Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Te lumi Koko, kthehu djathtas!»

«Te lumi Koko, kthehu djathtas!»

Një letër nga Nikaragua

«Te lumi Koko, kthehu djathtas!»

«DO TË të duhet një makinë fuoristradë, një çikrik dhe karburant rezervë me vete. Përgatitu për rrugë me baltë që arrin deri te shasia. Te lumi Koko, kthehu djathtas!»

Duhet ta pranoj që këto fjalë të një misionari nuk ma larguan pasigurinë. Pavarësisht nga kjo, një të martë në mëngjes mora rrugën për të shkuar në një asamble të krishterë në Uamblan, një qytet i vogël në veri të Nikaraguas.

U nisa në të gdhirë me kamionin tim të vjetër, por të fortë, përgjatë autostradës panamerikane. Në qytetin e Hinotegës, hyra në rrugën e pashtruar që vendësit e quajnë feo, ose e shëmtuar. Para se të dilja nga qyteti, vura re dy dyqane, një me emrin «Mrekulli e Perëndisë» dhe tjetri «Ringjallja».

Rruga ishte kthesa-kthesa dhe me të përpjeta e të tatëpjeta. I jepja makinës avash-avash nëpër gryka dhe gjire bregdetare. Rrugës kalova pranë një liqeni të gjatë të strukur në luginën e një mali të lartë mbi të cilin retë ishin ulur si kurorë. Përmes mjegullës shquaja pemë të stolisura përreth me orkide.

Në një kthesë të fortë sa nuk u përplasa me një autobus që kishte zaptuar rrugën. Nga mbrapa nxirrte veç tym të zi dhe nga rrotat e tij vërviste gurë. Këtu në Nikaragua, dallohen qartë mbi xhamin e përparmë të autobusëve nofkat e shoferëve agresivë: Pushtuesi, Akrepi, Pitoni ose Gjahtari.

Në mesditë po udhëtoja përmes rrafshinës së Pantasmës. Atje kalova pranë një shtëpie prej druri, oborri i së cilës sapo ishte fshirë. Ishte si nga ato pamjet e librave të vjetër: një i moshuar i ulur në stol, një qen që flinte nën pemë dhe një pendë qe të mbrehur në një qerre me rrota druri. Në një qytezë pashë një tufë kalamajsh që dilnin nga shkolla. Të veshur me uniformat blu të errëta u lëshuan në rrugën kryesore si dallga në breg.

Dielli vezullonte ndërsa i afrohesha Uiuilit dhe për herë të parë u shpalos para meje lumi Koko. Ky lum i fuqishëm, me ujërat e tij vërshues, spikaste në atë qytet. Duke iu bindur udhëzimeve, u ktheva djathtas dhe mora rrugën e rrezikshme prej 37 kilometrash për në Uamblan.

Mu desh të kaloja me kamion mbi shkëmbinj, brazda, gunga dhe duke çarë mes për mes tetë a nëntë përrenj. Ndërsa përpiqesha të shmangia brazdat e krijuara nga balta e tharë, ngrita një stuhi të vogël pluhuri. Po, siç thonë vendësit, «hëngra pluhur». Më në fund, rruga mbaroi dhe ja ku u shpalos para meje Uamblani, destinacioni im, në hijen e errët të një lugine të veshur me pemë.

Ditën tjetër, dukej sikur të gjithë ishin çuar që në 4:30 të mëngjesit. I zgjuar nga kënga e pareshtur e gjelave, u ngrita dhe mora teposhtë rrugës kryesore. Ajri i malit ishte mbushur me aromën e tortijave të pjekura në furra guri.

Aty-këtu, nëpër mure, shihje pamje shumëngjyrëshe të Parajsës të pikturuara nga një piktor vendës. Nëpër pulperías, ose dyqanet në qoshet e rrugëve, reklamoheshin lloj-lloj pijesh kola. Afishet nëpër mure u kujtonin njerëzve premtimet e tri qeverive të fundit. Banjat prej llamarine të shndritshme ngriheshin mbi pllaka çimentoje.

I përshëndesja njerëzit në gjuhën e tyre duke përdorur shprehjen Adiós. Ata më buzëqeshnin dhe më flisnin me ngrohtësi. Flisnim me zë të lartë nga zhurma e trafikut—nga trokëllima e kuajve dhe e mushkave.

Të premten në mbrëmje, shumë familje mbërritën për asamblenë dy-ditore. Kishin udhëtuar në këmbë, me kuaj ose me kamiona. Disa fëmijë kishin ecur për gjashtë orë me sandale plastike. Kishin kaluar nëpër lumenj nën rrezikun e minave dhe kishin përballuar me trimëri shushunjat në ujërat e qeta. Disa që vinin nga larg kishin marrë nga pak ushqim me vete—oriz me dhjamë derri. Pse kishin ardhur të gjithë këta?

Kishin ardhur për të forcuar shpresën për një të ardhme më të mirë. Kishin ardhur për të dëgjuar shpjegime nga Bibla. Kishin ardhur për t’i pëlqyer Perëndisë.

Erdhi e shtuna. Nën një çati llamarine, ishin ulur në stola druri dhe karrige plastike më shumë se 300 veta. Nënat mëndnin fëmijët. Derrat gërhinin dhe gjelucët këndonin në fushat ngjitur.

Temperatura u ngrit mjaft dhe, pa kaluar shumë, nxehtësia u bë pothuajse e padurueshme. Megjithatë, të pranishmit ishin gjithë sy e vesh ndaj këshillave që po jepeshin. Ndiqnin oratorët ndërsa lexonin shkrimet nga Bibla, këndonin këngët me përmbajtje biblike dhe dëgjonin gjithë respekt lutjet që bëheshin për ta.

Pas programit, u bashkova me disa të tjerë dhe luajta «e ka kush e ka» me kalamajtë. Pastaj pamë shënimet që kishin marrë të rinjtë. U tregova në kompjuterin tim pamje yjesh dhe galaktikash. Fëmijët qeshnin dhe prindërit kënaqeshin.

Asambleja iku pa u ndier dhe të gjithë duhej të ktheheshin në shtëpi. U largova mëngjesin tjetër, duke marrë me vete plot kujtime të bukura dhe me një zemër plot dashuri për miqtë e mi të rinj. Jam i vendosur t’i imitoj dhe të mësoj si të jem i kënaqur e të shpresoj te Perëndia.

[Figurat në faqen 17]

Shumë familje udhëtuan kilometra të tëra për të ndjekur asamblenë në Uamblan