Kush mund ta dijë të ardhmen?
Kush mund ta dijë të ardhmen?
«Unë jam Hyjnori . . . , Ai që thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur.»—Isaia 46:9, 10.
NË KËTO kohë të paqëndrueshme, analistët politikë, financiarë dhe socialë studiojnë historinë dhe prirjet e sotme në përpjekje për të parashikuar të ardhmen. Të tjerë, nga dëshira e madhe për të ditur si do të jetë e ardhmja e tyre, i drejtohen astrologjisë ose spiritizmit. Këta shpesh zhgënjehen nga rezultatet. A është absolutisht e pamundur të dish çfarë do të ndodhë me këtë botë, me familjet tona dhe me ne vetë? A ka, në fund të fundit, ndonjë që mund ta parashikojë vërtet të ardhmen?
Me fjalët e mësipërme drejtuar profetit Isaia, Jehovai, Perëndia i Plotfuqishëm, tregoi aftësinë e tij për të parashikuar të ardhmen. Me anë të Isaisë, Perëndia parashikoi çlirimin e izraelitëve të lashtësisë nga robëria babilonase dhe kthimin e tyre për të rindërtuar Jerusalemin dhe tempullin. Sa e saktë ishte kjo profeci? Rreth 200 vjet para, Isaia tregoi me saktësi emrin e pushtuesit të ardhshëm të Babilonisë, Kirit. Për më tepër, Isaia me saktësi përshkroi strategjinë e Kirit: do të devijonte lumin Eufrat, i cili shërbente si mbrojtje për qytetin. Ai madje parashikoi se Kiri do t’i gjente të lëna hapur nga pakujdesia portat e stërmëdha dykanatëshe në murin e qytetit, dhe kjo do t’ia bënte të lehtë fitoren Kirit.—Isaia 44:24–45:7.
Ndryshe nga Perëndia, njeriu është i pafuqishëm për të zhbiruar të ardhmen. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Mos u mburr për të nesërmen, sepse nuk e di se ç’do të sjellë dita.» (Proverbat 27:1) Kjo është akoma e vërtetë. S’ka qenie njerëzore që të mund të parashikojë sikur edhe të ardhmen e vet. Po pse me Perëndinë është ndryshe? Ai kupton krejtësisht çdo gjë që ka krijuar, përfshirë natyrën dhe prirjet e njeriut. Nëse do, Perëndia mund të parashikojë me saktësi se si do të veprojnë individë të caktuar ose kombe të tëra. Për më tepër, ai ka aftësi të pakufishme për të pasur nën kontroll përfundimin e ngjarjeve. Kur parathotë me anë të profetëve se do të ndodhë diçka, Perëndia bëhet «Ai që bën të dalin të vërteta fjalët e shërbëtorit të tij, Ai që bën të përmbushen plotësisht synimet e lajmëtarëve të tij». (Isaia 44:26) Vetëm Perëndia Jehova mund t’i thotë me siguri këto fjalë.
Isaia jetoi më shumë se 700 vjet para Jezuit, Mesisë. E megjithatë, Isaia profetizoi në lidhje me ardhjen e Mesisë. Pavarësisht nga kjo, sidomos nga shekulli i 18-të e më pas, kritikët e Biblës kanë sulmuar vërtetësinë e librit të Isaisë. Ata kanë pretenduar se profecitë e Isaisë nuk ishin vërtet profetike, por u shkruan pasi kishin ndodhur, domethënë një shkrimtar thjesht ka dokumentuar më vonë atë që tashmë kishte ndodhur. A është e vërtetë kjo? Në vitin 1947, në një shpellë afër Detit të Vdekur, bashkë me rrotulla të tjera të lashta, u zbulua edhe një kopje e librit të Isaisë. Studiuesit përcaktuan se kjo kopje ishte shkruar më shumë
se njëqind vjet para se të lindte Mesia i parathënë, pra Krishti. Po, Bibla zbuloi të ardhmen.Isaia dhe shkrimtarë të tjerë biblikë nuk mund të kishin parathënë ngjarjet e së ardhmes duke u bazuar vetëm në mençurinë e tyre. Në të vërtetë, ata «kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë». (2 Pjetrit 1:21) Artikujt vijues do të përqendrohen te disa hollësi të jetës së Jezuit që u parathanë nëpërmjet Isaisë. Pastaj, do të shqyrtojmë ngjarjet që Jezui dhe dishepujt e tij parathanë për ditët e sotme dhe për të ardhmen.