Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Një vajzë izraelite’ e ditëve të sotme

‘Një vajzë izraelite’ e ditëve të sotme

‘Një vajzë izraelite’ e ditëve të sotme

NË VITIN 2006, dy javë para Përkujtimit të vdekjes së Jezuit, çdo pjesëtar i familjes Sales, në Praia-Grande të Brazilit, bëri një listë të atyre që do të ftonin për këtë rast. Gjashtëvjeçares Abigaila i dhanë një ftesë dhe e pyetën se kujt donte t’ia jepte.

—Do t’ia jap atij burrit që më buzëqesh gjithmonë,—tha ajo.

—Kush është ai?—e pyetën prindërit.

—Është ai burri me karrocë invalidësh,—tha ajo.

Katër ditë më pas, Abigaila u tregoi prindërve kush ishte ai burrë. Ishte Valteri që jetonte vetëm një bllok banesash larg Sallës së Mbretërisë. Rreth 15 vjet më parë, në moshën 28-vjeçare, kishte mbetur i paralizuar nga mesi poshtë për shkak të një aksidenti me makinë. Atë e shoqëronin dy truproja, ngaqë ishte i pasur. Prandaj prindërit e Abigailës u kërkuan leje që ajo të fliste me Valterin. Ata i shpjeguan Valterit se vajza e tyre donte t’i jepte një ftesë.

Në fund të prezantimit, Abigaila i tha: «Të gjithë te Salla jonë e Mbretërisë kanë shumë ftesa, por unë kam vetëm një. Pra, ti je i vetmi që po ftoj. Po nuk erdhe, nuk do të kem asnjë të ftuar. Por, po erdhe, do të jem shumë e lumtur, dhe Jehovai do të jetë edhe më i lumtur.»

Ditën e Përkujtimit, Dëshmitarët, përfshirë edhe Abigailën, po pastronin Sallën e Mbretërisë që ta përgatitnin për programin e Përkujtimit atë mbrëmje. Atë pasdite, Valteri po kalonte aty afër dhe, kur pa Abigailën, i tha shoferit të ndalte makinën. Ai hapi dritaren dhe e pyeti Abigailën se çfarë po bënte. Ajo i tha se po pastronin sallën që të ishte e bukur kur të vinte ai.

Atë mbrëmje Abigaila ishte shumë në ankth. Fjalimi i Përkujtimit filloi dhe ajo shihte rreth e rrotull nëse kishte ardhur Valteri. Papritur, ai erdhi bashkë me truprojat. Abigaila buzëqeshi nga lumturia. Pas fjalimit, Valteri tha se ishte nisur për udhëtim në një qytet tjetër, por pastaj kishte ndërruar mendje dhe kishte ardhur në Përkujtim vetëm për të. Më pas ai shtoi: «Fjalimi ishte tamam ajo çka më duhej.» Valteri kërkoi një Bibël dhe nisi një studim biblik e filloi të ndiqte mbledhjet.

Ndërkohë, motra e Valterit tha se donte ta takonte Abigailën që i vëllai e përmendte shpesh. Kur e takoi, u kënaq pasi pa se sa vajzë e mirë ishte Abigaila. «Tani e di pse vëllai im është kaq i lumtur»,—tha ajo.

Valteri vazhdon të studiojë e të ndjekë mbledhjet. Madje bën edhe komente gjatë mbledhjeve dhe u flet të tjerëve për gjërat që ka mësuar. Sigurisht, Abigaila e vogël na kujton vajzën izraelite që e ndihmoi Naamanin të njihte Perëndinë e vërtetë, Jehovain.—2 Mbretërve 5:2-14.