Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë cilësish ka Ati ynë qiellor?

Çfarë cilësish ka Ati ynë qiellor?

Çfarë cilësish ka Ati ynë qiellor?

SHUMË njerëz mund ta thonë përmendësh lutjen «Ati ynë», lutjen model që Jezui u mësoi dishepujve të tij. (Mateu 6:9-13) Sa herë që thonë këtë lutje, ata i drejtohen Perëndisë me fjalët «Ati ynë». Por, sa prej tyre mund të thonë se e njohin mirë Perëndinë?

Po ti? Sa e njeh Perëndinë? A ke një marrëdhënie të ngushtë me të, flet me të dhe a i ndan me të përvojat e gëzuara dhe të trishtuara? Vërtet, ç’do të thotë të njohësh Perëndinë?

«Jehova është emri i tij»

Gjithçka që mund të dijë një vogëlush për të atin është se e quajnë babi. Megjithatë, duke u rritur ai mëson emrin e të atit dhe ç’njeri është, e me siguri ndihet krenar për të. Ç’të themi për Krijuesin tonë që na ka dhënë jetën? A e di emrin e tij dhe domethënien që ka?

Ndonëse shumë përmendin fjalët «u shenjtëroftë emri yt» kur thonë lutjen «Ati ynë», ata mund të mos dinë ç’të thonë po t’i pyesësh: «Cili është ai emër?» Qiejt plot yje, një mal madhështor, deti i paanë ku gëlon jeta—të gjitha këto dëshmojnë se ka një Perëndi. Por ato nuk na e tregojnë emrin e tij. Për ta mësuar këtë emër, duhet t’i drejtohemi Biblës. Ajo thotë qartë: «Jehova është emri i tij.»—Dalja 15:3.

Perëndia do që ta njohim me emrin e tij, Jehova. Pse? Sepse emri i tij tregon ç’person është. Fjalë për fjalë ky emër ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet». Me fjalë të tjera, ai bëhet çdo gjë që është e nevojshme për të përmbushur qëllimin e tij. Mendoje kështu: që të kujdeset për familjen, një baba bëhet sigurues i të ardhurave, këshillues, gjykatës, diplomat, mbrojtës dhe mësues, të gjitha në varësi të nevojave dhe rrethanave të familjes. Në të njëjtën mënyrë, emri Jehova na siguron se Perëndia është plotësisht në gjendje ta përmbushë vullnetin e tij kurdoherë, për dobinë e të gjithë atyre që i shërbejnë.

Le të shqyrtojmë rolet e ndryshme që merr Perëndia ynë i dashur, në përputhje me domethënien e emrit të tij. Kështu do të kuptosh se ç’lloj Perëndie është Jehovai dhe do të mësosh ç’duhet të bësh për t’iu afruar atij.

«Perëndia i dashurisë dhe i paqes»

Apostulli Pavël e quajti Krijuesin tonë «Perëndia i dashurisë dhe i paqes». (2 Korintasve 13:11) Pse? Më herët Jezu Krishti kishte thënë: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Nga dashuria e madhe që kishte për njerëzit, Perëndia dha Birin e tij të dashur si shpërblesë, që ata që tregojnë besim tek ai, të gëzojnë jetën pa fund, pa dhembjet dhe vuajtjet që sjell mëkati. Ja përse Pavli tha edhe: «Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23) A nuk duhet të na nxitë kjo ta duam Perëndinë dhe t’i afrohemi atij?

Perëndia e tregon dashurinë e tij jo vetëm për njerëzit në përgjithësi, por edhe për secilin prej atyre që i qëndrojnë besnikë. Izraelitëve të lashtë, që shpesh tregoheshin të pabindur, Moisiu u tha: «Kështu vazhdon t’ia bësh Jehovait, o popull i pamend e jo i mençur? A nuk është ai Ati yt që të solli në jetë, që të krijoi e të bëri të patundur?» (Ligji i përtërirë 32:6) A e kupton rëndësinë e këtyre fjalëve? Si një Atë i dashur, Jehovai kujdesej për popullin e tij, megjithëse i njihte të metat e tyre. Ai u plotësoi nevojat reale—materiale, emocionale dhe frymore.

Të gjithë në jetë kemi të përpjeta e të tatëpjeta, dhe ndonjëherë ndihemi tejet të shqetësuar, madje të dëshpëruar. Kemi nevojë për dikë që të na ndihmojë ta shikojmë nga këndvështrimi i duhur situatën dhe problemet. Kush mund të na ndihmojë? Përmes Fjalës së tij, Biblës, Jehovai tregon se është një Këshillues i dashur dhe një person që kujdeset për ne. Ky Libër i Shenjtë shpjegon pse kalojmë kaq shumë vuajtje dhe si t’i përballojmë ato. Ashtu si një baba e ndihmon me dashuri të birin që është rrëzuar dhe është dëmtuar, edhe Jehovai nga dashuria e madhe që ka, përkulet si të thuash, që të na sigurojë ndihmën e nevojshme. Vërtet, dora e Jehovait nuk është e shkurtër për të ndihmuar ata që tregojnë besim tek ai.—Isaia 59:1.

Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh edhe duke qenë «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2) Përse themi kështu? Apostulli Pavël shpjegon: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Duke iu afruar Perëndisë sinqerisht në lutje dhe duke ndjekur udhëheqjen që jep në Fjalën e tij, edhe ti mund të provosh ‘paqen e Perëndisë që kapërcen çdo mendim’.

«Perëndi i njohurisë»

Në Bibël Perëndia Jehova përshkruhet si «i përsosur në njohuri». Si «Perëndi i njohurisë», ai i njeh natyrën dhe nevojat e njerëzve më mirë se kushdo tjetër. (Jobi 36:4; 1 Samuelit 2:3) Nëpërmjet shërbëtorit të vet, Moisiut, ai tha: «Njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Ligji i përtërirë 8:3; Mateu 4:4) Kjo do të thotë se për të qenë vërtet të lumtur, kemi nevojë për diçka më shumë se gjërat materiale.

Krijuesi ynë na siguron këshilla dhe udhëheqje të çmuar përmes Fjalës së tij, Biblës. Kur studiojmë Biblën dhe e zbatojmë në jetën tonë atë që mësojmë, nxjerrim dobi nga «çdo fjalë që del nga goja e Jehovait». Për shembull, një e krishterë që quhet Suzana, tha për jetën e saj familjare: «Martesa jonë është forcuar ngaqë lexojmë Biblën së bashku, shkojmë në mbledhjet e krishtere dhe u flasim të tjerëve për bindjet tona. Falë drejtimit të Perëndisë, kemi të njëjtat synime në jetë dhe një marrëdhënie më të fortë me njëri-tjetrin.»

A do të doje të nxirrje dobi nga këshillat dhe drejtimi që jep Perëndia? Duke bërë një studim të rregullt biblik dhe duke e zbatuar në jetën tënde atë që mëson, mund të marrësh shumë bekime nga ai.—Hebrenjve 12:9.

«Perëndia i shpëtimit»

Bota sot është plot me konflikte. Nuk dihet ç’mund të sjellë e nesërmja. Nëse jeton në një vend ku ka luftë, me siguri dëshiron me zjarr të jetosh në paqe. Në shumë pjesë të tjera të botës, njerëzit jetojnë me frikën e krimit, dhunës, pasigurisë ekonomike dhe akteve terroriste. Kush do të na shpëtojë nga të gjitha këto? Tani, si kurrë më parë, njerëzimi ka nevojë për mbrojtje dhe çlirim.

Bibla thotë: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.» (Proverbat 18:10) Kur e dimë emrin e Perëndisë dhe mbështetemi te ky emër, nxitemi të mendojmë për atë që ka bërë e që do të bëjë për të çliruar ata që tregojnë besim tek ai. Perëndia Jehova ka provuar përtej çdo dyshimi se është i aftë t’i çlirojë shërbëtorët e tij. Për shembull, ai e shpëtoi Izraelin duke shkatërruar karrocat e luftës dhe forcat ushtarake të faraonit. Jehovai ka provuar se është Perëndi i besueshëm, që kujtohet për të munduarit dhe do që t’i ndihmojë.—Dalja 15:1-4.

E ardhmja jonë e përhershme, veç të tjerash, varet edhe nga besimi që tregojmë te Perëndia Jehova si Shpëtimtari ynë. Davidi, mbret i Izraelit të lashtë i cili duhej të përballonte vështirësi të shumta, e tregoi këtë lloj besimi kur shkroi për Jehovain: «Ti je Perëndia i shpëtimit tim.» (Psalmi 25:5) Apostulli Pjetër tha me besim: «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor.»—2 Pjetrit 2:9.

Atij që i drejtohet për ndihmë, Perëndia i ka premtuar: «Do ta mbroj, sepse njeh emrin tim.» (Psalmi 91:14) Shërbëtorët e Perëndisë sot e kanë provuar vërtetësinë e këtij premtimi. Henriku nga Polonia i ka shërbyer Jehovait besnikërisht për 70 vjet, pavarësisht nga vështirësitë dhe përndjekjet. Kur ai ishte vetëm 16 vjeç, të atin e çuan në kampin e përqendrimit në Aushvic. Henrikun dhe vëllanë e tij më të madh i dërguan në një shkollë naziste riedukimi për të rinjtë. Më pas, atë e transferuan sa në një kamp përqendrimi në një tjetër. Duke kujtuar ato kohë, Henriku thotë: «Jehovai kurrë nuk më braktisi gjatë gjithë vështirësive që kalova. Ai më ka ndihmuar gjithmonë të qëndroj besnik, madje edhe në ato raste kur isha në kthetrat e vdekjes.» Po, Jehovai u jep shërbëtorëve të tij besimin dhe forcën për të qëndruar të patundur.

Së shpejti Perëndia do t’i shpëtojë ata që tregojnë besim tek ai dhe që janë të sigurt se ai do t’i çlirojë. Ai thotë: «Unë jam Jehovai dhe veç meje nuk ka tjetër shpëtimtar.» (Isaia 43:11) Në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm», ai do t’i shfarosë të ligjtë nga faqja e dheut dhe do të çlirojë të drejtët. (Zbulesa 16:14, 16; Proverbat 2:21, 22) Jehovai na siguron: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:11.

Do të bëhemi ‘fëmijë të Perëndisë’

Në ditët e profetit Malakia, izraelitët pretendonin se Jehovai ishte Ati i tyre. Megjithatë, kur vinte puna për t’i treguar nderim e përkushtim, paraqitnin si flijim bukë të ndotur dhe kafshë të verbra ose të çala. Ja përse Jehovai i pyeti: «Nëse unë jam ati, ku është nderimi që më takon?»—Malakia 1:6.

Mos bëj të njëjtin gabim si ata izraelitë jobesnikë. Përkundrazi, të nxitim të mësosh për Perëndinë Jehova dhe t’i afrohesh atij. «Afrojuni Perëndisë,—nxiti dishepulli Jakov,—dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovi 4:8.

Të kesh Atë Jehovain, sjell disa përgjegjësi. Nëse përpiqesh ta nderosh Perëndinë duke iu përmbajtur normave të tij në çdo fushë të jetës, ai nuk do t’i harrojë kurrë përpjekjet e tua. Përkundrazi, do të të ndihmojë të ecësh në rrugën që çon drejt botës së re të premtuar, ku «nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». (Zbulesa 21:4) Në atë kohë, i gjithë njerëzimi i bindur «do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».—Romakëve 8:21.

[Diçitura në faqen 5]

Perëndia do që ta njohim me emrin e tij, Jehova, që fjalë për fjalë do të thotë «Ai shkakton të bëhet»

[Diçitura në faqen 6]

«Jehovai kurrë nuk më braktisi gjatë gjithë vështirësive që kalova.»—HENRIKU

[Diçitura në faqen 7]

«Martesa jonë është forcuar ngaqë lexojmë Biblën së bashku, shkojmë në mbledhjet e krishtere dhe u flasim të tjerëve për bindjet tona.»—SUZANA