Kuptova sa e çmuar është jeta
Kuptova sa e çmuar është jeta
ISHTE MËNGJESI I 16 PRILLIT 2007. Teksa isha mbledhur kruspull në qoshen e një zyre në katin e tretë të godinës Noris Holl në universitetin Virginia Tech, më erdhi ndër mend edhe një herë se sa mirënjohës duhet të jemi për çdo ditë të çmuar që jetojmë.
Isha në zyrën time dhe sa do të shkoja në katin e dytë për të marrë postën. Një profesor më kërkoi të shkoja në zyrën e tij për ta ndihmuar me një problem që kishte me kompjuterin. Kur po hynim në zyrën e tij, dëgjuam një breshëri të shtënash që kumbuan në katin e dytë. Pa ditur se ç’po ndodhte, nxituam të futeshim brenda, kyçëm derën dhe në ankth pritëm se ç’do të ndodhte në minutat vijuese. U struka në një qoshe dhe në lutje ia zbraza zemrën Perëndisë Jehova, duke kërkuar drejtimin e tij për të përballuar çfarëdo gjëje që mund të ndodhte.
Ndërsa prisnim, më kaloi nëpër mend diçka që më kishte ndodhur para 15 vjetësh. Punoja si mekanik në një ofiçinë. Një kolegut tim i mori flakë një bidon me karburant që kishte në dorë. Nga paniku, ai ma hodhi pa dashje në fytyrë. Thitha tymin e nxehtë dhe pësova djegie të gradës së dytë e të tretë në pjesën e sipërme të trupit. Më çuan me helikopter në spitalin e djegieve dhe më mbajtën në terapi intensive tre muaj e gjysmë ndërsa luftoja për jetën. Pas pesë muajsh trajtimi dhe kurimi, munda të kthehesha në shtëpi, mirënjohës që isha gjallë. Ajo përvojë më mësoi ta çmoj çdo ditë të jetës. Gjithashtu më bëri më të vendosur ta përdorja jetën në shërbim të atij që ma dhuroi, Perëndisë Jehova, si një Dëshmitar i tij.—Psalmi 90:12; Isaia 43:10.
Meqë nuk isha më në gjendje të punoja si mekanik, për shkak të dëmtimeve që pësova, mësova të punoja me kompjuterët dhe u punësova nga Virginia Tech. Ja pse atë mëngjes isha në atë godinë të universitetit.
Ndërsa të shtënat vazhdonin, as që na e merrte mendja që vetëm një kat poshtë nesh po ndodhte kasaphana më e madhe me armë zjarri në historinë e SHBA-së. Kjo kasaphanë mori fund kur vrasësi vrau veten, pasi u kishte marrë jetën 32 njerëzve të pafajshëm. Rreth 20 minuta pas të shtënave të para, dëgjuam policët në korridor. U thirrëm me zë të lartë dhe na shoqëruan jashtë.
Kjo përvojë tronditëse më ka mësuar se sa kalimtare dhe e pasigurt është jeta. (Jakovi 4:14) Sa e rëndësishme është të besojmë te Dhënësi i jetës, Perëndia Jehova, dhe ta konsiderojmë çdo ditë si një dhuratë të çmuar prej tij!—Psalmi 23:4; 91:2.
[Burimi i figurës në faqen 30]
AP Photo/The Roanoke Times, Alan Kim