Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jetë e lumtur duke bërë vullnetin e Perëndisë

Jetë e lumtur duke bërë vullnetin e Perëndisë

Jetë e lumtur duke bërë vullnetin e Perëndisë

Treguar nga Bill Jarmçëk

Në mars të vitit 1947 isha udhës për në caktimin tim në një vend të huaj—në Singaporin e largët. Vetëm pak javë më parë isha diplomuar si misionar në klasën e tetë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, që në atë kohë ndodhej në Lansingun Jugor, Nju-Jork, SHBA.

DEJV FARMERI, kanadez si unë, i diplomuar në klasën e shtatë të Galaadit, do të bashkëpunonte me mua. Hipëm në anijen Nepërka e detit, dikur anije ushtarake, dhe u nisëm nga San-Francisko, Kaliforni.

Ndalesën e parë në Lindje e bëmë në Hong-Kong. Ajo që pamë atje ishte vërtet tronditëse. Dëmet e Luftës II Botërore shiheshin kudo—njerëz të shtrirë në trotuare, të uritur e që dukeshin sikur po vdisnin. U kthyem shpejt në anije dhe u nisëm për në Manilë, kryeqytetin e Filipineve.

Edhe atje pamë pasojat e tmerrshme të luftës. Porti ishte plot me direkë anijesh që ishin mbytur nga bombarduesit e forcave aleate dhe përreth kishte pllakosur varfëria. Takuam një grusht Dëshmitarësh të Jehovait që na çuan te Salla e tyre e Mbretërisë. Ishin të lumtur, pavarësisht nga problemet që po hasnin.

Ndalesa tjetër ishte Batavia (tani Xhakarta) në Indonezi. Ngaqë atje vazhdonte me tërbim një luftë civile dhe aty pranë kishte luftime, nuk na lejuan të zbritnim nga anija. Teksa anija u nis për në Singapor, fillova të pyesja veten se çfarë na priste atje. A ishte kjo gjithçka që kishte mbetur nga Lindja ekzotike për të cilën kishim lexuar në broshurat turistike?

Brenda pak ditësh, dyshimet e mia u larguan. Pas pak do të shpalosej një ngjarje që do të provonte përtej çdo dyshimi se Dejvi dhe unë ishim në një mision që kishte miratimin e Perëndisë.

Si na lejuan të qëndronim?

Rreth një muaj pasi ishim nisur nga San-Francisko, më në fund anija jonë hodhi spirancën në ishullin Sent-Xhons, në pritje për lejen e hyrjes në Singapor. Zyrtarët e imigracionit hipën në bord që të kontrollonin dokumentet e pasagjerëve, dhe pasaportave tona u vunë vulën «Lejohen të zbresin». Të nesërmen në mëngjes, anija erdhi në skelë. Pasi një pjesëtar i ekuipazhit të anijes na kontrolloi dokumentet, zbritëm.

Të nesërmen u kthyem në dok që të përshëndetnim misionarët e tjerë me të cilët kishim udhëtuar. Ata do të vazhdonin udhëtimin për në caktimet e tyre në Indi dhe Cejlon (tani Sri-Lankë). Kur kapiteni i anijes na pa, zbriti në skelë dhe na doli përpara. Ishte i xhindosur dhe bërtiti duke thënë se nuk duhej të kishim zbritur nga anija. Më parë, kur ishim në det, kontrolluesi i imigracionit, zoti Haksuorth, e kishte urdhëruar që të mos na linte të largoheshim nga anija kur të mbërrinim në port. Ne nuk dinim gjë për këtë urdhër, pasi ishte ekuipazhi i anijes që na kishte lejuar të zbritnim nga anija.

Kur na çuan te zyra e zotit Haksuorth, na priti si i tërbuar. Bërtiti duke thënë se ishte e ndaluar të hynim në Singapor. Meqë ne nuk dinim gjë për këtë, i treguam pasaportat me vulën zyrtare «Lejohen të zbresin». Na i rrëmbeu pasaportat nga duart dhe i lexoi gjithë nerva ato fjalë. Por shyqyr anija ishte nisur tashmë! Zoti Haksuorth na i mbajti pasaportat për një vit, por në fund na i ktheu me një vulë të re «Lejohen të zbresin».

Shërbim frytdhënës në Singapor

Kur mbërritëm në prill të vitit 1947, i vetmi Dëshmitar në Singapor ishte një burrë me emrin Xhoshua. Ai shërbeu si pionier, ose predikoi në kohë të plotë, deri sa vdiq në fillim të viteve 70. Shumë shpejt, disa që po mësonin të vërtetat biblike, nisën t’u flitnin të tjerëve për to. Lutjet tona për më shumë punëtorë në veprën e predikimit, filluan të merrnin përgjigje.—Mateu 9:37, 38.

Në vitin 1949, kur zoti Haksuorth ishte për pushime të gjata në Angli, në Singapor erdhën gjashtë misionarë që ishin diplomuar në klasën e 11-të të Galaadit. Ndërkohë, Dejvi, me të cilin kisha shërbyer si misionar për disa vjet, e pa të nevojshme të ikte nga Singapori për shkak të problemeve me shëndetin. Ai emigroi në Australi, ku shërbeu besnikërisht derisa vdiq në vitin 1973. Ndër gjashtë misionarët e sapombërritur, ishte edhe Ajlina Franks, me të cilën u martova në vitin 1956.

Gjatë viteve studiuam Biblën me shumë veta që u bënë Dëshmitarë bashkë me fëmijët e tyre. Madje sot, disa prej tyre janë në shërbimin e plotkohor në vende të huaja. Një përvojë që të ngroh zemrën është ajo me Lester dhe Xhoana Hajnesin, një çift amerikan që jetonte në Singapor. Filluam një studim biblik me ta në vitet 50. Çifti e pranoi shpejt të vërtetën biblike dhe u pagëzua pasi u kthye në Shtetet e Bashkuara. Më vonë, Lesteri dhe Xhoana kryen një shërbim frytdhënës. Ata ndihmuan shumë veta të bëheshin Dëshmitarë, përfshirë tre fëmijët e tyre.

Xhoana shkroi: «Kur kujtoj atë vit në Singapor, mendoj se vërtet na e ndryshoi jetën. Po të mos na kishit ‘adoptuar’ ju, ndoshta do të ishim ende duke u sorollatur nëpër botë. Jam e lumtur që ju i mësuat Lesterit të vërtetën, sepse që në fillim pati një mësues që i nguliti dashurinë për Jehovain dhe për vëllezërit tanë të krishterë. Kurrë nuk e ka humbur këtë dashuri.»

Shërbejmë si familje në Singapor

Në vitin 1962, ndodhi diçka e papritur që do të na sillte një ndryshim të madh. Mjeku i familjes na tha se Ajlina ishte shtatzënë. Donim të vazhdonim veprën misionare, por si do të mundnim duke rritur edhe fëmijën në të njëjtën kohë? Nejthën Nori, që në atë kohë mbikëqyrte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën, na shkroi duke më inkurajuar që të gjeja një punë që të mund të qëndronim në Singapor. Kjo ishte vërtet një sfidë e jashtëzakonshme.

Shumica e të huajve punonin në administratat e kompanive të huaja. Unë nuk kisha përvojë në botën e biznesit, meqë kisha filluar shërbimin në kohë të plotë pasi kisha mbaruar shkollën 23 vjet më parë. Kështu pagova një agjenci punësimi në Londër që të më përgatiste një letër me kualifikimet e mia, bazuar në shërbimin si misionar fetar në një vend të huaj. Ajo ua dërgoi këtë shumë kompanive ndërkombëtare që vepronin në Singapor.

Merrja vazhdimisht përgjigjet: «Na vjen keq, por nuk mund të gjejmë një vend pune për dikë që ka këto kualifikime.» Më konsideronin tejet të kualifikuar. Kaluan muaj dhe lindi vajza jonë Xhudi. Vëlla Nori po vizitonte në atë kohë Singaporin dhe erdhi të shihte Xhudin e mamanë e saj në spital. Ai na siguroi: «Mund të rrini në shtëpinë misionare derisa Billi të gjejë punë.»

Disa muaj më vonë, gjeta punë si agjent shitjesh në një kompani ajrore. Rroga ishte sa për ta shtyrë. Dy vjet më pas, më punësoi një kompani ajrore amerikane që më paguante dyfish. Së fundi, u bëra i njohur në biznesin e udhëtimeve dhe mund t’i kushtoja më shumë kohë familjes dhe shërbimit të krishterë.

E ndërtuam jetën rreth shërbimit të Jehovait, duke u dhënë përparësi gjërave që lidheshin me adhurimin e Perëndisë. Si rrjedhim, munda të gëzoja shumë privilegje në organizatë. Ajlina rifilloi shërbimin në kohë të plotë. Ndërkohë, vepra e predikimit për Mbretërinë po lulëzonte në Singapor. Në mes të viteve 60, blemë një ndërtesë dykatëshe të mirë në qendër të qytetit e cila shërbeu si Sallë Mbretërie. Atje mblidheshin katër kongregacione.

Ndalohet vepra

Me kalimin e kohës, në horizont filluan të dukeshin retë e zeza të kundërshtimit. Më 14 janar 1972, siç e kishim zakon, shkuam në Sallën e Mbretërisë për të ndjekur mbledhjen. Por te porta ishte vendosur një zinxhir me një dry. Aty ishte vënë një njoftim ku thuhej se Kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait në Singapor ishte çregjistruar. Vepra jonë ishte ndaluar. *

Mbyllja e Sallës së Mbretërisë nuk na ndaloi të adhuronim Jehovain, por pyetja që më lindte në mendje ishte: «Cili është vullneti i Perëndisë për familjen time?» Arsyetoja se nuk do të ktheheshim dot më që të vizitonim miqtë tanë në Singapor, nëse do të na dëbonin ndonjë ditë. Prandaj, i kërkova drejtorit të kompanisë sime nëse mund të punoja në Kuala-Lumpur të Malajzisë. Kështu familja ime mund të shkonte e të vinte pa problem. Për habinë time, ai më ofroi punë si drejtues të degës së kompanisë në Kuala-Lumpur, ku do të merrja dyfishin e rrogës dhe do të kisha përfitime të tjera.

Atëherë mendova: «A është vullneti i Perëndisë të largohemi nga Singapori dhe nga vëllezërit tanë?» Si familje iu lutëm Jehovait për këtë gjë. Arritëm në përfundimin se Jehovai na kishte sjellë këtu. Prandaj vendosa përfundimisht që të qëndronim. Drejtori im u shtang që nuk e pranova ofertën e tij fitimprurëse.

Ishte shumë stresuese të jetonim e të punonim nën ndalim, sepse ishim vazhdimisht nën kërcënimin e arrestimit e të burgosjes. Kishte raste që na bënë t’i çmonim vërtet fjalët e Psalmit 34:7: «Engjëlli i Jehovait fushon përreth atyre që i frikësohen atij, dhe i çliron.»

Një caktim i ri

Së fundi, në vitin 1993, pasi kisha shërbyer për më shumë se 46 vjet në Singapor, na kërkuan të transferoheshim në Zelandën e Re, ku mund të shërbenim me më pak stres e ankth. Patjetër, ndiheshim të trishtuar që u larguam nga miqtë tanë të shtrenjtë në Singapor, të cilët i donim shumë. Megjithatë, morëm zemër nga mendimi se besimi i tyre ishte ndërtuar mbi baza të forta me materiale zjarrduruese. Kjo i ndihmoi të qëndronin të patundur përballë sprovave që kanë vazhduar të hasin.—1 Korintasve 3:12-14.

Tani, më shumë se 14 vjet më vonë, unë dhe Ajlina, edhe pse në moshë të thyer, po gëzojmë ende duke shërbyer si pionierë specialë në Zelandën e Re. Dy vëllezër të mi, Majku 94-vjeçar dhe Piteri 90-vjeçar, janë ende gjallë dhe i shërbejnë besnikërisht Jehovait në Kanada.

Në vitin 1998, vajza jonë, Xhudi, u rikthye në Lindje dhe shërbeu atje për disa vjet. Në një letër që na shkroi, thoshte: «Sa mirënjohëse i jam çdo ditë Jehovait për privilegjin e shkëlqyer që të shërbej këtu! Ju falënderoj edhe juve për gjithë stërvitjen e dashur dhe për sakrificat që bëtë dhe vazhdoni të bëni që e gjithë kjo të jetë e mundur.» Në vitin 2003, ajo u kthye në Zelandën e Re që të na ndihmonte mua dhe Ajlinën. *

I jemi mirënjohës Jehovait që rrethanat na lejuan t’i përgjigjeshim thirrjes së Zotërisë për më shumë punëtorë në të korrat. Kjo na ka sjellë gëzim të papërshkrueshëm. Dhe kur ‘bota të kalojë’, siç thotë Bibla se do të ndodhë, do të gëzojmë përmbushjen e premtimit të mrekullueshëm të Perëndisë: «Ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.»—1 Gjonit 2:17.

[Shënimet]

^ par. 25 Shih Kullën e Rojës, 1 qershor 1972, faqet 341-349, anglisht.

^ par. 32 Motra jonë e dashur Ajlina vdiq më 24 janar 2008, ndërsa po përgatitej ky artikull.

[Figura në faqen 29]

Xhoshua ishte i vetmi Dëshmitar në Singapor kur mbërritëm ne në vitin 1947

[Figura në faqen 29]

Me Dejv Farmerin në Hong-Kong, gjatë udhës për në Singapor, në 1947-n

[Figura në faqen 29]

Me Ajlinën, në 1958-n

[Figura në faqen 31]

Me vajzën tonë, Xhudin

[Burimi]

Kimroy Photography

[Burimi i figurës në faqen 28]

Kimroy Photography