Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Perëndi i gatshëm të falë

Një Perëndi i gatshëm të falë

Afrojuni Perëndisë

Një Perëndi i gatshëm të falë

Gjoni 21:15-17

«TI, O Jehova, je i mirë dhe gati të falësh.» (Psalmi 86:5) Me këto fjalë që na ngrohin zemrën, Bibla na siguron se Perëndia Jehova është bujar kur fal. Një ngjarje në jetën e apostullit Pjetër tregon qartë se Jehovai fal «në masë të madhe».​—Isaia 55:7.

Pjetri ishte një ndër shokët më të ngushtë të Jezuit. Megjithatë, natën e fundit të Jezuit në tokë, Pjetri u dorëzua para frikës së njeriut dhe kreu një mëkat të rëndë. Në një oborr pranë vendit ku Jezuin e kishin gjykuar në mënyrë të paligjshme, Pjetri mohoi para të gjithëve se e njihte Jezuin, dhe këtë nuk e bëri një herë, por tri herë. Pasi Pjetri mohoi me forcë për herë të tretë, Jezui «u kthye, [dhe] e vështroi». (Luka 22:55-61) A mund ta imagjinosh si u ndie Pjetri kur Jezui e pa në sy? Ngaqë e kuptoi sa mëkat të rëndë kishte bërë, Pjetri «s’u përmbajt dot dhe shpërtheu në lot». (Marku 14:72) Apostulli i penduar mund të ketë qenë në mëdyshje nëse Perëndia do ta falte pasi e kishte mohuar Jezuin tri herë radhazi.

Pasi u ringjall, Jezui bëri një bisedë me Pjetrin, dhe kjo patjetër hoqi çdo dyshim se ishte falur. Jezui nuk i tha fjalë të ashpra dhe as e dënoi. Përkundrazi, e pyeti Pjetrin: «A më do?» Pjetri ia ktheu: «Po, Zotëri, ti e di se unë të kam për zemër.» Jezui i tha: «Ushqeji qengjat e mi.» Jezui e përsëriti pyetjen për herë të dytë dhe Pjetri dha të njëjtën përgjigje, ndoshta duke e theksuar më me forcë. Jezui i tha: «Kulloti delet e mia të vogla.» Pastaj Jezui i bëri në thelb të njëjtën pyetje për herë të tretë: «A më ke për zemër?» Atëherë «Pjetri u hidhërua» dhe iu përgjigj: «Zotëri, ti di gjithçka. Ti e di mirë që unë të kam për zemër.» Jezui i tha: «Ushqeji delet e mia të vogla.»​—Gjoni 21:15-17.

Pse Jezui bëri pyetje të cilave ua dinte tashmë përgjigjet? Ai mund të lexonte zemrën, prandaj e dinte se Pjetri e donte. (Marku 2:8) Duke bërë ato pyetje, Jezui i dha Pjetrit një mundësi për ta shprehur dashurinë e tij tri herë. Fjalët e Jezuit: «Ushqeji qengjat e mi. . . . Kulloti delet e mia të vogla. . . . Ushqeji delet e mia të vogla», e siguruan apostullin e penduar se Jezui kishte ende besim tek ai. Tek e fundit, Jezui po i caktonte Pjetrit detyrën që të kujdesej për një pasuri shumë të çmuar​—për dishepujt e shtrenjtë të Jezuit ngjashëm deleve. (Gjoni 10:14, 15) Sigurisht, Pjetri duhet të jetë lehtësuar kur kuptoi se Jezui kishte ende besim tek ai.

Patjetër, Jezui e fali apostullin e tij të penduar. Meqë Jezui pasqyron në mënyrë të përsosur cilësitë dhe normat e Atit, mund të nxjerrim përfundimin se edhe Jehovai e fali Pjetrin. (Gjoni 5:19) Jehovai nuk ngurron të falë, përkundrazi, është një Perëndi i mëshirshëm që është ‘gati të falë’ një mëkatar të penduar. A nuk na ngushëllon ky mendim?