Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tel-Aradi dëshmon në heshtje

Tel-Aradi dëshmon në heshtje

Tel-Aradi dëshmon në heshtje

Qytet i humbur. Tempull misterioz. Vend i fshehtë me mbishkrime të qëmoçme. Duket si skenari i një filmi aventuresk? Faktikisht, këto dhe shumë gjëra të tjera mbetën të fshehura për shekuj të tërë poshtë shtresave të shkretëtirës, në Tel-Arad të Izraelit, derisa arkeologët nisën të gërmonin atje.

SHUMË vizitorëve, Aradi i sotëm u duket një qytet tipik izraelit. Ka 27.000 banorë dhe ndodhet në shkretëtirën judease, në perëndim të Detit të Vdekur. Por qyteti i lashtë izraelit i Aradit ndodhej rreth 8 kilometra më në perëndim. Pikërisht aty arkeologët kanë hequr me kujdes shtresa rëre, duke zbuluar një thesar monumentesh e mbishkrimesh.

Këto mbishkrime ishin gdhendur nëpër ostraka, që janë copa qeramike të përdorura si pllaka për të shkruar. Në kohët biblike ishte e zakonshme të shkruhej në këtë mënyrë. Nga gërmimet në Tel-Arad u gjet ai që është cilësuar si koleksioni më i pasur me ostraka i zbuluar deri tani në Izrael. Po ç’vlerë kanë këto gjetje arkeologjike?

Gjetjet në Tel-Arad i përkasin një periudhe të gjatë të historisë biblike, që nga ditët e gjykatësve të Izraelit e deri te pushtimi i Judës nga babilonasit në vitin 607 p.e.s. Prandaj, këto zbulime janë një ndihmesë për të vërtetuar saktësinë e Biblës. Gjithashtu, disa prej tyre hedhin dritë mbi mënyrën se si e konsideronin emrin e Perëndisë izraelitët e lashtë.

Aradi dhe Bibla

Ç’është e vërteta, Bibla nuk flet shumë për Aradin. Por ky qytet i vendosur në një pikë strategjike, dikur kishte nën kontroll një rrugë tregtare kryesore. Prandaj nuk habitemi që dokumentimet historike dhe gjetjet arkeologjike zbulojnë se ky qytet i lashtë u pushtua, u shkatërrua e u rindërtua sa e sa herë gjatë historisë së tij të trazuar. Për shkak të rindërtimeve të vazhdueshme, u krijua një tel (pirg) shumë i madh.

Bibla e përmend për herë të parë Aradin kur tregon për pjesën e fundit të udhëtimit 40-vjeçar të izraelitëve në shkretëtirë. Pak pas vdekjes së Aaronit, vëllait të Moisiut, populli i Perëndisë kaloi pranë kufirit jugor të Tokës së Premtuar. Me sa duket, këta endacakë të shkretëtirës iu dukën një shënjestër e lehtë mbretit kananit të Aradit, kështu që i sulmoi. Me mbështetjen e Perëndisë Jehova, izraelitët luftuan trimërisht, arritën fitore të plotë dhe e rrafshuan Aradin, ndonëse disa banorë të tij me sa duket mbijetuan.—Numrat 21:1-3.

Kananitët e rindërtuan shpejt qytetin e tyre strategjik. Në fakt, pas disa vjetësh, kur Josiu mbërriti në këtë zonë gjatë pushtimit të tokave që nga veriu dhe spastrimit sistematik të kananitëve prej ‘rajonit malor dhe Negebit’, një nga kundërshtarët e tij ishte «mbreti i Aradit». (Josiu 10:40; 12:14) Më vonë, në këtë zonë të Negebit u vendosën pasardhësit e kenitit Hobab, i cili ishte bashkuar me kampin izraelit dhe e kishte mbështetur gjatë udhëtimit në shkretëtirë.—Gjykatësit 1:16.

Gjetjet arkeologjike

Rrënojat e Tel-Aradit na japin informacione të mëtejshme interesante edhe për disa ngjarje të mëvonshme të dokumentuara në Bibël. Për shembull, arkeologët kanë zbuluar një seri muresh rrethuese. Disa prej tyre ndoshta datojnë që nga mbretërimi i Solomonit, i cili njihej për projektet e gjerësishme të ndërtimit të qyteteve. (1 Mbretërve 9:15-19) Një shtresë e gërmimeve tregon për një shkatërrim të plotë nga zjarri, që sipas llogaritjeve daton në fillim të shekullit të dhjetë p.e.s. Këto zbulime përkojnë me kohën e pushtimit nga mbreti egjiptian Shishak, vetëm pesë vjet pas vdekjes së Solomonit. Në Karnaki, në jug të Egjiptit, ka një reliev në mur që përkujton këtë pushtim dhe e rendit Aradin ndër qytetet e shumta të pushtuara.—2 Kronikave 12:1-4.

Interes të madh përbën fakti që shumë prej rreth 200 ostrakave të zbuluara përmbajnë emra hebraikë që gjenden edhe në Bibël, si: Pashkuri, Meremoti dhe bijtë e Korahut. Disa nga këto dokumente historike janë edhe më me interes pasi përfshijnë emrin e Perëndisë. Ky emër i përveçëm, i përbërë nga katër shkronja hebraike יהוה (JHVH) që shpesh quhen Tetragrami, është unik për Perëndinë e Plotfuqishëm. Më vonë, për shkak të besëtytnive, njerëzit nisën të besonin se ishte sakrilegj të shqiptoje ose të shkruaje emrin e Perëndisë. Por zbulimet në Tel-Arad u bashkëngjiten zbulimeve të tjera të shumta që vërtetojnë se në kohët biblike emri i Perëndisë përdorej gjerësisht në jetën e përditshme, në përshëndetje dhe në urime. Për shembull, në një mbishkrim lexojmë: «Zotërisë tim, Eliashibit. Jahvehu [Jehovai] qoftë me ty e të dhëntë mbarësi! . . . Ai po rri në tempullin e Jahvehut.»

Ç’të themi për tempullin misterioz që përmendëm në fillim? Struktura e Tel-Aradit që u ka dhënë udhë spekulimeve të shumta, është ndërtesa e një tempulli, bashkë me altarin, që i përket periudhës judease. Edhe pse shumë më i vogël se tempulli i Solomonit në Jerusalem, ai ka mjaft ngjashmëri me atë ndërtesë të shenjtë. Pse dhe kur u ndërtua tempulli i Aradit? Si u përdor? Arkeologët dhe historianët vetëm sa hamenden për këtë.

Jehovai e shpalli qartë se tempulli në Jerusalem ishte e vetmja qendër që pranonte për kremtimin e festave vjetore dhe paraqitjen e flijimeve. (Ligji i përtërirë 12:5; 2 Kronikave 7:12) Kështu që tempulli i Aradit u ndërtua e u përdor në kundërshtim me Ligjin e Perëndisë, ndoshta gjatë një epoke kur altarët dhe ritet e ndryshme po i shpërqendronin shumë njerëz nga adhurimi i pastër. (Ezekieli 6:13) Në rast të tillë, kjo qendër e adhurimit të rremë me siguri do të jetë rrafshuar gjatë reformave rrënjësore që bënë Hezekia ose Josia në shekullin e tetë dhe të shtatë p.e.s.—2 Kronikave 31:1; 34:3-5, 33.

S’ka dyshim se ato pak gjëra që kanë mbijetuar nga e kaluara e Aradit, përmbajnë mësime të rëndësishme për ne. Fshehur nën rërën e shekujve, tani kanë dalë në dritë sende që vërtetojnë saktësinë e Biblës, dokumentojnë ngritjen dhe rënien e një imitimi të shëmtuar të adhurimit të vërtetë dhe sigurojnë shembuj se si përdorej me respekt emri i Jehovait në jetën e përditshme.

[Harta dhe figura në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

JERUSALEM

Deti i Vdekur

Arad

Tel-Arad

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.

[Figura në faqen 24]

Pjesëz e relievit në mur në Karnaki, Egjipt

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.

[Figura në faqen 25]

Pjesërisht në këtë mbishkrim thuhet: «Jahvehu [Jehovai] qoftë me ty e të dhëntë mbarësi!»

[Burimi]

Fotografia © Israel Museum, Jerusalem; me mirësjellje nga Israel Antiquities Authority

[Figura në faqen 25]

Pjesë e ndërtesës së tempullit në Tel-Arad

[Figura në faqen 25]

Pamje e fortesës së Tel-Aradit nga ana lindore

[Burimi i figurës në faqen 25]

Todd Bolen/​BiblePlaces.com