Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besimi më ndihmoi të përballoja tragjeditë

Besimi më ndihmoi të përballoja tragjeditë

Besimi më ndihmoi të përballoja tragjeditë

Treguar nga Soledada Kastijo

Disa herë në jetën time vetmia mund të më kishte vënë përfund, por nuk ia doli. Kur isha 34 vjeçe, vdiq burri im i dashur. Pas gjashtë vjetësh vdiq im atë. Tetë muaj pas vdekjes së tim eti, mora vesh se djali im i vetëm kishte një sëmundje të pashërueshme.

QUHEM Soledada, që do të thotë «vetmi». Por sado që mund të duket e çuditshme, nuk jam ndier kurrë krejt e vetme. Sa herë më binin fatkeqësi, isha e bindur se Perëndia Jehova ishte aty pranë ‘duke më kapur nga dora e djathtë e duke më ndihmuar të mos kisha frikë’. (Isaia 41:13) Më lini t’ju tregoj si i kam përballuar tragjeditë dhe si ato më kanë afruar më shumë me Jehovain.

Jetë e lumtur pa shumë probleme

Linda në Barcelonë, Spanjë, më 3 maj 1961 dhe isha fëmija i vetëm i Hozesë dhe i Soledadës. Kur isha nëntë vjeçe, nëna mësoi të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Ajo kishte kërkuar përgjigjet e pyetjeve rreth fesë, por në kishën e saj nuk i kishte gjetur. Një ditë, dy Dëshmitare të Jehovait i shkuan në shtëpi dhe iu përgjigjën me shkrime biblike të gjitha pyetjeve që u bëri. Ajo pranoi gjithë qejf një studim biblik.

Brenda pak kohësh nëna u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait dhe pak vjet më vonë edhe babai ndoqi shembullin e saj. Elianës, që i drejtonte studimin nënës, shpejt i ra në sy interesi im i madh për Fjalën e Perëndisë. Ndonëse isha e vogël, Eliana sugjeroi që unë të bëja studim më vete. Falë ndihmës së saj dhe inkurajimit të nënës u pagëzova në moshën 13-vjeçare.

Gjatë adoleshencës shpesh i lutesha Jehovait, sidomos kur duhej të merrja vendime. Të them të drejtën, në adoleshencë nuk kam pasur shumë probleme. Në kongregacion kisha shumë miq dhe isha mjaft e lidhur me prindërit. Më 1982-shin u martova me Felipen, një Dëshmitar që ashtu si unë, synonte të jepte edhe më shumë në shërbimin e Jehovait.

E rritim fëmijën me dashuri për Jehovain

Pas pesë vjetësh linda një djalë të bukur që e quajtëm Saul. Felipe dhe unë u lumturuam që kishim një fëmijë. Shpresonim që Sauli të bëhej një fëmijë i shëndetshëm dhe i ekuilibruar që ta donte Perëndinë. Ne kalonim mjaft kohë me Saulin, i flitnim për Jehovain, hanim bashkë, e çonim në park dhe luanim me të. Sauli kishte shumë qejf të dilte me Felipen për të folur me të tjerët rreth të vërtetave biblike. Felipe e përfshinte Saulin në shërbim qysh kur ishte fare i vogël, duke e mësuar t’u binte zileve e t’u jepte njerëzve fletushka.

Sauli iu përgjigj dashurisë dhe stërvitjes sonë. Kur ishte gjashtë vjeç, merrte pjesë rregullisht me ne në shërbim. Vdiste të dëgjonte tregime biblike dhe mezi e priste studimin biblik që bënim si familje. Shpejt pasi hyri në shkollë, nisi të merrte vendime të vogla të bazuara në njohurinë e Biblës.

Megjithatë, kur Sauli u bë shtatë vjeç, jeta jonë familjare ndryshoi rrënjësisht. Felipe mori një infeksion viral në mushkëri. Për 11 muaj luftoi me sëmundjen. Nuk punonte dot dhe shpesh dergjej në shtrat. Në moshën 36-vjeçare im shoq vdiq.

Ende qaj kur kujtoj atë vit të vështirë. E shihja tim shoq që pak nga pak humbte betejën me atë virus dhe unë s’bëja dot asgjë. Gjithë asaj kohe mundohesha ta inkurajoja Felipen, ndonëse thellë brenda vetes shpresat dhe planet e mia për jetën familjare po bëheshin copë e thërrime. I lexoja artikuj të bazuar në Shkrime dhe këta na forconin kur nuk i ndiqnim dot mbledhjet e krishtere. Kur vdiq, më pushtoi një ndjenjë e fortë zbrazëtie.

Por Jehovai më mbështeti. I kërkoja vazhdimisht të më jepte frymën e tij. E falënderoja për vitet e lumtura që kaluam bashkë me Felipen dhe për shpresën që kam ta shoh sërish kur të ringjallet. I kërkoja Perëndisë të më ndihmonte të isha e lumtur me kujtimet që kisha me tim shoq dhe të më jepte mençuri për ta rritur djalin tonë si i krishterë i vërtetë. Pavarësisht nga dhembja e madhe, ndihesha e ngushëlluar.

Prindërit dhe kongregacioni më mbështetën jashtë mase. Megjithatë, duhej ta drejtoja vetë studimin e Biblës me Saulin dhe ta mësoja t’i shërbente Jehovait. Një ish-punëdhënës më ofroi një punë të mirë zyre, por unë vendosa të bëja punë pastrimi që të rrija më shumë me Saulin dhe të isha me të kur kthehej nga shkolla.

Sidomos një shkrim ma përforconte rëndësinë që kishte stërvitja e Saulit në udhën e Perëndisë: «Stërvite djalin në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.» (Proverbat 22:6) Ky shkrim më jepte shpresën se, po të bëja ç’kisha mundësi për të ngulitur te Sauli parimet e Jehovait, Ai do t’i bekonte përpjekjet e mia. Vërtet më duhej të bëja disa sakrifica nga ana ekonomike, por kisha nevojë të rrija më shumë me tim bir, dhe kjo për mua kishte më shumë rëndësi se çdo përfitim material.

Kur Sauli ishte 14 vjeç, vdiq im atë. Sauli u ndie i dërrmuar, ngaqë vdekja e gjyshit e bëri të përjetonte sërish dhembjen që kishte ndier kur humbi të atin. Babai im kishte lënë edhe një shembull të shkëlqyer të dashurisë për Jehovain. Pas vdekjes së tij, Sauli vendosi të kujdesej për nënën e vet dhe gjyshen, meqë ishte i vetmi «burrë» në familje.

Lufta me leuceminë

Tetë muaj pas vdekjes së tim eti, mjeku i familjes më tha ta çoja Saulin në spital, pasi kishte një rraskapitje të madhe. Pas disa analizash mjekët më thanë se Sauli kishte leucemi. *

Për dy vjet e gjysmë, Sauli shtrohej e dilte vazhdimisht nga spitali teksa luftonte të përballonte kancerin dhe kimioterapinë që i bënë mjekët për trajtim. Nga gjashtë muajt e parë të trajtimit pati një përmirësim që zgjati rreth 18 muaj. Por kanceri iu kthye dhe Saulit i bënë një trajtim më të shkurtër kimioterapie që e dobësoi jashtë mase. Pati një përmirësim fare të shkurtër dhe nuk mund të përballonte një program të tretë kimioterapie. Sauli ia kishte kushtuar jetën Perëndisë dhe kishte shprehur dëshirën për t’u pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait, por vdiq pak pasi mbushi 17 vjeç.

Mjekët shpesh këshillojnë transfuzionet e gjakut për t’iu kundërvënë efektit dërrmues të kimioterapisë. Sigurisht, transfuzionet nuk e kurojnë dot sëmundjen. Kur mjekët e diagnostikuan me leucemi, unë dhe Sauli duhej t’ua bënim të qartë se nuk do ta pranonim këtë trajtim, sepse donim t’i bindeshim ligjit të Jehovait që ‘të rrimë larg nga gjaku’. (Veprat 15:19, 20) Disa herë, kur unë nuk isha aty, Sauli duhej t’i bindte mjekët se vendimin e kishte marrë vetë. (Shih kutinë në faqen 31.)

Më në fund mjekët arritën në përfundimin se Sauli ishte një i mitur i pjekur që e kuptonte fare mirë sëmundjen e tij. Ata ranë dakord të respektonin pikëpamjen tonë dhe na dhanë trajtime pa gjak, ndonëse ishim nën presion të vazhdueshëm për të ndryshuar vendimin tonë. Ndihesha shumë krenare për Saulin tek e dëgjoja t’u shpjegonte mjekëve qëndrimin e tij. Dukej qartë se kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.

Atë verë kur morëm vesh sëmundjen e Saulit, në kongresin krahinor në Barcelonë doli libri me titull T’i afrohemi Jehovait. Ky libër i paçmuar ishte si një spirancë që na mbante të patundur, ndonëse na priste një e ardhme e pasigurt që na trembte. Gjatë atyre orëve që kaluam në spital, lexonim së bashku pjesë nga libri. Në momentet e shumta dhe të vështira që kaluam pastaj, e kujtonim shpesh çka kishim lexuar. Pikërisht në ato çaste shkrimi i Isaisë 41:13, i përmendur në hyrjen e librit, merrte kuptim të veçantë për ne. Aty thuhet: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»

Besimi i Saulit prek zemrat

Pjekuria dhe optimizmi i Saulit u bëri tepër përshtypje mjekëve dhe infermiereve në spitalin «Val d’Ebron». Ai i hyri në zemër gjithë personelit që u kujdes për të. Qysh atëherë, kryehematologu që trajton rastet me kancer, është kujdesur edhe për fëmijë të tjerë Dëshmitarë me leucemi dhe i ka trajtuar me shumë respekt e dinjitet. Atij i kujtohet vendimi i patundur i Saulit për t’u qëndruar besnik bindjeve të tij, guximi i tij përballë vdekjes dhe optimizmi për jetën. Infermieret i thoshin Saulit se ishte pacienti më i mirë që kishin pasur në atë pavijon. Ato tregonin se Sauli nuk ankohej dhe kurrë nuk e humbi ndjenjën e humorit edhe kur ishte në prag të vdekjes.

Një psikologe më tha se shumë fëmijë të moshës së tij me këtë sëmundje të pashërueshme, në përgjithësi rebelohen kundër mjekëve dhe prindërve nga dhembjet dhe mërzia. Ajo vërejti se me Saulin nuk ndodhte kështu. Mahnitej që Sauli ishte kaq i qetë dhe optimist. Kjo na dha mundësi mua dhe Saulit t’i dëshmonim për besimin tonë.

Gjithashtu më kujtohet se si Sauli ndikoi për mirë te një Dëshmitar në kongregacionin tonë. Ai kishte gati gjashtë vjet që vuante nga depresioni dhe ilaçet nuk e kishin përmirësuar. Ai kaloi disa net duke u kujdesur për Saulin në spital. Më tha se qëndrimi i Saulit përballë leucemisë i la mbresa të thella. Ai vinte re që, pavarësisht se ishte i rraskapitur, Sauli përpiqej të inkurajonte këdo që i shkonte për vizitë. Ky Dëshmitar thotë: «Shembulli i Saulit më dha kurajë të luftoja depresionin.»

Kanë kaluar tre vjet që nga vdekja e Saulit. Sigurisht dhembja ende nuk është fashitur. Nuk jam e fortë vetë, por Perëndia më ka dhënë ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Korintasve 4:7) Kam mësuar se edhe përvojat më të vështira e më të dhembshme e kanë ndonjë të mirë. Vdekja e tim shoqi, e babait dhe e tim biri më kanë bërë të mendoj më shumë për të tjerët dhe t’i kuptoj më mirë ata që vuajnë. Mbi të gjitha më kanë afruar më shumë me Jehovain. E shoh të ardhmen pa frikë, sepse Ati im qiellor ende më ndihmon. Ai akoma më mban të kapur prej dore.

[Shënimi]

^ par. 19 Sauli vuante nga leucemia limfoblastike, një kancer i rëndë në gjak që shkatërron rruazat e bardha.

[Kutia dhe figura në faqen 31]

A E KENI PYETUR VETEN?

Mund të keni dëgjuar se Dëshmitarët e Jehovait nuk e pranojnë transfuzionin e gjakut. A e keni pyetur ndonjëherë veten pse?

Shpesh ky vendim i bazuar në Shkrime keqkuptohet. Nganjëherë njerëzit mendojnë që Dëshmitarët e Jehovait refuzojnë çdo lloj trajtimi mjekësor ose që ata nuk e vlerësojnë jetën. Kjo është shumë larg së vërtetës. Dëshmitarët e Jehovait kërkojnë trajtimin më të mirë të mundshëm për veten dhe familjarët e tyre. Gjithsesi, ata duan trajtime mjekësore pa gjak. Përse?

Qëndrimi i tyre bazohet te një ligj themelor që i dha Perëndia njerëzimit. Pak pas Përmbytjes së ditëve të Noesë, Perëndia i dha leje Noesë dhe familjes së tij të hanin mishin e kafshëve. Perëndia vuri vetëm këtë kufizim: nuk duhej të hanin gjak. (Zanafilla 9:3, 4) Njerëzit e të gjitha racave janë pasardhës të Noesë. Pra, ky ligj është i detyrueshëm për mbarë njerëzimin. Ai nuk u shfuqizua kurrë. Më shumë se tetë shekuj më vonë, Perëndia ia dha sërish atë ligj kombit të Izraelit, duke u shpjeguar se gjaku është i shenjtë, pasi simbolizon shpirtin ose vetë jetën. (Levitiku 17:14) Pas më se 1.500 vjetësh, apostujt e krishterë i urdhëruan gjithë të krishterët: «Vazhdoni të rrini larg . . . nga gjaku.»—Veprat 15:29.

Dëshmitarët e Jehovait e kanë të qartë se është e pamundur të rrish larg nga gjaku nëse e fut në trup me anë të transfuzionit. Prandaj ata këmbëngulin të trajtohen me metoda të tjera. Shpesh, ky qëndrim i bazuar në Shkrime çon në një trajtim mjekësor edhe më cilësor. Pa dyshim, kjo është arsyeja pse edhe shumë njerëz që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait kërkojnë trajtim mjekësor pa gjak.

[Figura në faqen 29]

Me tim shoq, Felipen, dhe me djalin tonë, Saulin

[Figura në faqen 29]

Prindërit e mi, Hozeja dhe Soledada

[Figura në faqen 30]

Sauli një muaj para vdekjes