Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Noeja dhe Përmbytja​—E vërtetë apo trillim?

Noeja dhe Përmbytja​—E vërtetë apo trillim?

Noeja dhe Përmbytja​—E vërtetë apo trillim?

A KE dëshirë të jetosh në një botë më të mirë—një botë ku njerëzit të jetojnë në paqe me njeri-tjetrin? Një botë ku të mos ketë më luftëra, krime dhe shtypje? Nëse po, mund të marrësh zemër nga një tregim historik të cilin ndoshta e njeh mirë. Është tregimi i Noesë, një njeri vërtet i mirë, që ndërtoi një arkë e cila e shpëtoi atë dhe familjen e tij nga një përmbytje globale ku vdiqën gjithë njerëzit e ligj.

Pak tregime janë kaq shumë të njohura sa ky. Ndodhia është e shkruar në librin biblik të Zanafillës, kapitujt 6 deri 9, dhe përsëritet në Kuran e në legjendat e shumë popujve kudo në botë. A ndodhi vërtet përmbytja apo është thjesht një përrallë sa për të nxitur njerëzit që të sillen mirë? Teologët dhe shkencëtarët kanë debatuar shekuj me radhë për këtë pyetje. Megjithatë, Bibla, Fjala e Perëndisë, nuk lë vend për dyshime—tregimi është i vërtetë, jo trillim. Ja disa arsye.

Tregimi i Zanafillës na jep vitin, muajin dhe ditën e saktë kur filloi Përmbytja, kur dhe ku u ndal arka, si dhe kur u tha toka. Edhe hollësitë për arkën janë të përpikta—projekti, përmasat dhe materialet që do të përdoreshin për ndërtimin. Në të kundërt, fabulat zakonisht bëjnë përshkrime të mjegullta.

Dy tregime gjenealogjike të Biblës dëshmojnë se Noeja ishte një person real. (1 Kronikave 1:4; Luka 3:36) Si Ezdra, ashtu edhe Luka, që i përpiluan këto gjenealogji, ishin kërkues të kujdesshëm. Luka e hulumtoi prejardhjen e Jezu Krishtit deri te Noeja.

Për Noenë dhe Përmbytjen folën edhe profetë si Isaia dhe Ezekieli, si dhe apostujt e krishterë Pavli dhe Pjetri.—Isaia 54:9; Ezekieli 14:14, 20; Hebrenjve 11:7; 1 Pjetrit 3:19, 20; 2 Pjetrit 2:5.

Jezu Krishti e përmendi Përmbytjen kur tha: «Ashtu si ndodhi në ditët e Noesë, kështu do të jetë edhe në ditët e Birit të njeriut: njerëzit hanin e pinin, burrat e gratë martoheshin, deri ditën kur Noeja hyri në arkë dhe erdhi përmbytja e i shkatërroi të gjithë.» (Luka 17:26, 27) Sikur Përmbytja të mos kishte ndodhur, ajo që tha Jezui për «ditët e Birit të njeriut» s’do të kishte kuptim.

Apostulli Pjetër profetizoi se do të vinin «tallës», që do të talleshin me fjalët e Biblës. Pjetri shkroi: «Me dëshirë, atyre u shpëton pa vënë re ky fakt, se . . . bota e asaj kohe [të Noesë] pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji.» A duhet të na shpëtojë edhe neve pa vënë re «ky fakt»? Në asnjë mënyrë! Pjetri vazhdoi: «Qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.»—2 Pjetrit 3:3-7.

Perëndia do t’i shkatërrojë përsëri të ligjtë, dhe përsëri do të ketë të mbijetuar. Duke e vënë jetën tonë në përputhje me atë të Noesë, mund të jemi ndër ata të drejtë që do të shpëtojnë e do të hyjnë në një botë më të mirë.