«Ai nuk është larg nga secili prej nesh»
Afrojuni Perëndisë
«Ai nuk është larg nga secili prej nesh»
KUR krahasohen me universin e paanë, njerëzit janë vërtet të papërfillshëm. Ndoshta keni pyetur veten: «A është vërtet e mundur që njerëzit e thjeshtë të kenë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë e Plotfuqishëm?» Kjo do të ishte e mundur vetëm nëse Perëndia, emri i të cilit është Jehova, dëshiron t’i afrohemi. A dëshiron ai? Përgjigjen që na ngroh zemrën, e gjejmë te fjalët shprehëse që apostulli Pavël u tha burrave të ditur të Athinës, të cilat janë dokumentuar te Veprat 17:24-27. Le të shqyrtojmë katër aspekte që përmend Pavli për Jehovain.
Së pari, Pavli thotë se Perëndia «bëri botën dhe gjithçka në të». (Vargu 24) Bukuria dhe larmia që e bëjnë jetën kaq të këndshme japin dëshmi se Krijuesi mendon për ne dhe na do. (Romakëve 1:20) Do të ishte absurde të mendonim se një Perëndi i tillë do të vendoste t’u qëndronte larg krijesave që do.
Së dyti, Jehovai «u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka». (Vargu 25) Jehovai na mban në jetë. (Psalmi 36:9) Ajri, uji dhe ushqimi që janë kaq të rëndësishme për jetën, janë dhurata nga Krijuesi ynë. (Jakovi 1:17) A është e arsyeshme të mendojmë se Perëndia ynë bujar do të veçohej nga ne duke na mohuar kështu dhuratën ose privilegjin për ta njohur dhe për t’iu afruar atij?
Së treti, Perëndia i ‘bëri të gjitha kombet nga një njeri i vetëm’. (Vargu 26) Jehovai nuk është i anshëm dhe nuk ka fare paragjykime. (Veprat 10:34) E si mund të ishte ndryshe? Ai krijoi ‘njeriun e vetëm’, Adamin, nga i cili kanë ardhur të gjitha kombet dhe racat. ‘Vullneti i Perëndisë është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë.’ (1 Timoteut 2:4) Pra, mundësia për t’iu afruar atij është e hapur për ne, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, kombësia apo prejardhja etnike.
Së fundi, Pavli thotë një të vërtetë që na jep shumë siguri: Jehovai «nuk është larg nga secili prej nesh». (Vargu 27) Ndonëse shumë i lartësuar, Jehovai është gjithmonë i gatshëm t’i lejojë ata që janë të sinqertë t’i afrohen atij. Fjala e tij na siguron se ai nuk është larg, por «pranë tërë atyre që e thërrasin».—Psalmi 145:18.
Fjalët e Pavlit e tregojnë qartë se Perëndia do që t’i afrohemi. Megjithatë, Pavli shpjegon se Ai ua jep këtë mundësi vetëm atyre që janë të gatshëm ‘ta kërkojnë’ dhe që e bëjnë këtë «madje me ngulm» [ose sipas gjuhës origjinale «që e kërkojnë me të prekur»]. (Vargu 27) Një vepër referimi për përkthyesit e Biblës thotë se «të dyja foljet shprehin si një mundësi të arritshme, . . . ashtu edhe një dëshirë të arritshme». Le ta ilustrojmë: në një dhomë të errët, por që e njihni mirë, mund të kërkoni me të prekur për çelësin e dritës ose derën, por e dini që në fund do t’ia arrini. Po ashtu, nëse sinqerisht e kërkojmë Perëndinë, jemi të sigurt se përpjekjet tona do të shpërblehen. ‘Do ta gjejmë vërtet’,—na siguron Pavli.—Vargu 27.
A dëshironi me zjarr t’i afroheni Perëndisë? Nëse filloni ‘ta kërkoni Perëndinë’ me besim, nuk do të zhgënjeheni. Jehovai mund të gjendet me lehtësi, pasi «ai nuk është larg nga secili prej nesh».