Përdoreni mirë kureshtjen
Përdoreni mirë kureshtjen
«Njeriu është një qenie që bën pyetje. Fillojmë të bëjmë pyetje që kur lindim . . . Madje mund të thuhet se historia e njerëzimit është historia e pyetjeve dhe e përgjigjeve që i kemi formuluar ne vetë.» —Oktavio Paz, poet meksikan.
ÇFARË e frymëzon një kuzhinier të krijojë një recetë të re? Çfarë e shtyn një eksplorues të rrezikojë jetën duke udhëtuar në vende të largëta? Çfarë e nxit një fëmijë të bëjë shumë pyetje? Shpesh është kureshtja.
Po ju? A ju ngjallin kureshtje idetë e reja ose dëshira për të gjetur përgjigjet e pyetjeve interesante? Për shembull: Nga erdhi jeta? Pse ekzistojmë? A ekziston Perëndia? Që nga fëmijëria, shumë prej nesh janë shtyrë nga kureshtja të bëjnë pyetje të tilla dhe të gjejnë përsetë e gjërave. Kur një ide na tërheq tej mase, përpiqemi të zbulojmë gjithçka mundemi rreth saj. Kështu, kureshtja mund të sjellë shumë rezultate të mrekullueshme. Nga ana tjetër, ajo mund të shkaktojë edhe probleme, madje katastrofa.
Nevojitet kujdes dhe drejtpeshim
Kureshtja mund të jetë e rrezikshme nëse interesohemi për gjëra të papërshtatshme. Për shembull, nga kureshtja një fëmijë mund të prekë sobën e nxehtë, e kështu të ketë pasoja të rënda. Nga ana tjetër, ajo mund të na nxitë të thellojmë njohurinë, t’u shkojmë gjërave deri në fund. Por, a do të ishte e mençur të interesohemi për çdo gjë që mund të na ngjallë kureshtje?
Sigurisht, ka gjëra që më mirë të mos i dimë, sepse janë të dëmshme. Kureshtja për pornografinë, okultizmin ose mësimet e sekteve a të grupeve ekstremiste, fare lehtë mund të na vërë në rrezik mirëqenien tonë. Në këto fusha ose në fusha të tjera, bëjmë mirë të imitojmë psalmistin hebre i cili u lut: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.»—Psalmi 119:37.
Gjithashtu, ekziston njohuria që në vetvete mund të mos jetë e dëmshme, por në të vërtetë është e padobishme dhe e panevojshme. Për shembull, ç’dobi kemi po të dimë gjithçka për jetën personale të yjeve të kinemasë ose të njerëzve të famshëm, të njohim statistikat e çdo skuadre dhe të lojtarëve të një sporti apo të dimë gjithçka për pajisjet më të fundit a për modelet më të reja të makinave? Shumicës së njerëzve nuk u sjell asnjë dobi të qenët «ekspertë» në këto fusha.
Një shembull nxitës
Natyrisht, kureshtja ka anën e saj të mirë. Shqyrtoni rastin e Aleksandër fon Humboltit, natyralist dhe eksplorues gjerman i shekullit të 19-të, emrin e të cilit mori edhe Rryma e Humboltit, që ndodhet në afërsi të bregut perëndimor të Amerikës Jugore.
Në një pikë të jetës së tij, Humbolti tha: «Që në fëmijëri kisha dëshirë të zjarrtë të udhëtoja në rajonet e largëta që rrallë ishin vizituar nga evropianët.» Kjo dëshirë, thotë ai, i lindi kur ndjeu «përbrenda një tërheqje të parezistueshme» që e nxiti të zgjeronte horizontet e tij. Në moshën 29-vjeçare, ai udhëtoi në Amerikën Qendrore dhe Jugore gjatë një ekspedite që zgjati pesë vjet. Me informacionet që mblodhi, përpiloi një kronikë me tridhjetë vëllime ku fliste për udhëtimet e tij.
Gjithçka ia tërhiqte vëmendjen Humboltit: temperatura e oqeanit, peshqit në të, bimët që gjente gjatë rrugës. Ai u ngjit nëpër male, eksploroi lumenj dhe lundroi nëpër oqeane. Kërkimet e Humboltit hodhën themelet e disa fushave të shkencës së sotme. Gjithçka nisi nga kureshtja e tij e madhe, dhe dëshira e pangopur për njohuri e shoqëroi atë gjatë gjithë jetës. Sipas eseistit amerikan Ralf-Ualdo Emerson, «Humbolti ishte një nga ata njerëz të jashtëzakonshëm . . . që shfaqen herë pas here, si për të na treguar mundësitë e mendjes njerëzore, forcën dhe aftësitë e shumta të njeriut».
Një fushë ku ia vlen të hetosh
Natyrisht, shumë pak prej nesh kanë mundësi që të eksplorojnë botën ose të bëjnë zbulime shkencore. Megjithatë, ka një fushë njohurie në të cilën mund të përdorim aftësitë tona mendore, e kështu të korrim bekime shumë më të mëdha se ç’mund të na sjellë çdo përpjekje tjetër. Në një lutje drejtuar Atit të tij qiellor, Jezu Krishti tregoi se për çfarë duhet të përpiqemi: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.
Njohuria për Perëndinë e vërtetë, emri i të cilit është Jehova, dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin, mund ta shpërblejë një njeri kureshtar në mënyra që asnjë informacion tjetër mund ta bëjë. Kujtoni pyetjet rreth jetës që përmendëm në fillim të këtij artikulli. Mund të shtojmë edhe këto pyetje: Pse ka kaq shumë vuajtje në botë? A do ta rrënojnë, madje, a do ta shkatërrojnë njerëzit tokën? Dhe, çfarë do të bëjë Perëndia për t’u siguruar që njerëzimi të mos ketë këtë fund? Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk janë thjesht për të shuar kureshtjen. Siç tha Jezui, ato do të thonë ‘jetë e përhershme’. Pse mund të jemi të sigurt për këtë?
Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Apostulli i krishterë Pavël shkroi për të: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»—2 Timoteut 3:16, 17.
Mendoni pak: apostulli tha se Bibla na jep njohuri që mund të na pajisë ose të na ndihmojë të bëjmë çdo gjë të mirë. Ajo mund të na ndihmojë t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë. Dhe ne e dimë se njohuria dhe mençuria e Perëndisë janë më lart se të kujtdo tjetër. Profeti Isaia u frymëzua të shkruante këtë pohim të thellë të Perëndisë: «Mendimet tuaja nuk janë mendimet e mia dhe as udhët tuaja nuk janë udhët e mia,—thotë Jehovai.—Përkundrazi, ashtu si qiejt qëndrojnë më lart se toka, edhe udhët e mia janë më lart se udhët tuaja, dhe mendimet e mia më lart se mendimet tuaja.»—Isaia 55:8, 9.
A dëshironi të dini rreth udhëve dhe mendimeve të larta të Perëndisë? A ju shtyn kureshtja të zbuloni se çfarë thotë Fjala e Perëndisë, Bibla, për udhët dhe mendimet e Perëndisë? A jeni të etur të mësoni se çfarë do të bëjë Perëndia për t’u dhënë fund të gjitha vuajtjeve dhe se çfarë të mirash ka ndër mend për njerëzit e bindur? Bibla ju bën këtë ftesë: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai! Lum kush gjen strehë tek ai!»—Psalmi 34:8.
Të vërtetat e fuqishme të Fjalës së Perëndisë mund të ndikojnë në zemrën e një njeriu të sinqertë, ashtu si mund të ndikojë drita te dikush që shikon për herë të parë. Apostulli Pavël u nxit të thoshte: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!» (Romakëve 11:33) E vërteta është se kurrë nuk do të arrijmë të kuptojmë plotësisht pasurinë e njohurisë dhe të mençurisë së Perëndisë. Para nesh kemi mundësinë emocionuese që të mos mërzitemi kurrë, por të zbulojmë gjithnjë gjëra të reja.
Vazhdoni të keni etje!
Patjetër, shumica prej nesh nuk do të bëhen kurrë eksplorues ose shpikës të famshëm. E ndoshta gjatë jetëgjatësisë sonë normale kurrë nuk do të arrijmë të kuptojmë gjithçka që do të donim të kuptonim. Megjithatë, vazhdoni të jeni kureshtarë. Vazhdoni të keni etje për njohurinë, etje që me kaq dashuri Perëndia e ka krijuar brenda nesh.
Përdoreni mirë këtë dhuratë të mrekullueshme që vjen nga Perëndia dhe merrni kuptueshmëri të saktë për Fjalën e tij të frymëzuar, Biblën. Nëse bëni kështu, do të gjeni kuptimin dhe gëzimin e jetës tani dhe mund të keni shpresën që të vazhdoni ta bëni këtë gjatë gjithë përjetësisë. Bibla thotë: «[Perëndia] e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet. Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre, që njerëzit të mos e zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë.»—Eklisiastiu 3:11.
[Kutia dhe figurat në faqen 21]
A e dini se . . .
• Shekuj para se të zbulohej forma e tokës nga Kolombi dhe Magelani, Bibla thoshte se planeti ynë nuk është i sheshtë, por ka formë sferike?—Isaia 40:22.
• Shumë kohë para se astronautët të shihnin se toka qëndron pezull në hapësirën e zbrazët, Bibla thoshte se toka qëndron e varur në asgjë?—Jobi 26:7.
• Të paktën 2.500 vjet para se fizikani anglez Uilliam Harvi të zbulonte sistemin e qarkullimit të gjakut në trupin e njeriut, Bibla e quante zemrën burimi i jetës?—Proverbat 4:23.
• Rreth 3.000 vjet më parë, Bibla përshkruante me fjalë të thjeshta ciklin e qarkullimit të ujit në tokë si pjesë të ekosistemit që bën të mundur jetën në tokë?—Eklisiastiu 1:7.
A nuk mahnitemi që këto fakte shkencore përmendeshin në Bibël shumë kohë para se njerëzit t’i kuptonin ose t’i zbulonin ato? Në të vërtetë, Bibla përmban një thesar me informacione të domosdoshme për jetën, në pritje për ta zbuluar.
[Figura në faqen 19]
Aleksandër fon Humbolti