Pse Noeja pati pëlqimin e Perëndisë? Pse duhet të na interesojë?
Pse Noeja pati pëlqimin e Perëndisë? Pse duhet të na interesojë?
SHUMË nga ne kujtojmë raste kur kemi dëgjuar ndonjë lajm të rëndësishëm. Na kujtohen hollësi, jo vetëm ku ishim dhe çfarë po bënim, por edhe si reaguam. Pa dyshim, Noeja nuk e ka harruar kurrë ditën kur mori lajmin nga Perëndia Jehova, Sovrani i universit. E ç’lajm tjetër mund të kishte qenë më i rëndësishëm?! Jehovai i tha se kishte vendosur të shkatërronte «çdo njeri». Noeja duhej të ndërtonte një arkë gjigante për të shpëtuar veten, familjen dhe kafshë të çdo lloji.—Zanafilla 6:9-21.
Si reagoi Noeja? A u gëzua kur dëgjoi këtë lajm apo u ankua? Si ia tregoi lajmin gruas dhe familjes? Bibla nuk na thotë gjë. Ajo thotë vetëm se «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu».—Zanafilla 6:22.
Këto fjalë janë patjetër të rëndësishme, sepse shpjegojnë pjesërisht përse Noeja gjeti hir në sytë e Perëndisë; Noeja ishte gati të bënte çdo gjë që do t’i kërkonte Perëndia. (Zanafilla 6:8) Për ç’arsye tjetër Noeja pati pëlqimin e Perëndisë? Përgjigjja është e rëndësishme, sepse, që të mbijetojmë kur Perëndia ta pastrojë përsëri tokën nga ligësia, duhet të jemi si Noeja. Megjithatë, fillimisht le të shohim se si ishte jeta për Noenë në ditët para Përmbytjes.
Në tokë vijnë demonë
Noeja jetoi në fillimet e historisë njerëzore. Ai lindi rreth një mijë vjet pasi ishte krijuar njeriu i parë. Asokohe njerëzit nuk jetonin shpellave, sikurse mendojnë shumë veta, dhe as nuk ishin krijesa të kërrusura, leshatore e pa mend, që vinin vërdallë me topuzë në dorë. Ata farkëtonin vegla prej hekuri e bakri, dhe Noeja mund të ketë përdorur vegla të tilla për ndërtimin e arkës. Kishin edhe vegla muzikore. Njerëzit martoheshin, krijonin familje dhe merreshin me bujqësi e blegtori. Blinin e shisnin. Në shumë aspekte, pra, jeta në atë kohë ishte njësoj si sot.—Zanafilla 4:20-22; Luka 17:26-28.
Megjithatë, në disa aspekte të tjera, gjërat ishin krejt ndryshe. Një ndryshim ishte se njerëzit jetonin më gjatë. Ishte e zakonshme që dikush të jetonte më shumë se 800 vjet. Noeja jetoi 950 vjet; Adami 930 dhe Metuselahu, gjyshi i Noesë, jetoi 969 vjet. *—Zanafilla 5:5, 27; 9:29.
Një ndryshim tjetër përshkruhet te Zanafilla 6:1, 2 që thotë: «Kur njerëzit nisën të shtoheshin mbi faqen e tokës dhe u lindën bija, bijtë e Perëndisë së vërtetë filluan të vinin re që bijat e njerëzve ishin të bukura. Kështu, nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën.» Këta ‘bij të Perëndisë së vërtetë’ ishin engjëj nga qielli që morën trupa njerëzorë dhe jetuan në tokë mes njerëzve. Ata s’kishin ardhur me urdhër të Perëndisë; dhe as për të mirën e njerëzimit. Përkundrazi, «e braktisën vendbanimin e tyre të duhur» në qiell dhe erdhën në tokë për të pasur marrëdhënie seksuale me gratë e bukura. Ata u bënë demonë.—Juda 6.
Rebelë, të degjeneruar dhe me fuqi e inteligjencë mbinjerëzore, këta engjëj-demonë ushtruan një ndikim shkatërrimtar mbi njerëzit. Ka shumë mundësi që ta kenë pasur nën kontroll e ta kenë sunduar shoqërinë njerëzore. Ata nuk vepronin fshehurazi, si ndonjë kryebandit që e fsheh se kush është dhe i kryen veprat e këqija duke qëndruar në hije. Përkundrazi, vepronin hapur, si rebelë të pacipë kundër rregullit të Jehovait.
Këta bij engjëllorë të Perëndisë kryen marrëdhënie seksuale me gratë dhe ato lindën fëmijë me një fuqi të jashtëzakonshme, të cilët u bënë të njohur me termin hebraik «nefilimë». Bibla thotë: «Në ato ditë, madje edhe më pas, në tokë kishte nefilimë, pasi bijtë e Perëndisë së vërtetë patën marrëdhënie me bijat e njerëzve, dhe ato u lindën bij. Ata ishin të fuqishmit e kohëve të lashta, burra me famë.» (Zanafilla 6:4) Njerëzit kishin shumë frikë nga nefilimët. Fjala «nefilim» do të thotë «ata që rrëzojnë të tjerët». Ishin vrasës, bëmat e dhunshme të të cilëve ka të ngjarë që të jenë pasqyruar në mitet dhe legjendat e lashta.
Brenga e të drejtit
Bibla e përshkruan atë brez si të korruptuar këmbë e krye. Ajo thotë: «E keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën. Toka . . . u mbush me dhunë. . . . Çdo njeri e kishte prishur udhën e tij në tokë.»—Zanafilla 6:5, 11, 12.
Kjo ishte bota ku jetonte Noeja. Ndryshe nga të tjerët, «Noeja ishte njeri i drejtë» që «eci me Perëndinë e vërtetë». (Zanafilla 6:9) S’është e lehtë për një njeri të drejtë, të jetojë në një shoqëri të padrejtë. Sa duhet ta kenë brengosur Noenë fjalët dhe veprimet e atyre njerëzve! Me siguri është ndier si Loti, një njeri tjetër i drejtë që jetoi pas Përmbytjes. Lotin, që jetonte mes banorëve të shthurur të Sodomës, «e brengoste së tepërmi sjellja e shthurur pas së cilës jepeshin njerëzit që sfidonin ligjin». «Ky njeri i drejtë e torturonte shpirtin e tij të drejtë për shkak të veprave të tyre të paligjshme, nga ato që shihte dhe dëgjonte, kur banonte mes tyre ditë për ditë.» (2 Pjetrit 2:7, 8) Kështu duhet të ketë qenë edhe me Noenë.
A ndihesh edhe ti i brengosur nga ngjarjet tronditëse që sheh në lajme ose nga sjellja e njerëzve që nuk veprojnë sipas kërkesave të Perëndisë? Nëse po, mund ta kuptosh si ndihej Noeja. Vetëm mendo sa e vështirë duhet të ketë qenë për të që ta duronte atë botë të padrejtë për 600 vjet, pasi kaq ishte mosha e tij kur ndodhi Përmbytja. Sa shumë duhet ta ketë dëshiruar shpëtimin!—Zanafilla 7:6.
Noeja pati guximin të ishte i ndryshëm
Noeja «ishte i patëmetë mes bashkëkohësve të tij». (Zanafilla 6:9) Vër re që Bibla thotë se ai ishte i pafajshëm mes bashkëkohësve të tij, dhe jo sipas pikëpamjes së tyre. Me fjalë të tjera, ai ishte i pafajshëm në sytë e Perëndisë, kurse për njerëzit e botës para Përmbytjes, Noeja ishte i çuditshëm. Mund të jemi të sigurt se ai nuk pajtohej me opinionin e përgjithshëm, dhe as përfshihej në zbavitje që Perëndia nuk i miratonte e në aktivitetet shoqërore të kohës. Mendo pak si do t’u jetë dukur ai njerëzve kur nisi të ndërtonte arkën! Me siguri kanë qeshur e janë tallur me të. Nuk i morën seriozisht fjalët e tij.
Për më tepër, Noeja kishte bindje të thella fetare dhe nuk i mbajti vetëm për vete. Bibla thotë se ai ishte ‘një predikues i drejtësisë’. (2 Pjetrit 2:5) S’ka dyshim që Noeja e ka pritur se do ta kundërshtonin. Enoku, stërgjyshi i tij, kishte qenë një njeri i drejtë dhe kishte profetizuar se Perëndia do t’i ekzekutonte të ligjtë. Me sa duket, kjo bëri që Enokun ta përndiqnin, edhe pse Perëndia nuk i lejoi kundërshtarët që ta vritnin. (Zanafilla 5:18, 21-24; Hebrenjve 11:5; 12:1; Juda 14, 15) Që t’i bënte ballë Satanait, demonëve, nefilimëve dhe pjesës më të madhe të njerëzve që ishin indiferentë ose kundërshtarë, Noesë i duhej guxim dhe besim te aftësia e Jehovait për ta mbrojtur.
Ata që i shërbejnë Perëndisë janë kundërshtuar gjithnjë nga ata që nuk i shërbejnë Atij. Edhe Jezu Krishtin e urryen, e po kështu i urryen edhe dishepujt e tij. (Mateu 10:22; Gjoni 15:18) Noeja pati guximin t’i shërbente Perëndisë, ndonëse kjo nuk ishte normale për të tjerët. Ai e kuptoi se ishte më e rëndësishme të kishte pëlqimin e Perëndisë, se miratimin e atyre që i kundërviheshin Atij. Dhe Noeja pati pëlqimin e Perëndisë.
Noeja kushtoi vëmendje
Siç e pamë, Noeja u predikoi me guxim të tjerëve. Si reaguan ata ndaj mesazhit? Bibla thotë se para Përmbytjes njerëzit «hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë». Ata nuk ia vunë veshin paralajmërimit.—Mateu 24:38, 39.
Jezui tha që në kohën tonë do të ishte njësoj. Për më se njëqind vjet, Dëshmitarët e Jehovait kanë shpallur paralajmërimin se Jehovai do të ndërmarrë hapa drastikë që të përmbushë qëllimin e tij për të sjellë botën e re të drejtësisë. Ndonëse miliona janë përgjigjur, miliarda të tjerë nuk kanë kushtuar vëmendje. «Me dëshirë» ata e shpërfillin realitetin dhe domethënien e Përmbytjes.—2 Pjetrit 3:5, 13.
Megjithatë Noeja kushtoi vëmendje. Ai e besonte atë që i tha Perëndia Jehova. Kjo bindje i solli shpëtimin. Apostulli Pavël shkroi: «Me anë të besimit, Noeja, pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin, Hebrenjve 11:7.
tregoi frikë Perëndie dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së vet.»—Shembull për t’u imituar
Arka që ndërtoi Noeja ishte gjigante—më e gjatë se një fushë futbolli dhe gati sa një ndërtesë pesëkatëshe. Ajo ishte mbi 30 metra më e gjatë se Wyoming, e cila thuhet se ishte anija më e madhe prej druri e ndërtuar ndonjëherë. Natyrisht që arka nuk ishte anije; ajo thjesht duhej të pluskonte. Gjithsesi, kërkonte teknika të përparuara që të ndërtohej. Po ashtu duhej mbuluar me zift jashtë e brenda. Mund të jenë dashur më shumë se 50 vjet për ta ndërtuar.—Zanafilla 6:14-16.
Por ka edhe më. Noesë i duhej të grumbullonte ushqime për një vit për familjen dhe për kafshët. Para se të vinte Përmbytja, kafshët duheshin mbledhur e futur brenda. «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Jehovai.» Ç’lehtësim duhet të ketë qenë kur, më në fund, çdo gjë ishte gati dhe Jehovai mbylli derën e arkës!—Zanafilla 6:19-21; 7:5, 16.
Pastaj, nisi Përmbytja. Ajo zgjati 40 ditë e 40 net. Të gjithë duhej të qëndronin në arkë për plot një vit, derisa ujërat të tërhiqeshin. (Zanafilla 7:11, 12; 8:13-16) Gjithë të ligjtë kishin vdekur. Vetëm Noeja dhe familja e tij mbijetuan në një tokë të pastruar.
Bibla thotë se Përmbytja globale e ditëve të Noesë është ‘një model i gjërave që do të vijnë’. Në ç’kuptim? Në Bibël lexojmë: «Qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.» Megjithatë, ashtu si në kohën e Noesë, do të ketë të mbijetuar. Të jesh i sigurt se «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor».—2 Pjetrit 2:5, 6, 9; 3:7.
Noeja ishte një njeri me përkushtim hyjnor, një njeri i drejtë mes një brezi të lig. Ai iu bind plotësisht Perëndisë. Pati guximin të bënte atë që ishte e drejtë, edhe pse e dinte se kjo do t’i sillte përçmimin dhe urrejtjen e atyre që s’donin t’i shërbenin Perëndisë. Duke ndjekur shembullin e Noesë në këto aspekte, edhe ne do të kemi pëlqimin e Perëndisë dhe perspektivën për të shpëtuar e për të hyrë në botën e re që do të vijë së shpejti.—Psalmi 37:9, 10.
[Shënimi]
^ par. 7 Shih artikullin «A jetuan vërtet kaq gjatë?» në revistën Zgjohuni!, korrik 2007, faqja 30.
[Diçitura në faqen 5]
Bëmat e dhunshme të nefilimëve ka të ngjarë të jenë pasqyruar në legjendat e lashta
[Figura në faqen 7]
Duke imituar besimin e Noesë, edhe ne mund të kemi pëlqimin e Perëndisë
[Burimi i figurës në faqen 5]
Alinari/Art Resource, NY