Lotët në calik
Lotët në calik
DJALOSHI ishte i arratisur. I mbërthyer nga shqetësimi dhe ankthi që po i zinte frymën, me sytë që i ndrinin nga lotët, kërkonte dashamirësinë dhe dhembshurinë e Perëndisë së tij, Jehovait, duke iu përgjëruar: «M’i vër lotët në calikun tënd.» (Psalmi 56:8) Ky njeri ishte Davidi, që më vonë u bë mbret i Izraelit. Po çfarë ishte caliku që përmendi ai dhe si mund t’i vërë Perëndia lotët tanë në një calik?
Davidi e dinte mirë ç’ishte caliku. Përdorej për të mbajtur ujë, vaj, verë e madje edhe gjalpë. Popujt endacakë të Saharasë, siç janë tuaregët, ende i përdorin calikët, që bëhen me lëkurën e dhive a të deleve. Calikë të tillë mund të mbajnë shumë ujë, varet sa e madhe ishte kafsha. Dihet se ata e mbajnë ujin të freskët edhe në vapën përvëluese të shkretëtirës. Në të kaluarën, zakonisht transportoheshin nga gomarët ose devetë. Ndërsa në ditët tona rastis të shihni ndonjë calik të varur edhe përpara një fuoristrade.
Fjalët prekëse të Davidit për calikun mund të kenë kuptim edhe për ne. Pse? Bibla shpjegon se Satanai sundon mbi botën dhe se ka «zemërim të madh» sot. Si pasojë, toka po kalon mjerime të tmerrshme. (Zbulesa 12:12) Për këtë arsye, janë të shumtë ata që, si Davidi, hasin vuajtje emocionale, mendore ose fizike, sidomos ata që përpiqen t’i pëlqejnë Perëndisë. A je edhe ti ndër ta? Me guxim, edhe nëse janë «duke qarë», këta besnikë nuk dorëzohen kurrë, por përpiqen të mbajnë gjithë jetën integritetin ndaj Perëndisë. (Psalmi 126:6) Ata mund të jenë të sigurt se Ati i tyre qiellor nuk sheh vetëm sprovat që hasin, por edhe ndikimin emocional që kanë këto sprova. Ai e kupton vërtet dhembjen që i mundon shërbëtorët e tij, dhe me dhembshuri i kujton lotët dhe vuajtjet e tyre, duke i ruajtur në mënyrë figurative në calikun e tij.