Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Toka është «me temperaturë»​—A ka shërim?

Toka është «me temperaturë»​—A ka shërim?

Toka është «me temperaturë»​—A ka shërim?

SIMPTOMAT janë të qarta—temperatura po ngrihet. Një rast tipik është Njutoku, një fshat në Alaskë që ndodhet në jug të Rrethit Polar Arktik. Shtresa nëntokësore njëherë e një kohë e ngrirë—e njohur me termin permafrost—mbi të cilën është ngritur Njutoku, po shkrihet. «Nuk dua të jetoj [më] në permafrost,—u ankua një banor me emrin Frenk.—Ka shumë baltë.» Studimet thonë se brenda dhjetë vjetësh ky fshat bregdetar mund të përmbytet përgjithmonë.

Sipas përfundimit të nxjerrë nga Komiteti Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), «ngrohja e sistemit klimatik është e padiskutueshme». Këtë e vërteton edhe rritja e temperaturave në mbarë globin. Ajo që shkencëtarët e quajnë ndryshim klimatik, ka shkaktuar fenomene ekstreme të motit, si thatësirë, reshje të dendura, periudha të nxehta dhe uragane në mbarë globin. Si do t’i vejë halli planetit tonë? A ka «shërim»?

Përcaktimi i diagnozës

Ashtu si me një pacient në spital, simptomat shëndetësore të Tokës vëzhgohen me kujdes nga shkencëtarët e klimës. Satelitët gjurmojnë zvogëlimin e akullnajave, stacionet meteorologjike matin reshjet e shiut, bovat matin temperaturat në thellësi të oqeanit, avionët regjistrojnë nivelet e gazeve atmosferikë. Kjo gamë e gjerë të dhënash klimatike hidhet në superkompjuterë. Në to bëhen simulime të sistemit klimatik në mënyrë të atillë që të parashikojnë se çfarë do të ndodhë dekada, e madje shekuj më vonë.

Cila është diagnoza? Disa besojnë se atmosfera është shumë e rënduar me gaze që shkaktojnë efektin serrë. Vetëm në vitin 2006, çlirimi i dyoksidit të karbonit në të gjithë botën «arriti një shifër marramendëse prej 32 miliardë tonësh»,—thotë revista Time. Ashtu si xhamat e serrave, këto gaze e bllokojnë nxehtësinë e tokës duke mos e lejuar të largohet në hapësirë, dhe kjo sjell ngrohjen globale. Ç’do të ndodhë në të ardhmen? Sipas IPCC-së, çlirimi i vazhdueshëm i gazeve me ritmin e tanishëm, do të sjellë «shumë ndryshime në sistemin klimatik global», që në të ardhmen ka shumë të ngjarë të përkeqësohen. Shumë mendojnë se zgjidhja është të kufizohet sasia e dyoksidit të karbonit që çlirohet në atmosferë. Megjithatë, edhe nëse çlirimi i këtyre gazeve do të frenohej disi, simulimet kompjuterike tregojnë se ndoshta «ngrohja globale dhe [si rrjedhojë] ngritja e nivelit të detit do të vazhdonte për shekuj».

Ku t’i kërkojmë përgjigjet?

Klimatologjia është pa dyshim një shkencë e ndërlikuar. «Për shembull, çfarë do të ndodhë me retë ndërsa ngrohja e Tokës vazhdon? Mos ndoshta retë e lartësive të mëdha që thithin nxehtësinë dhe rritin ngrohjen globale, do të shtohen në krahasim me retë e dendura që bllokojnë dritën e diellit?»—pyet Earth Observatory, një botim në Internet. Përgjigja? «Për momentin, shkencëtarët nuk mund t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.»

Nga ana tjetër, Bibla pohon se Perëndia Jehova është «Bërësi i qiellit e i tokës», përfshirë edhe «masat e reve atje lart». (Zanafilla 14:19; Proverbat 8:28) Me gjuhë figurative ai e përshkruan veten si Ai që «i dha mençuri shtresës së reve». Po, ndryshe nga shkencëtarët, Jehovai kupton gjithçka.—Jobi 38:36.

Shikoni se çfarë ka dokumentuar Perëndia rreth 2.700 vjet më parë për atmosferën e Tokës: ‘Shiu zbret nga qielli dhe nuk kthehet prapa pa vaditur tokën.’ (Isaia 55:10, Diodati i Ri) Sa mirë e përmbledh ky varg përshkrimin e ciklit hidrologjik, ose të qarkullimit të ujit! Avujt e ujit në re kondensohen dhe bien në formë shiu, që ‘vadit tokën’. Nxehtësia diellore bën që uji të avullojë dhe të kthehet «prapa», domethënë në atmosferë, për të filluar ciklin nga e para. Fjala e Jehovait jepte hollësi mahnitëse për sistemin klimatik të tokës shekuj para se të dokumentoheshin në shkrime jobiblike. A nuk ju bën kjo të besoni te Krijuesi dhe tek aftësitë e tij? Prandaj, kur mendojmë se si do t’i vejë filli krizës klimatike të sotme, a nuk do të ishte e arsyeshme t’i kërkojmë përgjigjet nga «Krijuesi i erës», ‘babai i shiut’, domethënë nga ai që e di si funksionon ky planet?—Amosi 4:13; Jobi 38:28.

Toka u krijua me një qëllim

Edhe pse ekzistojnë mendime të ndryshme për të ardhmen e tokës, një gjë është e sigurt: Toka është unike. Ndryshe nga planetët e tjerë, në të ka një shumëllojshmëri mahnitëse krijesash. Çfarë e bën të mundur këtë? Shkencëtarët përmendin një sërë faktorësh. Konkretisht, toka përmban një sasi të bollshme uji në trajtë të lëngshme; ajo ndodhet në largësinë e duhur nga dielli dhe në të gjendet kombinimi i duhur i gazeve atmosferike, si dhe sasi të mëdha oksigjeni.

Mund të habiteni po të dëgjoni se libri biblik i Zanafillës, kur tregon për krijimin, flet pikërisht për këto karakteristika. Për shembull, Zanafilla 1:10 tregon se Perëndia i grumbulloi ‘ujërat e i quajti Dete’—dhe kjo nënkupton qartë një bollëk ujërash. Te Zanafilla 1:3, lexojmë: «Perëndia tha: ‘Le të bëhet dritë.’» Planeti ynë ndodhet afër diellit pikërisht në atë distancë që shumica e ujërave të qëndrojë në trajtë të lëngshme, e megjithatë jo aq afër sa të gjitha ujërat të avullojnë në hapësirë.

Zanafilla 1:6 thotë se Perëndia krijoi ‘hapësirën’ ose atmosferën. Pastaj, vargjet 11 dhe 12 tregojnë se Perëndia bëri që të mbinte bari, bimësia dhe pemët. Të gjitha këto vërtetojnë ekzistencën e oksigjenit, që më vonë do të bënte të mundur frymëmarrjen e njeriut dhe të kafshëve.

Atëherë, në çfarë përfundimi mund të arrijmë? Kur Perëndia krijoi tokën—me ujërat e bollshme, në distancën e duhur nga dielli dhe me kombinimin e duhur të gazeve—atëherë sigurisht që duhet të ketë pasur një arsye, një qëllim. Bibla thotë: «[Perëndia] nuk e krijoi [tokën] më kot, por e formoi që të banohej.» (Isaia 45:18) «Qiejt janë të Jehovait,—thuhet te Psalmi 115:16,—kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.» Po, toka u krijua që të banohej nga njerëzit.

Sipas Shkrimeve, Perëndia krijoi çiftin e parë njerëzor dhe i vuri në kopshtin e Edenit, një parajsë e bukur. Ata duhej ‘ta punonin e të kujdeseshin për të’. (Zanafilla 2:15) Perëndia gjithashtu u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» (Zanafilla 1:28) Sa e ardhme e bukur i priste! Ata duhej ta kthenin të gjithë tokën në Parajsë dhe të banonin përgjithmonë në të. Çfarë e ardhme e mrekullueshme!

Mjerisht, në vend që t’i vinin veshin e t’i bindeshin Perëndisë, çifti i parë njerëzor zgjodhën me kryeneçësi të ishin të pavarur, dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe shumica e njerëzimit deri në ditët e sotme. (Zanafilla 3:1-6) Përfundimi? Në vend që ta punojë dhe të kujdeset për tokën, njeriu po e ‘rrënon’ në një shkallë të paimagjinueshme. (Zbulesa 11:18) Megjithatë, na ngushëllon fakti që qëllimi i Perëndisë për tokën nuk ka ndryshuar. Bibla na siguron: ‘[Perëndia] e vendosi tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.’ (Psalmi 104:5) Edhe vetë Jezui premtoi gjatë Predikimit në Mal: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5) Si do të arrihet kjo?

Na pret një e ardhme e bukur

«Ndryshimi i klimës është një problem global,—tha një nga presidentët e mëparshëm të SHBA-së. Atëherë, a nuk mendoni edhe ju se duhet një zgjidhje në shkallë globale? Jezu Krishti tregoi zgjidhjen—Mbretërinë e Perëndisë. Ai i mësoi dishepujt të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote.» (Mateu 6:9, 10) Sipas profecisë biblike, kjo Mbretëri qiellore është një qeveri globale që së shpejti «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [qeverive të ditëve të sotme]». (Danieli 2:44) Për më tepër, ajo ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Qartë, ata që abuzojnë me tokën dhe shpërdorojnë burimet e saj, do të quhen përgjegjës dhe do të shkatërrohen.

Po ç’do t’i ndodhë planetit tonë të ndotur? Ia vlen të përmendet se, kur ishte në tokë, Jezui tregoi fuqi të jashtëzakonshme mbi elementët e natyrës, si era dhe deti. Vetëm duke shqiptuar pak fjalë, ai pushoi një stuhi të fortë. (Marku 4:35-41) Duke sunduar në qiej si «Zotëri i zotërinjve dhe Mbret i mbretërve», Jezui do të tregojë një fuqi edhe më të madhe mbi tokën dhe elementët e natyrës. (Zbulesa 17:14) Në fakt, Jezui e përshkroi sundimin e tij si ‘përtëritja e krijimit’. (Mateu 19:28) Një përkthim tjetër përdor shprehjen ‘ripërtëritja e të gjitha gjërave’. (New International Version) Jezui do të përtërijë kushtet tokësore, duke i bërë njësoj si ato në kopshtin e Edenit. Parajsa do të rivendoset. (Luka 23:43) Toka do të shërohet nga «temperatura» e saj—me anë të Mbretërisë së Perëndisë.

Edhe tani, mund të nxirrni dobi nga sundimi i kësaj Mbretërie. Si? Jezui paratha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:14) Si rrjedhim, miliona njerëz po e mirëpresin lajmin e mirë dhe po ndryshojnë mënyrën e jetesës. Po lënë mënjanë veset vdekjeprurëse. Po përmirësojnë jetën familjare. Po zëvendësojnë urrejtjen raciale me dashurinë. Në të vërtetë, Mbretëria e Perëndisë po bën atë që nuk mund ta bëjë asnjë qeveri njerëzore. Ajo ka bashkuar në një vëllazëri të vërtetë ndërkombëtare pothuajse shtatë milionë njerëz nga më shumë se 235 vende. Po, si nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë, ata po përgatiten për të jetuar përgjithmonë në Parajsë mbi këtë planet.

E ardhmja e Tokës është e sigurt. Urojmë që kjo të jetë e vërtetë edhe për të ardhmen tuaj!

[Figura në faqen 27]

Bibla përshkruante ciklin e qarkullimit të ujit në tokë shekuj para se të zbulohej nga njeriu

[Figura në faqen 28]

Jezui «qortoi erën dhe i tha detit: ‘Pusho! Hesht!’ Era ra dhe u bë një qetësi e madhe»

[Figura në faqen 29]

Kur Parajsa të rivendoset, toka do të shërohet nga «temperatura» e saj

[Burimi i figurës në faqen 26]

Godo-Foto