngrihej aq sa do të mbulonte qytete si Nju-Jorku dhe Tokioja.

Gjeologët që studiojnë zonën veriperëndimore të Shteteve të Bashkuara, besojnë se dikur në këtë zonë kanë ndodhur rreth 100 përmbytje katastrofike. Thuhet se gjithë këtë zonë e ka përfshirë një dallgë gjigante uji 600 metra e lartë me shpejtësi 105 kilometra në orë—një përmbytje prej 2.000 kilometrash kub ujë, me peshë mbi dy trilionë tonë. Zbulime të ngjashme kanë bërë që shkencëtarë të tjerë të mendojnë se, mundësia që të ketë ndodhur një përmbytje në gjithë tokën, është e madhe.

Megjithatë, ata që besojnë se Bibla është Fjala e Perëndisë, e dinë se përmbytja globale nuk është vetëm një mundësi, por një fakt. Jezui i tha Perëndisë: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Apostulli Pavël shkroi se vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:3, 4) Si mund t’u mësonte Pavli dishepujve të Jezuit të vërtetën për Perëndinë e për qëllimet e Tij, nëse Fjala e Perëndisë përmban mite?

Jezui jo vetëm që besonte se Përmbytja kishte ndodhur, por besonte gjithashtu se ajo kishte ndodhur në mbarë tokën. Në profecinë madhështore për praninë e tij dhe për fundin e këtij sistemi, Jezui i krahasoi këto dy ngjarje me kohën e Noesë. (Mateu 24:37-39) Edhe apostulli Pjetër shkroi për ujërat e Përmbytjes së ditëve të Noesë: «Prej tyre bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji.»—2 Pjetrit 3:6.

Nëse Noeja do të ishte një figurë mitologjike dhe përmbytja mbarëbotërore do të ishte një përrallë, paralajmërimet e Pjetrit e të Jezuit për ata që do të jetonin në ditët e fundit do të ishin të pakuptimta. Në vend që të shërbenin si një paralajmërim, këto ide do ta ngatërronin dikë që të kapte kuptimin e paralajmërimit dhe do të vinin në rrezik mundësitë e tij për të mbijetuar nga një shtrëngim më i madh se Përmbytja e Noesë.—2 Pjetrit 3:1-7.

Duke folur për mëshirën e vazhdueshme ndaj popullit të tij, Perëndia tha: «Si jam betuar se ujërat e Noesë nuk do të mbulojnë më tokën, po njësoj jam betuar se me ty nuk do të zemërohem dhe as do të të qortoj më.» Ashtu si jemi të sigurt se Përmbytja e kohës së Noesë mbuloi tokën, po kaq të bindur jemi se kështu do të jetë dashamirësia e Perëndisë ndaj atyre që besojnë tek Ai.—Isaia 54:9.