Për mënyrën si t’i trajtojmë të tjerët
Çfarë mësojmë nga Jezui
Për mënyrën si t’i trajtojmë të tjerët
Pse të jemi mirëdashës?
A jeni mirëdashës kur të tjerët nuk janë mirëdashës me ju? Nëse duam të imitojmë Jezuin, duhet të jemi mirëdashës madje edhe me ata që na urrejnë. Jezui tha: «Ç’meritë keni, nëse doni ata që ju duan? Sepse edhe mëkatarët duan ata që i duan. . . . Përkundrazi, vazhdoni të doni armiqtë tuaj . . . dhe do të jeni bij të Më të Lartit, sepse ai është mirëdashës edhe me mosmirënjohësit dhe me të ligjtë.»—Luka 6:32-36; 10:25-37.
Pse të falim?
Kur bëjmë gabime, duam që Perëndia të na falë. Jezui mësoi se është e përshtatshme që të lutemi për faljen e Perëndisë. (Mateu 6:12) Por Jezui tha gjithashtu se Perëndia do të na falë vetëm nëse jemi të gatshëm t’i falim të tjerët. Ai tha: «Sepse po t’ua falni njerëzve shkeljet, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë ju, por, po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.»—Mateu 6:14, 15.
Si mund të jenë familjet të lumtura?
Megjithëse Jezui nuk u martua, mund të mësojmë shumë nga ai për mënyrën si të kemi një jetë familjare të lumtur. Me fjalë e me vepra, ai la një shembull që ta imitojmë. Të shqyrtojmë tri aspektet e mëposhtme:
1. Burri duhet ta dojë gruan si trupin e vet. Jezui la shembullin për burrat. Ai u tha dishepujve: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin.» Deri në ç’pikë? Ai vazhdoi: «Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34) Duke e zbatuar këtë parim për burrat, Bibla thotë: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të. . . . Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten, sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin.»—Efesianëve 5:25, 28, 29.
2. Bashkëshortët duhet të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit. Marrëdhëniet seksuale jashtë martesës përbëjnë mëkat kundër Perëndisë dhe rrënojnë familje. Jezui tha: «A nuk e keni lexuar . . . ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë. . . . Unë po ju them se kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»—Mateu 19:4-9.
3. Fëmijët duhet t’u nënshtrohen prindërve. Edhe pse Jezui ishte i përsosur dhe prindërit e tij ishin të papërsosur, kur ishte fëmijë, ai u bindej atyre. Bibla thotë për Jezuin kur ishte 12 vjeç: «Ai zbriti bashkë me ta [prindërit e vet] dhe vajti në Nazaret e vazhdoi t’u nënshtrohej atyre.»—Luka 2:51; Efesianëve 6:1-3.
Pse t’i zbatojmë këto parime?
Në lidhje me mësimet që u mësoi dishepujve, Jezui tha: «Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni.» (Gjoni 13:17) Që të jemi të krishterë të vërtetë duhet të zbatojmë këshillat që na dha Jezui për mënyrën si t’i trajtojmë të tjerët. Ai tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.
Për më shumë informacione, shih kapitullin 14 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? *
[Shënimi]
^ par. 14 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqet 16, 17]
Shëmbëlltyra e Jezuit për birin plëngprishës na mëson sa e rëndësishme është të jemi mirëdashës dhe të falim.—Luka 15:11-32
[Figura në faqen 17]
Bashkëshortët duhet të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit