‘Emri që s’duhet shqiptuar’?
‘Emri që s’duhet shqiptuar’?
HARKU i Hyrjes, i ndërtuar përgjatë bregut të lumit në Sent-Luis, Misuri, është monumenti më i lartë në Shtetet e Bashkuara, 192 metra. Pranë njërit krah të harkut është një kishë jo shumë e lartë, e njohur si Katedralja e Vjetër.
Një broshurë e botuar nga kisha dhe që përshkruan veçoritë arkitekturore të hyrjes së kishës, thotë: «Portiku stoliset nga një ballinë e bukur, në qendër të së cilës është gdhendur me germa hebraike të mëdha e të lara në ar, emri i Perëndisë që s’duhet shqiptuar.» (The Story of the Old Cathedral) Siç duket në fotografi, katër germat hebraike יהוה (JHVH), ose Tetragrami, që paraqesin emrin e Perëndisë, duken qartë.
Kur katedralja u ndërtua në vitin 1834, ata të dioqezës së Sent-Luisit duhet të kenë menduar se emrit të paraqitur me katër germat hebraike, i takonte një vend nderi. Përse, atëherë, për emrin e Perëndisë thuhet se «s’duhet shqiptuar»?
New Catholic Encyclopedia shpjegon se çfarë ndodhi pak pasi judenjtë ishin kthyer nga mërgimi në Babiloni, në shekullin e gjashtë p.e.s. Aty thuhet: «Emri Jahve [Tetragrami ku janë shtuar zanoret] nisi të shihej me një përnderim të veçantë dhe lindi zakoni që ai të zëvendësohej me fjalën ADONAI [Zotëri] ose ELOHIM [Perëndi]. . . . Me kalimin e kohës, ky zakon çoi në harresë shqiptimin e saktë të emrit Jahve.» Kështu që njerëzit nuk e përdornin më emrin e Perëndisë. Përfundimisht, shqiptimi i saktë u harrua dhe emri i Perëndisë u bë tabú për ta.
Ndonëse nuk mund të jemi të sigurt se si shqiptohej me saktësi emri i Perëndisë, e rëndësishme është që përdorimi i këtij emri na afron më shumë me Perëndinë. Si do të të vinte sikur miqtë të mos të thërrisnin me emër, por thjesht «zotëri» ose «zonjë»? Edhe sikur ata të flitnin një gjuhë tjetër e të mos e shqiptonin dot si duhet emrin tënd, gjithsesi do të preferoje të të thërritnin me emër, apo jo? Njësoj është edhe me Perëndinë. Ai do që t’i drejtohemi me emrin e tij, Jehova.
Në shqip, shqiptimi «Jehova» është i njohur gjerësisht. A s’do të ishte me vend që të gjithë ata që e duan Perëndinë, t’i drejtoheshin atij me emër e kështu të afroheshin më tepër me të? Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovi 4:8.