Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse Judës i ofruan 30 monedha argjendi për të tradhëtuar Jezuin?

Kur Judë Iskarioti takoi krerët e priftërinjve për të biseduar se sa para do t’i jepnin po të tradhtonte Jezuin, ata i ofruan «tridhjetë monedha argjendi.» (Mateu 26:14, 15) Kjo shumë me sa duket tregonte përçmimin e tyre ndaj Jezuit dhe se sa pak e vlerësonin.

Monedhat për të cilat flitet mund të kenë qenë sikla argjendi, njësia monetare standarde e judenjve. Çfarë mund të blihej me 30 sikla? Sipas Ligjit të Moisiut, ky ishte çmimi i një skllavi. Gjithashtu, me tridhjetë sikla mund të blihej një copë tokë.—Dalja 21:32; Mateu 27:6, 7.

Kur profeti Zakaria kërkoi pagën e tij nga izraelitët jobesnikë për punën e tij si bari i popullit të Perëndisë, ata i dhanë «tridhjetë monedha të argjendta». Ky ishte një gjest poshtërues dhe i qëllimshëm ndaj profetit të Perëndisë, që tregonte se nuk e vlerësonin më shumë se një skllav. Prandaj, Jehovai e urdhëroi Zakarinë: «Hidhe në thesar shumën e madhe me të cilën më vlerësuan.» (Zakaria 11:12, 13) Bindja e Zakarisë ndaj këtij urdhri, na kujton atë që do të bënte Juda me shumën që mori për të tradhëtuar Atë që Jehovai kishte caktuar si bariun e Izraelit.—Mateu 27:5.

Çfarë ishte ‘dëshmia e divorcit’ që përmendet në Bibël?

Në Ligjin e Moisiut thuhej: «Në rast se një burrë merr një grua për nuse, dhe ajo nuk fiton hir në sytë e tij, pasi ai gjen tek ajo ndonjë gjë të turpshme, atëherë duhet t’i shkruajë një dëshmi divorci, t’ia japë në dorë dhe ta përzërë nga shtëpia.» (Ligji i përtërirë 24:1) Cili ishte qëllimi i këtij dokumenti? Në Shkrime nuk flitet për përmbajtjen e një dokumenti të tillë, por sigurisht ai do të shërbente si mbrojtje për të drejtat dhe interesat e gruas së lënë.

Në vitin 1951-1952, u zbuluan një sërë objektesh të lashta në disa shpella në anën veriore të Vadi Murabatit, një shtrat lumi i tharë në shkretëtirën e Judesë. Ndër dorëshkrimet e shumta që u gjetën atje, ishte edhe një dëshmi divorci e shkruar në aramaisht që datonte nga viti 71 ose 72 i e.s. Aty dokumentohej se çfarë kishte ndodhur ditën e parë të muajit marheshvan, në vitin e gjashtë të revoltës së judenjve kundër Romës. Jozefi, biri i Naksanit, banues në Masadë, divorcoi Miriamin, të bijën e Jonatanit nga Hanablata. Pas kësaj ajo ishte e lirë të martohej me çdo jude që do të pëlqente. Jozefi i ktheu pajën Miriamit dhe e dëmshpërbleu katërfish për sendet e dëmtuara. Dëshmia u firmos nga vetë Jozefi dhe nga tre dëshmitarë: Eliezeri, bir i Malkait; Jozefi, bir i Malkait; Eleazari, bir i Hananait.

[Figura në faqen 25]

Shpella në Vadi Murabat

[Figura në faqen 25]

Dëshmi divorci që daton nga viti 71 ose 72 i e.s.

[Burimet e figurave në faqen 25]

Shpellat: Todd Bolen/​Bible Places.com; dëshmia: Clara Amit, me mirësjellje nga Israel Antiquities Authority