Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Bëhuni . . . imitues të Perëndisë»

«Bëhuni . . . imitues të Perëndisë»

Afrojuni Perëndisë

«Bëhuni . . . imitues të Perëndisë»

Efesianëve 4:32–5:2

MIRËDASHJE. Dhembshuri. Falje. Dashuri. Mjerisht, rrallë sheh njerëz që shfaqin cilësi të tilla sot. Po ti? A ke menduar ndonjëherë se, sado të përpiqesh, kurrë nuk do të jesh në gjendje të kultivosh këto cilësi fisnike? Një zemër vetëkritikuese mund të këmbëngulë se disa pengesa, si zakone të këqija të rrënjosura thellë ose përvoja të dhembshme nga e kaluara, ta bëjnë të pamundur të zhvillosh cilësi tërheqëse. Por Bibla na mëson këtë të vërtetë që na jep siguri: Krijuesi ynë e di se brenda nesh kemi potencialin për të kultivuar cilësi të mira.

Fjala e Perëndisë i këshillon të krishterët e vërtetë: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur.» (Efesianëve 5:1) Këto fjalë janë shprehje e jashtëzakonshme e besimit që ka Perëndia tek adhuruesit e tij. Në ç’kuptim? Perëndia Jehova e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij, në ngjashmëri me Të. (Zanafilla 1:26, 27) Pra, Perëndia i krijoi njerëzit me cilësi të ngjashme me të tijat. * Prandaj, kur Bibla i nxit të krishterët që ‘të bëhen imitues të Perëndisë’, është sikur vetë Jehovai të thotë: «Kam besim te ti. E di se, pavarësisht nga papërsosmëritë e tua, ke aftësinë të jesh si unë deri në njëfarë mase.»

Cilat janë disa cilësi të Perëndisë që mund të imitojmë? Vargjet përreth japin përgjigjen. Vër re se kur Pavli dha këshillën për të imituar Perëndinë, ai përfshiu fjalën «pra». Kjo fjalë lidhet me vargun e mëparshëm, i cili përmend mirëdashjen, dhembshurinë dhe faljen. (Efesianëve 4:32; 5:1) Pastaj, në vargun pas këshillës për të imituar Perëndinë, Pavli u thotë të krishterëve që të ndjekin një mënyrë jetese të karakterizuar nga dashuria altruiste. (Efesianëve 5:2) Vërtet, kur bëhet fjalë për të shfaqur mirëdashje, për të shprehur dhembshuri të përzemërt, për të falur njëri-tjetrin bujarisht dhe për të treguar dashuri, mund të imitojmë shembullin më të madh: Perëndinë Jehova.

Pse duhet të jemi si Perëndia? Vër re motivin e fuqishëm që nënkuptohet nga fjalët e Pavlit: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur.» A nuk prekesh kur e mendon këtë? Jehovai i sheh adhuruesit e tij si fëmijë që i do shumë. Ashtu si një djalë i vogël përpiqet të jetë si babai, edhe të krishterët e vërtetë bëjnë çmos të jenë si Ati i tyre qiellor.

Jehovai nuk i detyron njerëzit që ta imitojnë. Përkundrazi, ai na ka dhënë dinjitet duke na dhuruar vullnetin e lirë. Prandaj, varet nga ti nëse do të bëhesh imitues i Perëndisë apo jo. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Megjithatë, mos harro kurrë se brenda teje ke potencialin për të shfaqur cilësi si të Perëndisë. Patjetër, që të imitosh Perëndinë, së pari duhet të dish se si është ai. Bibla mund të të ndihmojë të mësosh gjithçka rreth cilësive dhe udhëve të Perëndisë, personaliteti i pashoq i të cilit ka tërhequr miliona njerëz që të bëhen imitues të tij.

[Shënimi]

^ par. 2 Kolosianëve 3:9, 10 tregon se krijimi i njeriut sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë ka të bëjë me veçoritë e personalitetit. Ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë nxiten të veshin «personalitetin e ri», i cili «rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij [Perëndisë] që e krijoi».